LIGJ Nr. 135/2016 PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË, EMERGJENCAT DHE SHPËTIMIN NË VEPRIMTARINË MINERARE DHE NË PUNIMET NËNTOKËSORE NË VEPRAT HIDROENERGJETIKE

LIGJ

Nr. 135/2016

PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË, EMERGJENCAT DHE

SHPËTIMIN NË VEPRIMTARINË MINERARE DHE NË PUNIMET NËNTOKËSORE NË VEPRAT HIDROENERGJETIKE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i parimeve të përgjithshme që rregullojnë sigurinë dhe shëndetin në punë, emergjencat dhe shpëtimin në veprimtarinë minerare dhe në punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike.

Neni 2

Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të garantojë sigurinë e jetës dhe mbrojtjen e shëndetit të punëmarrësve e të personave të tjerë, që kryejnë punë në veprimtarinë minerare dhe në punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike.

Neni 3

Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

  1. “Emergjencë” është situata e pazakontë që sjell prishjen e regjimit normal të punës në minierë apo në punime nëntokësore të veprave hidroenergjetike, e shkaktuar nga faktorë natyrorë (gjeologo-minerarë), teknologjikë apo njerëzorë, shoqëruar me avari, aksidente në punë ose për shkak të punës, incidente të rrezikshme apo ngjarje.
  2. “Shpëtim” është operacioni i organizuar e i drejtuar me burime njerëzore e materiale për ndërhyrjen në përballimin dhe ndalimin e emergjencës.
  3. “Avari” është prishja e regjimit normal të punës në veprimtarinë minerare.
  4. “Shpëtues” është punëmarrësi i kualifikuar, i specializuar dhe i trajnuar për ndërhyrje në përballimin e ndalimin e emergjencave dhe në operacione shpëtimi në nëntokë.
  5. “Inspektor” është punëmarrësi i kualifikuar i AKSEM-it, me eksperiencë profesionale, që ushtron kontroll në zbatimin e kërkesave ligjore e teknike për sigurinë dhe shëndetin në punë në veprimtarinë minerare dhe në punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike.
  6. “Subjekt” është personi juridik ose fizik që zotëron leje minerare, marrëveshje kontraktuese për punë në miniera apo në ndërtimin e punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike.
  7. “Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM)” është autoriteti shtetëror kompetent për inspektimin e sigurisë, vlerësimin e rreziqeve, përcaktimin e masave parandaluese, vendosjen e sanksioneve dhe ndërhyrjen për përballimin e emergjencës dhe shpëtimin në veprimtarinë minerare dhe të punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike.
  8. “Punime nëntokësore në veprat hidroener-gjetike” janë tunele, puse, kanale, xhepa që ndërtohen ose hapen në nëntokë nga subjekti që kryen veprimtari për ndërtimin e veprave hidroenergjetike.
  9. “Veprimtari minerare” janë veprimtaritë e kërkimit, të zbulimit, shfrytëzimit, përpunimit, mbylljes, konservimit dhe rehabilitimit të mjedisit minerar.
  10. “Vepra hidroenergjetike” janë vepra të ndërtuara në përputhje me legjislacionin në fuqi, të cilat, me anë të proceseve shndërruese, shfrytëzojnë potencialin e rënies së ujit për prodhimin e energjisë elektrike.
  11. “Pajisje vetëshpëtuese” janë aparate që shërbejnë për mbrojtjen e organeve të frymëmarrjes nga veprimi i gazeve helmuese, për një periudhë të caktuar kohe.
  12. “Ministri” është ministri përgjegjës për veprimtarinë minerare.

Neni 4

Fusha e zbatimit

Dispozitat e këtij ligji janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga:

  1. a) institucionet qendrore shtetërore, që përcaktojnë me anë të akteve nënligjore procedurat për realizimin dhe mbrojtjen e sigurisë e të shëndetit të punëmarrësve në veprimtarinë minerare dhe në punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike;
  2. b) subjektet publike e private, vendase ose të huaja, që administrojnë, kryejnë punë në veprimtarinë minerare, punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike;
  3. c) subjektet publike e private, vendase ose të huaja, që kryejnë e miratojnë studime, përgatisin dhe zbatojnë projekte teknike, hartojnë e miratojnë programe e planizim të zhvillimit të punimeve në veprimtarinë minerare dhe punime nëntokësore në vepra hidroenergjetike;

ç) autoriteti shtetëror kompetent për inspektimin e sigurisë në punë në veprimtarinë minerare dhe punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike, për vlerësimin e rreziqeve dhe të ndërhyrjeve në emergjenca e shpëtim.

KREU II

 KËRKESA DHE DETYRIME PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN  NË PUNË, EMERGJENCAT DHE SHPËTIMIN

Neni 5

Kërkesat e sigurisë në punë

 

  1. Të gjitha subjektet që kryejnë veprimtari në miniera dhe në punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike, si dhe studime ose projekte në këto fusha, janë të detyruara të zbatojnë kërkesat e sigurisë në punë në veprimtarinë minerare dhe në punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike, të emergjencave dhe shpëtimit.
  2. Kërkesat e sigurisë teknike në punë dhe në veprimtarinë minerare e punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike, të emergjencave dhe shpëtimit, hartohen nga ministri, në bashkëpunim me AKSEM-in, dhe miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 6

Detyrimet e subjekteve

  1. Çdo subjekt që zotëron një leje minerare, që kontrakton një shërbim të specializuar mbi një të drejtë minerare, si dhe ato që kanë marrëveshje kontraktore për të kryer punime nëntokësore të veprave hidroenergjetike, para fillimit të veprimtarisë regjistrohen në AKSEM.
  2. Subjektet, në momentin e regjistrimit të tyre në AKSEM, deklarojnë personat përgjegjës, të ngarkuar me drejtimin administrativ, drejtimin teknik dhe problemet e sigurisë në punë, si dhe informojnë, jo më vonë se 5 ditë pune, për çdo ndryshim të këtij personeli.
  3. Çdo vend pune, objekt, instalim dhe impiant, që lidhet me veprimtarinë minerare dhe që ka punëmarrës që kryejnë punë, duhet të jetë i projektuar dhe nën kontrollin e mbikëqyrjen e një personi përgjegjës.
  4. Subjektet njoftojnë menjëherë AKSEM-in për çdo rast aksidenti, me rrezik ose humbje jete, si dhe për raste të emergjencave serioze, që kërkojnë ndërhyrjen e trupës së emergjencave dhe shpëtimit, si dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes nga ky institucion.
  5. Çdo subjekt minerar apo subjekt që kryen punime nëntokësore të veprave hidroenergjetike me palët nënkontraktore përcakton, me marrëveshje të firmosur, përgjegjësitë për zbatimin e kërkesave ligjore për sigurinë e jetës dhe mbrojtjen e shëndetit në punë të punëmarrësve.
  6. Subjektet duhet të njoftojnë AKSEM-in, brenda 5 ditëve pune, për ndërprerjen apo rifillimin e punës në objekt.

Neni 7

Emergjenca dhe shpëtimi

  1. Çdo subjekt që kryen punime nëntokësore, ku vërtetohet prania e gazit metan ose gazeve të tjera shpërthyese apo ekzistojnë mundësitë e shfaqjes së tyre, siguron organizimin dhe funksionimin e skuadrës për emergjencë dhe shpëtim.
  2. Çdo subjekt, që kryen punime nëntokësore, është i detyruar të përgatisë planin e emergjencave, si një dokument për planizimin dhe përballimin e emergjencave nëntokësore, ku pasqyrohen, në mënyrë të hollësishme, parashikimi, masat parandaluese dhe burimet njerëzore e materiale për të përballuar rastin dhe shpëtimin e njerëzve.
  3. Rregullat për organizimin dhe funksionimin e emergjencave dhe shpëtimin, si dhe procedurat e hartimit, përmbajtjes e miratimit të planit të emergjencës, të detyrueshme për subjektet e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, dhe për subjektet e tjera që kryejnë punime në nëntokë, në miniera apo në punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  4. Çdo punëmarrësi të nëntokës i sigurohen pajisje të mbrojtjes personale dhe pajisje vetëshpëtimi personale.

Neni 8

Mbikëqyrja shëndetësore

  1. Mbikëqyrja shëndetësore e punëmarrësve është detyrim i punëdhënësit.
  2. Punëdhënësi u siguron punëmarrësve mbikëqyrje shëndetësore të përshtatshme, me risqet për sigurinë e shëndetin në vendin e punës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sigurinë dhe shëndetin në punë e mjekësinë e punës.
  3. Punëdhënësi, siguron mbikëqyrje shëndetësore në momentin e fillimit të punës dhe mbikëqyrje shëndetësore periodike, në përputhje me përcaktimet e kuadrit rregullator në fuqi për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit në punë të punëmarrësve në industritë minerare nxjerrëse sipërfaqësore e nëntokësore dhe në punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike.
  4. Çdo kosto financiare për mbikëqyrjen shëndetësore të punëmarrësve është detyrim i punëdhënësit.

Neni 9

Sinjalizimi dhe komunikimi

  1. Subjekti merr masat e nevojshme për të siguruar e garantuar sistemin dhe pajisjet e sinjalizimit, të dallueshme qartë për çdo vend pune që paraqet rrezik për jetën e shëndetin e punëmarrësve, si dhe për të parandaluar apo mënjanuar hyrjen e personave të tjerë në sipërfaqen e lejuar të veprimtarisë së tij apo në punimet që kryhen në veprën e tij nëntokësore.
  2. Subjekti siguron funksionimin e sistemit të komunikimit të çdo niveli drejtimi me punëmarrësit në vendin e punës, si në kushte normale, ashtu edhe në raste për të përballuar e shmangur rreziqe apo për të realizuar ndërhyrje të menjëhershme, në raste emergjencash e fatkeqësish.

KREU III

 ZHVILLIMI I PUNIMEVE NË OBJEKT

Neni 10

Zhvillimi i punimeve

  1. Subjektet zhvillojnë punime në rastet kur:
  2. a) ka projekte teknike e pasaporta teknologjike të miratuara për punimet dhe punët që do të kryejnë;
  3. b) plotësojnë kërkesat e parashikuara në rregulloret e sigurimit teknik e të mbrojtjes në punë dhe sigurojnë normat për ruajtjen e mbrojtjen e mjedisit;
  4. c) janë marrë masa që punimet në miniera, punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike, makineritë, pajisjet dhe lënda plasëse të mirëmbahen në një nivel të tillë, që të plotësojnë kërkesat e sigurisë në punë;

ç) zotëruesi i lejes minerare zbaton kërkesat e përcaktuara në projektin e miratuar tekniko-teknologjik.

Neni 11

Informimi i punëmarrësve

  1. Subjektet që kryejnë veprimtari minerare dhe punime nëntokësore në veprat hidroenergjetike marrin masa që punëmarrësit të përvetësojnë të dhënat dhe instruksionet e duhura për përdorimin e makinerive, të pajisjeve, të lëndës plasëse dhe të materialeve që kanë në përdorim.
  2. Të dhënat dhe instruksionet e përdorimit të makinerive, pajisjeve e të lëndës plasëse duhet të përmbajnë informacione për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Neni 12

Formimi i punëmarrësve

Subjektet që kryejnë veprimtari minerare dhe punime nëntokësore në veprat hidroenergjetike marrin masat e nevojshme që punëmarrësit:

  1. a) e ngarkuar për përdorimin e makinerive, të pajisjeve dhe të lëndës plasëse të kenë formimin e mjaftueshëm për rreziqet që përmban përdorimi i tyre;
  2. b) e ngarkuar me riparimet dhe mirëmbajtjen të kenë kualifikimin dhe formimin e duhur për kryerjen e këtyre detyrave;
  3. c) që kryejnë punë me lëndë plasëse dhe ata të skuadrave për emergjenca e shpëtim në subjekte të testohen, të vlerësohen e të pajisen me dëshmi çdo 5 vjet, nga komisionet teknike të ngritura në AKSEM.

Neni 13

Këqyrja e avarive

  1. Për çdo rast aksidenti ose avarie të rëndë në minierë, në karrierë apo punim nëntokësor në veprat hidroenergjetike, subjekti duhet të njoftojë menjëherë AKSEM-in, Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe çdo institucion tjetër, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  2. AKSEM-i shqyrton aksidentet e avaritë e rënda që ndodhin gjatë veprimtarisë dhe përcakton shkaqet e përgjegjësitë si dhe masat që duhen marrë për përmirësimin e gjendjes.
  3. Zotëruesi i lejes minerare dhe/ose subjekti që kryen punime nëntokësore në veprat hidroenergjetike është i detyruar t’i japë inspektorit që shqyrton aksidentin ose avarinë çdo të dhënë që ka lidhje me të.

KREU IV

AUTORITETI KOMBËTAR PËR SIGURINË DHE EMERGJENCAT NË MINIERA

Neni 14

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera është person juridik publik, buxhetor, i organizuar në nivel qendror, i cili kryen veprimtari në fushën e sigurisë në punë, të emergjencave dhe shpëtimit në veprimtarinë minerare dhe punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike.

Neni 15

Organizimi

  1. AKSEM-i organizohet si drejtori në varësi të ministrit dhe e ka selinë e tij në Tiranë.
  2. Organizimi dhe funksionimi i AKSEM-it rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  3. Marrëdhëniet e punës së titullarit të AKSEM-it dhe nëpunësve të tij rregullohen në bazë të legjislacionit për nëpunësin civil.
  4. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

Neni 16

Detyrat e AKSEM-it

  1. Për përballimin e emergjencave në subjekte, AKSEM-i realizon këto detyra:
  2. a) për çdo situatë emergjente në veprimtari në miniera dhe në punime nëntokësore në veprat hidroenergjetike siguron gatishmërinë e plotë të personelit, të pajisjeve e të mjeteve për të ndërhyrë e përballuar situatën e shpëtimit të jetës së njerëzve;
  3. b) kërkon, nga çdo subjekt që kryen punime nëntokësore, të parashikojë në praktikën e punës së tij situatat emergjente dhe të ketë të përgatitur planin e emergjencave, në lidhje me masat për përballimin e tyre, një kopje e të cilit dorëzohet në AKSEM çdo vit dhe sa herë subjekti praktikon punë në nëntokë për herë të parë;
  4. c) inspekton, bashkëpunon, bashkëvepron e kryen stërvitje të përbashkët me personelin e emergjencave të subjekteve në kushtet konkrete të zhvillimit të punimeve apo në situata të improvizuara emergjence;

ç) monitoron e mbikëqyr minierat e mbyllura dhe jashtë përdorimi;

  1. d) vlerëson, mbyll dhe monitoron grykat e punimeve minerare në minierat e braktisura;
  2. dh) regjistron çdo subjekt që kryen veprimtari minerare dhe në punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike;
  3. e) vlerëson aftësitë teknike dhe profesionale të çdo personi fizik që kërkon të përdorë e të kryejë punë me lëndë plasëse në subjekte apo të punojë si specialist për emergjenca dhe shpëtim;

ë) regjistron rastet e emergjencave dhe të aksidenteve të rënda me rrezik apo humbje jete;

  1. f) kryen analizat dhe verifikon rezistencën në tërheqje të litarëve të çelikut, që përdoren në impiantet ngritëse vertikale e të pjerrëta të transportit në subjekte;
  2. g) verifikon e vlerëson territorin e vendndërtimit të depove për magazinimin e lëndëve plasëse të subjekteve dhe miraton projektin e ndërtimit të këtyre depove;
  3. gj) kryen vlerësimin e projekteve teknike, me qëllim pajisjen e subjekteve me autorizimin e përdorimit civil të lëndëve plasëse;
  4. h) çdo detyrë tjetër të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi.

Neni 17

Të drejtat e AKSEM-it

  1. Inspektorët e AKSEM-it kanë të drejtë të hyjnë, sipas programit të inspektimit të miratuar, në çdo kohë në territorin dhe në vendet e punës të subjekteve që kryejnë punë në veprimtarinë minerare dhe në punime nëntokësore të veprave hidroenergjetike.
  2. Në zbatim të programit dhe të objektit të inspektimit, inspektorët e AKSEM-it kanë të drejtë të kërkojnë e të marrin një kopje të dokumenteve administrative e teknike të veprimtarisë së subjektit.
  3. Inspektorët dhe personeli i emergjencave të AKSEM-it kërkojnë mbështetjen dhe ndërhyrjen e forcave të rendit kur:
  4. a) pengohen dhe cenohen gjatë kryerjes së detyrës;
  5. b) nuk zbatohet urdhri i ndalimit dhe ndërprerja e punës, në rastet me rrezik serioz për jetën e njerëzve;
  6. c) nuk lejohen të hyjnë në hapësirat e punës së subjekteve.

Neni 18

Inspektimi i subjekteve nga AKSEM-i

  1. AKSEM-i kryen inspektime në subjekte private dhe publike, vendase e të huaja, që ushtrojnë veprimtari minerare dhe punime nëntokësore në veprat hidroenergjetike në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
  2. Veprimtaritë minerare, punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike u nënshtrohen inspektimeve të programuara të AKSEM-it, në përputhje me ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
  3. Minierat dhe punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike u nënshtrohen inspektimeve teknike jashtë programit të AKSEM-it në çdo kohë, kur paraqiten rrethana të veçanta, që lidhen me rreziqe për jetën e njerëzve, avari ose aksidente.
  4. AKSEM-i kryen inspektime në subjektet që ushtrojnë veprimtari minerare dhe punime nëntokësore në veprat hidroenergjetike, ku vlerëson nëse:
  5. a) ushtrimi i aktivitetit minerar apo punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike kryhen në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi;
  6. b) është përgatitur dokumentacioni teknik i nevojshëm për ushtrimin e sigurt të aktivitetit minerar apo për punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike;
  7. c) janë marrë masat e nevojshme për kujdesin shëndetësor të punëmarrësve, në përputhje me legjislacionin dhe aktet teknike në fuqi.

Neni 19

Masat urgjente

  1. Kur inspektori i AKSEM-it konstaton se një minierë ose punim nëntokësor në veprat hidroenergjetike rrezikon sigurinë e njerëzve dhe të mjedisit, me vendim të ndërmjetëm, sipas nevojave të rastit, merr masa urgjente, në përputhje me ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
  2. Kundër vendimit që vendos masa urgjente mund të bëhet ankim i veçantë, në përputhje me ligjin për inspektimin.

Neni 20

Konflikti i interesave

  1. Punëmarrësve të AKSEM-it u ndalohet të kenë interesa të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me subjektet ku ata ushtrojnë kontroll.
  2. Punëmarrësit e AKSEM-it kanë detyrim të përmbushin çdo kërkesë tjetër, sipas parashikimeve të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.

Neni 21

Burimet financiare

  1. Burimet financiare të AKSEM-it janë:
  2. a) Buxheti i Shtetit;
  3. b) të ardhurat me destinacion, që realizohen nga shërbimet për të tretët.
  4. AKSEM-i realizon të ardhura nga shërbimet që kryen për subjektet private ose publike, nga pagesa e tarifave për:
  5. a) lëshimin e dëshmive dhe dublikatave për zjarrmëtarët dhe shpëtuesit e subjekteve;
  6. b) realizimin e provave dhe analizave të rezistencës në tërheqje të litarëve të çelikut të impianteve ngritëse të subjekteve;
  7. c) regjistrimin fillestar të subjekteve;

ç) monitorim, verifikim e inspektim, të kërkuara nga vetë subjekti.

  1. Tarifat për këto të ardhura caktohen me udhëzim të përbashkët nga Ministri i Financave dhe ministri që mbulon veprimtarinë minerare.

KREU V

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 22

Kundërvajtjet administrative

  1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë nga AKSEM-i, si më poshtë:
  2. a) kur subjekti kryen shkelje të pikave 1, 2 e 6, të nenit 6, të këtij ligji, masa e gjobës është 150 mijë lekë;
  3. b) kur subjekti nuk njofton AKSEM-in në rast aksidenti ose avarie të rëndë në minierë, në karrierë apo në punim nëntokësor në veprat hidroenergje-tike, masa e gjobës është 100 mijë lekë;
  4. c) kur subjekti nuk ka zbatuar detyrat e lëna e të përcaktuara në aktet e inspektimit të mëparshëm të AKSEM-it, masa e gjobës është 200 mijë lekë;

ç) kur shkelen pikat e nenit 7, të këtij ligji, masa  e gjobës është 200 mijë lekë;

  1. d) kur konstatohet se mungon plani vjetor i zhvillimit të punimeve apo punohet jashtë këtij plani, nuk ka sigurim jete për të gjithë punëmarrësit, urdhrat e punës dhe udhëzimet teknike nuk respektojnë normat teknike të vendosura, mungojnë pasaportat teknologjike për procese të ndryshme të praktikës së punës, planimetria e punës së objektit nuk plotësohet sipas rregullave teknike të sigurisë, masa e gjobës është 300 mijë lekë;
  2. dh) kur inspektori ose grupi i inspektorëve të AKSEM-it pengohet të kryejë detyrën, në zbatim të dispozitave të kreut IV, të këtij ligji, masa e gjobës është 400 mijë lekë.
  3. Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative, procesi i ankimit dhe ekzekutimi i vendimeve të AKSEM-it bëhet në përputhje me ligjin nr. 10 279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”.
  4. Të ardhurat nga masat administrative, të aplikuara sipas pikës 1, të këtij neni, derdhen tërësisht në Buxhetin e Shtetit.

Neni 23

Pezullimi i punimeve

  1. Në rastet e përfundimit të inspektimeve të programuara apo të inspektimeve jashtë programit, inspektori ose grupi i inspektorëve të AKSEM-it, kur vlerëson prezencë të rreziqeve serioze për jetën e punëmarrësve, shkelje të rënda të ligjit e të rregullave teknike për sigurinë dhe shëndetin në punë, pezullon kryerjen e punimeve në objekt.
  2. Pezullimi i punimeve mund të jetë tërësor ose i pjesshëm, për vende e fronte pune të veçanta, i përkohshëm ose i përhershëm.
  3. Pezullimi i punimeve pasqyrohet në procesverbal dhe i bëhet i ditur, menjëherë, përfaqësuesit të subjektit. Në procesverbal pasqyrohen qartë hapësira, koha e pezullimit dhe detyrat konkrete.
  4. Në rastet kur merret vendim për pezullim tërësor të punimeve, pavarësisht nga koha, përgatitet relacioni me problematikën e subjektit dhe i dërgohet ministrit.
  5. Kur subjekti nuk respekton vendimin e pezullimit të punimeve të inspektorëve, AKSEM-i i propozon ministrit revokimin e lejes së subjektit dhe njofton organet e Policisë së Shtetit e të prokurorisë, në territorin ku kryen aktivitet subjekti.

Neni 24

E drejta e subjekteve për ankim

  1. Kundër vendimit me gjobë, të vendosur nga inspektorët e AKSEM-it, subjekti ka të drejtën e ankimit me shkrim pranë komisionit të shqyrtimit të gjobave në AKSEM, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
  2. Komisioni i shqyrtimit të gjobave në AKSEM, i miratuar sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit, shqyrton ankimin, merr vendimin dhe njofton subjektin për vendimin e marrë brenda 15 ditëve, nga data e regjistrimit të ankimit.
  3. Subjektet kanë të drejtën që, kundër vendimit të Komisionit të Shqyrtimit të Gjobave, të bëjnë padi për shqyrtim të mosmarrëveshjes administrative në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.
  4. Kundër vendimit për pezullim apo ndalim të punimeve në mënyrë tërësore, subjekti ka të drejtë të bëjë ankim te ministri, brenda 10 ditëve, nga data e marrjes së vendimit të inspektorëve të AKSEM-it.
  5. Brenda 15 ditëve, nga data efektive e ankimit, ministri shqyrton ankimin, ngre grup pune për rivlerësim të problematikës dhe merr vendim përfundimtar.
  6. Subjektet kanë të drejtë që, kundër vendimit të ministrit, të bëjnë padi për shqyrtim të mosmarrëveshjes administrative në gjykatën administrative të shkallës së parë, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 25

Aktet nënligjore

  1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 5, pika 2, nenit 7, pika 3, dhe nenit 15, pika 2, të këtij ligji.
  2. Ngarkohet ministri dhe Ministri i Financave që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të nenit 21, pika 3, të këtij ligji.

Neni 26

Shfuqizime

  1. Ligji nr. 8741, datë 15.2.2001, “Për sigurinë në punë në veprimtarinë minerare”, shfuqizohet.
  2. Aktet nënligjore, që rregullojnë veprimtaritë e sigurisë në punë, të emergjencave dhe shpëtimit në veprimtarinë minerare apo në punimet hidroenergjetike, të miratuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të zbatohen për aq sa nuk bien në kundërshtim me këtë ligj, deri në daljen e akteve të reja nënligjore.

Neni 27

Ndryshim emërtimi

  1. Në çdo akt ligjor ose nënligjor, apo marrëdhënie juridike të krijuar, emërtimi “Reparti i Inspektim-Shpëtim Miniera”, zëvendësohet me “Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera”.
  2. Titullari dhe punëmarrësit e ish-Repartit të Inspektim-Shpëtim Miniera konsiderohen të emëruar, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 28

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 22.12.2016

Shpallur me dekretin nr. 9938, datë 9.1.2017 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani

 

|