Vendim Nr.357, datë 6.3.2009 Për përcaktimin e kritereve, të dokumentacionit dhe të procedurës, për pajisjen, refuzimin dhe anulimin e lejes për punë të vazhdueshme
Vendim
Nr.357, datë 6.3.2009
Për përcaktimin e kritereve, të dokumentacionit dhe të procedurës, për pajisjen, refuzimin dhe anulimin e lejes për punë të vazhdueshme
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 48, pika 2, 61, 67, pika 1, 106, pikat 5 e 6 dhe 108, të ligjit nr.9959, datë 17.7.2008 “Për të huajt”, me propozimin e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
1.Të huajit i jepet leje pune e vazhdueshme, e tipit D, pasi të ketë marë lejen e dytë, me afat dyvjeçar, nëse plotëson kriteret, si më poshtë vijon:
- a) Ka qëndruar dhe është punësuar, ligjërisht dhe pa ndërprerje, për 5 vjet, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë;
- b) Ka leje pune paraardhëse njëvjeçare, si dhe dy leje pune dyvjeçare, të njëpasnjëshme;
- c) Lejet e mëparshme nuk janë të tipeve:A/S, A/FP,A/PS apo C;
ç) Ka të ardhura vetjake, të qëndrueshme dhe të mjaftueshme, për vete dhe për anëtarët e familjes në ngarkim, në shumën e pagës minimale vjetore të shtetasit shqiptar;
- d) Ka derdhur sigurime të plota shoqërore dhe shëndetësore, për vete dhe për anëtarët e familjes në ngarkim;
- dh) Ka strehim të përshtatshëm, për vete dhe anëtarët e familjes në ngarkim;
- e) Ka njohuri të mira të gjuhës e kulturës shqiptare,
- Kërkesa për t’u pajisur me leje pune, të tipit D, bëhet nga:
- a) i huaji;
- b) punëdhënësi, me të cilin i huaji ka një kontratë pune;
- c) personi i autorizuar nga punëdhënësi.
- Personat e përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi, paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
- a) Kërkesën e të huajit, me të dhënat personale, sipas formatit, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
- b) Kopjen e kontratës individuale të punës;
- c) Kopjet e lejeve të punës paraardhëse;
ç) Kopjen e lejes së qëndrimit;
- d) Vërtetimin e gjendjes së llogarisë bankare;
- dh) Vërtetimin për derdhjen e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për vete dhe për anëtarët e familjes në ngarkim;
- e) Kontratën e pronësisë ose të marrjes me qira të mjediseve të banimit;
ë) Pesë forotgrafi.
- Personat e përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi, për t’u pajisur me leje pune të tipit D, paraqesin dokumentacionin e përcaktuar në pikën 3 të këtij vendimi, në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
- Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, pasi shqyrton dokumentacionin e paraqitur dhe vlerëson se ai nuk është në përputhje me kërkesat e pikës 3 të këtij vendimi, i kërkon të huajit plotësimin e tij, brenda 10 ditëve pune.
- Nëse Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit vlerëson se dokumentacioni i paraqitur është i plotë apo pas plotësimit, brenda afatit të caktuar, përmbush kriteret e përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, e pajis të huajin, brenda 10 ditëve pune me leje pune të tipt D.
- Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit ia kthen kërkesën dhe dokumentacionin e paraqitur të huajit, nëse ai nuk e ka plotësuar atë brenda afatit të përcaktuar në pikën 5 të këtij vendimi.
- Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit ia refuzon kërkesën për pajisje me leje pune të tipit D, të huajit, i cili, megjithëse ka plotësuar dokumentacionin e kërkuar, vlerësohet se nuk plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi ose është në kushtet e pikës 10 të këtij vendimi.
- Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, për pajisjen me leje pune të vazhdueshme të tipit D, për personat e parashikuar në pikat 4 e 5 të nenit 106 të ligjit nr.8492, datë 27.5.1999 “Për të huajt”, ndjek procedurat e parashikuara në pikat 5,6,7 e 8 të këtij vendimi, ndërsa për kriteret dhe dokumentacionin, vlerësimi do të bëhet sipas përcaktimeve në pikat 1 e 3 të këtij vendimi.
- Anulimi dhe refuzimi i lejes së punës, të tipit D, bëhet kur i huaji është në njërën nga situatat e parashikuara në nenet 63 e 64, pika 1, të ligjit nr.9959, datë 17.7.2008 “Për të huajt”.
11.I huaji, të cilit i refuzohet ose anulohet leja e punës, e tipit D, ka të drejtën e ankimimit, sipas procedurës së përcaktuar në pikën 2 të nenit 65 të ligjit nr.9959, datë 17.7.2008 “Për të huajt”.
- Leja e punës, e tipit D, përfundon, nëse plotësohen kriteret e përcaktuara në nenin 44 të ligjit nr.9959, datë 17.7.2008 “Për të huajt”.
- I huaji, i cili pajiset me leje pune, të tipit D, para marrjes së lejes së punës detyrohet të paguajë tarifën prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh.
- Drejtoria, që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit, në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, monitoron, në mënyrë periodike, procedurën e ndjekur nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit për dhënien e lejes së punës.
- Ngarkohen Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Kryeministri
Sali Berisha