Dritëro Agolli merr “Pendën e Artë” për gazetarinë

Shkrimtari vlerësohet nga Unioni i Gazetarëve për kontributin e dhënë me shkrimet e tij në emancipimin e shoqërisë

Poeti dhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli është nderuar për herë të parë me një çmim si publicist. Në emër të komunitetit të gazetarëve, si Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë si dhe Forumi i Mediave të Lira, atij iu akordua çmimi “Pena e Artë, Mjeshtër i Madh i Gazetarisë”, në një event të organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Ky çmim jepet pak kohë pas dhënies së çmimit letrar “Carlo Levi” në Itali.

“Personalitet i papërsëritshëm i gazetarisë dhe publicistikës shqiptare. Kontribuues madhor në shtypin e shkruar shqiptar për dekada me radhë. Sjellës i një kulture shkrimore të re dhe pasurues i mendimtarisë publicistike në hapësirën kombëtare. Lëvrues i zhanreve të ndryshme në gazetarinë e shkruar dhe një ndër eseistët më të spikatur të shtypit shqiptar në 50 vjetët e fundit”, thuhet në motivacionin e këtij çmimi. Dritëro Agolli është personaliteti që përfaqëson njëherësh një shkrimtar të shquar dhe një gazetar e publicist të shquar. Me kontributin e vet dhe punën dhjetravjeçare si gazetar dhe publicist, Dritëro Agolli ndikoi në emancipimin e shoqërisë dhe në mënyrë të veçantë të komunitetit të gazetarëve shqiptarë. “Vepra e tij publicistike përbën një fond dhe përvojë themeltare për gazetarinë dhe mendimtarinë publicistike shqiptare në kohë”, citohej ndër të tjerash në motivacionin akorduar Dritëro Agollit, e dorëzuar mbesës së tij Ana Agolli nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. “Jam këtu për të plotpushtetshmin gjysh” e nisi fjalën mbesa e shkrimtarit Ana Agolli, duke iu referuar poezisë me titullin “I plotpushtetshmi” që ai ia kushton mbesës.

Kjo ishte edhe dëshira e të madhit Dritëro që mbesës së tij të dashur t’i përcillej ky çmim. Publicistika e Agollit nuk ka reshtur për dekada me radhë. Në parathënien e librit “Teshtimat e lirisë, ku përfshihet një pjesë e madhe e publicistikës dhe memuaristikës së Dritëro Agollit, shkruhet ndër të tjera: “Jo rrallë artikujt apo intervistat e shkruara, në një stil të mbrujtur në një frymë polemiste që i ngjan atij të Fan Nolit dhe Faik Konicës, kanë luajtur rol emancipues në shtypin shqiptar nëpërmjet piketave që kanë vendosur në rrugën e këtij shtypi. Gazetarët, të majtë apo të djathtë, kanë hyrë në shumë raste në debat me Dritëroin, të qetë apo të ashpër, dhe kjo pa dyshim ka nxitur ecjen dhe zhvillimin e shtypit shqiptar. Dritëroi ishte elastik dhe kishte pragmatizmimin e nevojshëm për një politikan dhe të pazakontë për shumë kolegë të tij të vjetër, por edhe të rinj. Ai shpesh korrigjonte pozicionet e mëparshme për shkak të evoluimit të situatave dhe këtu e ndihmonte sensi i tij i drejtë i orientimit”. Gjatë ceremonisë ku Agolli u nderua me “Pendën e Artë” u ndanë çmimet “Vangjush Gambeta” për gazetarinë ekonomike. Me këtë çmim u vlerësuan gazetarët Alban Beqaj, Teuta Shamku, Kreshnik Martini dhe Zekirja Shabani. Çmimi i Karrierës iu akordua Filip Çakulit me motivacionin “Një personalitet i fuqishëm në gazetarinë shqiptare në disa dekada”. Përfaqësues më i shquar i kurajës gazetareske në periudhën e tranzicionit postkomunist shqiptar, si dhe drejtues më i guximshëm i emisionit më të suksesshëm investigativ “Fiks Fare” në 10 vitet e fundit. Me këtë çmim është nderuar dhe gazetarja Tefta Radi me motivacionin “Spikere e modelit të shkëlqyer komunikues në ekranin publik shqiptar dhe profesioniste që ka ndikuar mbi gjeneratat e reja të moderimit televiziv shqiptar gjatë 30 viteve të fundit”.

Çmimi “Vangjush Gambeta”, u dha për herë të parë në vitin 2009, një vit pas ndarjes nga jeta të gazetarit të mirënjohur, për tre gazetarë të ekranit, radios dhe shtypit të shkruar. Vangjush Gambeta ka pasur një rol aktiv në shtypin shqiptar, si gazetar dhe publicist, ndërsa midis viteve 1956-1975 ai drejtoi sektorin ekonomik të gazetës “Zëri i Popullit”, ku më vonë shërbeu edhe si zëvendëskryeredaktor. Paralelisht, ai ishte pedagog i ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa për shkak të qëndrimeve të tij liberale dhe frymës perëndimore, u internua për 15 vite duke e mbyllur karrierën në vitin 1975, ndërsa në vitin 1990, ai ishte bashkëthemelues i Partisë Republikane si dhe drejtues i saj.

 

Ceremonia

Ndahen çmimet At Zef Pllumi

U zhvillua dje në Shëngjin ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare “At Zef Pllumi”. Ky është edicioni i dytë i konkursit letrar pagëzuar me emrin e fratit françeskan. Me këtë çmim është vlerësuar gazetari Alfred Lela me librin “Secilit Shqipërinë e tij” për mjeshtërinë e lartë portretizuese dhe përgjithësuese të një galerie personazhesh të kohës sonë, ku fjala bashkon dhe lartëson në një frymën, ngjyrën, gdhendjen dhe dashurinë e krijimit publicistik. Në memuaristikë ky çmim i ka shkuar Bardhyl Londos me librin “Jeta që na dhanë” për rrëfimin e përpjekjes për të mbetur njeri dhe shkrimtar në diktaturë. Në publicistikë ky çmim i është dhënë Dom Gjergj Metës me librin “Ditar periferie” për trajtimin e mprehtë të problematikës stile dhe sociale të periudhës së tranzicionit në hullinë e traditës më të mirë të klerit katolik shqiptar. Në prozë ky çmim i ka shkuar Bashkim Shehut me librin “Loja, shembja e qiellit” për pasqyrimin e ndikimit të historisë mbi fatin e njeriut shqiptar. Në poezi çmimi i ka shkuar Preç Zogajt me librin “Fundi i një fëmijërie tjetër” për ripërtëritje të vazhdueshme të qasjes së tij ndaj temave të mëdha të ekzistencës. Juria e këtij çmimi ishte e përbërë nga Agron Gjekmarkaj, Besnik Mustafaj, Bujar Leskaj, Aleksandër Çipa dhe Parid Teferiçi.

|