L I G J Nr.8774, datë 23.4.2001 PËR RATIFIKIMIN E “KONVENTËS NR.182 “FORMAT MË TË KËQIA TË PUNËS SË FËMIJËVE, 1999” TË ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE TË PUNËS”

L I G J
Nr.8774, datë 23.4.2001
PËR RATIFIKIMIN E “KONVENTËS NR.182 “FORMAT MË TË KËQIA TË PUNËS SË FËMIJËVE, 1999” TË ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE TË PUNËS”

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K UV E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I :


Neni 1
Ratifikohet “Konventa nr.182 “Format më të këqia të punës së fëmijëve, 1999” të Organizatës Ndërkombëtare të Punës”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.2997, datë 4.5.2001 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë
Rexhep Meidani
KONVENTA 182
Konventa lidhur me Ndalimin e Formave më të Këqia të Punës së Fëmijëve dhe veprimin e menjëhershëm për eliminimin e tyre.
Konferenca e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Punës,
E thirrur në Gjenevë nga Këshilli Administrativ i Zyrës Ndërkombëtare të Punës, dhe e mbledhur në sesionin e saj të 87-të më 1 Qershor 1999, dhe
Duke konsideruar nevojën e miratimit të instrumenteve të rinj për ndalimin dhe eliminimin e formave më të këqia të punës së fëmijëve, si prioritetin kryesor për veprimin kombëtar dhe ndërkombëtar, duke përfshirë bashkëpunimin dhe ndihmën ndërkombëtare, për të plotësuar Konventën dhe Rekomandimin lidhur me moshën minimale për pranimin në punë, 1973, të cilat mbeten instrumentet themelore për punën e fëmijëve, dhe
Duke konsideruar se eliminimi efektiv i formave më të këqia të punës së fëmijëve kërkon veprim të menjëhershëm dhe të gjithanshëm, duke marrë në konsideratë rëndësinë e arsimimit falas dhe nevojën për të larguar fëmijët nga të gjitha këto lloj pune dhe të sigurojë rehabilitimin dhe integrimin e tyre social duke pasur parasysh nevojat e familjeve të tyre, dhe
Duke kujtuar rezolutën lidhur me eliminimin e punës së fëmijëve të miratuar nga Konferenca Ndërkombëtare e Punës në sesionin e saj të 83-të më 1996, dhe
Duke pranuar se puna e fëmijëve ekziston, në një masë të madhe, për shkak të varfërisë dhe se zgjidhja afatgjatë varet nga rritja e qëndrueshme ekonomike që çon në progresin social, veçanërisht në zbutjen e varfërisë dhe arësimin për të gjithë, dhe
Duke kujtuar Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me 20 Nëntor 1989, dhe
Duke kujtuar Deklaratën e ILO-s mbi të Drejtat dhe Liritë Themelore në Punë dhe Follow-up-in e saj, miratuar nga Konferenca Ndërkombëtare e Punës në sesionin e saj të 86-të më 1998, dhe
Duke kujtuar se disa nga format më të këqia të punës së fëmijëve trajtohen nga instrumente të tjerë ndërkombëtare, veçanërisht nga Konventa Puna e Detyruar, 1930, dhe nga Konventa Plotësuese e Kombeve të Bashkuara mbi Eliminimin e Skllavërisë, Tregëtia e Skllevërve, dhe Institucionet dhe Praktikat e Ngjashme me Skllavërinë, 1956, dhe
Pasi vendosi mbi miratimin e disa propozimeve lidhur me punën e fëmijëve, e cila është pika e 4-të në rendin e ditës së sesionit, dhe
Pasi vendosi që këto propozime të marrin formën e një konvente ndërkombëtare:
miraton këtë ditë të shtatëmbëdhjetë të Qershorit të vitit njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë Konventën e mëposhtëme, e cila mund të quhet Konenta Format më të Këqia të Punës së Fëmijëve, 1999.
Neni 1
Çdo anëtar i cili ratifikon këtë Konventë duhet të marrë masa të menjëhershme dhe efektive për të siguruar ndalimin dhe eliminimin e formave më të këqia të punës së fëmijëve, si një çështje urgjente.
Neni 2
Në kuptim të kësaj Konvente, termi “fëmijë” nënkupton të gjithë personat nën moshën 18 vjeç.
Neni 3
Në kuptim të kësaj Konvente, termi “format më të këqia të punës së fëmijëve” nënkupton:
a – të gjitha format e skllavërisë ose praktikave të ngjashme me të, si shitja dhe trafikimi i fëmijëve, robëria dhe bujkrobëria për shkak të borxheve dhe puna e detyruar apo e detyrueshme, duke përfshirë rekrutimin e detyruar apo të detyrueshëm të fëmijëve për t’i angazhuar në konflikt të armatosur;
b – përdorimi, sigurimi ose ofrimi i fëmijës për prostitucion, për prodhimin e materialeve pornografike ose për shfaqje pornografike;
c- përdorimi, sigurimi ose ofrimi i fëmijës për veprimtari të paligjshme, veçanërisht për prodhimin dhe trafikimin e narkotikëve, sipas përcaktimit në traktatet përkatëse ndërkombëtare;
d- puna e cila, nga natyra ose rrethanat në të cilat kryhet, mund të dëmtojë shëndetin, sigurinë ose moralin e fëmijëve.
Neni 4
1. Llojet e punëve të përmendura në nenin 3 (d) duhet të përcaktohen nga aktet ligjore ose nënligjore të vendit ose nga autoritetet kompetente, pas konsultimit me organizatat e interesuara të punëtorëve dhe punëdhënësve, duke marrë në konsideratë standardet përkatëse ndërkombëtare, veçanërisht paragrafet 3 he 4 të Rekomandimit, 1999, Format më të Këqia të Punës së Fëmijëve.

Neni 5
Çdo anëtar duhet, pas konsultimit me organizatat e punëtorëve dhe punëdhënësve, të krijojë ose përcaktojë mekanizmin e përshtatshëm për të monitoruar zbatimin e dispozitave që i japin fuqi kësaj Konvente.
Neni 6
1. Çdo anëtar duhet të hartojë dhe zbatojë programe veprimi për eliminimin, si prioritet, të formave më të këqia të punës së fëmijëve.
2. Këto programe veprimi duhet të hartohen dhe zbatohen në konsultim me institucionet përkatëse shtetërore dhe organizatat e punëtorëve dhe punëdhënësve, duke marrë në konsideratë pikpamjet e grupeve të tjera të interesuara, kur paraqitet rasti.
Neni 7
1. Çdo anëtar duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar zbatimin efektiv dhe hyrjen në fuqi të dispozitave që i japin efekt kësaj Konvente duke përfshirë dispozitat dhe zbatimin sanskioneve penale ose, kur është e nevojshme, sanksione të tjera.
2. Çdo anëtar duhet, duke marrë në konsideratë rëndësinë e arsimit në eleminimin e punës së fëmijëve, të marrë masa efektive dhe në një afat të caktuar për:
a- të ndaluar angazhimin e fëmijëve në format më të këqia të punës së fëmijëve;
b- të siguruar ndihmën direkte të nevojshme dhe të përshtatshme për largimin e fëmijëve nga format më të këqia të punës së fëmijëve, si dhe për rehabilitimin e integrimin social të tyre;
c- të siguruar akses në arsimin bazë falas, dhe, kur është e mundshme dhe e nevojshme, kualifikimin profesional, për të gjithë fëmijët e larguar nga format më të këqia të punës së fëmijëve;
d- të identifikuar dhe kontaktuar direkt me fëmijët që ndodhen në rrezik të veçantë; dhe
e- të marrë në konsideratë situatën e veçantë të vajzave.
3. Çdo Anëtar duhet të caktojë autoritetin kompetent përgjegjës për zbatimin e dispozitave që i japin fuqi kësaj Konvente.
Neni 8
Anëtarët duhet të marrin masat e nevojshme që të ndihmojnë njeri-tjetrin për t’iu dhënë fuqi dispozitave të kësaj Konvente nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ose ndihmës, duke përfshirë mbështetjen për zhvillimin social dhe ekonomik, programet për eliminimin e varfërisë, si dhe të arsimit për të gjithë.
Neni 9
Ratifikimi zyrtar i kësaj Konvente duhet t’i komunikohet për regjistrim Drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës Ndërkombëtare të Punës.
Neni 10
1. Kjo Konventë do të jetë e detyrueshme vetëm për ata Anëtarë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës ratifikimet e të cilëve janë regjistruar te Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Ndërkombëtare të Punës.
2. Ajo do të hyjë në fuqi 12 muaj pas datës në të cilën ratifikimet e dy Anëtarëve janë regjistruar tek Drejtori i Përgjithshëm.
3. Pas kësaj, kjo Konventë do të hyjë në fuqi për çdo Anëtar 12 muaj pas datës në të cilën është regjistruar ratifikimi i saj.
Neni 11
1.Anëtari që ka ratifikuar këtë Konventë mund ta denoncojë atë, pas kalimit të dhjetë vjetëve nga data në të cilën Konventa hyn në fuqi për herë të parë, me anën e një akti që i komunikohet për regjistrim Drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës Ndërkombëtare të Punës. Ky denoncim nuk do të hyjë në fuqi deri në një vit pas datës në të cilën ai është regjistruar.
2. Çdo Anëtar që ka ratifikuar këtë Konventë dhe i cili nuk e ushtron të drejtën e denoncimit të parashikuar në këtë nen brenda një viti pas mbarimit të periudhës 10 vjeçare të parashikuar në paragrafin e mësipërm, nuk mund ta ushtrojë këtë të drejtë për një periudhë tjetër 10 vjeçare dhe, pas kësaj, mund ta denoncojë këtë Konventë në mbarim të çdo periudhe 10 vjeçare, sipas kushteve të parashikuara në këtë nen.
Neni 12
1. Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Ndërkombëtare të Punës njofton të gjithë Anëtarët e Organizatës Ndërkombëtare të Punës për regjistrimin e të gjitha ratifikimeve dhe akteve të denoncimit që komunikohen nga Anëtarët e Organizatës.
2. Kur njofton Anëtarët e Organizatës për regjistrimin e ratifikimit të dytë, Drejtori i Përgjithshëm duhet t’u kujtojë Anëtarëve të Organizatës datën në të cilën Konventa do të hyjë në fuqi.
Neni 13
Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Ndërkombëtare të Punës duhet t’i komunikojë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për regjistrimin, në përputhje me nenin 102 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të gjitha veçoritë e ratifikimeve dhe akteve të denoncimit që janë regjistruar nga Drejtori i Përgjithshëm, në përputhje me dispozitat e neneve të mësipërm.
Neni 14
Këshilli Drejtues i Zyrës Ndërkombëtare të Punës duhet t’i paraqesë Konferencës së Përgjithshme, sa herë që e gjykon të nevojshme, një raport mbi zbatimin e kësaj Konvente, si dhe të shqyrtojë mundësinë e vendosjes në rendin e ditës së Konferencës të çështjes së ndryshimit të pjesshëm apo të plotë të saj.
Neni 15
1. Në rastin kur Konferenca miraton një konventë të re, që ndryshon pjesërisht ose plotësisht këtë konventë, përveç kur konventa e re parashikon ndryshe:
a) ratifikimi nga një anëtar i konventës së re prezumon, pavarësisht nga kërkesa e nenit 11 më sipër denoncimin e menjëhershëm të kësaj konvente, nëse dhe kur konventa e re hyn në fuqi.
b) nga data e hyrjes në fuqi të konventës së re, kjo konventë do të pushojë së qeni e hapur për ratifikim nga Anëtarët.
2. Kjo Konventë, në çdo rast, do të mbetet në fuqi në formën dhe përmbajtjen e saj për të gjithë ata Anëtarë që kanë ratifikuar konventën e re.
Neni 16
Versionet frengjisht dhe anglisht të tekstit të kësaj Konvente kanë fuqi të barabartë.

|