LIGJ NR.9634, datë 30.10.2006 PËR INSPEKTIMIN E PUNËS

LIGJ
NR.9634, datë 30.10.2006

PËR INSPEKTIMIN E PUNËS
(ndryshuar me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë, nëpërmjet Inspektoratit shtetëror që mbulon fushën e punës, zbatimin e legjislacionit të punës nga subjektet, mbi të cilat vepron ky ligj, në përputhje me procedurat e kryerjes së inspektimit në punë.

Neni 2
Përkufizime
(ndryshuar pika 1, 2, 6 dhe shfuqizuar pikat 16, 17, 18, me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
“Inspektorat” janë të gjitha strukturat e Inspektoratit shtetëror që mbulon fushën e punës.
“Inspektim në punë” është procesi i inspektimit dhe veprimtaria e kryer nga Inspektorati.
3. “Legjislacion i punës” janë:
a) konventat e ratifikuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë;
b) ligji nr.7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”;
c) ligji nr.7995, datë 20.9.1995 “Për nxitjen e punësimit”, i ndryshuar;
ç) ligji nr.9136, datë 11.9.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”;
d) ligjet që duhet të zbatojë inspektorati;
dh) aktet nënligjore, që dalin në zbatim të shkronjave “b”, “c”, “ç” dhe “d” të pikës 3 të këtij neni.
4. “Ministër” është ministri, i cili mbulon çështjet që kanë të bëjnë me legjislacionin e punës.
5. “Person fizik” , “Person juridik” apo “Subjekte” është çdo person fizik apo juridik, sipas përcaktimit të bërë në Kodin Civil.
6. “Inspektor pune” është inspektori i inspektoratit shtetëror që mbulon fushën e punës.
7. “Kontrollor pune” është çdo person i rekrutuar në shërbimet e inspektimit me të drejtën e ushtrimit të kontrollit në çdo vend pune që lejon ligji dhe me detyrimin për të raportuar tek inspektori i punës.
8. “Siguria në punë” janë masat kolektive dhe individuale, të marra për të parandaluar apo për të shmangur aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, nëpërmjet formimit dhe rregulloreve.
9. “Shëndeti në punë” janë elementet fizike dhe mendore që ndikojnë në shëndet, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me sigurinë dhe higjienën në punë.
10. “Mirëqenie” janë të gjitha lehtësitë sociale, që duhet t’u krijojë punëdhënësi punëmarrësve si: shërbimi i ushqimit, shërbimi i shëndetit në punë, shërbimi i kohës së lirë, shërbimi i transportit të punëmarrësve, si dhe shërbimi i personelit.
11. “Kushte pune” janë elementet, që lidhen me mjedisin, në të cilin një punëmarrës ushtron veprimtarinë e vet, si dhe elementet sociale dhe administrative të tilla, si pagat, kohëzgjatja e punës, puna e natës, pushimi javor dhe ai vjetor.
12. “Aksident në punë” është dëmtimi i menjëhershëm i punëmarrësit gjatë kryerjes së punës, gjatë rrugës për në/nga punë/na, ose gjatë një procesi që ka lidhje me punën, i cili çon në humbjen e përkohshme ose të përhershme të aftësisë për punë ose/dhe vdekje.
13. “Sëmundje profesionale” është çdo sëmundje e shkaktuar si rezultat i ekspozimit ndaj rreziqeve, që rrjedhin nga veprimtaria e punës.
14. “Vend pune” janë të gjitha vendet e punës, ku punëmarrësi duhet të jetë ose shkon për qëllime pune dhe që janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë ose jo të punëdhënësit.
15. “Degë e veprimtarisë ekonomike” është çdo degë, ku punësohet punëmarrësi, përfshirë dhe shërbimin publik.
16. Shfuqizuar.
17. Shfuqizuar.
18. Shfuqizuar.
19.“Substanca të rrezikshme” janë substancat që, për vetitë e tyre fizike, kimike apo biologjike, paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e punëmarrësve. Në substanca të tilla përfshihen lëndët plasëse, radioaktive, djegëse, helmuese, gërryese, infektuese, kancerogjene dhe lëndët dëmtuese, siç përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
20. “Objekte të rrezikshme” janë ndërtesat, pajisjet dhe makineritë, instalimet apo objekte të tjera, që paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e punëmarrësve. Në objektet e rrezikshme përfshihen ashensorët, vinçat dhe mjetet e tjera të veçanta të transportit, sipas përcaktimit nga Këshilli i Ministrave.
21. “Punëmarrës ilegal” është çdo person i punësuar, që kryen një punë me pagesë, të padeklaruar në organet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.
22. “Këshillim dhe informim” është ofrimi i këshillave dhe i informacioneve punëdhënësve dhe punëmarrësve për mjetet më efikase të njohjes së dispozitave ligjore.

Neni 3
Fusha e zbatimit dhe shtrirja në hapësirë

Ky ligj zbatohet mbi personat fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj, privatë ose publikë, që ushtrojnë veprimtari ekonomike fitimprurëse apo jofitimprurëse në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 4
Përjashtimet

1. Përjashtohen nga fusha e zbatimit të këtij ligji:
a) institucionet apo veprimtaritë, ku hyrja e inspektorit të punës vë në rrezik interesin e sigurisë kombëtare;
b) të gjitha vendet e punës, ku inspektimi për marrëdhëniet e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë janë të rregulluara me ligje të veçanta.
2. Për rastet e veçanta, me përjashtim të rasteve të parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni, inspektorët e punës duhet të pajisen me autorizim nga institucionet përkatëse.

KREU II
SISTEMI I INSPEKTIMIT TË PUNËS

Neni 5
Politikat shtetërore të inspektimit në punë

1. Shteti përcakton, për të gjitha vendet e punës, një sistem të inspektimit në punë, në bazë të të cilit kërkohet zbatimi i dispozitave të legjislacionit të punës, kontratës kolektive dhe mbrojtjes gjatë procesit të punës të punëmarrësve dhe që sigurohet nga inspektorët dhe kontrollorët e punës.
2. Ministri harton politika dhe merr masa, që synojnë zbatimin e tyre nëpërmjet:
a) zbatimit të dispozitave të legjislacionit të punës në të gjitha vendet e punës;
b) nxitjes së masave të sigurimit në vendet e punës, ku përdoren substanca të rrezikshme;
c) fuqizimit të masave për parandalimin e aksidenteve në punë dhe të sëmundjeve profesionale.

Neni 6
Misioni i Inspektoratit shtetëror që mbulon fushën e punës

1. Misioni i përgjithshëm i Inspektoratit shtetëror që mbulon fushën e punës është kontrolli, konstatimi, këshillimi, njoftimi, formimi, zbutja e konflikteve, parandalimi dhe sanksionimi.
2. Inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës ngarkohet:
a) të sigurojë zbatimin e dispozitave ligjore për kushtet e punës dhe mbrojtjen e punëmarrësve në ushtrimin e profesionit të tyre, për kohëzgjatjen e punës, pagat, sigurimin, higjienën dhe mirëqenien, punësimin e fëmijëve, të të miturve dhe grave, si dhe për çështje të tjera, që lidhen ngushtë me to, në atë masë, që inspektorët e punës ngarkohen të sigurojnë zbatimin e këtyre dispozitave;
b) t’u japë të dhëna dhe këshilla teknike punëdhënësit dhe punëmarrësit për mjetet më efikase të shqyrtimit të dispozitave ligjore;
c) të vërë në dijeni autoritetin përgjegjës për mangësitë dhe abuzimet, që nuk mbulohen në mënyrë të veçantë nga dispozitat ligjore në fuqi, si dhe të propozojë mjetet dhe instrumentet e nevojshme për përmirësimin e gjendjes.

Neni 7
Autoriteti dhe kompetencat e ministrit
(Shfuqizuar me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

Neni 8
Organizimi dhe drejtimi i Inspektoratit shtetëror që mbulon fushën e punës

(Shfuqizuar me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

Neni 9
Autoriteti i Kryeinspektorit

(Shfuqizuar me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

Neni 10
Kompetencat dhe detyrat e Kryeinspektorit

(Shfuqizuar me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)
.

Neni 11
Kompetencat dhe detyrat e drejtorit të drejtorisë rajonale

Drejtori i drejtorisë rajonale ka këto detyra:
1. Përfaqëson dhe drejton veprimtarinë e drejtorisë rajonale të inspektimit të punës.
2. Përcakton objektivat e punës, që dalin nga përparësitë e inspektimit.
3. Raporton tek Kryeinspektori sa herë që i kërkohet.
4. Raporton, brenda javës së parë të muajit pasardhës, për të gjithë treguesit e inspektimit të realizuar, sipas programit të miratuar nga Kryeinspektori.
5. Ushtron kontroll për vlerësimin e efektivitetit të punës së inspektorit dhe të kontrollorit të punës.
6. Harton raportin vjetor të veprimtarisë së drejtorisë rajonale, të cilin ia paraqet Kryeinspektori.
7. I propozon Kryeinspektorit për marrjen e masave disiplinore ndaj inspektorëve dhe kontrollorëve të punës për rastet e shkeljes së etikës në punë.

Neni 12
Bashkëpunimi me institucionet e tjera

1. Gjatë ushtrimit të veprimtarisë, Inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës siguron bashkëpunimin me:
ministritë dhe institucionet në varësi të tyre, si dhe me institucione të tjera shtetërore;
punëmarrësit dhe me punëdhënësit, si dhe me organizatat e tyre;
shërbime private, që kryejnë veprimtari të ngjashme.
2. Bashkëpunimi me subjektet e sipërpërmendura rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

KREU III
KOMPETENCAT DHE DETYRAT E INSPEKTORIT DHE
TË KONTROLLORIT TË PUNËS

Neni 13
Kompetencat e përgjithshme të inspektorit dhe të kontrollorit të punës
(shtuar një fjali në pikën 1 dhe hequr fjalë me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

1. Inspektori dhe kontrollori i punës, janë të autorizuar të hyjnë në mjediset e punës së çdo subjekti, me përjashtim të mjediseve të banimit, pa bërë njoftim paraprak, në çdo orë të ditës ose të natës, në të gjitha subjektet, filialet, kantieret, që i nënshtrohen inspektimit. Në rast të kryerjes së inspektimit pa njoftim paraprak, inspektori dhe kontrollori i punës është i detyruar të respektojë edhe kërkesat e ligjit për inspektimin.
2. Inspektori dhe kontrollori i punës, për të kontrolluar zbatimin e dispozitave të legjislacionit të punës, në mjediset që shërbejnë për banim, autorizohen të hyjnë nëse ka tregues të mjaftueshëm apo motive ligjore, të cilat e prezumojnë këtë.
Për kryerjen e këtij kontrolli, inspektorët dhe kontrollorët e punës detyrohen të njoftojnë Inspektorin e Përgjithshëm për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore për inspektim.
3. Me fillimin e ushtrimit të kontrollit, të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, inspektorët dhe kontrollorët e punës janë të detyruar të njoftojnë për praninë e tyre punëdhënësin apo përfaqësuesin e tij, si dhe përfaqësuesin e sindikatës, nëse ekziston një e tillë, ose përfaqësuesin e punëmarrësve.
Kur inspektori apo kontrollori gjykon se shoqërimi ose prania e punëdhënësit ose e përfaqësuesit të tij përbën pengesë për kryerjen e detyrës, ai kryen inspektimin pa praninë e tyre.
4. Inspektori dhe kontrollori i punës, gjatë inspektimit, janë të autorizuar:
a) të kërkojnë të dhënat e nevojshme për personat e pranishëm në vendet e punës dhe të provojnë identitetin, duke kërkuar prova identifikimi;
b) të kontrollojnë pagesën e kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë të punësuarit në vendin e punës;
c) të kryejnë inspektimin e vendeve të punës aq herë dhe në atë masë sa është e nevojshme për të siguruar zbatimin efektiv të dispozitave të legjislacionit të punës në fuqi.
5. Inspektori i punës ka për detyrë të njoftojë autoritetin përgjegjës për parregullsitë, që nuk mbulohen në mënyrë të veçantë nga dispozitat e legjislacionit të punës.
6. Kontrollori i punës nuk gëzon autoritetin e vendosjes së gjobës, por raporton tek inspektori i punës për shkeljen e vënë re.

Neni 14
Kompetencat e veçanta të inspektorit dhe të kontrollorit të punës
(ndryshuar pika 4 me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

Për të siguruar zbatimin e dispozitave ligjore, nënligjore dhe administrative, inspektori dhe kontrollori i punës janë të autorizuar:
1. Të kryejnë ekzaminime, kontrolle dhe hetime në mjediset e punës.
2. Të intervistojnë punëmarrësit vetëm ose në praninë e punëdhënësit apo të përfaqësuesit të tij për kushtet e punës.
3. Të dokumentojnë të gjitha shkeljet e vëna re gjatë inspektimit nëpërmjet fotografimit, regjistrimeve audio dhe video.
4. Të verifikojnë regjistrat apo dokumentet e tjera dhe të bëjnë kopjet e tyre, kur e shohin të arsyeshme. Marrja e kopjeve, sekuestrimi i dokumenteve dhe trajtimi i informacionit, që pasqyrohet në to, bëhen në përputhje me ligjin për inspektimin.
5. Të kërkojnë vendosjen e sinjalistikës së nevojshme sipas proceseve të punës.
6. Të urdhërojnë punëdhënësin të njoftojë punëmarrësit nëpërmjet afishimit dhe/ose nëpërmjet një mjeti tjetër komunikimi të përshtatshëm për:
a) vendimet e marra nga inspektori i punës për ndërmarrjen;
b) udhëzimet apo rregulloret mbi të drejtën e punës, sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve;
c) instruktimin teknik të sigurisë, të shprehur me fjalë apo të shprehur në mënyrë grafike.
7. Të marrin apo të nxjerrin, për qëllime analizash, mostra të lëndëve dhe substancave, që përdoren gjatë procesit të punës. Në çdo rast duhet që punëdhënësi apo përfaqësuesi i tij të jetë në dijeni për qëllimin e marrjes së tyre.
8. Të kërkojnë nga punëdhënësi kryerjen e matjeve teknike, me qëllim respektimin e standardeve, për sa i përket shëndetit dhe sigurisë së punëmarrësve, në rastet kur një gjë e tillë është e motivuar në mënyrë të ndjeshme.
9. Të kontrollojnë pagesën e kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë të punësuarit, sipas vendeve të punës.

Neni 15
Mjetet e ndërhyrjes në rastin e shkeljeve të legjislacionit të punës
(ndryshuar fjalë me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

Inspektori dhe kontrollori i punës, me qëllim përmirësimin e gjendjes dhe shmangien e shkeljeve të dispozitave ligjore, të cilat i janë ngarkuar për zbatim Inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës, vendosin masa urgjente për:
1. Respektimin e dispozitave ligjore për kushtet e punës dhe të punësimit për detyrimin e punëdhënësit:
a) për të përfunduar me shkrim kontratën individuale të punës për ata punëmarrës që nuk e kanë një dokument të tillë në çastin e kontrollit dhe kontratën kolektive;
b) për korrigjimin e atyre neneve të kontratës individuale, të cilat parashikojnë kushte më të disfavorshme se ato të parashikuara në legjislacionin dhe kontratën kolektive të punës;
c) për të paraqitur dokumentin e degës përkatëse të tatimeve për deklarimin dhe pagesën e kontributeve për sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë punëmarrësit;
ç) për të respektuar punësimin e personave me aftësi të kufizuar;
d) për të respektuar punësimin e të miturve, grave shtatzëna dhe nënave me fëmijë në gji;
dh) për pezullimin e punës në rastet kur nuk zbatohen:
i) detyrimet e parashikuara në ligj për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit;
ii) detyrimet ligjore për punën e natës, si dhe për mbrojtjen e të miturit dhe të gruas shtatzënë në punë;
e) për të respektuar pajisjen me leje pune për punëmarrësit e huaj, në përputhje me ligjin “Për të huajt”;
ë) për të paraqitur vërtetimin e zyrës përkatëse të punësimit për regjistrimin e punëmarrësve pranë kësaj zyre;
f) për respektimin e pagës minimale, të miratuar nga Këshilli i Ministrave;
g) për respektimin e lirive dhe të drejtave sindikale.
2. Respektimin e dispozitave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë të punëmarrësve për detyrimin e punëdhënësit:
a) për riparimin e defekteve, që vërehen gjatë funksionimit të pajisjeve apo të përdorimit të metodave të punës, për të cilat inspektori vlerëson se ka shkaqe të arsyeshme dhe se ato përbëjnë një kërcënim për shëndetin apo sigurinë e punëmarrësve;
b) për kryerjen e kontrolleve teknike të instalimeve të aparaturave e të makinerive;
c) për modifikimin e instalimeve të nevojshme brenda një afati të caktuar kohor;
ç) për pezullimin e punës, në rast se vazhdimi i saj përbën rrezik për punëmarrësit dhe evakuimin e tyre nga vendi i punës, në rast të paraqitjes së një rreziku të dukshëm, të theksuar dhe të paevitueshëm për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve.

Neni 16
Mbrojtja e kontrollit të punës
(ndryshuar me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

Gjatë ushtrimit të detyrave të tij, kontrollori i punës gëzon të njëjtën mbrojtje ligjore sikurse inspektori, në përputhje me ligjin për inspektimin.

Neni 17
Shmangia e konfliktit të interesave

1. Inspektorët dhe kontrollorët e punës janë të ndaluar të kontrollojnë subjektet, që u përkasin të afërmve të tyre deri në shkallën e dytë, si dhe nuk mund të përfshihen në këto kontrolle në rastet kur ekziston një marrëdhënie e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, konflikt interesi ose mosmarrëveshje vetjake ndërmjet tyre dhe subjektit që do të kontrollohet.
2. Në çdo rast, kur ekziston një marrëdhënie e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, konflikt interesi ose mosmarrëveshje vetjake ndërmjet subjektit që do të kontrollohet dhe inspektorit e kontrollorit të punës, këta të fundit bëjnë një deklaratë pranë eprorit direkt.
3. Nëpunësit e nivelit qendror, rajonal dhe vendor, inspektorët dhe kontrollorët e punës nuk lejohen të ushtrojnë veprimtari private, si dhe të jenë të punësuar në sektorin privat.

Neni 18
Moszbatimi i ligjit nga inspektori dhe kontrollori i punës

1. Në rastet kur inspektori dhe kontrollori i punës, gjatë ushtrimit të detyrës, shkelin nenet 13, 14, 15, 16, 17, 19, 20, 26, 27, 30, 31, 32, 33, 35 dhe 37 të këtij ligji, zbatohen procedurat dhe masat disiplinore, të parashikuara në ligjin 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.
2. Në rastet kur shkelja përbën vepër penale, zbatohen dispozitat e Kodit Penal.

Neni 19
Rregullat e sjelljes së inspektorit dhe të kontrollorit të punës

Inspektori dhe kontrollori i punës, përveç ligjit nr.9131, datë 8.9.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, duhet të respektojnë edhe rregullat e veçanta të nxjerra nga ministri.

Neni 20
Ruajtja e konfidencialitetit

Inspektori dhe kontrollori i punës duhet të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave përkatëse, që ata mund të kenë për subjektet ku kanë ushtruar kontroll për një periudhë trevjeçare pas largimit nga detyra.

KREU IV
TË DREJTAT DHE DETYRIMET E PUNËDHËNËSVE DHE TË PUNËMARRËSVE

Neni 21
Të drejtat e punëdhënësit

Punëdhënësi ka të drejtë:
a) të marrë nga Inspektorati të gjitha të dhënat e kërkuara në lidhje me legjislacionin e punës;
b) të kërkojë, me shkrim, mendimin e Inspektoratit për çdo çështje ose problem të veçantë, që lidhet me zbatimin e legjislacionit të punës.

Neni 22
Detyrimet e punëdhënësit

1. Punëdhënësi duhet të njoftojë menjëherë Inspektoratin për të gjitha aksidentet në punë, që shoqërohen me vdekje ose jo, si dhe për sëmundjet profesionale.
2. Punëdhënësi duhet të sigurojë të gjitha të dhënat e nevojshme, që lidhen me zbatimin e legjislacionit të punës, kur e kërkojnë inspektori dhe kontrollori i punës.
3. Punëdhënësi ka për detyrë të raportojë tek inspektori dhe kontrollori i punës për rezultatet e kontrollit teknik që ai kryen në instalimet, aparaturat dhe makineritë që zotëron.
4. Punëdhënësi, që është i regjistruar për t’iu nënshtruar një inspektimi të rregullt, duhet t’i raportojë çdo vit Inspektoratit të Punës për të gjitha vendet e punës që i nënshtrohen këtij inspektimi, për numrin e personave të punësuar, si dhe adresën ku ushtron veprimtarinë e vet.
5. Në rastet kur punëdhënësi ndryshon teknologjinë e prodhimit, kushtet e punës, numrin e punëmarrësve, si dhe adresën ku ushtron veprimtarinë, duhet të njoftojë zyrtarisht Inspektoratin para këtij ndryshimi.
6. Punëdhënësi ose përfaqësuesi i tij është i detyruar të paraqitet në zyrën e inspektorit të punës pas marrjes së njoftimit të bërë nga inspektori i punës në ndërmarrjen e tij.

Neni 23
Bashkëpunimi i punëdhënësit me punëmarrësit

Punëdhënësi duhet të bashkëpunojë me punëmarrësit ose me organizatën sindikale të punëmarrësve, në rastet kur ekziston një e tillë, me qëllim përmirësimin e kushteve që ndikojnë në shëndetin dhe sigurinë në punë.

Neni 24
E drejta e punëmarrësit

Punëmarrësi apo organizata sindikale e punëmarrësve, nëse ka një të tillë, ku ai bën pjesë, ka të drejtë të ankohet, me shkrim apo me gojë, pranë Inspektoratit, nëse punëdhënësi shkel një dispozitë të legjislacionit të punës.
Inspektorati, në rastet e kontrollit në vijim të një ankese, duhet të trajtojë tërësisht konfidencial burimin e çdo ankimimi, si në rastet e depozitimit me shkrim pranë Inspektoratit, ashtu dhe në rastet e procedimit gjatë vizitës së inspektimit.

Neni 25
Detyrimet e punëmarrësit

Punëmarrësit duhet të marrin pjesë në procesin e formimit për masat e sigurimit dhe të përdorin të gjitha pajisjet individuale të sigurimit, si dhe të respektojnë të gjitha rregullat e sigurimit në procesin e punës që ata bëjnë.

KREU V
DETYRIMI I INSPEKTORATIT PËR INFORMIM

Neni 26
Informimi

Inspektorati këshillon dhe instrukton punëdhënësit dhe punëmarrësit për legjislacionin e punës dhe për çështjet që lidhen me sigurimin në punë nëpërmjet:
a) leksioneve, bisedave në media, posterave, fletëpalosjeve, filmave, si dhe mjeteve të tjera që shpjegojnë dispozitat e legjislacionit të punës dhe sugjerojnë metodat për zbatimin e tyre dhe masat parandaluese për aksidentet në punë e sëmundjet profesionale;
b) udhëzimeve për shëndetin dhe sigurinë në punë.

Neni 27
Detyrimi i inspektorëve dhe i kontrollorëve të punës për
paraqitjen e raporteve periodike

Zyrat vendore dhe drejtoritë rajonale detyrohen t’u paraqesin autoriteteve qendrore të inspektimit të punës raporte periodike për rezultatet e veprimtarisë së tyre.
Këto raporte hartohen sipas mënyrës së parashikuar nga Inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës dhe në to trajtohen tema që diktohen, kohë pas kohe, nga ky i fundit.

Neni 28
Raporti vjetor

1. Inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës harton dhe boton një raport të përgjithshëm vjetor për punën e shërbimeve të inspektimit, të vendosura nën kontrollin e tij, të cilin Inspektori i Përgjithshëm, paraprakisht, ia paraqet brenda muajit janar të vitit pasardhës ministrit. Ky i fundit, brenda tremujorit të parë të vitit pasardhës, ia paraqet komisionit përkatës të përhershëm parlamentar të Kuvendit.
2. Raporti i mësipërm duhet t’i dërgohet Drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës Ndërkombëtare të Punës brenda tremujorit të parë të vitit pasardhës.

Neni 29
Përmbajtja e raportit
(ndryshuar me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

Rregullat e përgjithshme për përmbajtjen e raportit dhe procesin e raportimit përcaktohen nga Inspektori i Përgjithshëm, në përputhje me ligjin për inspektimin.

KREU VI
SANKSIONE DHE PROCEDURA

Neni 30
Zbulimi i shkeljeve

(Shfuqizuar me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

Neni 31
Sanksionet
(Shfuqizuar pika 2, me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

1. Inspektori i punës, për shkelje të legjislacionit të punës, vendos për njërin nga këto sanksione:
– paralajmërim, sipas nenit 32 pika 1 të këtij ligji;
– gjobë, sipas nenit 32 pika 2 dhe nenit 33 të këtij ligji;
– pezullim të punës.
2. Shfuqizuar.

Neni 32
Paralajmërimi

1. Në rast se inspektori dhe kontrollori i punës konstatojnë se punëdhënësi nuk ka zbatuar dispozitat ligjore për orët e punës, ditët e pushimit, festat zyrtare, pagesën e kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë punëmarrësit, si dhe për kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë, ai paralajmërohet që të marrë masa për zbatimin në mënyrë të plotë të dispozitave ligjore brenda afatit të caktuar në aktin e inspektimit.
2. Nëse punëdhënësi nuk ka marrë masat për zbatimin në mënyrë të plotë të dispozitave ligjore, brenda afatit të përcaktuar në aktin e inspektimit të inspektorit të punës, ky i fundit vendos gjobë, sipas rasteve të përcaktuara në nenin 33 të këtij ligji.

Neni 33
Vendosja e gjobës
(shtuar pika 5 me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

1. Për rastet e shkeljes së legjislacionit të punës, inspektori i punës vendos gjobë si më poshtë:
a) për shkelje të dispozitave të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, inspektori i punës vendos gjobë në masën e përcaktuar në pikat 1, 2, 3 e 5 të nenit 202 të Kodit të Punës;
b) për shkelje të dispozitave të legjislacionit të punës, përjashtuar ato të parashikuara në shkronjën “a” të pikës 1 të këtij neni, inspektori i punës vendos gjobë nga 30 deri në 50- fishin e pagës minimale;
c) në rastet e mosnjoftimit brenda 24 orëve të aksidenteve në punë, me pasojë vdekjen, apo të aksidenteve të rënda, inspektori i punës vendos gjobë në masën 100 000 ( njëqind mijë) lekë.
2. Për shkelje të përsëritura nga punëdhënësi, të konstatuara më parë nga inspektori i punës, ky i fundit vendos gjobë sa dyfishi i vlerës maksimale të parashikuar për atë lloj shkeljeje.
3. Kur inspektori i punës kundërshtohet apo pengohet në kryerjen e detyrës, subjekti dënohet me gjobë me vlerë dhjetëfishin e pagës minimale. Rastet e kundërshtimit ose të pengimit, si dhe procedura për evidentimin e tyre përcaktohen me udhëzim të ministrit.
4. Inspektori i punës, në caktimin e masës së gjobës ka parasysh përsëritjen e shkeljes, kohëzgjatjen e saj, shkallën e dëmit dhe numrin e të punësuarve të prekur nga kjo shkelje.
5. Gjoba është dënim kryesor.

Neni 34
Ankimi dhe ekzekutimi
(ndryshuar me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

1. Shqyrtimi, marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj vendimit të inspektorit bëhen në përputhje me ligjin për inspektimin.
2. Ekzekutimi i këtyre gjobave bëhet sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.
3. Gjobat derdhen në Buxhetin e Shtetit.

Neni 35
Pezullimi i punimeve
(ndryshuar me ligjin nr. 24/2013, datë 14.2.2013)

1. Në rastet e shkeljeve flagrante të pikës 1 shkronja “dh” dhe të pikës 2 shkronja “ç” të nenit 15 të këtij ligji, inspektori i punës vendos masën urgjente të pezullimit të punës.
2. Marrja e pezullimit si masë urgjente ose vendosja e tij si dënim plotësues bëhet në përputhje me ligjin për inspektimin.
3. Ankimi ndaj vendosjes së masës urgjente të pezullimit ose vendosjes së pezullimit si dënim plotësues bëhet në përputhje me ligjin për inspektimin.

Neni 36
Procedura për ekzekutimin e urdhrit të pezullimit të inspektorit të punës

Për punëdhënësin, i cili vazhdon ushtrimin e veprimtarisë edhe pas urdhrit për pezullimin e punës, inspektori i punës kërkon bashkëpunimin e organeve të Policisë së Rendit për pezullimin e veprimtarisë.
Organet e Policisë së Rendit mbështesin inspektorët e punës, në përputhje me ligjin “Për Policinë e Shtetit”.
Nëse masat e mësipërme nuk mjaftojnë për pezullimin e veprimtarisë, inspektori i punës bën denoncim në organet e prokurorisë, në mbështetje të nenit 289 të Kodit Penal.

Neni 37
Sanksione penale

Për të gjitha shkeljet, që përbëjnë vepra penale, zbatohen dispozitat e parashikuara në Kodin Penal.

KREU VII
FINANCIMI

Neni 38
Financimi

Fondet për funksionimin e Inspektoratit shtetëror që mbulon fushën e punës sigurohen nga Buxheti i Shtetit, nga donacione të ndryshme, si dhe nga të ardhura të tjera të lejuara me ligj.

KREU VIII
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 39

Ligji nr.7986, datë 13.9.1995 “Për Inspektoratin Shtetëror të Punës”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 40

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e neneve 2 pikat 19 e 20, 8 pika 4, 12 pika 2 dhe 30 pika 2 të këtij ligji.

Dispozitë kalimtare
(parashikuar me ligjin nr.24/2013, datë 14.2.2013)

Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.

Neni 41

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5120, datë 20.11.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

|