Gjenda e medias, dizinformimi dhe propaganda, UGSH dhe MediaLook trajtojnë problemet me gazetarët në Shkodër

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë së bashku me Qendrën MediaLook trajtuan më 14 qershor  në qytetin e Shkodrës për të diskutuar mbi gjendjen e medias në vend si pjesë e programit SustainMedia të GIZ Albania.
Në këtë takim u trajtuan problemet kryesore me të cilat haset media shqiptare si dhe me kushtet e vështira ekonomike në të cilat ndodhen gazetarët dhe reporterët e terrenit, pagat e tyre të ulëta, mungesa e kontratave të mirëfillta, problemet me sigurimet shoqërore dhe vonesat e pagave, që shpeshherë shkojnë me muaj.

Gjithashtu u diskutua mbi censurën dhe autocensurën e deri te sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve dhe reporterëve të terrenit. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm gazetarë të mediave audiovizive lokale, studentë të gazetarisë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, të cilët shprehën interesimin për të kuptuar më shumë rreth gjendjes në të cilën ndodhet media sot dhe se çfarë duhet bërë për të ndryshuar atë.
Drejtuesi i Unionit të Gazetarëve për Tiranën Bardhi Quku parashtroi disa nga problematikat më kryesore që shqetësojnë gazetarët sot.

Quku sugjeroi disa nga rrugëzgjidhjet për gazetarët duke evidentuar nevojën e përmirësimit të kushteve të punës dhe atyre ekonomike, përmirësimin e kuadrit ligjor mbi kontratat e punës, domosdoshmëria e zbatimit të ligjit nga ana e institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, si dhe kur ndaj tyre kryhen sulme fizike apo verbale; nevoja për një solidaritet mes gazetarëve dhe reporterëve kundrejt padrejtësive që kryhen ndaj tyre në vendin e punës, rritja e profesionalizmit dhe shmangia e censurës dhe auto-censurës për të përmirësuar klimën në peizazhin mediatik shqiptar.

 Tryeza e radhës u mbajt në qytetin e Elbasanit.

|