VENDIM Nr. 564, datë 3.7.2013 PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE SHËNDETIT NË VENDIN E PUNËS

VENDIM

Nr. 564, datë 3.7.2013

PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE SHËNDETIT NË VENDIN E PUNËS”[1]

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3 të nenit 42 të ligjit nr. 10 237, datë 18.2.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, me propozimin e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Miratimin e rregullores “Për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
  2. Ngarkohen Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
  3. Pjesët A dhe B të aneksit IV të rregullores bashkëlidhur vendimit nr. 312, datë 5.5.2010 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores “Për sigurinë në kantier””, që kanë të bëjnë me objektin e kësaj rregulloreje dhe të gjitha aktet nënligjore që bien ndesh me këtë rregullore shfuqizohen.

Ky vendim hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Sali  Berisha

RREGULLORE

PËR KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE SHËNDETIT NË VENDIN E PUNËS

Neni 1

Objekti dhe fusha e zbatimit

  1. Kjo rregullore përcakton kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.
  2. Kjo rregullore zbatohet për të gjitha ndërmarrjet dhe vendet e punës, brenda fushës së veprimit të ligjit nr. 10 237, datë 18.2.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, ku zhvillohet veprimtari pune apo trajnimi lidhur me punën, pavarësisht mënyrës së organizimit, llojit të ndërmarrjes dhe shkaqeve për të cilat zhvillohet puna apo trajnimi.

Kjo rregullore nuk zbatohet për vendet e mëposhtme të punës:

  1. a) mjetet e transportit që përdoren jashtë ndërmarrjes dhe vendet e punës brenda mjeteve të transportit;
  2. b) kantieret e lëvizshme apo të përkohshme të punës;
  3. c) industritë nxjerrëse;

ç) anijet e peshkimit;

  1. d) fushat, pyjet dhe vendet e tjera që janë pjesë e ndërmarrjeve bujqësore dhe pyjore, dhe që ndodhen jashtë ndërtesave dhe territorit të ndërmarrjes.

Neni 2

Vendi i punës

Për qëllim të kësaj rregulloreje “vend pune” janë të gjitha vendet ku punëmarrësit apo personat e  kontraktuar, duhet të jenë ose duhet të shkojnë, për shkak të punës së tyre apo veprimtarive të lidhura me të dhe që janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të punëdhënësit.

Neni 3

Detyrimet e përgjithshme të punëdhënësit

  1. Vendet e punës që përdoren për herë të parë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, plotësojnë kërkesat minimale të sigurisë dhe të shëndetit në vendin e punës të renditura në shtojcën 1 bashkëlidhur kësaj rregulloreje.
  2. Vendet e punës që janë tashmë në përdorim, të plotësojnë kërkesat minimale të sigurisë dhe të shëndetit, të renditura në shtojcën 1, bashkëlidhur, brenda 2 (dy) vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
  3. Kur vendet e punës u nënshtrohen modifikimeve, zgjerimeve apo rindërtimeve, punëdhënësi merr masat e nevojshme që këto modifikime, zgjerime dhe/apo transformime të jenë në përputhje me kërkesat minimale përkatëse të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet kësaj rregullore.

Neni 4

Kërkesa të përgjithshme për vendet e punës

Për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve dhe të personave të tjerë në vendin e punës,  punëdhënësi siguron:

  1. a) mbajtjen hapur në çdo kohë të rrugëve të lëvizjes drejt daljeve të emergjencës dhe vetë daljet;
  2. b) mirëmbajtjen teknike të vendit të punës dhe të mjeteve e pajisjeve, si dhe korrigjimin sa më shpejt të jetë e mundur e çfarëdo të mete të konstatuar, që cenon sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës;
  3. c) kontrollin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të pajisjeve të sigurisë dhe mjeteve mbrojtëse, për parandalimin e riskut dhe eliminimin e rreziqeve;

ç) pastrimin e vazhdueshëm të vendit të punës, të pajisjeve dhe mjeteve të punës, si dhe mjediseve të tjera të lidhura me vendin e punës me qëllim sigurimin e një niveli të përshtatshëm të higjienës.

Neni 5

Informimi, konsultimi dhe pjesëmarrja e punëmarrësve

  1. Punëdhënësi informon punëmarrësit dhe/ose përfaqësuesit e tyre, si dhe çdo person tjetër që ndodhet në vendin e punës, mbi risqet e mundshme dhe masat që merren për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.
  2. Punëdhënësi konsultohet me punëmarrësit dhe/ose përfaqësuesit e tyre për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, si dhe krijon mundësi për pjesëmarrjen e tyre në përputhje me nenin 14 të ligjit nr. 10 237, datë 18.2.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”.

SHTOJCA 1

KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE SHËNDETIT PËR VENDET EKZISTUESE DHE VENDET E REJA TË PUNËS

  1. Përcaktime paraprake

Kërkesat e përcaktuara në këtë shtojcë zbatohen sa herë diktohen nga specifikat, veprimtaria, rrethanat apo rreziku në vendin e punës.

  1. Qëndrueshmëria dhe fortësia

Ndërtesat në të cilat ndodhen vendet e punës duhet të kenë një strukturë të fortë dhe të qëndrueshme, të përshtatshme me natyrën e përdorimit të tyre.

  1. Instalimet elektrike

3.1 Instalimet dhe pajisjet elektrike projektohen dhe ndërtohen në mënyrë të tillë, që të mos përbëjnë risk për zjarre apo shpërthime.

3.2 Punëmarrësit dhe personat e tjerë mbrohen në mënyrë të përshtatshme ndaj risqeve për lëndime të shkaktuara nga kontakti i drejtpërdrejtë apo i tërthortë me elektricitetin.

3.3 Projektimi, ndërtimi dhe zgjedhja e materialeve dhe mjeteve mbrojtëse të instalimeve elektrike i përshtaten tensionit elektrik, kushteve të jashtme, procesit të punës dhe aftësive të personave që kanë akses në pjesët e instalimit.

3.4 Instalimeve dhe pajisjeve elektrike u kryhen shërbime nga personat që kanë kualifikimet dhe kapacitetet e nevojshme.

  1. Rrugët dhe daljet e emergjencës

4.1 Rrugët dhe daljet e emergjencës mbahen të lira dhe çojnë në mënyrë sa më të drejtpërdrejtë  jashtë apo në një zonë të sigurt.

4.2 Në rast ngjarjeje të rrezikshme, punëmarrësit dhe persona të tjerë duhet të kenë mundësi të evakuohen shpejt dhe në mënyrë të sigurt nga vendet individuale të punës.

4.3 Numri, vendndodhja dhe dimensionet e rrugëve dhe daljeve të emergjencës përcaktohen në varësi të përdorimit, vendndodhjes, pajisjeve dhe dimensioneve të vendit të punës dhe numrit maksimal të personave që mund të jenë të pranishëm.

4.4 Rrugët e emergjencës  duhet të hapen nga jashtë.

Dyert që janë synuar në mënyrë të veçantë si rrugë daljeje të emergjencës nuk lejohet të jenë rrëshqitëse apo rrotulluese.

Dyert e emergjencës  mbyllen në mënyrë të tillë që mund të hapen lehtësisht dhe menjëherë nga një person që mund të ketë nevojë t’i përdorë ato në një situatë urgjence.

4.5 Rrugët dhe daljet e emergjencës të përcaktuara duhet të shënjohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për sinjalistikën.

Këto shenja duhet të vendosen në vende të përshtatshme dhe t’i rezistojnë kohës.

4.6 Dyert e emergjencës nuk duhet të kyçen.

Rrugët dhe daljet e emergjencës, si dhe rrugët e qarkullimit dhe dyert që të çojnë tek ato, nuk duhet të kenë pengesa, në mënyrë që të mund të përdoren pa vështirësi në çdo kohë.

4.7 Rrugët dhe daljet e emergjencës, duhet të pajisen me ndriçim të sigurt të një intensiteti të mjaftueshëm në rastet e ndërprerjes së energjisë elektrike.

  1. Zbulimi dhe shuarja e zjarrit

5.1 Projektimi dhe organizimi i punës në ndërmarrjet dhe vendet e punës janë në përputhje me kërkesat e akteve normative për sigurinë ndaj zjarreve.

5.2 Vendet e punës duhet të pajisen me mjete të përshtatshme zjarrfikëse dhe, sipas nevojës, me detektorë dhe sisteme alarmi për zjarret në varësi të përmasave dhe përdorimit të ndërtesave, pajisjeve që ato përmbajnë, vetive fizike dhe kimike të substancave që ndodhen në to, dhe numrit maksimal të mundshëm të njerëzve të pranishëm.

5.3 Pajisjet joautomatike kundër zjarrit duhet të jenë lehtësisht të arritshme, të thjeshta për t’u përdorur dhe të tregohen me shenja të përhershme të vendosura në vende të përshtatshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sinjalistikën.

  1. Ajrimi i vendeve të mbyllura të punës

6.1 Vendet e mbyllura të punës duhet të kenë ajrim të mjaftueshëm, që mundëson shkëmbimin e nevojshëm të ajrit, duke pasur parasysh metodat dhe natyrën e punës, ngarkesat fizike të punëmarrësve, si dhe standardet për qarkullimin e ajrit, temperaturën dhe lagështinë relative.

6.2 Kur përdoren instalime të kondicionimit të ajrit apo të ajrimit mekanik, ato duhet të funksionojnë në mënyrë të tillë që punëmarrësit të mos jenë të ekspozuar ndaj rrymave të ajrit që shkaktojnë parehati dhe që respektojnë kërkesat higjienike.

6.3 Në rastet kur përdoret një sistem ajrimi mekanik, ai mbahet në gjendje funksionale.

Çdo grumbullim papastërtish, që duke ndotur atmosferën, mund të krijojë një rrezik të menjëhershëm për shëndetin e punëmarrësve duhet të hiqet menjëherë.

Në rastin kur ka një mundësi për lëshimin aksidental të substancave toksike apo krijimit të  përqendrimeve shpërthyese dhe të ndezshme apo krijimin e risqeve të tjera në vendet e punës apo vendet individuale të punës, sistemet e ajrimit duhet të funksionojnë automatikisht dhe çdo avari duhet të njoftohet nga një sistem kontrolli.

  1. Temperatura e mjedisit të punës

7.1 Gjatë orarit të punës, temperatura në mjediset ku ndodhen vendet e punës duhet të jetë e përshtatshme për qeniet njerëzore, duke pasur parasysh metodat e punës që përdoren dhe ngarkesat fizike të punëmarrësve.

7.2 Temperatura në mjediset e pushimit, të ngrënies, të ndihmës së parë, higjieno-sanitare, si dhe ato të personelit që kryen shërbim të vazhdueshëm duhet t’i përshtatet qëllimit të posaçëm që kanë këto hapësira.

7.3 Dritaret, çatitë prej xhami dhe ndarëset prej qelqi, duhet të ndërtohen apo të përshtaten që të shmangin  pasojat nga ndriçimi i diellit, duke pasur parasysh llojin e punës dhe të vendit të  punës.

  1. Ndriçimi natyral dhe artificial i mjedisit të punës

8.1 Vendet e punës preferohet të kenë ndriçim natyral të mjaftueshëm dhe duhet të  pajisen me ndriçim artificial të përshtatshëm për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve dhe personave të tjerë, në përputhje me rregulloret e veçanta dhe standardet.

Ngjyrat e ndriçimit artificial që përdoret nuk duhet të pengojnë apo ndikojnë perceptimin e shenjave dhe sinjaleve të sigurisë dhe shëndetit në punë.

8.2 Instalimet për ndriçimin e mjedisit të punës dhe të vendkalimeve, duhet të vendosen në mënyrë të tillë që lloji i ndriçimit të mos përbëjë risk për aksidente të punëmarrësve dhe personave të tjerë.

8.3 Vendet e punës dhe hapësirat në të cilat punëmarrësit dhe persona të tjerë janë veçanërisht të ekspozuar ndaj risqeve, në rast të ndërprerjes së ndriçimit artificial, duhet të pajisen me ndriçim urgjence me intensitet të mjaftueshëm.

  1. Dyshemetë, muret, tavanet e mjediseve të punës dhe çatitë

9.1 Dyshemetë e vendeve të punës dhe të vendeve individuale të punës dhe elementet e tyre  duhet të jenë ndërtuar dhe të mirëmbahen në mënyrë të tillë që të jenë të palëvizshme dhe të qëndrueshme, jo të rrëshqitshme, pa disnivele, shpate, gunga dhe të çara të rrezikshme.

9.2 Sipërfaqet e dyshemeve, mureve dhe tavaneve të vendeve të punës ndërtohen në mënyrë të përshtatshme që të mos vështirësojnë pastrimin apo riparimin e tyre, sipas kërkesave të prodhimit dhe të higjienës.

 Dyshemetë, muret, tavanet apo çatitë e mjediseve të punës, duhen izoluar termikisht, në përputhje me llojin e sipërmarrjes dhe veprimtarinë e punëmarrësve në mënyrë që të shmangen risqet për shëndetin e tyre.

Dyshemetë dhe muret e mjediseve  të punës bëhen prej materialesh që nuk përmbajnë, nuk lejojnë depërtimin dhe nuk çlirojnë lëndë të dëmshme për njerëzit dhe të cilat janë në përputhje me kërkesat për sigurinë ndaj zjarreve.

9.3 Muret e ndërtuara nga materiale transparente dhe që lejojnë depërtimin e dritës, në mjedise apo pranë vendeve të punës dhe rrugëve të lëvizjes, pajisen me shenja dalluese dhe përbëhen nga materiale të sigurta, thyerja apo dëmtimi i të cilave nuk shkakton lëndimin e punëmarrësve apo personave të tjerë.

9.4 Aksesi në çati dhe sipërfaqe të tjera  që përbëhen nga materiale me fortësi të pamjaftueshme lejohet vetëm kur përdoren pajisje që garantojnë një punë të sigurt, duke marrë masa për parandalimin e shkeljes së paqëllimtë në këto sipërfaqe apo rënies bashkë me to.

  1. Dritaret dhe çatitë prej xhami

10.1 Dritaret, çatitë prej xhami dhe pajisjet e ajrimit të vendeve të  punës duhet të jenë të manovrueshme  në mënyrë të sigurt, që të mos shkaktojnë rreziqe për punëmarrësit rreth ndërtesës. Kur janë të hapura, ato nuk duhet të pozicionohen në mënyrë të tillë që të përbëjnë risk.

10.2 Dritaret dhe çatitë e xhamit projektohen në mënyrë të tillë që pajisjet për pastrimin e tyre të mos përbëjnë risk për punëmarrësit të pranishëm në ndërtesë dhe përreth saj.

  1. Dyert dhe portat

11.1 Pozicioni, numri, përmasat  dhe lloji i dyerve dhe portave dhe materiali prej të cilave ato janë prodhuar, përcaktohen sipas natyrës së veprimtarisë, llojit të mjediseve të punës, mjeteve të transportit dhe ngarkesës së tyre, si dhe kërkesave të evakuimit në rast të aksidenteve dhe zjarrit.

11.2 Dyert transparente duhet të shënjohen apo të mbrohen me qëllim shmangien e  përplasjeve, shënjimi të bëhet në një lartësi në nivelin e syrit.

11.3 Dyert dhe portat rrotulluese dhe lëkundëse duhet të jenë transparente apo të kenë pjesë të hapura që sigurojnë shikueshmëri.

11.4 Në qoftë se sipërfaqet transparente apo të tejdukshme në dyer dhe porta nuk janë prej materialeve të sigurta dhe nëse ekziston rreziku që personat mund të dëmtohen në qoftë se dera thyhet, sipërfaqet duhet të mbrohen kundër thyerjeve.

11.5 Dyert  dhe hyrjet e rrëshqitshme duhet të jenë të pajisura me një pajisje të sigurisë për të parandaluar rrëshqitjen dhe rënien e tyre jashtë shinave.

11.6 Dyert dhe portat që hapen nga jashtë pajisen me një mekanizëm kundër lëvizjeve mbrapa apo rënies së pakontrolluar.

11.7 Dyert përgjatë rrugëve të daljes së emergjencës duhet të shënjohen me shenjat e sigurisë në përputhje me legjislacionin në fuqi për sinjalistikën, duhet të hapen nga brenda-jashtë, në çdo kohë, pa ndonjë ndihmë të veçantë, pavarësisht nga procesi i punës.

11.8 Dyert dhe portat e përcaktuara për kalimin vetëm të mjeteve të transportit tregojnë shenjat që ndalojnë lëvizjen e këmbësorëve.

11.9 Kur portat e parashikuara për qarkullimin e mjeteve të transportit nuk mundësojnë edhe lëvizjen e sigurt të këmbësorëve, në afërsi të tyre duhet të ekzistojnë dyert e kalimit të këmbësorëve, të cilat shënjohen në mënyrë të dallueshme dhe janë lehtësisht të hapshme.

11.10 Dyert dhe portat me mekanizëm duhet të funksionojnë pa krijuar rrezik për punëmarrësit dhe personat e tjerë. Ato duhet të pajisen me mjete emergjence lehtësisht të arritshme dhe të identifikueshme nëse është e nevojshme. Në rast të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike, kur dyert mekanike nuk hapen automatikisht, atëherë ato duhet të hapen manualisht.

  1. Rrugët e lëvizjes – zonat e rrezikut

12.1 Rrugët e lëvizjes duhet të përcaktohen, organizohen dhe të kenë përmasat në varësi të qëllimit të tyre.

Rrugët e lëvizjes, përfshirë shkallët, shkallët vertikale të fiksuara  rampat ngarkuese fikse dhe rampat ngarkuese të lëvizshme, vendosen dhe  përllogariten në mënyrë që të sigurojnë përdorim të lehtë, të sigurt dhe të përshtatshëm për këmbësorët apo mjetet, në mënyrë të tillë që të mos rrezikohen këmbësorët dhe personat në afërsi të këtyre rrugëve të lëvizjes.

12.2 Përllogaritja e përmasave të rrugëve të lëvizjes së këmbësorëve apo mallrave, varet nga numri i përdoruesve  të mundshëm, dhe lloji i veprimtarive të ndërmarrjes, gjithmonë duke siguruar hapësirë të sigurt të mjaftueshme për këmbësorët.

Kur mjetet e transportit lëvizin në këto rrugë parashikohet një hapësirë sigurie për këmbësorët.

12.3 Ndërmjet rrugëve të lëvizjes së mjeteve dhe dyerve, portave, kalimeve për këmbësorët, korridoreve dhe shkallëve, sigurohet hapësirë e mjaftueshme.

12.4 Rrugët e lëvizjes shënjohen, mirëmbahen dhe kontrollohen në përputhje me  rregulloret përkatëse.

12.5 Nëse mjediset e punës, për shkak të natyrës së punës, përmbajnë zona të rrezikshme që paraqesin risk të rënies së punëmarrësit dhe objekteve nga lartësia, duhet të jenë të pajisura, me shenja dalluese dhe mjete që parandalojnë hyrjen e paautorizuar të punëmarrësit.

Merren masa të përshtatshme për mbrojtjen dhe sigurinë e punëmarrësve të autorizuar për hyrjen në zonat e rrezikshme.

  1. Shkallët dhe platformat lëvizëse

Shkallët dhe platformat lëvizëse funksionojnë në mënyrë të sigurt, duke u pajisur me mjetet e nevojshme të sigurisë dhe butonat e emergjencës, të cilat duhet të jenë lehtësisht të dukshme dhe të arritshme.

  1. Platformat dhe rampat ngarkuese

14.1 Platformat dhe rampat ngarkuese përshtaten me përmasat e ngarkesave dhe  teknologjitë e zbatuara në ngarkim-shkarkim. Ato duhet të kenë të paktën një pikë daljeje.

14.2 Kur është teknikisht e realizueshme, platformat me gjatësi të konsiderueshme duhet të kenë një pikë daljeje në secilin skaj.

14.3 Rampat ngarkuese duhet, të jenë të sigurta aq sa të parandalojnë rënien e punëmarrësve apo personave të tjerë dhe të makinave të përdorura.

  1. Përmasat e mjedisit të brendshëm të punës – hapësirat në vendin e punës

15.1 Mjediset e brendshme të punës duhet të kenë sipërfaqe, lartësi dhe vëllim të mjaftueshëm ajri, në mënyrë që punëmarrësit të kenë mundësi të kryejnë punën e tyre pa rreziqe për shëndetin, sigurinë apo mirëqenien e tyre.

15.2 Përmasat e hapësirave të lira, të pamobiluara në vendin e punës përllogariten në mënyrë të tillë që t’i lejojnë punëmarrësve liri lëvizjeje të mjaftueshme për të kryer punën e tyre.

Nëse kjo nuk mund të arrihet për arsye specifike të vendit të punës, punëmarrësit duhet t’i sigurohet një hapësirë e lirë lëvizjeje e mjaftueshme afër vendit të tij individual të punës.

  1. Mjediset e çlodhjes

16.1 Mjediset e çlodhjes u sigurohen punëmarrësve kur  procesi teknologjik  ose prania e një numri të caktuar punëmarrësish kërkon ndërprerje të shpeshtë ose të gjatë të punës, për të garantuar regjime pune të sigurta dhe të shëndetshme.

Kjo dispozitë nuk zbatohet për punëmarrësit që punojnë në zyra apo mjedise të ngjashme, që krijojnë të njëjtën mundësi çlodhjeje gjatë pushimit.

16.2 Mjediset e çlodhjes duhet të jenë lehtësisht të arritshme nga punëmarrësit, me hapësirë, ajrim, temperaturë dhe ndriçim të mjaftueshëm, në përputhje me numrin e personave që i përdorin ato në të njëjtën kohë. Këto mjedise duhet të jenë të pajisura me mjete në përputhje me natyrën e çlodhjes së nevojshme dhe me tavolina dhe karrige me mbështetëse.

16.3 Ndalohet pirja e duhanit në mjediset e çlodhjes.

16.4 Nëse oraret e punës ndërpriten rregullisht dhe shpesh dhe nuk ka mjedise çlodhjeje, duhet të ofrohen dhoma apo hapësira të tjera në të cilat punëmarrësit mund të qëndrojnë gjatë këtyre ndërprerjeve, kurdo që kjo nevojitet për sigurinë apo shëndetin e tyre.

  1. Gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë në gji

Për gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë në gji, duhet të krijohen kushte të përshtatshme për të qëndruar dhe për t’u çlodhur.

  1. Pajisjet higjieno-sanitare

18.1 Dhomat e zhveshjes dhe dollapët personalë

18.1.1 Punëmarrësve duhet t’u sigurohen dhoma të përshtatshme për t’u ndërruar në qoftë se ata duhet të veshin rroba të veçanta pune dhe kur, për arsye të shëndetit ose të etikës, atyre nuk mund t’u kërkohet të ndërrohen në një dhomë tjetër.

Dhomat e ndërrimit duhet të jenë lehtësisht të arritshme, të kenë kapacitete të mjaftueshme dhe të jenë pajisur me ndenjëse.

18.1.2 Dhomat e ndërrimit duhet të jenë mjaftueshëm të mëdha dhe të kenë ambiente për t’i krijuar mundësi çdo punëmarrësi për të kyçur veshjet e tij gjatë orarit të punës.

Nëse rrethanat e kërkojnë (p.sh. substancat e rrezikshme, lagështia, papastërtia), dollapët me kyç për veshjet e punës duhet të jenë të ndarë nga ato për veshjet e zakonshme.

18.1.3 Duhen parashikuar dhoma të ndara të ndërrimit apo përdorime të ndara të dhomave të ndërrimit për burrat dhe gratë.

18.1.4 Nëse dhomat e ndërrimit nuk kërkohen sipas 18.1.1, punëmarrësit i sigurohet një vend për të  vendosur veshjet e tij.

18.2 Dushet dhe lavamanët

18.2.1  Duhet të sigurohen dushe të përshtatshme për punëmarrësit në qoftë se kërkohen nga natyra e punës ose nga arsye shëndetësore. Dushet duhet të jenë në dhoma të ndara për përdorim të veçantë për burrat dhe gratë.

18.2.2 Dhomat e dusheve duhet të kenë përmasa të përshtatshme për t’i dhënë mundësi çdo punëmarrësi që të lahet pa pengesa në kushtet e një standardi të përshtatshëm të higjienës.

18.2.3  Dushet duhet të pajisen me ujë të rrjedhshëm, të ngrohtë dhe të ftohtë.

18.2.4 Kur dushet nuk janë të nevojshme në bazë të nënparagrafit të parë të 18.2.1, duhet të ketë lavamanë të përshtatshëm, me ujë të rrjedhshëm (ujë të ngrohtë nëse është e nevojshme) në afërsi të vendit individual të punës dhe dhomave të ndërrimit.

Këta lavamanë duhet të jenë të ndarë apo të përdoren veçmas për burrat dhe gratë.

18.2.5 Kur dhomat e dusheve apo mjediset me lavamanë janë të ndara nga dhomat e veshjes,  duhet të ketë komunikim të lehtë ndërmjet tyre.

18.3. WC-të dhe lavamanët

18.3.1 Në afërsi të vendeve individuale të punës, dhomave të çlodhjes, dhomave të ndërrimit dhe dhomave ku ndodhen dushet dhe lavamanët duhet të ketë hapësira të ndara, me një numër të përshtatshëm të WC-ve dhe lavamanëve veçmas për burrat dhe gratë.

  1. Dhomat e ndihmës së parë

19.1 Në varësi të përmasave të ndërmarrjes, llojit të punës dhe shpeshtësisë e seriozitetit të aksidenteve në punë duhet të ketë një ose më shumë dhoma të ndihmës së parë.

19.2 Dhomat e ndihmës së parë duhet të pajisen me pajisjet dhe mjetet bazë  për dhënien e ndihmës së parë.

Dhomat e ndihmës së parë shënjohen me shenja të dallueshme dhe duhet të mundësojnë hyrjen dhe përdorimin e barelave.

19.3 Përveç përcaktimeve në pikat 19.1 dhe 19.2, në të gjitha vendet e punës ku kushtet e punës e kërkojnë duhet të sigurohen mjete për dhënien e ndihmës së parë. Këto duhet të shënjohen me  shenja të posaçme të dallueshme dhe të jenë lehtësisht të arritshme.

  1. Punëmarrësit me aftësi të kufizuara

20.1 Mjediset e punës, nëse është e nevojshme, përshtaten në mënyrë të tillë që të marrin parasysh nevojat e punëmarrësve me aftësi të kufizuara.

20.2 Kjo dispozitë vlen në veçanti sa u përket dyerve, rrugëkalimeve, shkallëve, dusheve, lavamanëve, WC-ve dhe vendeve individuale të punës të përdorura apo të zëna direkt nga personat me aftësi të kufizuara.

  1. Vendet e punës në mjedis të hapur (dispozita të veçanta)

21.1 Vendet individuale të punës, rrugët e qarkullimit dhe zonat apo instalimet e tjera jashtë, të cilat përdoren apo janë të zëna me punëmarrës gjatë veprimtarisë së tyre, duhet të organizohen në mënyrë të tillë që këmbësorët dhe mjetet të mund të lëvizin në mënyrë të sigurt.

Përcaktimet në pikat 12, 13 dhe 14 zbatohen  edhe për rrugët kryesore të lëvizjes në ambientet e jashtme të ndërmarrjes (rrugët e lëvizjes që çojnë në vendet individuale të punës fikse),  për rrugët e lëvizjes që përdoren për mirëmbajtjen e vazhdueshme dhe mbikëqyrjen e instalimeve të ndërmarrjes dhe për platformat e ngarkimit.

Përcaktimet në pikën 12 janë të zbatueshme, gjithashtu, për vendet e punës në ambient të hapur.

21.2 Vendet e punës në mjedise të hapura duhet të ndriçohen me ndriçim të përshtatshëm artificial, nëse ndriçimi natyral nuk është i mjaftueshëm.

21.3 Nëse punëmarrësit punojnë në mjedise të hapura, vendet individuale të punës organizohen, për sa është e mundur, në mënyrë të tillë që punëmarrësit:

  1. a) të jenë të mbrojtur ndaj kushteve të motit me shi dhe nëse është e nevojshme ndaj objekteve që bien;
  2. b) të mos jenë të ekspozuar ndaj niveleve të dëmshme të zhurmës dhe as ndaj ndikimeve të dëmshme të lëndëve që çlirohen në mjediset e hapura, të tilla si: gazra, avuj ose pluhura;
  3. c) të jenë në gjendje të largohen nga vendi i tyre individual i punës me shpejtësi në rast të një rreziku apo të mund të ndihmohen me shpejtësi;

ç)   të shmangin mundësin e rrëshqitjes apo rënies.

  1. Furnizimi me ujë

Punëmarrësve u sigurohet ujë i rrjedhshëm për përdorim në mjediset e higjienës personale dhe ujë higjienikisht i pastër në mjediset e punës.

[1] Ky vendim i Këshillit të Ministrave transpozon direktivën e BE-së 89/654/KEE të datës 30 nëntor 1989, për kërkesat minimale të shëndetit dhe sigurisë në vendet e punës (direktiva e parë individuale brenda kuptimit të nenit 16(1) të direktivës 89/391/KEE).

 

|