LIGJ Nr.10 237, datë 18.2.2010 PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË

LIGJ

Nr.10 237, datë 18.2.2010

PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË

(ndryshuar me ligjin nr. 161/2014, date 4.12.2014)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti

Ky ligj ka për objekt përcaktimin e masave, që synojnë garantimin e sigurisë dhe të shëndetit në punë të punëmarrësve.

Neni 2

Qëllimi

Ligji ka për qëllim:

  1. a) të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit, nëpërmjet parandalimit të rreziqeve profesionale, eleminimit të faktorëve që përbëjnë rrezik dhe aksident, informimit, këshillimit, pjesëmarrjes së balancuar, në përputhje me ligjin, formimit të punëmarrësve e të përfaqësuesve të tyre;
  2. b) të përcaktojë udhëzimet e përgjithshme për zbatimin e këtij qëllimi.

Neni 3

Fusha e zbatimit

  1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen në të gjithë sektorët e veprimtarisë private dhe publike.
  2. Nuk do të zbatohen dispozita të caktuara të këtij ligji, kur në dispozitat e tjera ligjore për fushat përkatëse jepen trajtime më të favorshme për mbrojtjen e sigurisë e të shëndetit në punë të punëmarrësve.
  3. Ky ligj nuk do të zbatohet, kur veçoritë karakteristike të disa veprimtarive të veçanta të shërbimit publik, si forcat e armatosura, policia e shtetit, ose disa veprimtari për menaxhimin e emergjencave civile, janë në kundërshtim me përcaktimet e këtij ligji. Në këto raste siguria dhe shëndeti në punë duhet të sigurohen sa më shumë të jetë e mundur, në përputhje me kërkesat e këtij ligji.

Neni 4

Parime të përgjithshme për punëdhënësin

  1. Punëdhënësi detyrohet të sigurojë mbrojtjen e punëmarrësve në të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë.
  2. Punëdhënësi nuk shkarkohet nga përgjegjësia edhe në rastet kur ai kontrakton persona ose kur kryen shërbime të specializuara jashtë ndërmarrjes/institucionit, në zbatim të pikës 3 të nenit 7 të këtij ligji.
  3. Punëdhënësi, në marrjen e masave për mbrojtjen e sigurisë e të shëndetit në punë, udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë gjinor.
  4. Detyrimet e punëmarrësve në fushën e sigurisë e të shëndetit në punë nuk cenojnë parimin e përgjegjësisë së punëdhënësit.
  5. Detyrimet e punëdhënësit për marrjen e masave të veçanta për mbrojtjen e sigurisë e të shëndetit në punë të punëmarrësve, gra shtatzëna, të atyre që sapo kanë lindur e të atyre me fëmijë në gji, nuk vlerësohen diskriminuese, për shkak të gjinisë.

Neni 5

Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

  1. “Aksident në punë ose për shkak të punës” është çdo ngjarje e papritur, që shkakton dëmtimin e menjëhershëm trupor, që ndodh gjatë kryerjes së punës apo të një shërbimi lidhur me të, si dhe çdo dëmtim tjetër i shëndetit, që nuk rrjedh nga sëmundje e përgjithshme, por që sjell paaftësi të përkohshme ose të përhershme në punë ose vdekje.

2.“Dokument i vlerësimit të rrezikut” është dokumenti, ku përshkruhen karakteristikat e procesit të punës, që përmban identifikimin e vlerësimit të rrezikut për sigurinë e shëndetin në punë dhe përcakton mbrojtjen e duhur.

  1. “I mitur” është person nën moshën 18 vjeç.
  2. “Grupet e rrezikuara” janë gratë shtatzëna, gratë me fëmijë në gji, të miturit, si dhe personat me aftësi të kufizuar, të cilët, për shkak të gjendjes së tyre të veçantë, janë të rrezikuar ndaj ekspozimit të agjentëve të rrezikshëm, proceseve ose kushteve të punës.
  3. “Incident i rrezikshëm” është veprimtaria e identifikueshme, e tillë si shpërthimi, zjarri, aksidenti teknik, çlirimet e rrezikshme në ajër, si rezultat i keqfunksionimit të një veprimtarie ose i një pajisjeje pune dhe sjellja e papërshtatshme e faktorit njerëzor, që nuk shkakton dëme në njerëz, por që mund të kishte pasur pasoja të tilla dhe që ka shkaktuar ose mund të kishte shkaktuar dëmtime materiale.
  4. “Koordinator i sigurisë dhe shëndetit në punë” është personi i caktuar nga punëdhënësi për të bashkërenduar punën me kontraktorët.
  5. “Ministër përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë” është ministri që mbulon politikat për çështjet e sigurisë e të shëndetit në punë në fushën e veprimtarisë përkatëse.
  6. “Mjekësia e punës” është një specializim mjekësor, për të ofruar shërbimin e duhur mjekësor, në bazë të angazhimit të marrë nga punëdhënësi, qëllimi i të cilit është promovimi dhe mbështetja e nivelit më të lartë të mirëqenies fizike, mendore dhe sociale të punëmarrësve.
  7. “Ngjarje” është aksidenti, që çon në vdekjen ose dëmtimet e trupit të njeriut, që shkaktohet gjatë procesit të punës ose gjatë realizimit të detyrave të punës, si dhe rastet e dyshuara si sëmundje profesionale.
  8. “Ndërmarrje” është çdo person fizik ose juridik, privat a publik, që kryen veprimtari ekonomike.
  9. “Pajisje pune” është çdo makineri, aparat apo instalim, që përdoret në punë.
  10. “Pajisje mbrojtëse individuale (PMI)” është çdo pajisje e përdorur nga punëmarrësi për të mbrojtur veten kundrejt një ose më shumë rreziqesh.
  11. “Parandalim” është tërësia e masave të marra ose të parashikuara në të gjitha fazat e ushtrimit të veprimtarisë në ndërmarrje, për parandalimin ose zvogëlimin e rreziqeve profesionale.
  12. “Përfaqësues i punëmarrësve” është çdo person, që ka një funksion të veçantë në fushën e mbrojtjes së sigurisë e të shëndetit të punëmarrësve, i zgjedhur ose i caktuar, në përputhje me legjislacionin, për të përfaqësuar punëmarrësit për problemet e sigurisë dhe të mbrojtjes së shëndetit në punë të punëmarrësve.
  13. “Personi i ngarkuar përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë” është një profesionist, i marrë në punë nga punëdhënësi dhe i caktuar për të kryer detyra, që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë.
  14. “Persona ose shërbime të specializuara” janë personat fizikë ose juridikë, jashtë veprimtarisë/ndërmarrjes së kualifikuar, për të kryer, sipas ligjit, shërbime mbrojtjeje dhe parandalimi në fushën e sigurisë e të shëndetit në punë.
  15. “Person me aftësi të kufizuar (PAK)” është individi i deklaruar i tillë me vendim të Komisionit Mjekësor të Posaçëm, të cilit i është kufizuar aftësia si pasojë e dëmtimit fizik, shqisor të intelektit psikiko-mendor, të lindura apo të fituara gjatë jetës, nga aksidente apo sëmundje të përkohshme apo të përhershme profesionale, të cilat vijnë nga shkaqe që lidhen ose jo me punësimin.
  16. “Punëmarrës” është çdo person i punësuar nga një punëdhënës, përfshirë praktikantët, me qëllim formimin ose futjen në tregun e punës, duke përjashtuar punonjësit shtëpiakë.
  17. “Punëdhënës” është çdo person fizik ose juridik, që punëson punëmarrës dhe që është përgjegjës për ndërmarrjen/institucionin.
  18. “Sëmundje profesionale” është çdo sëmundje e shkaktuar si rezultat i ekspozimit ndaj rreziqeve, që rrjedhin nga veprimtaria e punës.
  19. “Siguria dhe shëndeti në punë” janë masat e marra, që kanë si synim përmirësimin e kushteve gjatë procesit të punës, ruajtjen e jetës, integritetin e shëndetit, mbrojtjen fizike dhe psikike të punëmarrësve të tjerë, që marrin pjesë në procesin e prodhimit.
  20. “Shëndet në punë” është jo vetëm mungesa e sëmundjes ose dobësisë, por përfshin, gjithashtu, elementet fizike dhe mendore, që ndikojnë në shëndet e që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me sigurinë dhe higjienën në punë.
  21. “Rrezik serioz dhe i menjëhershëm aksidenti” është veprimtaria e identifikueshme, që paraqet rrezik, e cila, në një periudhë kohore të shpejtë, shkakton dëmtime në njerëz dhe materiale.
  22. “Rrezik” janë të gjitha karakteristikat e një mjeti, të një makinerie, një produkti, një materiali, një metode pune, një mjedisi apo të një mënyre organizimi pune, që paraqesin mundësinë që punëmarrësit t’i shkaktohet një plagë, sëmundje ose problem shëndetësor i menjëhershëm apo i mëvonshëm, që vjen si rezultat i ekspozimit ndaj tyre gjatë veprimtarisë në punë.
  23. “Vend pune” janë të gjitha vendet e punës, ku punëmarrësit duhet të jenë ose duhet të shkojnë për qëllime pune dhe që janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të punëdhënësit.
  24. “Inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës” është struktura administrative, në varësi të ministrit përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, në nivel qendror, rajonal dhe vendor,  përgjegjëse  për monitorimin  e  zbatueshmërisë  së legjislacionit të punës, përfshirë dhe këtë ligj, sipas përcaktimit të bërë në ligjin nr. 9634, datë 30.10.2006 “Për inspektimin në punë dhe Inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës”.
  25. “Ministri përgjegjës për shëndetësinë” është ministri përgjegjës për politikat e shëndetit publik, përfshirë dhe ato të shëndetit në punë.
  26. “Inspektorati Sanitar Shtetëror” është struktura administrative, në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, përgjegjëse për monitorimin e zbatueshmërisë së ligjit të shëndetit publik, përfshirë dhe shëndetin në punë, në nivel qendror, rajonal dhe vendor.

KREU II

DETYRIMET E PUNËDHËNËSIT

Neni 6

Detyrime të përgjithshme të punëdhënësve

  1. Punëdhënësi, për sigurimin e mbrojtjes së punëmarrësve në të gjitha aspektet, që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, merr masat e nevojshme nëpërmjet:
  2. a) parandalimit të rreziqeve për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale;
  3. b) informimit dhe formimit profesional të punëmarrësve e të përfaqësuesve të tyre;
  4. c) organizimit të mbrojtjes kolektive dhe individuale;

ç) sigurimit të organizimit të vendit të punës e të mjeteve të nevojshme.

  1. Punëdhënësi kujdeset për përditësimin e masave të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duke marrë parasysh ndryshimet e rrethanave, për përmirësimin e situatave ekzistuese.
  2. Punëdhënësi zbaton masat e parashikuara në shkronjën “a” të pikës 1 të këtij neni, në bazë të parimeve të përgjithshme të parandalimit, si:
  3. a) shmangien e rreziqeve;
  4. b) vlerësimin e rreziqeve, të cilat nuk mund të shmangen;
  5. c) luftën ndaj rrezikut që në burim;

ç) përshtatjen e procesit të punës me punëmarrësin, veçanërisht për sa i përket konceptimit të vendit të punës, zgjedhjes së pajisjeve të punës, si dhe metodave të punës e të prodhimit, me qëllim që të zbusë, në mënyrë të veçantë, punën njëtrajtësisht të përsëritshme dhe punën e normuar e të zvogëlojë efektet e tyre mbi shëndetin;

  1. d) përshtatjen e procesit të punës me zhvillimin e teknologjive;
  2. dh) zëvendësimin e asaj që është e rrezikshme me atë që nuk është e rrezikshme, ose me atë që është më pak e rrezikshme;
  3. e) ndërmarrjen e masave parandaluese, gjithëpërfshirëse dhe koherente, të cilat mbulojnë teknologjinë, organizimin e punës, kushtet e punës, marrëdhëniet sociale dhe ndikimin e faktorëve, që lidhen me mjedisin e punës;

ë) dhënien e përparësisë për masat e mbrojtjes kolektive, në raport me ato të mbrojtjes individuale;

  1. f) dhënien e udhëzimeve të duhura punëmarrësve.
  2. Punëdhënësi, pa cenuar dispozitat e tjera të këtij ligji, duke pasur parasysh natyrën e veprimtarive të ndërmarrjes/institucionit, vlerëson rreziqet për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve, përfshirë përzgjedhjen e pajisjeve, të substancave ose preparateve kimike dhe mënyrën e rregullimit të vendeve të punës, në përputhje me masat e duhura mbrojtëse.
  3. Pas kryerjes së vlerësimit të përcaktuar në pikën 4 të këtij neni dhe nëse është e nevojshme, punëdhënësit duhet:
  4. a) të garantojnë një nivel më të mirë të mbrojtjes së sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve;
  5. b) të integrohen në tërësinë veprimtarive të ndërmarrjes e të institucionit, si dhe në të gjitha nivelet hierarkike;
  6. c) të marrin parasysh aftësitë e punëmarrësit në fushën e shëndetit e të sigurisë për çdo detyrë që i caktohet;

ç) të zhvillojnë këshillime me punëmarrësit dhe me përfaqësuesit e tyre, me objekt planifikimin e futjen e teknologjive të reja, duke vënë në dukje pasojat e tyre për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve, pasoja të cilat lidhen me përzgjedhjen e pajisjeve, rregullimin  e kushteve të punës  dhe  ndikimin  e  kushteve të mjedisit;

  1. d) të marrin masat e duhura, me qëllim që vetëm punëmarrësit, të cilët kanë marrë udhëzime të përshtatshme, të futen në zonat me rrezik të madh dhe specifik.
  2. Në rastin kur punëmarrësit e shumë ndërmarrjeve përdorin të njëjtin vend pune, punëdhënësit duhet:
  3. a) të bashkëpunojnë për zbatimin e dispozitave për sigurinë, higjienën dhe shëndetin, duke pasur parasysh natyrën e veprimtarisë së punës;
  4. b) të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre, me qëllim mbrojtjen dhe parandalimin e rreziqeve profesionale, duke caktuar një koordinator për sigurinë dhe shëndetin;
  5. c) të shkëmbejnë reciprokisht informacione për këto rreziqe, për të cilat të vënë në dijeni punëmarrësit përkatës ose përfaqësuesit e tyre.
  6. Masat që marrin punëdhënësit për sigurinë, higjienën dhe shëndetin në punë nuk kanë efekt financiar për punëmarrësit.

Neni 7

Shërbimet e mbrojtjes dhe të parandalimit

  1. Punëdhënësi ngarkon një ose disa punëmarrës, që të merren me çështjet e mbrojtjes, të sigurisë e shëndetit në punë dhe të parandalimit të rreziqeve profesionale në ndërmarrje/institucion.
  2. Në përputhje me pikën 1 të këtij neni:
  3. a) punëmarrësi/punëmarrësit i/e ngarkuar nuk mund të cenohen për shkak të veprimtarisë së tij/tyre, lidhur me mbrojtjen dhe parandalimin e rreziqeve profesionale;
  4. b) punëmarrësit/punëmarrësve i/u jepet koha e nevojshme për të realizuar detyrimet që rrjedhin nga ky ligj;
  5. c) punëmarrësit/punëmarrësve i/u sigurohen nga punëdhënësi mjetet dhe trajnimi i nevojshëm për të realizuar detyrimet që rrjedhin nga ky ligj.
  6. Punëdhënësi u drejtohet personave ose shërbimeve të specializuara jashtë ndërmarrjes/institucionit, duke hyrë në marrëdhënie kontraktore me ta, nëse kapacitetet e ndërmarrjes/institucionit janë të pamjaftueshme për të organizuar veprimtari për mbrojtjen dhe parandalimin.
  7. Punëdhënësi është i detyruar që subjekteve të kontraktuara prej tij, sipas pikës 3 të këtij neni:
  8. a) t’u japë të gjithë informacionin për faktorët e njohur ose të dyshuar, që kanë efekte për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve;
  9. b) t’u krijojë mundësi për marrjen e informacionit të parashikuar në shkronjat “a” e “b” të pikës 1 të nenit 12 të këtij ligji.
  10. Për organizmin e veprimtarive parandaluese dhe mbrojtëse, në përshtatje me madhësinë e ndërmarrjes/institucionit, punëmarrësit dhe personat e shërbimeve të specializuara, të përcaktuara sipas pikave 1 e 3 të këtij neni, duhet:
  11. a) të kenë aftësitë dhe kualifikimin e duhur;
  12. b) të disponojnë mjetet dhe pajisjet e duhura dhe profesionale, si dhe aparaturat matëse;
  13. c) të jenë mjaftueshëm në numër për të marrë në ngarkim veprimtaritë për mbrojtjen dhe parandalimin e rreziqeve, ndaj të cilave ekspozohen punëmarrësit, si dhe shpërndarjen e tyre në ndërmarrje/institucion.
  14. Personat përgjegjës për sigurinë e shëndetin në punë, të caktuar nga ndërmarrja dhe shërbimet e specializuara të kontraktuara, bashkëpunojnë, kur është e nevojshme, për çështje të sigurisë e të mbrojtjes së shëndetit në punë.
  15. Këshilli i Ministrave me vendim përcakton:
  16. a) aftësitë dhe mundësitë e nevojshme, që duhet të plotësojnë punëmarrësit dhe personat ose shërbimet e specializuara, të përcaktuara në pikat 1 e 3 të këtij neni;
  17. b) numrin e punëmarrësve, që merren me çështjet e mbrojtjes, të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe të parandalimit të rreziqeve profesionale, i cili konsiderohet i mjaftueshëm për një punëdhënës.

Neni 8

Ndihma e parë, mbrojtja kundër zjarrit dhe evakuimi i punëmarrësve,

rreziqet e rënda dhe të menjëhershme

  1. Punëdhënësi:
  2. a) merr masa paraprake për të organizuar dhënien e ndihmës së parë, mbrojtjen nga zjarri dhe evakuimin në rastet kur ka rrezik për të ndodhur ngjarje;
  3. b) merr masa për të ulur, sa më shumë të jetë e mundur, kërcënimet për sigurinë dhe shëndetin në punë të punëmarrësve e të personave të tjerë të pranishëm;
  4. c) organizon dhe siguron evakuimin e shpëtimin e punëmarrësit në rast ngjarjesh ose aksidentesh të papritura, që kërcënojnë sigurinë dhe shëndetin e tyre;

ç) trajnon personat, që do të kryejnë evakuimin e shpëtimin dhe siguron, me anë të personave të trajnuar, realizimin e evakuimit e të shpëtimit, fikjen e zjarrit dhe dhënien e ndihmës së shpejtë me pajisjet e nevojshme;

  1. d) harton një plan për evakuimin dhe shpëtimin në situata emergjente, të cilin ia bën të ditur të gjithë punëmarrësve, si dhe kryen ushtrime praktike, të paktën një herë në dy vjet, në përputhje me këtë plan;
  2. dh) organizon dhe jep ndihmën e shpejtë për punëmarrësit e dëmtuar në punë ose punëmarrësit, që pësojnë sëmundje të papritura, derisa ata të dërgohen në një institucion të kujdesit shëndetësor;
  3. e) cakton të paktën një punëmarrës të trajnuar, i cili mund të japë ndihmën e shpejtë, të fikë zjarrin ose të kryejë veprime shpëtimi a evakuimi dhe, nëse ka më tepër se 20 persona, që punojnë në të njëjtin mjedis pune, duhet të ketë të paktën dy punëmarrës të trajnuar për ofrimin e këtyre shërbimeve.
  4. Punëdhënësi vendos pajisje të nevojshme në dispozicion të punëmarrësve përgjegjës për ndihmën e shpejtë, shpëtimin dhe evakuimin në rast zjarri.
  5. Punëdhënësi duhet:
  6. a) të informojë, sa më shpejt të jetë e mundur, të gjithë punëmarrësit që janë ose mund të jenë të ekspozuar ndaj një rreziku të rëndë dhe të menjëhershëm, për rrezikun e për masat e marra ose që do të merren për mbrojtjen e tyre;
  7. b) të japë udhëzimet e duhura e të marrë masa për t’i lejuar punëmarrësit, në rast rreziku të rëndë, të menjëhershëm dhe të pashmangshëm, të ndalojnë veprimtarinë e tyre dhe të lënë në mënyrë të menjëhershme vendin e punës, duke kaluar në një vend të sigurt;
  8. c) me përjashtim të ndonjë rasti shumë të motivuar, të mos u kërkojë punëmarrësve rifillimin e punës, kur rreziku i rëndë dhe i menjëhershëm vazhdon (është prezent).
  9. Punëmarrësi, i cili në rast rreziku të rëndë, të menjëhershëm dhe të pashmangshëm, largohet nga vendi i punës ose zona e rrezikshme, nuk mund të cenohet nga punëdhënësi, por duhet të mbrohet kundrejt çdo pasoje dëmtuese dhe të pajustifikuar.
  10. Punëdhënësi siguron që çdo punëmarrës, në rast rreziku të rëndë dhe të menjëhershëm për sigurinë e tij vetjake dhe atë të personave të tjerë dhe në rast pamundësie kontakti me superiorin hierarkik përgjegjës, duke u mbështetur në njohuritë e tij e në mjetet teknike që disponon, të mund të marrë masat e duhura për të shmangur pasojat e një rreziku të tillë. Veprimi i tij nuk cenon atë, me përjashtim të rasteve, kur ai ka vepruar me pakujdesi ose ka neglizhuar rëndë.

Neni 9

Detyrime të veçanta të punëdhënësit

  1. Punëdhënësi ka këto detyrime të veçanta:
  2. a) kryen një vlerësim të rreziqeve për sigurinë dhe shëndetin në punë, përfshirë edhe grupet e punëmarrësve të ekspozuar ndaj rreziqeve të veçanta;
  3. b) përcakton masat mbrojtëse që duhen marrë dhe, nëse është e nevojshme, pajisjet mbrojtëse që do të përdoren;
  4. c) mban regjistër të aksidenteve në punë, për rastet kur punëmarrësit përfitojnë paaftësi të përkohshme në punë për më shumë se 3 ditë pune, për shkak të aksidenteve e të sëmundjeve profesionale;

ç) harton raporte për aksidentet në punë e sëmundjet profesionale, të cilat ia vë në dispozicion autoriteteve përkatëse.

  1. Ministri përgjegjës për çështjet e sigurisë e të shëndetit në punë nxjerr udhëzim për detyrimet që kanë subjektet publike dhe private për hartimin e dokumenteve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni.

Neni 10

Detyrime të punëdhënësit për hartimin e masave për parandalimin e aksidenteve

në punë e të sëmundjeve profesionale

Punëdhënësi, për hartimin e masave për të parandaluar aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, ka këto detyrime:

  1. a) miraton, në fazën e kërkimit, të projektimit dhe ndërtimit të ndërtesave, të vënies në punë të pajisjeve të punës e të teknologjive, që do të përdoren, zgjedhje në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, që çojnë në zvogëlimin dhe shmangien e rreziqeve për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale;
  2. b) përpilon, duke vlerësuar rrezikun, një dokument vlerësimi dhe parandalimi të rrezikut, që përmban masat me karakter teknik, organizativ, higjieno-sanitar, të cilat do të zbatohen sipas kushteve specifike të vendeve të punës të veprimtarisë;
  3. c) merr autorizimet përkatëse, sipas dispozitave ligjore në fuqi, para fillimit të çdo veprimtarie, për mënyrën e veprimit për sigurinë dhe shëndetin në punë;

ç) përcakton, në përshkrimet e punës, cilësitë dhe përgjegjësitë e punëmarrësit në fushën e sigurisë dhe të shëndetit në punë, sipas pozicionit përkatës të punës;

  1. d) harton, në zbatim të ligjit, udhëzimet e tyre, në mënyrë që të plotësojnë dhe zbatojnë rregulloret për sigurinë dhe shëndetin në punë për veprimtari të veçanta dhe vendet e punës në përgjegjësi të tyre.

Neni 11

Detyrime të punëdhënësit për garantimin e zbatimit të masave për parandalimin e aksidenteve në punë dhe të sëmundjeve profesionale

  1. Punëdhënësi, për garantimin e zbatimit të masave për të parandaluar aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, ka këto detyrime:
  2. a) siguron dhe kontrollon cilësinë e kryerjes së shërbimeve të personave përgjegjës ose të shërbimeve të jashtme të kontraktuara prej tij për sigurinë e shëndetin në punë, në mënyrë që të gjithë punëmarrësit të dinë dhe të zbatojnë masat e parashikuara në dokumentin e vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, të përcaktuar në shkronjën “b” të nenit 10 të këtij ligji;
  3. b) merr masat për të siguruar materialet e nevojshme për informimin dhe trajnimin e punëmarrësve, si për shembull postera, fletushka, filma, filmime të lidhura me sigurinë dhe shëndetin në punë;
  4. c) siguron informimin e çdo personi përpara fillimit të punës, për rreziqet ndaj të cilave ai mund të ekspozohet në vendin e punës, si dhe për masat parandaluese dhe mbrojtëse që nevojiten;

ç) siguron që punëmarrësit të jenë të pajisur me lejet e ushtrimit të profesioneve, të cilat parashikohen me akte ligjore të veçanta;

  1. d) siguron funksionimin e vazhdueshëm dhe të duhur të sistemeve dhe mjeteve mbrojtëse, mjeteve të matjes dhe të kontrollit, si dhe të pajisjeve të diktimit, mbajtjes nën kontroll dhe neutralizimit të substancave të rrezikshme, që çlirohen gjatë zhvillimit të proceseve teknologjike;
  2. dh) merr në punë çdo punëmarrës, në bazë të ekzaminimit mjekësor të tij, në varësi të vendit të punës;
  3. e) vë në dispozicion të inspektorëve të punës, gjatë inspektimit ose hetimit të ngjarjeve, dokumentacionin e nevojshëm dhe informacionin e kërkuar;

ë) bën rregullimet e nevojshme për të realizuar masat, që kërkohen nga inspektorët e punës gjatë inspektimeve ose hetimeve të ngjarjeve;

  1. f) lejon përfaqësuesin e punëmarrësve, me kërkesën e këtij të fundit, të marrë pjesë gjatë vizitës së inspektimit, si dhe në rastet e hetimit të ngjarjeve;
  2. g) ngarkon, me kërkesën e inspektorit të punës, punëmarrësit të marrin pjesë në inspektimin dhe hetimin e ngjarjeve;
  3. gj) ruan të gjitha provat në vendngjarjen e një aksidenti me pasojë vdekje, qoftë ky dhe kolektiv, me përjashtim të rasteve kur ruajtja e vendngjarjes çon në një tjetër aksident ose rrezikon jetën, si të personave të dëmtuar, ashtu dhe të personave të tjerë;
  4. h) pajis punëmarrësit, në mënyrë të detyrueshme, me pajisje mbrojtëse individuale, në rast të dëmtimit ose humbjes së cilësive mbrojtëse të pajisjeve të mëparshme.
  5. Këshilli i Ministrave me vendim përcakton rregullat, procedurat dhe llojet e testeve ekzaminuese mjekësore, që do të kryhen në varësi të punës që kryejnë punëmarrësit.

Neni 12

Informimi i punëmarrësve

  1. Punëdhënësi:
  2. a) informon punëmarrësit dhe përfaqësuesit e tyre për çdo rrezik në vendin e punës, si dhe për masat e sigurisë, që duhen marrë për të kontrolluar këto rreziqe dhe për të shmangur pasojat e rrezikshme;
  3. b) informon punëmarrësit dhe përfaqësuesit e tyre për ndihmën e parë, masat në rast zjarri, evakuimin, si dhe përgjegjësitë e veçanta të secilit për marrjen e këtyre masave;
  4. c) i paraqet punëmarrësit rezultatet nga vlerësimi i rrezikut, si dhe masat e ndërmarra për të siguruar shëndetin dhe mbrojtjen e punës për punëmarrësit, fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe me fëmijë në gji dhe personat me aftësi të kufizuar.
  5. Nëse punëdhënësi ka vënë në rrezik punëmarrës të tjerë të subjektit të angazhuar mbi bazë kontraktore:
  6. a) i pajis këta punëmarrës me të njëjtat udhëzime;
  7. b) i informon më parë ata për rreziqet e shëndetit dhe sigurinë në punë;
  8. c) u jep atyre informacion për punëmarrësit me përgjegjësi të veçanta për ndihmën e parë, mbrojtjen nga zjarri dhe evakuimin.
  9. Në përputhje me dispozitat e posaçme, punëdhënësi duhet të vendosë në vendin e punës dhe mbi pajisjet/makineritë e punës paralajmërime të veçanta dhe shenja sigurie, si dhe udhëzime për shëndetin dhe mbrojtjen në punë.
  10. Punëdhënësi u vë në dispozicion punëmarrësve udhëzimin e hollësishëm, në zbatim të dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, për çdo vend pune, i dokumentuar nëpërmjet një procesverbali, që mbahet ndërmjet palëve.

Neni 13

Këshillimi i punëmarrësve

  1. Punëdhënësi i lejon punëmarrësit dhe përfaqësuesit e tyre të marrin pjesë në diskutime për të gjitha çështjet, që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, sipas neneve 10 e 11 të këtij ligji dhe akteve nënligjore që dalin në zbatim të tij.
  2. Punëdhënësi këshillohet me punëmarrësit dhe përfaqësuesit e tyre ose me këshillin e sigurisë dhe shëndetit në punë për:
  3. a) masat që mund të kenë ndikim të konsiderueshëm mbi sigurinë dhe shëndetin në punë;
  4. b) caktimin e një personi përgjegjës ose të një personi juridik ose fizik përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, ndihmën e parë, mbrojtjen kundër zjarrit dhe evakuimin e punëmarrësve;
  5. c) informacionin për vlerësimin e rreziqeve, masat mbrojtëse, regjistrin dhe raportet e aksidenteve në punë, si dhe raportet nga inspektoratet ose institucionet përgjegjëse për sigurinë e shëndetin në punë;

ç) listën e personave ose të shërbimeve të jashtme, që kontraktohen për të kryer shërbime sipas pikës 3 të nenit 7 të këtij ligji;

  1. d) planin dhe organizimin e trajnimeve, që organizohen sipas nenit 19 të këtij ligji.

Neni 14

Këshilli i sigurisë dhe shëndetit në punë

  1. Në ndërmarrje ngrihet këshilli i sigurisë dhe shëndetit në punë, i cili ka si mision të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor dhe të sigurisë së punëmarrësve, si dhe në përmirësimin e kushteve të punës.
  2. Këshilli është organ partneriteti këshillues me përfaqësues të punëdhënësve dhe të punëmarrësve, të përfaqësuar në mënyrë të barabartë, i cili ka si qëllim këshillimin e rregullt dhe periodik të veprimtarisë së ndërmarrjes, për parandalimin e rreziqeve në punë.
  3. Përfaqësuesit e këshillit kanë të drejtë të marrin pjesë dhe të analizojnë problemet për parandalimin e rreziqeve në punë në ndërmarrje.
  4. Përbërja dhe rregullat për organizimin dhe funksionimin e këshillit të sigurisë dhe shëndetit në punë përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 15

Kompetencat e këshillit të sigurisë dhe shëndetit në punë

  1. Këshilli i sigurisë dhe shëndetit në punë ka këto kompetenca:
  2. a) merr pjesë në vlerësimin, hartimin dhe vënien në jetë të programeve të parandalimit të rreziqeve në ndërmarrje;
  3. b) nxit nisma për mënyrat dhe procedurat për parandalimin efektiv të rreziqeve, duke i propozuar ndërmarrjes përmirësimin e kushteve dhe mënjanimin e rreziqeve.
  4. Punëdhënësi është i detyruar të zbatojë propozimet e bëra nga këshilli i sigurisë dhe shëndetit në punë, duke bashkëpunuar me Inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës dhe Inspektorati që mbulon fushën e shëndetësisë.

Neni 16

Numri i përfaqësuesve të punëmarrësve në këshillin e sigurisë

dhe shëndetit në punë

  1. Numri i përfaqësuesve të punëmarrësve në  këshillin e  sigurisë  dhe shëndetit në punë, sipas nenit 14 të këtij  ligji, përcaktohet në varësi të numrit të punëmarrësve.
  2. Në ndërmarrjet me deri në 50 punëmarrës zgjidhet një përfaqësues në këshillin e sigurisë dhe shëndetit në punë, të ngritur në nivel profesional ose ndërprofesional.
  3. Në ndërmarrjet me mbi 50 punëmarrës, ngrihet këshilli i sigurisë dhe shëndetit në punë.
  4. Në mjediset e punës, ku ka rrezikshmëri të lartë për sigurinë dhe shëndetin në punë, përfaqësuesi zgjidhet pavarësisht nga numri i punëmarrësve, sipas përcaktimit të pikës 2 të këtij neni.

Neni 17

Të drejtat e përfaqësuesve të punëmarrësve

Punëmarrësit dhe përfaqësuesit e tyre duhet të kenë mundësinë:

  1. a) për të paraqitur vëzhgimet, vlerësimet dhe verifikimet e bëra prej tyre në Inspektoratin shtetëror që mbulon fushën e punës;
  2. b) për t’iu drejtuar Inspektoratit shtetëror që mbulon fushën e punës, kur mendojnë se masat e marra dhe mjetet e përdorura nga punëdhënësi nuk janë të mjaftueshme për të garantuar sigurimin e shëndetit në punë.

Neni 18

Të drejtat e përfaqësuesit të punëmarrësve

  1. Përfaqësuesi i punëmarrësve për sigurinë dhe shëndetin në punë ka të drejtë:
  2. a) të vizitojë vendet e punës për të vlerësuar sigurinë e tyre;
  3. b) t’i kërkojë punëdhënësit marrjen e masave të nevojshme për shmangien e rrezikut;
  4. c) të informojë Inspektoratin shtetëror që mbulon fushën e punës për vlerësimin për kushtet e sigurisë në punë, të jetë i pranishëm, si edhe të shprehë pikëpamjet e tij në akt-inspektimet e mbajtura nga inspektori;

ç) të kërkojë informacion nga punëdhënësi dhe të marrë pjesë në hartimin e dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, si edhe në dokumente të tjera, që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë.

  1. Përfaqësuesi i punëmarrësve për sigurinë e shëndetin në punë nuk duhet të vihet në pozita të disfavorshme, për arsye të veprimtarisë që kryen, bazuar në këtë kre.
  2. Punëdhënësi duhet t’i japë përfaqësuesve të punëmarrësve për sigurinë e shëndetin në punë kohën e nevojshme (duke mos cenuar pagën e zakonshme për punën që bën), me qëllim që punëmarrësit e caktuar të mund të realizojnë detyrimet që rrjedhin nga ky kre.
  3. Mënyra e funksionimit të përfaqësuesit të punëmarrësve për sigurinë dhe shëndetin në punë përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.

Neni 19

Formimi i punëmarrësve

  1. Punëdhënësi, para marrjes në punë dhe gjatë saj, sigurohet që çdo punëmarrës të marrë formimin e nevojshëm:
  2. a) nëse prezantohen teknologji të reja ose mjete të reja pune;
  3. b) kur procesi i punës ndryshon, në një mënyrë që rreziku ndikon në nivelin e shëndetit dhe të mbrojtjes në punë;
  4. c) në rastet e transferimit dhe ndryshimit të vendit të punës.
  5. Formimi për sigurinë dhe shëndetin në punë duhet të përshtatet me vendin specifik të punës dhe duhet të kryhet sipas një programi, që përditësohet e ndryshohet sipas formave dhe llojeve të reja të rrezikut.
  6. Formimet teorike dhe praktike për kryerjen e punës në kushte sigurie bëhen gjatë orëve të punës dhe realizohen me shpenzimet e punëdhënësit, pavarësisht mjediseve ku kryhet ky formim.
  7. Punëdhënësi organizon testime të detyruara, teorike dhe praktike, për përmbushjen e punës nga të gjithë punëmarrësit në vendet e punës.
  8. Inspektori i punës,   pas   kryerjes   së   inspektimit,   mund  të   kërkojë përshtatjen e formimit ekzistues për sigurinë dhe shëndetin në punë me specifikat e  vendit të punës,  duke marrë parasysh  format dhe  llojet e rreziqeve.
  9. Rregullat e kryerjes së testimeve, sipas pikave 1 e 4 të këtij neni, përcaktohen me akte nënligjore të ministrive ose institucioneve përgjegjëse, sipas fushave përkatëse.

KREU III

DETYRIMET E PUNËMARRËSVE

Neni 20

Kushtet e veprimit të punëmarrësit

Çdo punëmarrës vepron në përputhje me arsimin dhe kualifikimin e tij, si dhe me udhëzimet e dhëna nga punëdhënësi, me qëllim që punëmarrësi ose personat të tjerë, që mund të preken nga veprimet/mosveprimet apo nga neglizhenca e tij gjatë procesit të punës, të mos ekspozohen me rrezikun e një aksidenti ose të një sëmundjeje profesionale.

Neni 21

Detyrime të veçanta të punëmarrësit

Punëmarrësi duhet që, në përputhje me formimin e tij, me instruksionet e dhëna nga punëdhënësi dhe me manualet e udhëzimet dhe rregulloret teknike:

  1. a) të përdorë me korrektësi makineritë, aparaturat, veglat, substancat e rrezikshme, pajisjet e transportit dhe mjetet e tjera;
  2. b) të përdorë me korrektësi pajisjet mbrojtëse individuale, të vëna në dispozicion të tyre dhe, pas përdorimit, rikthimin e tyre në vendin që është planifikuar ruajtja e tyre e sigurt;
  3. c) të mos nxjerrë jashtë shërbimit, të ndryshojë ose të zhvendosë arbitrarisht mekanizmat e sigurisë të montuara në makineri, të aparaturave, veglave, impianteve dhe ndërtesave dhe t’i përdorë si duhet këta mekanizma;

ç) të njoftojë, në mënyrë të menjëhershme, punëdhënësin, punëmarrësin e ngarkuar për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe përfaqësuesit e punëmarrësve, për çdo situatë pune, për të cilën kanë një motiv të arsyeshëm për ta vlerësuar si rast që paraqet një rrezik të rëndë të menjëhershëm për sigurinë dhe shëndetin, si dhe për çdo defekt të konstatuar në sistemin e mbrojtjes;

  1. d) të bashkëpunojë me punëdhënësin, punëmarrësin e ngarkuar për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe përfaqësuesit e punëmarrësve:
  2. i) deri në kryerjen e të gjitha detyrave ose të kërkesave të përcaktuara nga inspektori i punës, me qëllim që të mbrohet siguria dhe shëndeti i punëmarrësve në punë;
  3. ii) derisa të jetë e nevojshme për t’i lejuar punëdhënësit të sigurojë që mjedisi dhe kushtet e punës të jenë të sigurta dhe pa rrezik për sigurinë dhe shëndetin, brenda fushës së tyre të veprimtarisë.

KREU IV

KONTROLLI I SHËNDETIT

Neni 22

Përcaktimi i masave për kontrollin e shëndetit

Masat për të siguruar kontrollin e shëndetin e punëmarrësit, në funksion të rreziqeve, që kanë lidhje me sigurinë dhe shëndetin në punë, përcaktohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 23

Shërbimi mjekësor i punës

  1. Çdo punëdhënës i një subjekti publik apo privat, vendas apo i huaj, është i detyruar të mbulojë me shërbim mjekësor, nëpërmjet mjekut të punës, të përshtatshëm për rreziqet që paraqet vendi i punës.
  2. Kontrolli i shëndetit, në varësi të numrit të punëmarrësve dhe të natyrës së punës, është i organizuar në:
  3. a) shërbim mjekësor në punë, i vlefshëm për degët/filialet në varësi;
  4. b) shërbim mjekësor në punë, ndërsubjektor.
  5. Mënyra e funksionimit të shërbimit mjekësor në punë, përfshirë normat, rregullat dhe procedurat për të siguruar kontrollin mjekësor të pranimit në punë dhe ato periodike për punëmarrësin, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

KREU V

NJOFTIMI, HETIMI, REGJISTRIMI DHE RAPORTIMI I NGJARJEVE DHE AKSIDENTEVE NË PUNË

Neni 24

Ngjarjet

Çdo ngjarje i komunikohet menjëherë punëdhënësit nga personi përgjegjës në vendin e punës ose nga çdo person tjetër, që ka dijeni për ndodhjen e saj.

Neni 25

Detyrimi për njoftim dhe deklarim

  1. Punëdhënësi detyrohet të njoftojë menjëherë për ngjarjet:
  2. a) Inspektoratin shtetëror që mbulon fushën e punës;
  3. b) Institutin e Sigurimeve Shoqërore;
  4. c) organet e prokurorisë, në rastet e aksidenteve fatale ose në të gjitha rastet e ngjarjeve të tjera, kur mendohet se ngjarja përbën vepër penale;

ç) institucionet e tjera, sipas përcaktimeve të rregulluara me ligj të veçantë.

  1. Mjeku i shërbimit mjekësor në punë, mjeku i familjes apo institucionet shëndetësore të tjera publike ose private deklarojnë sëmundjen profesionale të zbuluar gjatë ekzaminimeve mjekësore.
  2. Deklarimi i sëmundjes profesionale, sipas përcaktimit të pikës 2 të këtij neni, bëhet menjëherë tek Inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës dhe Inspektorati që mbulon fushën e shëndetësisë, pasi identifikohet nga mjeku specialist se rasti është i sigurt.
  3. Lista e sëmundjeve profesionale përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.

Neni 26

Njoftimi për aksidentet rrugore

Autoriteti përgjegjës i Policisë Rrugore, në rast të aksidenteve rrugore, kur ndërmjet të dëmtuarve ka edhe persona të angazhuar me realizimin e një detyre pune, përfshirë aksidentet e përcaktuara në nenin 28 pika 1 shkronja “d” dhe pika 2 të këtij ligji, i komunikon, brenda pesë ditëve nga data e marrjes së kërkesës, institucionit dhe personave fizikë ose juridikë, të përcaktuar në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji, një kopje të procesverbalit të mbajtur në vendin e ngjarjes.

Neni 27

Hetimi administrativ i ngjarjes

  1. Hetimi i ngjarjes është i detyrueshëm dhe kryhet nga:
  2. a) punëdhënësi, kur ngjarjet kanë çuar në paaftësi të përkohshme në punë;
  3. b) drejtoritë rajonale/autoritetet vendore të inspektimit në punë, kur ngjarjet çojnë në paaftësi të dukshme për punë, vdekje, aksidente kolektive, incidente të rrezikshme, si dhe në situata të personave që nuk gjenden;
  4. c) autoritetet vendore të shëndetit publik, në rast të dyshimit për sëmundjet profesionale dhe të  sëmundjeve që lidhen me profesionin.
  5. Caktimi i shkallës së humbjes së aftësisë për punë, shkaktuar nga sëmundje profesionale, është individual dhe bazohet në studimin morfofunksional të individit, në kushtet e punës. Komisioni Mjekësor për Caktimin e Aftësisë për Punë (KMCAP) bën vlerësimin për shkallën e humbjes së aftësisë për punë.
  6. Rezultati i hetimit të një ngjarjeje regjistrohet në një procesverbal.

Neni 28

Vlerësimi i aksidentit në punë

  1. Aksidenti vlerësohet se ka ndodhur në punë ose për shkak të punës, kur punëmarrësi dëmtohet gjatë:
  2. a) kryerjes së punës, sipas përshkrimit të saj;
  3. b) kryerjes së një pune tjetër, pa urdhër të punëdhënësit, por për arsye madhore, në interes të punës;
  4. c) kryerjes së një pune tjetër me porosi të punëdhënësit;

ç) kohës së pushimit në vendin e përcaktuar nga punëdhënësi, ose për vënien në rregull të makinerive, veglave të punës, veshmbathjeve, para ose pas mbarimit të punës;

  1. d) rrugës në linjën e drejtpërdrejtë, nga banesa për në punë dhe anasjelltas, në rastet  kur   transporti   është   i   organizuar  nga punëdhënësi apo individualisht nga punëmarrësi;
  2. dh) kryerjes së kurseve të formimit profesional;
  3. e) dhënies së ndihmës së parë, për motive të kryerjes së detyrës, në rastet e fatkeqësive natyrore.
  4. Në rastet e parashikuara në shkronjën “d” të pikës 1 të këtij neni, vlerësohen rastet kur rruga e përshkruar nga punëmarrësi është bërë pa devijim të pajustifikuar nga rruga e zakonshme, apo transporti është bërë në kushtet e parashikuara nga rregulloret e sigurisë dhe të shëndetit ose nga rregulloret e qarkullimit rrugor në fuqi.

Neni 29

Klasifikimi i aksidenteve në punë

Aksidentet në punë, bazuar në pasojat dhe numrin e personave të dëmtuar, klasifikohen si më poshtë:

  1. a) aksidente që shkaktojnë paaftësi të përkohshme në punë për më shumë se 3 ditë kalendarike;
  2. b) aksidente që shkaktojnë invaliditet të përkohshëm ose të përhershëm;
  3. c) aksidente me vdekje;

ç) aksidente masive, ku të paktën dy apo më shumë persona dëmtohen në të njëjtën kohë dhe për shkak të së njëjtës arsye.

Neni 30

Regjistrimi i aksidentit në punë

  1. Regjistrimi i aksidentit në punë bëhet në bazë të një procesverbali. Përmbajtja dhe udhëzimet përkatëse për plotësimin e tij miratohen nga ministri përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe të shëndetit në punë, me propozimin e Inspektoratit shtetëror që mbulon fushën e punës dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
  2. Aksidenti në punë, i regjistruar nga punëdhënësi sipas ligjit, i raportohet drejtorisë rajonale/zyrës vendore të inspektimit në punë, si dhe drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore, në juridiksionin e të cilave ushtron veprimtarinë e tij punëdhënësi.

KREU VI

GRUPET QË JANË TË NDJESHME NDAJ RREZIKUT

Neni 31

Grupet e rrezikuara

  1. Gratë shtatzëna, gratë me fëmijë në gji, të miturit, si dhe personat me aftësi të kufizuar mbrohen ndaj rreziqeve, që i prekin ata në mënyrë të veçantë.
  2. Punëdhënësit detyrohen të përshtatin vendet e punës, duke marrë parasysh praninë e grupeve, që janë të ndjeshme ndaj rreziqeve.
  3. Mbrojtja e sigurisë dhe e shëndetit për grupet, që janë të ndjeshme ndaj rreziqeve, nuk duhet të përbëjë shkak për të krijuar situata të pafavorshme për gruan në tregun e punës.

Neni 32

Vlerësimi dhe informimi

  1. Punëdhënësi duhet të bëjë vlerësimin për rreziqet dhe ekspozimin ndaj agjentëve të rrezikshëm në proceset dhe kushtet e punës, për ato lloj veprimtarish, që mund të përbëjnë rrezik të veçantë për grupet e rrezikuara, duke përcaktuar natyrën, shkallën dhe kohëzgjatjen e tyre.
  2. Rezultatet e vlerësimit, sipas pikës 1 të këtij neni, si dhe masat që do të ndërmerren nga punëdhënësi, duhet t’u komunikohen grupeve të rrezikuara dhe përfaqësuesve të tyre.

Neni 33

Masat që merren nga punëdhënësi për gratë shtatzëna dhe gratë me fëmijë në gji

  1. Kur ekspozimi ndaj agjentëve të rrezikshëm, proceseve apo kushteve të punës përbën një rrezik për sigurinë dhe shëndetin, apo ka efekt mbi shtatzaninë dhe ushqimin e fëmijës me gji, punëdhënësi duhet të marrë masa për shmangien e rrezikut, ose t’i përshtasë vendin e punës punëmarrësit në përputhje me shkronjat “a” dhe “ë” të pikës 3 të nenit 6 të këtij ligji.
  2. Nëse masat e parashikuara në pikën 1 të këtij neni nuk mund të zbatohen për arsye teknike dhe/ose objektive, punëdhënësi duhet të përshtatë përkohësisht kushtet e punës dhe/ose oraret e punës për punëmarrësen, derisa të eliminohet ekspozimi ndaj atyre rreziqeve.
  3. Nëse për shkaqe teknike dhe/ose objektive nuk mund të ndërmerren masat e parashikuara në pikën 2 të këtij neni, ose nuk mund të kërkohet zbatimi i tyre mbi baza të justifikuara dhe të vërtetuara, punëdhënësi duhet të sigurojë lëvizjen e punëmarrëses në një punë tjetër, njëlloj të vlerësueshme.
  4. Nëse punëdhënësi, për shkaqe teknike dhe/ose objektive, nuk mund të marrë masat e parashikuara në pikën 3 të këtij neni, ose nuk mund të kërkohet zbatimi i tyre mbi baza të justifikuara dhe të vërtetuara, ai duhet të japë pushim të paguar punëmarrëses grua derisa të shmanget rreziku.

Neni 34

Të miturit

  1. Të miturit mbrohen nga çdo lloj rreziku, që vë në rrezik mirëqenien si dhe zhvillimin e tyre, si rrjedhojë e mungesës së përvojës, informacionit për një rrezik potencial të mundshëm apo për shkak se ende nuk kanë arritur plotësisht pjekurinë e tyre.
  2. Puna e të miturve ndalohet në rast se ajo:
  3. a) objektivisht kalon përtej kapacitetit fizik dhe psikik të tij;
  4. b) përfshin ekspozim të agjentëve toksikë, kancerogjenë, shkakton dëmtime të trashëgueshme gjenetike apo dëmtime, të cilat kanë efekte kronike në dëm të shëndetit përgjatë të gjithë jetës;
  5. c) përfshin ekspozim në rrezatime radioaktive;

ç) përfshin rrezikun e aksidenteve, të cilat mund të ndodhin, të cilat nuk mund të njihen apo të shmangen nga të miturit, për shkak të pakujdesisë së vëmendjes apo të pamjaftueshmërisë së përvojës apo të formimit;

  1. d) përbën rrezik për shëndetin si pasojë e të ftohtit apo të nxehtit ekstrem, zhurmave apo dridhjeve.

Neni 35

Masat që merren nga punëdhënësi për të miturit

  1. Punëdhënësi merr masa të nevojshme në mbrojtje të sigurisë dhe të shëndetit në punë për të miturit, duke marrë parasysh rreziqet specifike, sipas përcaktimeve në pikën 2 të nenit 34 të këtij ligji.
  2. Punëdhënësi merr masa për vlerësimin e rreziqeve për të miturit në punën e tyre, i cili duhet të kryhet para fillimit të punës.
  3. Punëdhënësi, pas vlerësimit të kryer sipas pikës 2 të këtij neni, nëse konstaton ekzistencën e rrezikut për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe për zhvillimin mendor e fizik të të miturve, kryen një vlerësim periodik dhe kontroll mbi shëndetin e të miturit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi.
  4. Nëse gjatë marrëdhënieve të punës së të miturit ndodh një ndryshim i rëndësishëm në kushtet e punës, punëdhënësi tregon kujdes për:
  5. a) planifikimin, ekspozimin e vendit të punës;
  6. b) natyrën, llojin, nivelin dhe kohëzgjatjen e ekspozimit ndaj agjentëve fizikë, biologjikë, kimikë dhe ergotamikë e psiko-socialë;
  7. c) formën, shtrirjen dhe përdorimin e aparaturave të punës, në veçanti të agjentëve, të makinerive, aparaturave dhe mekanizmave, si dhe mënyrat e përdorimit;

ç) masat e organizimit të procesit të  punës, si dhe mënyrat  e kombinimit të tyre;

  1. d) nivelin e formimit dhe instruksionet që jepen për të miturit.
  2. Punëdhënësit përcaktojnë shërbime mbrojtëse dhe parandaluese për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e sigurisë dhe të shëndetit në punë për të miturit.

KREU VII

AUTORITETET SHTETËRORE PËRGJEGJËSE

Neni 36

Këshilli ndërministror për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë

  1. Këshilli ndërministror për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë është organ këshillimor, që ngrihet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe të shëndetit në punë.
  2. Rregullat procedurale të funksionimit të këshillit ndërministror për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë miratohen nga Kryeministri.

Neni 37

Detyrat e këshillit ndërministror për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë

Këshilli ndërministror për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë ka për detyrë:

  1. a) të këshillojë Këshillin e Ministrave për përcaktimin e drejtimit të politikave shtetërore për çështjet e sigurisë dhe të shëndetit në punë. Për çështje të një rëndësie të veçantë, këshilli kombëtar ndërministror për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë mund të zhvillojë mbledhje të përbashkëta me Këshillin Kombëtar të Punës;
  2. b) të propozojë në Këshillin e Ministrave programet kryesore për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë;
  3. c) të vlerësojë gjendjen konkrete të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe të paraqesë propozime e rekomandime për përmirësimin e gjendjes, për ministrinë përgjegjëse për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe autoritetet e tjera shtetërore përgjegjëse, sipas përcaktimeve të këtij ligji;

ç) të miratojë raportin vjetor për çështjet e sigurisë dhe të shëndetit në punë, të paraqitur nga ministri përgjegjës për këto çështje.

Neni 38

Autoriteti shtetëror përgjegjës për çështjet e sigurisë

dhe të shëndetit në punë

(shkronja “d”, e pikës 2, dhe pika 3 shfuqizohen me ligjin nr. 161/2014, date 4.12.2014)

 

  1. Ministri përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë është autoriteti përgjegjës për politikat në këtë fushë.
  2. Për realizimin e politikave të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, ministri, nëpërmjet strukturës përkatëse, të ngritur për këtë qëllim, është përgjegjës për:
  3. a) hartimin e dokumentit të politikave në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë dhe në këshillim me institucionet dhe përgjegjësit e tjerë në këtë fushë, si dhe me partnerët socialë;
  4. b) hartimin e projektakteve normative, për zbatimin e politikave dhe për të realizuar përputhshmërinë me acquis communautaire në këtë fushë;
  5. c) miratimin e rregulloreve në zbatim dhe sipas përcaktimeve të këtij ligji, sipas fushës së veprimtarisë që mbulon;

ç) monitorimin e realizimit të kontrollit për zbatimin e legjislacionit mbi bazën e të dhënave, për informacionin dhe propozimet që dërgohen nga institucionet e varësisë ose të koordinuara, si dhe nga informacioni, që dorëzohet nga institucionet, me të cilat bashkëpunojnë;

  1. d) Shfuqizohet.
  2. Shfuqizohet.

Neni 39

Autoriteti shtetëror përgjegjës për shëndetësinë

(ndryshuar me ligjin nr. 161/2014, datë 4.12.2014)

  1. Ministria përgjegjëse për shëndetësinë drejton, organizon dhe ka këto detyra kryesore në fushën e shëndetit të punëmarrësve:
  2. a) bashkërendon veprimtarinë e mjekësisë së punës dhe të mjekësisë së sëmundjeve profesionale në nivel kombëtar;
  3. b) harton rregulloret për mbrojtjen e shëndetit, në lidhje me mjedisin e punës dhe për nxitjen e shëndetit në vendin e punës, si dhe të mjekësisë së punës dhe për sëmundjet profesionale, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave;
  4. c) monitoron me strukturat e saj ndikimet e kushteve të punës në shëndetin e punëmarrësve;

ç) siguron trajnimin profesional dhe edukimin në vazhdim në fushën e sëmundjeve profesionale dhe të mjekësisë së punës;

  1. d) bashkërendon punën për kërkimin, deklarimin, regjistrimin dhe mbajtjen e regjistrave  për  sëmundjet  në  punë  dhe  sëmundjet profesionale;
  2. dh) Shfuqizohet.
  3. e) bashkëpunon me institucionet e tjera, të përfshira në veprimtaritë që kanë ndikim në shëndetin e punëmarrësve;

ë) Shfuqizohet.

  1. f) Shfuqizohet.
  2. g) miraton organizimin dhe detyrat e shërbimit shëndetësor, si dhe standardet e mjekësisë së punës.
  3. gj) akrediton, shërbimin shëndetësor të mjekësisë së punës, në zbatim të legjislacionit në fuqi;
  4. h) harton normat e lejueshme të lëndëve të dëmshme në mjediset e punës;
  5. i) përcakton afatin kohor të vizitave periodike të punëmarrësve, sipas llojit të industrisë;
  6. j) përcakton llojet e analizave specifike për çdo lloj industrie, që duhen bërë për vlerësimin e shëndetit në punë.
  7. Rregullat, detyrat, pajisjet dhe medikamentet, me të cilat duhet të pajiset një strukturë e shërbimit shëndetësor në ndërmarrje, përcaktohen me akt nënligjor të Ministrit të Shëndetësisë.

Neni 40

Autoritetet shtetërore përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të ligjit për sigurinë

dhe shëndetin në punë

(ndryshuar me ligjin nr. 161/2014, datë 4.12.2014)

 

  1. Autoritetet shtetërore përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë janë inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës dhe inspektorati shtetëror që mbulon fushën e shëndetësisë.
  2. Inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës ka këto përgjegjësi:
  3. a) kontrollon hartimin dhe zbatimin e doku-mentit të vlerësimit dhe parandalimit të rreziqeve në punë;
  4. b) kërkon nga institucionet shtetërore përgje-gjëse dhe shërbimet e specializuara të licencuara kryerjen e matjeve dhe marrjen për analiza të kampioneve të materialeve, të lëndëve dhe substancave të rrezikshme, që përdoren gjatë procesit të punës. Në çdo rast, duhet që punëdhënësi apo përfaqësuesi i tij të jetë në dijeni për qëllimin e marrjes së kampioneve;
  5. c) urdhëron ndalimin e veprimtarisë, riparimin e defekteve, që vërehen gjatë funksionimit të pajisjeve apo gjatë përdorimit të metodave të punës ose modifikimin e instalimeve brenda një afati kohor, në rastin kur konstatohet ekzistenca e një rreziku serioz dhe të menjëhershëm ose të një sëmundjeje profesionale, dhe njofton, nëse është e nevojshme, organet përkatëse të prokurorisë;

ç) heton ngjarje, në përputhje me kompetencat e tij, autorizon hetimin dhe konfirmon karakterin e aksidenteve;

  1. d) bashkërendon punën, së bashku me Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe, nëse është e nevojshme, edhe me institucionet e tjera të përfshira në proces, për sistemin e raportimit dhe të mbajtjes së procesverbaleve për aksidentet në punë;
  2. dh) kryen inspektime të përbashkëta me institucionet e tjera të përfshira në proces, për raste të ngjarjeve;
  3. e) bashkërendon punën me ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë për sistemin e raportimit të sëmundjeve profesionale dhe të sëmundjeve që lidhen me profesionin;

ë) analizon veprimtarinë e personave dhe të shërbimeve të specializuara, sipas përcaktimeve të pikës 3, të nenit 7, të këtij ligji;

  1. f) i raporton ministrit përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë për realizimin e detyrimeve që burojnë nga ky ligj dhe legjislacioni në fuqi;
  2. g) i propozon ministrit përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë ndryshime në legjislacionin e fushës së sigurisë dhe të shëndetit në punë.
  3. Inspektorati shtetëror që mbulon fushën e shëndetësisë ka këto përgjegjësi:
  4. a) ushtron kontroll me strukturat e tij të specializuara për cilësinë e shërbimeve mjekësore që u jepen punëmarrësve në vendin e punës;
  5. b) ushtron kontroll për gjendjen shëndetësore të punëmarrësve dhe zbatimin e normave, rregullave e të procedurave lidhur me kontrollin e faktorëve të riskut që ndikojnë në shëndetin e punëmarrësve;
  6. c) realizon detyra të tjera, në përputhje me kompetencat në këtë fushë, të cilat rregullohen nga ligje të veçanta;

ç) kryen inspektime të përbashkëta me institucionet e tjera të përfshira në proces, për raste të ngjarjeve.

Neni 41

Autoriteti shtetëror përgjegjës për sigurimin shoqëror të aksidenteve në

punë dhe sëmundjet profesionale

  1. Instituti i Sigurimeve Shoqërore është autoriteti shtetëror përgjegjës në fushën e sigurimeve shoqërore për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale.
  2. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka për detyrë:
  3. a) të marrë masa për pagesën e të ardhurave në rast aksidenti në punë/sëmundjeje profesionale, pensioni invaliditeti apo pensioni familjar të të dëmtuarve nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, sipas legjislacionit në fuqi për sigurimet shoqërore;
  4. b) të bashkëpunojë me ministrinë përgjegjëse për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë, për rrethana të veçanta, të cilat kanë nevojë për përmirësim të rregullave në fushën e sigurisë dhe të shëndetit ne punë.

Neni 42

Autoritete të tjera shtetërore përgjegjëse

  1. Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Shërbimi Informativ Shtetëror, për zbatimin e dispozitave të këtij ligji, të bashkërendojnë punën dhe të kontrollojnë veprimtaritë e sigurisë dhe të shëndetit në punë, brenda veprimtarive dhe ndërmarrjeve, të cilat janë në juridiksionin e tyre, nëpërmjet strukturave dhe shërbimeve mbrojtëse dhe parandaluese që ato kanë për këto çështje.
  2. Hetimi administrativ, regjistrimi i aksidenteve në punë dhe i sëmundjeve profesionale, që ndodhin brenda veprimtarisë  dhe  ndërmarrjeve, të cilat janë në juridiksionin e autoriteteve shtetërore përgjegjëse, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, kryhen nga strukturat dhe shërbimet e tyre.
  3. Për zbatimin e dispozitave të këtij ligji, autoritetet shtetërore përgjegjëse, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, hartojnë rregulloret sipas fushës së veprimtarisë së tyre, për përcaktimin e procedurave dhe të strukturave për kontrollin e zbatimit të dispozitave të këtij ligji, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

KREU VIII

SANKSIONET

Neni 43

(shtuar pika 3 me ligjin nr. 161/2014, datë 4.12.2014)

  1. Për shkelje të dispozitave të këtij ligji, me përjashtim të rasteve kur ato nuk përbëjnë vepër penale, vendosen sanksionet e përcaktuara në nenet 31, pika 1, 32, 33 e 35 të ligjit nr. 9634, datë 30.10.2006 “Për inspektimin e punës dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës”.
  2. Procedurat e ankimimit ndaj sanksioneve të vendosura nga inspektori i punës, si edhe procedura për ekzekutimin e urdhrit të pezullimit të inspektorit të punës është sipas përcaktimeve të neneve 34 e 36 të ligjit nr. 9634, datë 30.10.2006 “Për inspektimin e punës dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës”.
  3. Për shkelje të dispozitave të këtij ligji që prekin fushën e shëndetësisë, kur nuk përbëjnë vepër penale, vendosen sanksione, rast pas rasti, sipas legjislacionit shëndetësor në fuqi nga inspektorati që mbulon fushën e shëndetësisë.

KREU IX

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 44

  1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, në përputhje me parimin e ligjshmërisë, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 7 pika 7, 11 pika 2, 14 pika 4, 18 pika 4, 23 pika 3, 25 pika 4, 38 pika 3, 39 pika 1 shkronja “b” dhe 42 pika 3 të këtij ligji.
  2. Ngarkohet ministri përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe shëndetin në punë për nxjerrjen e udhëzimit në zbatim të pikës 2 të nenit 9 të këtij ligji.
  3. Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e pikës 1 të nenit 30 të këtij ligji.
  4. Ngarkohet ministria përgjegjëse për shëndetësinë për nxjerrjen e aktit nënligjor në zbatim të pikës 2 të nenit 39 të këtij ligji.

Neni 45

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.6458, datë 9.3.2010 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

|