VENDIM Nr. 709, datë 26.8.2015 PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE TË SHËNDETIT NË PUNË NË BORDIN E MJETEVE LUNDRUESE TË PESHKIMIT
VENDIM
Nr. 709, datë 26.8.2015
PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE TË SHËNDETIT NË PUNË NË BORDIN E MJETEVE LUNDRUESE TË PESHKIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 142–147 e 401, shkronja “a”, të ligjit nr. 9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 3, të nenit 42, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Miratimin e rregullores “Për kërkesat minimale të sigurisë dhe të shëndetit në punë në bordin e mjeteve lundruese të peshkimit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe të gjitha subjektet me personalitet juridik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet 2 (dy) vite pas botimit.
KRYEMINISTRI
Edi Rama
RREGULLORE
PËR KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE TË SHËNDETIT NË PUNË NË BORDIN E MJETEVE LUNDRUESE TË PESHKIMIT
2015
SEKSIONI I
QËLLIMI DHE PËRKUFIZIME
Neni 1
Objekti
1. Kjo rregullore përcakton kërkesat minimale të sigurisë dhe të shëndetit në punë për punëmarrësit që punojnë në bordin e mjeteve lundruese të peshkimit që mbajnë flamurin shqiptar.
2. Dispozitat e ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, janë plotësisht të zbatueshme në fushën e përmendur në pikën 1, pa cenuar dispozitat më shtrënguese dhe/ose specifike të kësaj rregulloreje.
Neni 2
Përkufizime
1. Për efekt të kësaj rregulloreje, termat e mposhtëm kanë këto kuptime:
“Mjet lundrues”, çfarëdolloj mjeti lundrues peshkimi, i ri apo ekzistues;
“Mjet lundrues peshkimi”, çdo mjet lundrues i regjistruar në Regjistrin e Mjeteve Lundruese, të krijuar dhe të mbajtur në Drejtorinë e Përgjithshme Detare dhe në Regjistrin e Anijeve të Peshkimit (RAP), të drejtorisë që mbulon peshkimin, në zbatim të legjislacionit në fuqi, që lundron me flamurin shqiptar, përdoret apo synohet të përdoret për shfrytëzimin e burimeve të peshkimit për qëllime tregtare, përfshirë mjetet lundruese mbështetëse, mjetet lundruese përpunuese të peshkut, mjetet lundruese të përfshira në transbordim dhe mjetet lundruese transportuese, të pajisura me mjete për transportimin e produkteve të peshkut;
“Mjet i ri lundrues”, mjet lundrues peshkimi me gjatësi ndërmjet pinguleve prej 15 metrash apo më shumë dhe për të cilin, në datën e hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje apo pas saj:
i) ka një kontratë për ndërtimin apo për kryerjen e ndryshimeve madhore;
ii) kjo kontratë daton përpara datës së hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, e cila realizohet tre apo më shumë vjet pas kësaj date;
iii) në mungesë të një kontrate ndërtimi:
– është shtruar kili;
– fillon ndërtimi i identifikueshëm i një mjeti lundrues të veçantë;
– montimi ka filluar, duke përfshirë të paktën 50 tonë ose 1% të masës së vlerësuar të të gjithë materialit strukturor, cilado që është më e vogël.
“Mjet lundrues ekzistues”, çdo mjet lundrues peshkimi me një gjatësi ndërmjet pinguleve prej 18 metrash ose më shumë, i cili nuk është një mjet i ri lundrues peshkimi;
“Punëmarrës”, çdo person, sipas përkufizimit në ligjin nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, që kryen një punë në bordin e mjeteve lundruese të peshkimit, përfshirë personat që trajnohen dhe praktikantët, por duke përjashtuar personelin mbështetës në tokë, që kryen punë në bordin e një mjeti lundrues në mol, si dhe pilotët e portit;
“Pronar” ose “Pronar i mjetit lundrues”, çdo person, sipas përkufizimit në ligjin nr. 9254, datë 15.7.2004, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Kombeve të Bashkuara “Për kushtet e regjistrimit të anijeve””;
“Përdorues i mjetit lundrues”, pronari ose çdo person tjetër, si menaxheri apo çarteruesi bareboat, i cili ka marrë përgjegjësinë për operimin e mjetit lundrues nga pronari i mjetit lundrues, ka rënë dakord për marrjen e kësaj përgjegjësie, si dhe ka marrë përsipër të gjitha detyrimet e kësaj rregulloreje;
“Kapiteni”, çdo person që ka komandën e mjetit lundrues dhe mban përgjegjësi, sipas përcaktimeve të nenit 138, pikat 1, 2, 3 e 4, të ligjit nr. 9251, datë 8.7.2004, “Për Kodin Detar në Republikën e Shqipërisë”;
“Inspektim”, vizita e trupave inspektuese kompetente në bord, për të kontrolluar kërkesat minimale për sigurinë dhe për shëndetin në punë të punëmarrësve, sipas përcaktimeve në ligjin nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar.
SEKSIONI II
DETYRAT E PËRDORUESVE TË MJETEVE LUNDRUESE TË PESHKIMIT DHE KAPITENËVE TË TYRE
Neni 3
Dispozita të përgjithshme
1. Për efekt të sigurisë dhe të shëndetit të personave në punë, përdoruesi i mjetit lundrues:
a) siguron që mjeti lundrues të përdoret pa rrezikuar sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve, në veçanti në kushte meteorologjike të parashikueshme, pa cenuar përgjegjësinë e kapitenit;
b) merr parasysh risqet e mundshme për punëmarrësit, sipas përcaktimeve të pikës 4, të nenit 8, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar;
c) siguron hartimin e një raporti të detajuar për çdo ngjarje në det, e cila ndikon ose mund të ndikojë mbi sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve në bord, raport i cili u dërgohet autoriteteve kompetente për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe merr masa për dokumentimin e detajuar me kujdes në ditarin e anijes.
Raporti nënshkruhet nga kapiteni, pronari, përdoruesi apo agjenti dhe përmban emrin e anijes, numrin e IMO-së, portin e regjistrimit, vendin ku ndodhet anija, rrethanat në të cilat ka ndodhur dëmi apo lëndimi dhe shkaqet e mundshme të tij.
Neni 4
Mjetet e reja lundruese të peshkimit
Përdoruesi siguron që mjeti i ri lundrues të jetë në përputhje me kërkesat minimale të sigurisë dhe të shëndetit në punë, të përcaktuara në shtojcën I, të kësaj rregulloreje.
Neni 5
Mjetet lundruese ekzistuese të peshkimit
Përdoruesi siguron përshtatjen e mjetit lundrues ekzistues të peshkimit për plotësimin e kërkesave minimale të sigurisë dhe të shëndetit, sipas shtojcës I të kësaj rregulloreje, brenda një afati kohor prej jo më shumë se 24 muaj nga data e miratimit, me përjashtim të kërkesave që zbatohen vetëm për mjetet e reja lundruese të peshkimit.
Neni 6
Riparimet kapitale ose shndërrimet dhe ndryshimet madhore
Në rastet kur mjeti lundrues u nënshtrohet riparimeve kapitale, shndërrimeve ose ndryshimeve madhore, këto duhet të jenë në përputhje me kërkesat përkatëse minimale, të përcaktuara në shtojcën I të kësaj rregulloreje.
Neni 7
Pajisjet dhe mirëmbajtja
1. Pa cenuar përgjegjësinë e kapitenit, përdoruesi i mjetit lundrues, për të ruajtur sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve:
a) siguron që mjeti lundrues dhe pjesët e pajisjet e tij, veçanërisht, ato të përmendura në shtojcën I, të kësaj rregulloreje, të mirëmbahen teknikisht dhe që çdo defekt i zbuluar, që mund të ndikojë mbi sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve, të riparohet sa më shpejt të jetë e mundur;
b) merr masa për të siguruar që mjeti lundrues dhe të gjitha pjesët dhe pajisjet të pastrohen rregullisht, për të ruajtur standardin e përshtatshëm të higjienës;
c) mban në bordin e mjetit lundrues një numër të mjaftueshëm të pajisjeve të përshtatshme për shpëtimin e jetës dhe të mbijetesës, në gjendje të mirë pune;
ç) përmbush kërkesat minimale të sigurisë dhe të shëndetit, lidhur me mjetet e shpëtimit të jetës dhe të mbijetesës, që ndodhen në shtojcën II të kësaj rregulloreje;
d) merr parasysh kërkesat minimale të sigurisë dhe të shëndetit, në lidhje me pajisjet e shpëtimit të jetës dhe të mbijetesës, të parashikuara në shtojcën III;
dh) përmbush kërkesat e parashikuara në shtojcën III, të kësaj rregulloreje, lidhur me pajisjet mbrojtëse individuale që duhet të jenë në bord, pa cenuar dispozitat e vendimit nr. 563, datë 3.7.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për kërkesat minimale të sigurisë dhe të shëndetit për përdorimin e pajisjeve mbrojtëse individuale”.
2. Përdoruesi i mjetit lundrues, për të mbrojtur sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve, i siguron kapitenit mjetet e nevojshme për t’i dhënë mundësi atij që të përmbushë detyrimet që i ngarkohen nga dispozitat e kësaj rregulloreje.
Neni 8
Informimi i punëmarrësve
1. Në përputhje me nenin 12, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar, kapiteni ose personi i autorizuar prej tij informon me shkrim dhe në mënyrë verbale punëmarrësit dhe/ose përfaqësuesit e tyre për të gjitha masat që janë marrë tashmë dhe do të merren për sigurinë dhe shëndetin në bordin e mjetit lundrues.
2. Informacioni i ofruar, në përputhje me pikën 1, të këtij neni, duhet të jetë i kuptueshëm për punëmarrësit.
Neni 9
Formimi i punëmarrësve
1. Në zbatim të nenit 19, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar, përdoruesi i mjetit lundrues u siguron punëmarrësve formim të përshtatshëm, veçanërisht, në formën e udhëzimeve të sakta, të kuptueshme dhe në një gjuhë që ata e kuptojnë, lidhur me sigurinë dhe shëndetin në bordin e mjeteve lundruese dhe, veçanërisht, për parandalimin e aksidenteve.
2. Formimi, i përmendur në pikën 1, përfshin, në mënyrë të veçantë, mbrojtjen ndaj zjarrit, shuarjen e zjarrit, përdorimin e pajisjeve të shpëtimit të jetës dhe të mbijetesës dhe, për punonjësit përkatës, përdorimin e pajimeve të peshkimit dhe të pajisjeve tërheqëse dhe përdorimin e llojeve të ndryshme të shenjave, përfshirë sinjalet me duar.
3. Kurset e formimit përditësohen kur kjo kërkohet nga ndryshimet e veprimtarive në bord.
Neni 10
Formimi i veçantë i personave që mund të drejtojnë mjetin lundrues
Në zbatim të nenit 145, të ligjit nr. 9251, datë 8.7.2004, “Për Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi, përdoruesi i mjetit lundrues i siguron çdo personi, i cili mund të drejtojë mjetin e lundrimit, formim të veçantë, për:
a) parandalimin e sëmundjeve profesionale dhe aksidenteve në bord, si dhe masat që duhet të ndërmerren në rast të një aksidenti;
b) stabilitetin dhe mirëmbajtjen e mjetit lundrues në të gjitha kushtet e parashikueshme të ngarkimit dhe gjatë operacioneve të peshkimit;
c) lundrimin dhe komunikimin me radio, përfshirë edhe procedurat.
Neni 11
Konsultimi dhe pjesëmarrja e punëmarrësve
Konsultimi dhe pjesëmarrja e punëmarrësve dhe/ose e përfaqësuesve të tyre në diskutimet për çështjet e mbuluara nga kjo rregullore kryhet në përputhje me nenin 11, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar.
Neni 12
Mbikëqyrja shëndetësore dhe ekzaminimet mjekësore
1. Punëdhënësi siguron mbikëqyrjen shëndetësore për të gjithë punëmarrësit që punojnë në bordin e një mjeti lundrues peshkimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe praktikat përkatëse për sistemin e mbikëqyrjes shëndetësore.
2. Çdo punëmarrës që punon në bordin e një mjeti lundrues peshkimi duhet të jetë i pajisur me certifikatë të vlefshme mjekësore, e cila dëshmon aftësinë e tij shëndetësore për të kryer detyrat e tij. Kjo certifikatë lëshohet nga organi kompetent për mbikëqyrjen shëndetësore dhe ekzaminimet shëndetësore. Formati dhe përmbajtja e certifikatës shëndetësore për detarët duhet të jetë në përputhje me kërkesat përkatëse të legjislacionit në fuqi.
3. Certifikata mjekësore është e vlefshme për një periudhë jo më shume se dy vjet nga data e lëshimit të saj, përveç rasteve kur punëmarrësi është nën moshën 21 vjeç, rast në të cilin periudha maksimale e vlefshmërisë është jo më shumë se një vit.
4. Punëdhënësi i siguron punëmarrësit, për të cilin vlerësimi i riskut tregon një risk për shëndetin e tij, mbikëqyrje shëndetësore, sipas nivelit të riskut, llojit dhe shkallës së dëmtimit.
5. Në raste urgjente, organi kompetent për lëshimin e certifikatës mjekësore mund të lejojë që një punëmarrës të punojë në një mjet lundrues peshkimi për një periudhë kohe të kufizuar dhe të specifikuar, derisa të mund të merret një certifikatë mjekësore, me kusht që punëmarrësi të zotërojë një certifikatë mjekësore që ka skaduar së fundmi.
6. Punëmarrësve që u është refuzuar certifikata ose kanë pasur një kufizim të vendosur mbi aftësinë e tyre për të punuar, u jepet mundësia për ankim, në përputhje me nenin 143, të ligjit nr. 9251, datë 8.7.2004, “Për Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë”.
7. Të dhënat e mbikëqyrjes shëndetësore, përfshirë konkluzionet mbi aftësinë për të punuar për çdo punëmarrës, dokumentohen dhe përditësohen nga mjeku i punës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbikëqyrjen shëndetësore në punë dhe për mbrojtjen e të dhënave personale, në një mënyrë që lejon konsultimin e tyre të mëvonshëm. Punëmarrësi, me kërkesë të tij/saj, ka akses te të dhënat e kartelës së tij/saj të shëndetit në punë. Kopjet e kartelave shëndetësore në punë u vihen në dispozicion autoriteteve kompetente, sipas kërkesës, duke ruajtur çdo konfidencialitet.
SEKSIONI III
MEKANIZMI I KONTROLLIT,INSPEKTIMI
Neni 13
1. Mjetet lundruese të peshkimit janë subjekt i inspektimit nga trupat inspektuese, sipas përcaktimeve të neneve 39 dhe 40, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”.
2. Inspektimet në lidhje me respektimin e kësaj rregulloreje mund të kryhen edhe në det.
Neni 14
1. Nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje, pas inspektimit, sipas nenit 14, të kësaj rregulloreje, autoriteti kompetent mund të kërkojë bllokimin e mjetit lundrues të peshkimit që nuk respekton dispozitat e neneve 4 deri 7, të kësaj rregulloreje.
2. Nëse trupat inspektuese konstatojnë shkelje të kërkesave të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin në punë, lëshohet një akt inspektimi dhe i kërkohet me shkrim kapitanerisë së portit ndalimi i daljes së mjetit lundrues të peshkimit në det, deri në plotësimin e detyrave të caktuara në aktin e inspektimit.
3. Gjatë ushtrimit të inspektimit, sipas dispozitave të kësaj rregulloreje, bëhet çdo përpjekje për të shmangur ndalimin e paligjshëm apo vonesën e mjetit lundrues të peshkimit.
4. Në rast të ndalimit apo vonesës së paligjshme, përdoruesi i mjetit lundrues ka të drejtë për kompensim për çdo humbje apo dëm të pësuar, në përputhje me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurave Administrative.
Neni 15
Shfrytëzuesi i mjetit lundrues ose përfaqësuesi i tij në Shqipëri ka të drejtën e ankimit administrativ kundër vendimit të ndalimit apo të vendosjes së gjobës administrative, sipas legjislacionit në fuqi.
SEKSIONI IV
DISPOZITA TË TJERA
Neni 16
Për zbatimin e kësaj rregulloreje dhe në bazë të udhëzimeve ndërkombëtare, ministritë përgjegjëse për transportin detar, për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe për shëndetësinë, hartojnë manuale shpjeguese për masa të veçanta mbrojtëse dhe parandaluese në lidhje me sigurinë dhe shëndetin në mjetet lundruese të peshkimit.
Neni 17
Sanksionet
Në rast të shkeljes së dispozitave të përfshira në këtë rregullore zbatohen sanksionet e përcaktuara në nenin 43, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar.
SHTOJCA I
KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE TË SHËNDETIT PËR MJETET LUNDRUESE
Shënim paraprak
Detyrimet e përcaktuara në këtë shtojcë zbatohen sa herë kjo diktohet nga karakteristikat e vendit të punës, veprimtaria, rrethanat ose një risk i veçantë në bordin e një mjeti lundrues të peshkimit.
Për mjetet lundruese ekzistuese të peshkimit detyrimet e përcaktuara në këtë shtojcë zbatohen për aq sa lejojnë karakteristikat strukturore të tyre, sa herë që kërkohet nga tiparet e vendit të punës, aktiviteti, rrethanat ose një risk në bordin e një mjeti lundrues ekzistues të peshkimit.
1. Aftësia lundruese dhe qëndrueshmëria në det
1.1. Mjeti lundrues duhet të mbahet në gjendje të përshtatshme për të lundruar në det dhe të jetë i pajisur siç duhet me mjete, në përputhje me qëllimin dhe përdorimin e tij.
1.2. Informacioni lidhur me qëndrueshmërinë e mjetit lundrues duhet të jetë i disponueshëm në bord dhe të jetë i aksesueshëm për personin në shërbimin roje.
Për mjetet lundruese ekzistuese të peshkimit, të dhënat për qëndrueshmërinë e mjetit lundrues, kur ato ekzistojnë, duhet të jenë të disponueshme në bord dhe duhet të jenë të arritshme për personin në shërbimin roje.
Gjithashtu, duhet të zbatohen edhe dispozitat e pikës 2, të nenit 211, të ligjit nr. 9251, datë 8.7.2004, “Për Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
1.3. Të gjitha mjetet lundruese duhet të jenë mjaftueshëm të qëndrueshme, kur janë të padëmtuara, në kushtet e shërbimit për të cilat ato janë destinuar. Kapiteni merr masa parandaluese, të nevojshme për të ruajtur një qëndrueshmëri të mjaftueshme të mjetit lundrues. Udhëzimet e dhëna lidhur me qëndrueshmërinë e mjetit lundrues duhet të respektohen me rigorozitet.
2. Instalimet mekanike dhe elektrike
2.1. Instalimet elektrike projektohen dhe ndërtohen në mënyrë që të mos paraqesin ndonjë rrezik dhe sigurojnë:
– mbrojtje për ekuipazhin dhe mjetin lundrues nga rreziqet elektrike;
– funksionimin e duhur të të gjitha pajisjeve të nevojshme për të mirëmbajtur anijen në kushte normale operacionale dhe jetësore, pa iu drejtuar furnizimit me energji për raste emergjente;
– funksionimin e pajisjeve elektrike thelbësore për sigurinë në të gjitha rastet e emergjencave.
2.2. Duhet të sigurohet burim i energjisë elektrike për rastet e emergjencave.
Përveç rasteve të mjeteve lundruese të hapura, ai duhet të vendoset jashtë lokalit të motorit dhe, në të gjitha rastet, duhet të mbahet në gjendje pune, në mënyrë që në rastin e një zjarri apo avarive të tjera të instalimeve kryesore elektrike, të sigurojë funksionimin e njëkohshëm për paktën tri orë të:
– sistemit të komunikimit të brendshëm, detektorëve të zjarrit dhe sinjaleve të emergjencës;
– dritave të lundrimit dhe ndriçimit të emergjencës;
– instalimit të radios;
– pompave elektrike të zjarrit për emergjencat, kur janë të pranishme.
Nëse burimi i energjisë elektrike për rastet e emergjencës është një bateri akumulatore dhe burimi kryesor i energjisë elektrike ndërpritet, bateria akumulatore duhet të lidhet automatikisht në panelin elektrik të emergjencës dhe të furnizojë me energji, për një periudhë të pandërprerë prej të paktën 3 orësh, sistemet e përmendura në paragrafin e mësipërm.
Paneli kryesor elektrik dhe paneli elektrik i emergjencës duhet, për aq sa të jetë e mundur, të instalohen në mënyrë të tillë që të mos ekspozohen njëkohësisht ndaj ujit apo zjarrit.
2.3. Panelet elektrike shënjohen në mënyrë të qartë; kutitë e siguresave dhe mbajtëset e siguresave kontrollohen në intervale të rregullta, për të siguruar që po përdoret klasifikimi korrekt i siguresës.
2.4. Lokali i baterive ajroset në mënyrë të mjaftueshme.
2.5. Pajisjet ndihmëse elektronike për lundrimin testohen në mënyrë të shpeshtë dhe mirëmbahen siç duhet.
2.6. Të gjitha pajisjet e përdorura për ngritjen vertikale testohen dhe ekzaminohen në intervale të rregullta, sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
2.7. Të gjitha pjesët e mekanizmit të tërheqjes, të ngritjes vertikale dhe pajisjet e tjera të lidhura me to, duhet të mirëmbahen në gjendje të mirë teknike dhe pune.
2.8. Në rastet kur instalohen impiantet frigoriferike dhe sisteme të ajrit të kompresuar ato duhet të mirëmbahen siç duhet dhe të ekzaminohen në intervale të rregullta.
2.9. Pajisjet e gatimit dhe ato shtëpiake që përdorin gazra të rënda duhet të përdoren vetëm në hapësira të ajrosura mirë dhe duhet pasur kujdes për të shmangur çdo akumulim të rrezikshëm të gazit.
Bombolat që përmbajnë gazra të ndezshme dhe gazra të tjera të rrezikshme duhet të shënohen në mënyrë të qartë, sa i takon përmbajtjes së tyre dhe të mbushen në kuverta të hapura.
Të gjitha valvulat, rregullatorët dhe tubat e presionit që dalin nga bombolat duhet të mbrohen nga dëmtimi.
3. Instalimi i radios
Instalimi i radios duhet të lejojë kontaktin gjatë gjithë kohës, me të paktën një stacion bregdetar ose tokësor, duke marrë në konsideratë kushtet normale për përhapjen e valëve të radios.
4. Rrugët dhe daljet e emergjencës
4.1. Rrugët dhe daljet që mund të përdoren si rrugë e dalje të emergjencës, duhet të mbahen të lira, të jenë lehtësisht të dallueshme gjatë gjithë kohës dhe të nxjerrin, sa më drejtpërdrejt të jetë e mundur, në kuvertën e hapur ose në një zonë të sigurt dhe që atje në mjetin e mbijetesës, në mënyrë që punëmarrësit të mund të evakuohen nga vendet e tyre individuale të punës ose zonat ku jetojnë me shpejtësi dhe në mënyrë sa më të sigurt të jetë e mundur.
4.2. Numri, vendndodhja dhe përmasat e rrugëve dhe daljeve që mund të përdoren si rrugë e dalje të emergjencës, varen nga përdorimi, pajisjet dhe përmasat e vendeve të punës dhe zonave të jetesës dhe nga numri maksimal potencial i personave të pranishëm.
Daljet që mund të përdoren si dalje të emergjencës dhe të cilat janë të mbyllura, duhet të jenë lehtësisht të operueshme në çdo situatë emergjence nga çdo punëmarrës ose nga skuadrat e shpëtimit.
4.3. Dyert e emergjencës dhe daljet e tjera të emergjencës duhet të jenë mjaftueshëm të qëndrueshme ndaj motit dhe të papëshkrueshme nga uji, për vendndodhjen dhe funksionin e tyre të veçantë.
Dyert dhe daljet e tjera të emergjencës duhet të jenë të qëndrueshme ndaj zjarrit, si paretet ndarëse.
Ky detyrim zbatohet vetëm për mjetet e reja lundruese të peshkimit.
4.4. Rrugët dhe daljet e emergjencës duhet të tregohen me shenja, në përputhje me dispozitat e vendimit nr. 1012, datë 10.12.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për sinjalistikën në kantier dhe vendin e punës”.
Shenja të tilla duhet të vendosen në pika të përshtatshme dhe t’i rezistojnë kohës.
4.5. Rrugët dhe hapësirat e largimit, si dhe daljet e emergjencës që kërkojnë ndriçim, duhet të pajisjen me ndriçim, për raste emergjencash, me intensitet të mjaftueshëm, në rast të një avarie të ndriçimit.
5. Zbulimi dhe shuarja e zjarrit
5.1. Në varësi të përmasave dhe të përdorimit të mjetit lundrues, pajisjeve që ai përmban, vetive fizike dhe kimike të substancave të pranishme dhe numrin maksimal, potencial, të personave të pranishëm në bord, mjediset e jetesës dhe vendet e mbyllura të punës, përfshirë lokalin e motorit dhe vendin ku mbahet peshku, nëse është e nevojshme, duhet të pajisen me mjete të përshtatshme kundër zjarrit dhe, sipas nevojës, me detektorë të zjarrit dhe sisteme të alarmit.
5.2. Pajisjet e fikjes së zjarrit duhet të mbahen gjithmonë në vendin e tyre të duhur, të mirëmbahen në gjendje të mirë pune dhe të jenë në dispozicion për përdorim të menjëhershëm.
Punëmarrësit duhet të jenë në dijeni të vendndodhjes së pajisjeve kundër zjarrit, mënyrën se si ato funksionojnë dhe si duhet të përdoren.
Prania e mjeteve të shuarjes së zjarrit dhe pajisjeve të tjera portative kundër zjarrit duhet të kontrollohet gjithmonë, përpara se mjeti lundrues të niset.
5.3. Pajisjet kundër zjarrit, të operuara manualisht, duhet të jenë lehtësisht të aksesueshme e të thjeshta për t’u përdorur dhe duhet të tregohen nëpërmjet shenjave, në përputhje me dispozitat e vendimit nr. 1012, datë 10.12.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për sinjalistikën në kantier dhe vendin e punës”.
Shenja të tilla duhet të vendosen në pikat e duhura dhe t’i rezistojnë kushteve atmosferike.
5.4. Sistemet e zbulimit të zjarrit dhe sistemet e alarmit duhet të testohen rregullisht dhe të mirëmbahen siç duhet.
5.5. Stërvitjet për shuarjen e zjarrit duhet të kryhen në intervale të rregullta.
6. Ajrimi i vendeve të mbyllura të punës
Sigurohet ajër i freskët dhe i mjaftueshëm në vendet e mbyllura të punës, duke pasur parasysh metodat e përdorura të punës dhe kërkesat fizike për punëmarrësit.
Në rastet kur përdoret një sistem ajrimi mekanik, ai duhet të mirëmbahet në kushte të mira.
7. Temperatura e zonave të punës
7.1 Temperatura në zonat e punës duhet të jetë e përshtatshme për trupin e njeriut gjatë orëve të punës, duke pasur parasysh metodat e punës që përdoren dhe kërkesat fizike që u janë vendosur punëmarrësve dhe, kur këto zona ekzistojnë, kushtet reale apo potenciale të motit në zonën ku operon mjeti lundrues.
7.2. Temperatura në mjediset e jetesës, hapësirat higjieno-sanitare, dhomat e ngrënies dhe dhomat e ndihmës së parë, kur këto zona ekzistojnë, të jenë të përshtatshme për qëllimin e veçantë të këtyre mjediseve.
8. Ndriçimi natyral dhe artificial i vendeve të punës
8.1 Vendet e punës duhet, sa më shumë të jetë e mundur, të marrin ndriçim natyral, të mjaftueshëm dhe të jenë të pajisura me ndriçim artificial të përshtatshëm për operacionet konkrete të peshkimit, pa vënë në rrezik sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve apo pa rrezikuar mjetet e tjera lundruese.
8.2. Instalimet për ndriçimin e mjediseve të punës, shkallëve, shkallëve vertikale dhe rrugëve të kalimit duhet të vendosen në mënyrë të tillë që lloji i ndriçimit të siguruar të mos paraqesë asnjë risk për aksidente për punëmarrësit dhe asnjë pengesë për lundrimin e mjetit lundrues.
8.3. Vendet e punës, në të cilat punëmarrësit janë të ekspozuar ndaj risqeve në mënyrë të veçantë, në rast të një avarie të ndriçimit artificial, duhet të pajisen me ndriçim për raste emergjencash, me intensitet të mjaftueshëm.
8.4. Ndriçimi për rastet e emergjencës duhet të mirëmbahet në gjendje pune dhe të testohet në intervale të rregullta.
9. Kuvertat, paretet ndarëse dhe paretet vertikale
9.1. Hapësirat që janë të aksesueshme nga punëmarrësit duhet të jenë jo të rrëshqitshme ose kundër rrëshqitjes, të jenë të pajisura me mjete për të parandaluar rëniet dhe të mos kenë pengesa, për sa është e mundur.
9.2. Vendet e punës që përmbajnë vende individuale të punës duhet të jenë mjaftueshëm të papërshkueshme nga zëri dhe të izoluara, duke pasur parasysh llojin e detyrave të përfshira dhe aktivitetin fizik të punëmarrësve.
Për mjetet lundruese ekzistuese ky detyrim zbatohet vetëm për sa të jetë e mundur.
9.3. Sipërfaqet e kuvertave, pareteve ndarëse dhe vertikale në zonat e punës duhet të jenë të tilla që të mund të pastrohen ose të rinovohen në një standard të përshtatshëm të higjienës.
10. Dyert
10.1. Duhet të sigurohen mekanizma, në mënyrë që dyert të mund të operohen gjatë gjithë kohës nga brenda, pa pajisje të veçanta.
Dyert duhet të jenë të operueshme nga secila anë kur vendet e punës janë në përdorim.
10.2. Dyert dhe, në veçanti, dyert rrëshqitëse, kur këto duhet të përdoren, duhet të funksionojnë në mënyrë sa më të sigurt që të jetë e mundur për punëmarrësit, veçanërisht, në kushte të këqija të motit dhe të detit.
11. Rrugët e qarkullimit, zonat e rrezikut
11.1. Rrugët e kalimit, korridoret dhe hapësirat boshe, pjesa e jashtme e sallonit mbi kuvertën e sipërme dhe të gjitha rrugët e qarkullimit, në përgjithësi, duhet të pajisjen me barriera mbrojtëse, shufra për t’u kapur dhe litarë shpëtimi ose mjete të tjera të garantimit të sigurisë së punonjësve gjatë aktiviteteve në bord.
11.2. Nëse ka një risk që punonjësit mund të bien nga pjesët e hapura në kuvertë ose nga një kuvertë në një tjetër, duhet të sigurohet mbrojtje e përshtatshme, kurdoherë që është e mundur.
Për mjetet e reja lundruese të peshkimit barrierat mbrojtëse duhet të jenë, të paktën, një metër të larta.
11.3. Aksesi në instalime mbi kuvertë, për qëllime operacionesh ose mirëmbajtjeje, duhet të jetë i tillë që të garantojë sigurinë e punëmarrësve.
Për të parandaluar rëniet duhet të sigurohen barriera mbrojtëse ose pajisje të ngjashme të mbrojtjes së lartësisë, të përshtatshme.
11.4. Parapetet ose mjetet e tjera të vendosura për të parandaluar rënien e personave jashtë bordit duhet të mbahen në gjendje efikase.
Parapetet duhet të pajisen me porta zhbllokimi ose pajisje të tjera të ngjashme, për t’i dhënë mundësi ujit që të kullojë me shpejtësi.
11.5. Rampa e kiçit, pjesa e sipërme e rampës, duhet të jetë e pajisur me një portë ose mjete të tjera të sigurimit të saj, me të njëjtën lartësi sa dallgëpritëset apo mjetet e tjera ngjitur me të, për të mbrojtur punëmarrësit nga risku i rënies në rampë.
Kjo portë ose pajisje tjetër, duhet të hapet dhe mbyllet lehtësisht dhe duhet të hapet vetëm për të hedhur rrjetën ose për ta tërhequr atë brenda.
Për mjetet e reja lundruese të peshkimit, kjo portë apo mjete të tjera, duhet të hapet dhe të mbyllet lehtësisht, mundësisht me anë të telekomandës, dhe duhet të hapet për hedhjen e rrjetës apo për ta tërhequr atë brenda.
12. Struktura e vendeve individuale të punës
12.1. Zonat e punës duhet të mbahen të lira, të mbrohen nga deti dhe, sa më shumë të jetë e mundur, të ofrojnë mbrojtje të përshtatshme për punëmarrësit kundër rënieve në anije ose rënieve jashtë bordit.
Zonat e manovrimit duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme, si në aspektin e lartësisë ashtu edhe në aspektin e sipërfaqes.
12.2. Nëse motorët komandohen nga lokali i motorit, ata duhet të komandohen nga një zonë e veçantë, e papërshkueshme nga zëri, e izoluar nga dhoma e motorit, në vetvete, dhe të jenë të aksesueshëm, pa kaluar përmes kësaj të fundit.
Ura e komandimit konsiderohet të jetë një zonë që plotëson kërkesat e mësipërme.
12.3. Komandat për mekanizmin e tërheqjes duhet të instalohen në një zonë aq të madhe sa t’u krijojë mundësi punëmarrësve që të punojnë lirisht.
Mekanizmi i tërheqjes duhet, gjithashtu, të ketë pajisje sigurie të përshtatshme për rastet e emergjencave, përfshirë hapësirat e ndalimit në raste emergjencash.
12.4. Drejtuesi i vinçit duhet të ketë një pamje të mjaftueshme të vinçit dhe të punëmarrësve të tjerë në punë.
Nëse vinçi kontrollohet nga ura, drejtuesi i tij duhet, gjithashtu, të ketë një pamje të qartë të punëmarrësve në punë, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë mjeti tjetër të përshtatshëm.
12.5. Një sistem i sigurt i komunikimit duhet të përdoret ndërmjet urës dhe kuvertës së punës.
12.6. Duhet të ruhet një vështrim i mprehtë, gjithmonë, dhe ekuipazhi duhet të para-lajmërohet për ndonjë rrezik të afërt nga deti shumë i trazuar që afrohet gjatë operacioneve të peshkimit apo kur në kuvertë kryhen punë të tjera.
12.7. Kontakti me kavot e cimat dhe me pjesë të lëvizshme të pajisjeve duhet të minimizohet, duke instaluar pajisje mbrojtëse.
12.8. Duhet të instalohen mekanizma komandues për masat në lëvizje, veçanërisht, mbi peshkarexhat, si:
– pajisje për të bllokuar timonët e tratës;
– pajisje për të kontrolluar lëvizjen lëkundëse të pjesës fundore të rrjetës ku mbahen peshqit.
13. Mjediset e jetesës
13.1.Vendndodhja, struktura, papërshkue-shmëria nga zhurmat, mjetet e izolimit dhe struktura e mjediseve e pajisjeve të jetesës së punëmarrësve, kur këto ekzistojnë, si dhe mjetet për akses në to, duhet të jenë të tilla që të ofrojnë mbrojtje të përshtatshme nga moti e deti, dridhja, zhurma dhe aromat e pakëndshme nga pjesë të tjera të mjetit lundrues, që kanë të ngjarë të shqetësojnë punëmarrësit gjatë periudhës së tyre të çlodhjes.
Në rastet kur projektimi, përmasat dhe/ose qëllimi i mjetit lundrues e lejon, mjediset e jetesës së punëmarrësve duhet të jenë të vendosura në mënyrë që të minimizohen efektet e lëvizjes dhe të rritjes së shpejtësisë.
Duhet të merren masat e duhura, për sa është e mundur, për të mbrojtur joduhanpirësit nga shqetësimet që shkaktohen nga pirja e duhanit.
Për mjetet ekzistuese lundruese të peshkimit, mjediset e jetesës së punëmarrësve duhet të jenë të tilla që të minimizohen zhurma, dridhja, efektet e lëvizjes e rritjes së shpejtësisë dhe erërat e pakëndshme nga pjesë të tjera të mjetit lundrues. Ndriçim i përshtatshëm duhet të jetë i instaluar në mjediset e jetesës.
13.2. Mjediset e jetesës së punëmarrësve duhet të ajrosen vazhdimisht, për të siguruar një furnizim të vazhdueshëm me ajër të freskët dhe për të parandaluar kondensimin.
Në mjediset e jetesës duhet të sigurohet ndriçim i përshtatshëm, me:
– ndriçim normal, të përgjithshëm dhe të mjaftueshëm;
– ndriçim të reduktuar, të përgjithshëm, për të shmangur shqetësimin e punëmarrësve kur ata janë duke u çlodhur;
– ndriçim lokal, në secilin shtrat.
Ky detyrim zbatohet vetëm për mjetet e reja lundruese të peshkimit.
13.3. Kuzhina dhe vendi i ngrënies, kur këto ekzistojnë, duhet të kenë përmasa të mjaftueshme, të jenë të ndriçuara dhe të ajrosura mirë dhe të mund të pastrohen lehtësisht.
Të sigurohen frigoriferë ose pajisje të tjera për ruajtjen e ushqimeve në temperaturë të ulët.
Për mjetet lundruese ekzistuese të peshkimit kuzhina dhe vendi i ngrënies, kur këto ekzistojnë, duhet të kenë përmasa të mjaftueshme, të jenë të ndriçuara dhe të ajrosura mjaftueshëm dhe të jenë të lehta për t’u pastruar.
14. Mjediset dhe pajisjet sanitare
14.1 Në mjetet lundruese me mjedise jetese, dhomat e dusheve, me ujë të nxehtë dhe të ftohtë të rrjedhshëm, lavamanët e tualetet duhet të pajisjen e instalohen siç duhet dhe zonat përkatëse duhet të ajrosen mirë.
Për mjetet lundruese ekzistuese të peshkimit, në mjediset e jetesës duhet të instalohen lavamanë dhe, nëse është e mundur, një dush dhe zonat përkatëse duhet të ajrosen siç duhet.
14.2. Çdo punëmarrës duhet të ketë mundësi të përdorë një vend ku ai mund të mbajë veshjet e tij.
Ky detyrim zbatohet vetën për mjetet e reja lundruese të peshkimit.
15. Ndihma e parë
Në të gjitha mjetet lundruese duhet të ketë pajisje të ndihmës së parë, në përputhje me kërkesat e nenit 145, të ligjit nr. 9251, datë 8.7.2004, “Për Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
16. Shkallë vertikale dhe shtigjet e akomodimit
Një shkallë vertikale apo shteg i akomodimit ose pajisje të tjera të ngjashme, që sigurojnë mjete të përshtatshme dhe të sigurta për ngjitjen në mjetin lundrues, duhet të jenë të disponueshme.
17. Zhurma
Duhet të merren të gjitha masat e duhura teknike për të reduktuar nivelin e zhurmës në vendet e punës dhe në mjediset e jetesës, për aq sa është e mundur, duke marrë parasysh përmasat e mjetit lundrues.
Ky detyrim zbatohet vetëm për mjetet e reja lundruese të peshkimit, duke marrë parasysh kërkesat e vendimit nr. 842, datë 3.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për mbrojtjen e sigurisë dhe të shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me zhurmën në vendin e punës””.
SHTOJCA II
KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE TË SHËNDETIT PËR PAJISJET E SHPËTIMIT TË JETËS
DHE TË MBIJETESËS
Shënim paraprak
Detyrimet e përcaktuara në këtë shtojcë zbatohen për aq sa lejojnë karakteristikat e vendit të punës, veprimtaria, rrethanat ose një risk në bordin e një mjeti lundrues.
1. Mjetet lundruese duhet të mbajnë pajisje të mjaftueshme të shpëtimit të jetës dhe të mbijetesës, përfshirë mjete të përshtatshme të nxjerrjes së punëmarrësve nga uji dhe shpëtimin me radio, në veçanti një fener radio, që tregon pozicionin për raste emergjencash, me një mekanizëm lëshimi hidrostatik, duke marrë parasysh numrin e personave në bord dhe zonën në të cilën operon mjeti lundrues.
2. Të gjithë artikujt e pajisjeve të shpëtimit të jetës dhe të mbijetesës duhet të mbahen në vendet e tyre të përcaktuara, të mirëmbahen në gjendje të mirë pune dhe të jenë të disponueshëm për përdorim të menjëhershëm.
Ata duhet të kontrollohen nga punëmarrësi përpara se mjeti lundrues të largohet nga porti dhe gjatë udhëtimit në det.
3. Pajisjet e shpëtimit të jetës dhe të mbijetesës duhet të inspektohen në intervale të rregullta.
4. Të gjithë punëmarrësit marrin formimin e duhur dhe udhëzime të përshtatshme lidhur me përballimin e një situate emergjente.
5. Nëse gjatësia e mjetit lundrues është më e madhe se 45 metra ose nëse në të ndodhen pesë ose më shumë punëmarrës, duhet të sigurohet një vend grumbullimi, me udhëzime të qarta për secilin punëmarrës, që duhet të zbatohen në rast të një emergjence.
6. Grumbullimet e punëmarrësve për stërvitjen për mbijetesë, duhet të kryhen çdo muaj, në port dhe/ose në det.
Këto stërvitje duhet të sigurojnë që punëmarrësit të kenë një kuptim të plotë dhe të stërviten, lidhur me detyrat që ata duhet të kryejnë, sa i takon manipulimit dhe vënies në punë të të gjitha pajisjeve të shpëtimit të jetës dhe të mbijetesës.
Punonjësit duhet të jenë formuar lidhur me montimin dhe operimin e pajisjeve radio-portative, kur ka të tilla në bord.
SHTOJCA III
KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE TË SHËNDETIT NË LIDHJE ME PAJISJET MBROJTËSE INDIVIDUALE
Shënim paraprak
Detyrimet e përcaktuara në këtë shtojcë zbatohen sa herë kjo diktohet nga karakteristikat e vendit të punës, veprimtaria, rrethanat ose një risk në bordin e një mjeti lundrues.
1. Në rastet kur risqet për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve nuk mund të shmangen apo të kufizohen në mënyrë të mjaftueshme, nëpërmjet mjeteve kolektive ose teknike të mbrojtjes apo nëpërmjet masave, metodave ose procedurave të organizimit të punës, punëmarrësit duhet të pajisen me pajisje mbrojtëse individuale.
2. Pajisjet mbrojtëse individuale, në formën e veshjeve ose të vendosura mbi veshjen, duhet të jenë me ngjyra të ndritshme, në kontrast me mjedisin detar dhe të jenë të dukshme në mënyrë të qartë.