L I G J Nr.7889, datë 14.12.1994 PËR STATUSIN E INVALIDËVE TË PUNËS

L I G J

Nr.7889, datë 14.12.1994

PËR STATUSIN E INVALIDËVE TË PUNËS

(ndryshuar me ligjin nr.8052, datë 21.12.1995, nr.9143, datë 16.10.2003

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozim të Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Neni 1

(ndryshuar me ligjin nr.9143, datë 16.10.2003)

 

Statusin e invalidit e gëzon personi i aksidentuar në punë, i sëmurë nga sëmundje profesionale ose sëmundje të ndryshme, që përfiton pension invaliditeti nga sistemi i sigurimeve shoqërore, sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, i ndryshuar, ligjit nr.4976, datë 29.6.1972 “Për pensionin e ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore”, i ndryshuar dhe ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.”

Neni 2

Shoqëria dhe shteti marrin në mbrojtje invalidët, në mënyrë që ata të marrin pjesë në jetën shoqërore njëlloj si të tjerët, t’u sigurohet niveli ekonomik i nevojshëm për të jetuar në mënyrë dinjitoze, të kenë kushte banimi, të shfrytëzojnë mjedisin e jashtëm, të kenë një punë të përshtatshme, si dhe t’u krijohen mundësi normale për kurim, arsimim dhe veprimtari çlodhëse e argëtuese.

Neni 3

Shteti mbron invalidët nga të gjitha llojet e shfrytëzimit, diskriminimit, abuzimit, fyerjes dhe talljes.

Neni 4

(ndryshuar me ligjin nr.8052, datë 21.12.1995)

 

Invalidët pajisen me dëshmi zyrtare identifikimi. Dëshmia lëshohet nga Shoqata e Invalidëve të Punës, në bazë të KMAC

Neni 5

Asnjë organ nuk ka të drejtë të japë të dhëna për gjendjen e invaliditetit të një personi pa pëlqimin e tij.

Neni 6

Statusi i invalidit vazhdon edhe pas mbushjes së moshës për pension pleqërie.

Neni 7

(ndryshuar me ligjin nr.9143, datë 16.10.2003)

Invalidët e punës, që kanë qenë të punësuar në ndërmarrjet, institucionet shtetërore, ish-kooperativat bujqësore, repartet ushtarake, si dhe ushtarët e shërbimit të detyrueshëm, që vuajnë nga sëmundje profesionale, të aksidentuar në punë dhe me sëmundje të ndryshme, që marrin pension invaliditeti, në mbështetje të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, i ndryshuar, ligjit nr.4976, datë 29.6.1972 “Për pensionin e ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore”, i ndryshuar dhe ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përfitojnë një shtesë mujore mbi pensionin e invaliditetit, si përfitim paaftësie, nga Buxheti i Shtetit.

Kriteret e marrjes së përfitimit të paaftësisë dhe masa e tij përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8

(ndryshuar shkronja “a” e pikës 1 me ligjin nr.8052, datë 21.12.1995)

8.1. Instituti i Sigurimeve Shoqërore administron pajisjen e invalidëve me:

  1. a) mjete lëvizëse dhe pajisje të ndryshme ortopedike, përfshi dhe autovetura;
  2. b) me mjete ndihmëse dëgjimore e pamore speciale;
  3. c) me mjete ndihmëse kardiake etj.

Kriteret përcaktohen me rregullore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

8.2. Invalidët nuk paguajnë taksa doganore për mjetet lëvizëse dhe ndihmëse të përcaktuara në pikat a,b dhe c të pikës 8.1 të nenit 8.

Neni 9

(ndryshuar me ligjin nr.8052, datë 21.12.1995)

Në shtëpitë ekzistuese të pushimit shteti në marrëveshje me subjektet që i kanë në pronësi cakton një kontingjent vendesh për pushimin e invalidëve.

Në vendet e përshtatshme klimaterike, shteti cakton sipërfaqe të lira për ndërtimin e kampeve të pushimit dhe qendrave të rehabilitimit për invalidët. Rregullat e financimit për ndërtimin e tyre vendosen me vendim të Këshillit të Ministrave

Neni 10

Për të paralizuarit dhe të gjymtuarit rëndë që nuk lëvizin, organizohet shërbimi mjekësor në banesë falas.

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes së Mjedisit nxjerr aktet nënligjore përkatëse.

Neni 11

11.1. Udhëtimi i invalidëve me mjetet e komunikacionit shtetëror dhe privat qytetas bëhet falas.

11.2. Udhëtimi me mjetet e komunikacionit shtetëror dhe privat ndërqytetas bëhet me 50 për qind të vlerës së biletës.

11.3. Të gjitha mjetet e udhëtimit qytetas dhe ndërqytetas rezervojnë vende të veçanta për invalidët.

Ministria që mbulon transportin dhe komunikacionin  nxjerr aktet nënligjore përkatëse.

Neni 12

Hyrja e invalidëve në shfaqje artistike, muze, ndeshje e manifestime sportive bëhet me 50 për qind të çmimit të biletës.

Ministria që mbulon kulturën, rininë e sportet nxjerr aktet nënligjore përkatëse.

Neni 13

13.1. Mjediset e institucioneve shëndetësore, të përkujdesjes shoqërore dhe ato publike përshtaten për përdorimin e tyre nga të verbrit dhe paraplegjikët.

Procedura dhe fazat e përshtatjes përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

13.2. Të gjitha ndërtimet e reja publike që realizohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të ofrojnë mundësi përdorimi nga kategoritë e ndryshme të personave me aftësi të kufizuara.

Ministria që mbulon ndërtimin, strehimin dhe rregullimin e territorit nxjer aktet nënligjore përkatëse.

Neni 14

(ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.8052, datë 21.12.1995)

Invalidët punësohen dhe ripunësohen në ndërmarrje shtetërore dhe private në procese pune të përshtatshme që rekomandohen nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë.

Rregullat e punësimit dhe ripunësimit të invalidit caktohen me ligj të veçantë.

Neni 15

Invalidët favorizohen në ndjekjen e kurseve të kualifikimit e të rikualifikimit profesional, si dhe ndjekjen e shkollave të larta.

Neni 16

16.1. Invalidët përjashtohen nga taksat e drejtpërdrejta të parashikuara në ligjin nr.7680, datë 3.3.1993 “Për sistemin e taksave në Republikën e Shqipërisë”.

16.2. Kur invalidi ushtron veprimtari private, nuk përjashtohet nga taksat.

Neni 17

Gjatë përgatitjes së akteve ligjore e nënligjore dhe të programeve qeveritare mbahen parasysh interesat e nevojat e invalidëve.

Shoqatat që mbrojnë interesat e invalidëve, marrin pjesë në mbledhjet për diskutimin dhe miratimin e akteve ligjore dhe nënligjore që prekin drejtpërdrejt a tërthorazi interesat e invalidëve.

Neni 18

18.1. Shteti financon veprimtarinë e Shoqatës së Invalidëve të Punës sipas mundësive dhe burimeve financiare të planifikuara për këtë qëllim.

18.2. Mjediset që shteti vë në dispozicion të Shoqatës së Invalidëve të Punës për të zhvilluar veprimtarinë e saj, jepen në përdorim pa shpërblim.

Neni 19

(ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.8052, datë 21.12.1995)

19.1. Të drejtat që gëzojnë invalidët sipas statusit të tyre, afishohen në vende të dukshme në mjediset publike.

19.2. Për shkelje të të drejtave që sanksionohen nga ky ligj, invalidi ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës individualisht ose nëpërmjet shoqatave që mbrojnë interesat e tyre.

Neni 20

20.1. Për zbatimin e këtij ligji ngarkohet Ministria e Punës, Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe e ish të Përndjekurve Politikë.

20.2. Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore përkatëse nxjerrin aktet nënligjore të përcaktuara me këtë ligj brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 21

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.1000, datë 28.12.1994 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

|