L I G J Nr.8487, datë 13.5.1999 PËR KOMPETENCAT PËR CAKTIMIN E PAGAVE TË PUNËS

L I G J
Nr.8487, datë 13.5.1999

PËR KOMPETENCAT PËR CAKTIMIN E PAGAVE TË PUNËS
(ndryshuar me ligjin nr.8935, datë 12.9.2002, nr.9065, datë 8.5.2003)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave

K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Neni 1

Paga përfaqëson të ardhurat në para që punëdhënësi i jep punëmarrësit për punën e kryer në sasi, cilësi dhe kohë. Paga përcaktohet në kontratën e punës, e cila lidhet ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Neni 2

Në Republikën e Shqipërisë për caktimin e pagës, sipas përkatësisë, kanë kompetencë:
– Kuvendi;
– Këshilli i Ministrave;
– ministritë dhe institucionet e tjera qendrore dhe organet e pushtetit vendor;
– ndërmarrjet shtetërore;
– personat e tjerë juridikë a fizikë, vendas ose të huaj.

Neni 3

Në nenin 2 të këtij ligji me “ndërmarrje shtetërore” nënkuptohen ndërmarrjet me kapital 100 për qind shtetëror, që funksionojnë në mbështetje të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, ndërmarrjet që funksionojnë në mbështetje të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992 “Për ndërmarrjet shtetërore”, si dhe institucionet shtetërore jobuxhetore, bankat, INSIG-u dhe institucione të tjera me kapital tërësisht shtetëror, sipas përcaktimit që do të bëjë Këshilli i Ministrave.

Neni 4
(ndryshuar me ligjin nr.8935, datë 12.9.2002)

Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, miraton:
pagën e Presidentit;
b) raportet e pagave të funksionarëve të lartë shtetërorë, të institucioneve kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj;
c) shpërblimin e anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të institucioneve qendrore të pavarura.

Neni 5

(ndryshuar me ligjin nr.8935, datë 12.9.2002 dhe nr.9065, datë 8.5.2003 )

Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Punës dhe të Çështjeve Sociale, miraton:
a) pagën minimale mujore, në shkallë vendi, e cila është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person fizik e juridik, vendas ose i huaj;
b) masën e indeksimit të pagave, sipas ndryshimit të pritshëm të indeksit të çmimeve të konsumit, në fillim të çdo viti dhe rregullat për zbatimin e saj.

Neni 5/1
(shtuar me ligjin nr.9065, datë 8.5.2003)

Departamenti i Administratës Publike, në bashkërendim me Ministrinë e Financave, përgatit dhe Këshilli i Ministrave miraton:
a) pagat e drejtuesve të institucioneve qendrore, që nuk përfshihen në nenin 4 dhe pagat e personave të tjerë të barazuar me ta, sipas nenit 4;
b) aktet nënligjore për funksionimin e strukturës së pagave dhe të shpërblimit për punonjësit e administratës publike;
c) strukturën e pagave për punonjësit e administratës publike, qendrore dhe vendore;
ç) numrin e klasave, masën e pagës dhe të shtesave mbi pagë, sipas klasave, për punonjësit e administratës publike;
d) kriteret për masën e shpërblimeve shtesë, për punën jashtë orarit zyrtar, për punonjësit e administratës publike;
dh) përgjegjësinë e organeve të larta shtetërore, ministrive e institucioneve të tjera qendrore në fushën e pagave.

Neni 6
(ndryshuar me ligjin nr.8935, datë 12.9.2002)

Këshilli i qarkut, këshilli bashkiak, këshilli komunal, sipas përkatësisë, miratojnë:
a) pagën për çdo funksion të zgjedhur, të emëruar, për nëpunësit civilë dhe për punonjësit e tjerë, brenda kufijve të pagave për çdo grup të njësive të qeverisjes vendore, të miratuara nga Këshilli i Ministrave;
b) njehsimin në pagë, në përputhje me klasifikimin e funksioneve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, për çdo funksion të ri që vendos të krijojë;
c) shpërblimin mujor të këshilltarëve dhe të kryetarëve të fshatrave, në masën deri 10 për qind të pagës mujore të kryetarit të këshillit të qarkut, të kryetarit të bashkisë dhe të kryetarit të komunës;
ç) shpërblime të personave, nga burimet e veta financiare, të cilët caktohen në komitete, borde, këshilla, komisione e të tjera të kësaj natyre, që ngrihen me vendim të këshillit përkatës;
d) pagat e punonjësve të njësive ekonomike dhe të institucioneve të varësisë së tij, duke respektuar legjislacionin në fuqi, me përjashtim të rasteve kur me ligj të veçantë është parashikuar ndryshe.

Neni 7

Ndërmarrjet shtetërore i caktojnë vetë pagat e punës, në varësi të mundësive të tyre financiare, sipas programit të zhvillimit të miratuar nga organet përkatëse.

Neni 8

Për ndërmarrjet shtetërore, veprimtaria e të cilave është me humbje dhe subvencionohen nga shteti, Këshilli i Ministrave cakton rregulla të veçanta për kufizimin e pagave.
Neni 9

Ligji nr.7583, datë 13.7.1992 “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës” shfuqizohet.

Neni 10

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.2374, datë 20.5.1999 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani

|