VENDIM Nr.48, datë 16.1.2008 PËR MASËN DHE KRITERET E PËRFITIMIT NGA PROGRAMI I NXITJES SË PUNËSIMIT TË PUNËKËRKUESVE TË PAPUNË NGA GRUPET E VEÇANTA
VENDIM
Nr.48, datë 16.1.2008
PËR MASËN DHE KRITERET E PËRFITIMIT NGA PROGRAMI I NXITJES SË PUNËSIMIT TË PUNËKËRKUESVE TË PAPUNË NGA GRUPET E VEÇANTA
(ndryshuar me VKM nr.991, datë 2.7.2008, nr.923, datë 10.11.2010, nr. 772, datë 7.11.2012, nr. 192, datë 2.4.2014, nr. 66, datë 27.1.2016)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 8 të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995 “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Përfitues të këtij programi janë punëkërkuesit e papunë nga grupet e veçanta, të përcaktuar në pikën 3 të këtij vendimi. Zyra përkatëse e punësimit financon:
a) Punëdhënësin, me një financim mujor në masën deri në 100 për qind të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se një vit.
Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave përkatëse;
b) Punëmarrësin e përfshirë në këtë program, deri në katër paga, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, në muajin e pestë e të gjashtë dhe në muajin e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë të kontratës, ndërsa për muajt e tjerë financon punëdhënësi.
c)Punëdhënësit, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program:
i) deri në 100 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë deri në 50 punonjës;
ii) deri në 50 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë mbi 50 punonjës.
ç) Punëdhënësit e rinj, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program deri në 40 për qind të numrit të punonjësve të punësuar.
2. Skema të vazhdojë të zbatohet nga viti 2013 me një kohëzgjatje prej 5 vjetësh.
3. Punëkërkues të papunë nga grupet e veçanta janë:
a) të papunët afatgjatë;
b) personat, që përfitojnë ndihmë ekonomike;
c) personat, që përfitojnë pagesë papunësie;
ç) personat, që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, të moshës 18-25 vjeç;
d) personat mbi 45 vjeç, që nuk kanë një arsimim më të lartë se arsimi i mesëm ose ekuivalent të tij;
dh) personat me aftësi të kufizuar;
e) personat nga komuniteti rom;
ë) emigrantët e kthyer me probleme ekonomike.
f) viktima të trafikimit.
4. Financimi sipas pikës 1 ndërpritet në rastin kur punëdhënësi, pas përfitimit të financimit, në zbatim të këtij vendimi, zgjidh, pa shkaqe të arsyeshme, kontratat e punës së punëmarrësve të tjerë, të punësuar pranë tij.
5. Zyra përkatëse e punësimit bën njoftimin në Buletinin e Njoftimeve Publike, çdo vit, për fondin e vënë në dispozicion dhe kriteret e përfitimit nga ky program. Publikimi i programit bëhet, gjithashtu, me të gjitha mjetet e mundshme elektronike dhe joelektronike.
6. Punëdhënësi, që aplikon për programin e punësimit, nuk duhet të ketë shkelur, në të kaluarën legjislacionin e punës, si dhe duhet të ketë derdhur, rregullisht, tatimet e sigurimet e detyrueshme shoqërore, për aq kohë sa kryen veprimtarinë, veçanërisht për dy vitet e fundit.
7. Për të përfituar nga ky program, punëdhënësi duhet të paraqesë pranë zyrës përkatëse të punësimit, ku ai zhvillon veprimtarinë, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Vendimin e gjykatës për regjistrimin si person juridik dhe fizik ose vendimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit;
b) Numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in);
c) Vërtetimin për shlyerjen e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që lëshohen nga organi tatimor përkatës, për aq kohë sa ushtron veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit;
ç) Numrin e llogarisë bankare;
d) Vërtetimin nga dega e tatim-taksave, ku personi juridik dhe fizik ushtron veprimtarinë, për shlyerjen e detyrimeve tatimore për aq kohë sa kryen veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit;
dh) Informacion për:
i) numrin e fuqisë punëtore;
ii) listën e të siguruarve;
iii) llojin e veprimtarisë, që kryen;
iv) nivelin e pagës, së dhënë, për çdo person;
v) planbiznesin për shtimin e fuqisë punëtore;
vi) akte të inspektimit në punë, të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore.
8. Punëdhënësi, në bashkëpunim me zyrën përkatëse të punësimit, dhe në mbështetje të të dhënave e të dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 7 të këtij vendimi, plotëson formularin përkatës, sipas modelit të miratuar nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit.
9. Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit.
10. Zyra përkatëse e punësimit ia paraqet këshillit vendor tripalësh, të ngritur pranë saj, projektet, që kërkohen të zbatohen aty, ky ajo ushtron veprimtarinë, i cili pasi shqyrton dhe vlerëson dobinë social-ekonomike të projekteve të paraqitura, i miraton ato në parim.
11. Pas miratimit, në parim, të projekteve në këshillin vendor tripalësh, zyra përkatëse e punësimit і dërgon, për miratim, si më poshtë vijon:
a) zyra vendore e punësimit, sipas rastit, ia dërgon zyrës rajonale të punësimit ose Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
b) zyra rajonale e punësimit miraton projektet, kur aplikuesit janë persona fizikë.
c) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit miraton projektet, kur aplikues janë personat juridikë.
12. Për zbatimin e pikës 11 të këtij vendimi, në zyrat rajonale të punësimit dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit ngrihen komisionet e miratimit të projekteve, me jo më pak se 5 persona.
Mënyra e organizimit, vlerësimit të projekteve dhe e funksionimit të punës, si dhe përbërja e komisioneve përcaktohen në rregulloren e këshillit administrativ tripalësh të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
13. Komisionet e miratimit të projekteve në zyrën rajonale të punësimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, pas hedhjes në sistemin përkatës,vendosin miratimin ose jo të projektit brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.
14. Për projektet e miratuara, zyra përkatëse e punësimit, në bashkëpunim me punëdhënësin, plotësojnë listën e punëkërkuesve të papunë, që do të përfshihen në program. Punëkërkuesit e papunë, që do të përfshihen në program, sipas shkronjave “d” dhe “e” të pikës 3 të këtij vendimi, duhet të jenë të regjistruar në zyrat e punësimit, për një periudhë të paktën tremujore.
Punëkërkuesit e papunë, që kundërshtojnë të marrin pjesë në këtë program, hiqen nga lista e punëkërkuesve të papunë dhe nuk do të vazhdojnë të përfitojnë ndihmën ekonomike apo pagesën e papunësisë.
15. Ndërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe punëdhënësit nënshkruhet një kontratë, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet, në përputhje me programin për secilën palë. Kontratat lidhen vetëm për vitin buxhetor, për të cilin është miratuar projekti.
Për vazhdimin e projektit në vitin pasardhës do të lidhet një kontratë shtesë, në përputhje me fondet e miratuara atë vit.
16. Punëdhënësi dhe punëkërkuesi, si punëmarrës, nënshkruajnë një kontratë individuale pune, në të cilën përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe në këtë vendim.
Një kopje e kontratës së punës së çdo punëkërkuesi, punëmarrës, depozitohet në zyrën përkatëse të punësimit, e cila, ndjek zbatimin e kontratës deri në përfundim të projektit.
17. Në rastet kur punëkërkuesi, si punëmarrës, pjesëmarrës në këtë program, largohet përpara afatit të përcaktuar në kontratë, për shkaqe të arsyeshme, zëvendësimi bëhet nga zyra përkatëse e regjistrimit pas njoftimit nga punëdhënësi.Në këto raste, punëdhënësit i vazhdohet kompensimi për periudhën e mbetur.
18. Nëse punëdhënësi në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe bën zgjidhjen e arsyeshme të kontratës së punës, për punëkërkuesin e punësuar, është і detyruar ta kthejë të gjithë financimin e marrë, për punëkërkuesin e punësuar, që nga data e parë e dhënies së tij, së bashku me interesat, të llogaritura sipas normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.
19. Kontratat tip, sipas përcaktimeve të dhëna në pikat 15 e 16 të këtij vendimi, hartohen nga Shërbimi Kombëtar і Punësimit dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga zyrat përkatëse të punësimit.
20. Shërbimi Kombëtar i Punësimit analizon efektshmërinë e programit dhe përgatit raporte vjetore, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, të cilat ia paraqet Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Drejtorisë së Ndihmës Shtetërore, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
21. Shërbimi Kombëtar i Punësimit ruan të dhënat për skemën deri në 10 vjet, pas dhënies së fundit të ndihmës individuale.
22. Programi vlerësohet, në vitin pasardhës nga ekspertë ose organizata të pavarura, që kanë përvojë në këtë fushë dhe njohuri për tregun e punës.
23. Kostoja dhe vlerësimi i këtij programi përballohen nga fondet vjetore të Buxhetit të Shtetit, zëri “Nxitja e punësimit”, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
24. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për nxjerrjen e udhëzimeve për zbatimin dhe mbikëqyrjen e programit dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e programit, nëpërmjet zyrave të punësimit.
25. Vendimi nr.69, datë 11.2.1999 і Këshillit të Ministrave “Për programin e nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha