V E N D I M Nr. 692, datë 13.12.2001 PËR MASAT E VEÇANTA TË SIGURIMIT DHE MBROJTJES SË SHËNDETIT NË PUNË

V E N D I M

Nr. 692, datë 13.12.2001

 

PËR MASAT E VEÇANTA TË  SIGURIMIT DHE MBROJTJES SË SHËNDETIT NË PUNË

(ndryshuar me VKM nr.742, datë 6.11.2003)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 40 të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.3.1996, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

  1. Sigurimi i jetës dhe shëndetit të punëmarrësve të bëhet nëpërmjet zbatimit të masave të nevojshme për parandalimin e rreziqeve në punë.
  2. Punëdhënësi, për të mbrojtur dhe siguruar jetën dhe shëndetin e punëmarrësit në punë është i detyruar:
  3. a) të shmangë rreziqet, duke vlerësuar ato realisht dhe në origjinë;
  4. b) të vendosë punëmarrësit në punë sipas:

– aftësive profesionale;

– gjendjes shëndetësore të bazuar në vizitën mjekësore, të kryer nga specialistë, para pranimit në punë;

– moshës;

– seksit.

  1. c) të marrë parasysh zhvillimin e teknikës;

ç) të zbatojë masat që vënë mbrojtjen kolektive mbi ato individuale;

  1. d) t’u japë punëmarrësve instruksionet e duhura për mbrojtjen e shëndetit në punë dhe për njohjen dhe zbatimin e rregullave të sigurimit teknik;
  2. dh) të vendosë në përdorimin e makinerive dhe të mekanizmave me shkallë rrezikshmërie kolektive punëmarrës të pajisur me dëshmi aftësie;
  3. e) të marrë në provë çdo muaj punëmarrësit e pakualifikuar dhe çdo 3 muaj punëmarrësit e kualifikuar për përvetësimin e rregulloreve të sigurimit teknik.

2/1. Punëdhënësi siguron funksionimin e shërbimit mjekësor, nëpërmjet mjekut të ndërmarrjes, në të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari prodhuese, private ose shtetërore, vendase ose të huaja, juridike ose fizike.

2/2. Mjekët e ndërmarrjes pajisen me licencë profesionale nga Ministria e Shëndetësisë, në përputhje me vendimin nr.500, datë 23.11.1992 të Këshillit të Ministrave “Për dhënien e licencave për ushtrimin e profesionit në fushën e mjekësisë, në profesion të lirë privat”, i ndryshuar.

2/3. Mjekët e ndërmarrjes merren në punë si nëpunës të ndërmarrjes dhe varen drejtpërdrejt nga punëdhënësi. Punëdhënësi e njeh mjekun me detyrat e shërbimit shëndetësor të ndërmarrjes dhe kërkon zbatimin e tyre, sipas legjislacionit të punës. Marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësit dhe mjekut të ndërmarrjes përcaktohen në bazë të kontratës së punës që lidhin palët, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

2/4. Mjeku i ndërmarrjes ka këto detyra:

  1. a) Këshillon punëdhënësin për problemet e mbrojtjes në punë, për shmangien e aksidenteve dhe të sëmundjeve profesionale, si dhe për të gjitha çështjet e mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në punë;
  2. b) vlerëson çështje të fiziologjisë së punës, të problemeve higjienike e sanitare, veçanërisht të ritmit e të kohës së punës, të organizimit të vendit të punës, të zhvillimit dhe të mjediseve të punës;
  3. c) rekomandon çështje të ndryshimit të vendeve të punës për riintegrimin e të gjymtuarve në procesin e punës dhe të të sëmurëve me sëmundje profesionale, si dhe studion shkaqet e aksidenteve në punë e të sëmundjeve profesionale, duke i propozuar punëmarrësit masat për shmangien e tyre;

ç) kontrollon pranimin në punë të punëmarrësve, në përputhje me raportin mjekësor të lëshuar nga komisioni medikoligjor, në bazë të aftësive shëndetësore për procesin konkret të punës, si dhe organizon ekzaminimin periodik, shëndetësor, për të gjithë punonjësit, një herë në 6 muaj;

  1. d) ndjek, në mënyrë të vazhdueshme, të sëmurët kronikë, bën konsulta me mjekët e familjes dhe specialistët, si dhe ndërhyn te punëdhënësi, që, në rast nevoje, të bëjë ndërrimin e vendit të punës;
  2. dh) bashkëpunon me mjekun e sëmundjeve profesionale dhe repartet klinike të sëmundjeve profesionale, për diagnozën dhe trajtimin e të sëmurëve me sëmundje profesionale;
  3. e) plotëson regjistrin e paaftësisë së përkohshme në punë, të aksidentit në punë dhe sëmundjeve profesionale, si dhe, në bashkëpunim me punëdhënësin, denoncon pranë Inspektoratit të Punës rastet e aksidenteve dhe të sëmundjeve profesionale.
  4. Punëdhënësi duhet të vlerësojë (të ketë parasysh) aftësitë profesionale të punëmarrësve në fushën e sigurimit dhe të shëndetit kur u ngarkon detyrat, si dhe të garantojë se vetëm punëmarrësit që kanë të dhëna të mjaftueshme dhe të përshtatshme mund të futen në zonat me rrezik të madh dhe të veçantë. Kriteret e vlerësimit të aftësive profesionale përcaktohen në rregulloren e sigurimit teknik.
  5. Punëdhënësi duhet t’i pajisë punëmarrësit me mjete mbrojtëse, individuale të përshtatshme për realizimin e funksioneve që kanë dhe të kujdeset për përdorimin e duhur të tyre, sipas natyrës së punës. Gjithashtu, punëdhënësi duhet të kujdeset që pajisjet e punës të jenë të përshtatshme dhe të garantojnë sigurimin e shëndetit të punëmarrësve gjatë përdorimit.
  6. Punëdhënësi duhet të garantojë që çdo punëmarrës të aftësohet dhe të formohet profesionalisht në fushën parandaluese që në fillim të punës e në vazhdim, duke pasur parasysh ndryshimet e funksionit që ai kryen ose në rastet kur futen teknologji të reja apo bëhen ndryshime në pajisjet e punës. Formimi duhet të përqendrohet, veçanërisht, në vendin e punës dhe në funksion të çdo punëmarrësi.
  7. Një herë në çdo muaj punëdhënësi duhet të instruktojë punëmarrësit për makineritë dhe teknologjitë e reja. Çdo punëmarrës duhet të ketë njohuri për të respektuar rregullat, duke mos rrezikuar veten dhe çdo person që ka pranë nga veprimi i lëndëve helmuese, rryma elektrike, zjarri ose nga goditjet mekanike.
  8. Punëdhënësi është i detyruar që:

– të vendosë në vende të dukshme të sektorëve të punës dhe të lexueshme nga punëmarrësit rregullat e sigurimit teknik për dhënien e ndihmës së parë dhe rregullat për mbrojtjen në punë;

– të bëjë matje në mjediset e brendshme të punës për nivelet e ndotjes nga lëndët kimike, pluhuri, lagështia, zhurmat dhe t’i krahasojë rezultatet me normat e lejueshme.

  1. Kur punëmarrësit janë ose mund të jenë të ekspozuar ndaj një rreziku të rëndë, punëdhënësi është i detyruar t’i njoftojë menjëherë punëmarrësit e cenuar për praninë e këtij rreziku dhe të marrë masat e duhura për parandalimin e tij.
  2. Shfuqizuar.
  3. Shfuqizuar.
  4. Punëdhënësit janë të detyruar të mbrojnë gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë në gji ndaj agjentëve të dëmshëm, në përputhje me kërkesat e raportit mjekësor, të lëshuar nga mjeku specialist. Kur paraqitet rrezik për sigurimin dhe shëndetin apo ndonjë ndikim të mundshëm mbi shtatzëninë apo mbi qumështin e gjirit të këtyre punëmarrësve, punëdhënësi duhet të marrë masat e nevojshme për të shmangur ekspozimin e këtij rreziku, për të përmirësuar kushtet e punës dhe për ndërrimin në një vend tjetër pune që ka më pak rrezikshmëri nga lëndët kimike për shëndetin e nënës dhe të fëmijës.

12.Çdo punëmarrës ka detyrë të kujdeset për sigurimin dhe shëndetin në punë. Punëmarrësit, në përputhje  me formimin dhe me instruksionet e punëdhënësit, duhet në mënyrë të veçantë;

– të përdorin, në mënyrë të përshtatshme, në përputhje me natyrën dhe rreziqet e parashikuara, makinat, aparatet, substancat e rrezikshme pajisjet  e transportit dhe, në përgjithësi, të gjitha mjetet e tjera, me të cilat zhvillojnë  veprimtarinë e tyre;

– të përdorin në mënyrë të vazhdueshme mjetet dhe pajisjet mbrojtëse të dhëna nga punëmarrësi.

12/1. Marrja në punë e mjekut është e detyrueshme për të gjitha subjektet, veprimtaria e të cilave klasifikohet sipas vendimeve nr.459, datë 22.7.1998 “Për substancat e rrezikshme”, nr.419, datë 4.8.2000 “Për objektet e rrezikshme” dhe nr.207, datë 9.5.2002 “Për përcaktimin e punëve të vështira ose të rrezikshme” të Këshillit të Ministrave, pavarësisht nga numri i të punësuarve.

12/2. Për subjektet që nuk përfshihen në pikën 12/1 të këtij vendimi, marrja në punë e mjekut të ndërmarrjes është e detyrueshme për ato ndërmarrje, ku numri i të punësuarve është jo më pak se 15 punonjës.

12/3. Mjeku i ndërmarrjes mban përgjegjësi sipas ligjit për pasojat, që mund të vijnë nga moszbatimi i detyrave të përcaktuara sipas pikës 2/4 të këtij vendimi.

  1. Kur inspektori i punës verifikon moszbatimin e normativave për parandalimin e rreziqeve në punë dhe gjykon se kjo veprimtari mund të sjellë pasoja të rënda urdhëron ndërprerjen e menjëhershme të punës.

Kjo masë i komunikohet punëdhënësit, i cili menjëherë vë në dijeni punëmarrësit.

Rifillimi i punës pas ndërprerjes bëhet nga inspektori i punës, kur shmangen shkaqet që e sollën këtë ndërprerje. Gjatë ndërprerjes së punës punëdhënësi është i detyruar t’i paguajë punëmarrësit në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës.

14.Vendimi nr.449, datë 17.10.1992 i Këshillit të Ministrave “Për riorganizimin e shërbimit mjekësor në ndërmarrje”, shfuqizohet.

  1. Ngarkohen Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Ilir Meta

 

|