VENDIM Nr. 265, datë 7.5.2014 PËR PËRJASHTIMIN NGA DETYRIMI PËR PAJISJE ME LEJE PUNE DHE CERTIFIKATË REGJISTRIMI NË PUNË PËR SHTETASIT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE SHTETASIT E REPUBLIKËS SË SERBISË TË PËRKATËSISË ETNIKE SHQIPTARE
VENDIM
Nr. 265, datë 7.5.2014
PËR PËRJASHTIMIN NGA DETYRIMI PËR PAJISJE ME LEJE PUNE DHE CERTIFIKATË REGJISTRIMI NË PUNË PËR SHTETASIT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE SHTETASIT E REPUBLIKËS SË SERBISË TË PËRKATËSISË ETNIKE SHQIPTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 71, të ligjit nr. 108/2013, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Përjashtimin nga detyrimi për pajisje me leje pune apo certifikatë regjistrimi në punë për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe shtetasit e Republikës së Serbisë të përkatësisë etnike shqiptare, që janë me qëndrim të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilët gëzojnë të drejtën e punësimit e të vetëpunësimit, sikurse edhe shtetasit shqiptarë, përjashtuar rastet kur punësimi lidhet posaçërisht me pasjen e shtetësisë shqiptare, sipas legjislacionit në fuqi.
- Deklarimi për punësimin e shtetasve, sipas përcaktimit të pikës 1, bëhet në zyrën përkatëse të punësimit nga vetë shtetasi apo nga punëdhënësi i tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama