L I G J Nr. 8685, datë 9.11.2000 PËR NJË TRAJTIM TË VEÇANTË TË PUNONJËSVE QË KANË PUNUAR NË MINIERA NË NËNTOKË

L I G J

Nr. 8685, datë 9.11.2000

PËR NJË TRAJTIM TË VEÇANTË TË PUNONJËSVE QË KANË PUNUAR NË MINIERA NË NËNTOKË

(ndryshuar me ligjin nr. 9356, datë 17.3.2005, nr.9706, datë 5.4.2007)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Neni 1

Me termin bazë e vlerësuar do të kuptohet paga sipas së cilës janë derdhur kontributet për sigurimet shoqërore nga data 1.1.1994 e deri në çastin e lindjes së të drejtës për përfitim.

Me termin përfitim minimal do të kuptohet masa mujore e përfitimit të caktuar në nivelin minimal, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Me termin periudhë sigurimi do të kuptohen të gjitha periudhat e marrëdhënieve të punës për të cilat janë derdhur kontributet për sigurimet shoqërore.

Me termin veprimtari ekonomike do të kuptohet ushtrimi i çdo lloj veprimtarie në të cilën personat janë në marrëdhënie si të punësuar ose të vetëpunësuar, me përjashtim të atyre personave të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike si të vetëpunësuar në bujqësi.

Neni 2

Punonjësit që kanë punuar në miniera për një periudhë jo më pak se 11 vjet e gjysmë në nëntokë dhe kanë një periudhë sigurimi jo më pak se 23 vjet, në rastet kur nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike, trajtohen me përfitim.

Neni 3

Masa e përfitimit për këta punonjës do të jetë e barabartë me 60 për qind të bazës së vlerësuar. Në rastet kur për llogaritjen e bazës së vlerësuar mungojnë dokumentet, masa e përfitimit do të caktohet në nivelin e përfitimit minimal, i cili përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 4

E drejta e ushtrimit të kërkesës për përfitime nga ky ligj mund të ushtrohet nga subjektet që përfitojnë deri më datë 31.3.2001. Kjo kërkesë paraqitet pranë degëve të agjencive të drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore.

Neni 5

(shtuar nje paragraf me ligjin nr. 9356, datë 17.3.2005 dhe nr.9706, datë 5.4.2007)

Përjashtohen nga përfitimet, sipas këtij ligji, personat të cilët përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimeve shoqërore.

Të gjithë personat, që përfitojnë trajtim të veçantë, sipas këtij ligji, kanë të drejtë ta marrin atë deri në çastin që plotësojnë kushtet për një lloj përfitimi nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” ose deri kur ata bëhen ekonomikisht aktivë, me përjashtim të personave, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike si të vetëpunësuar në bujqësi e blegtori.

Pagesa e trajtimit të veçantë ndërpritet për aq kohë sa personi përfiton të ardhura nga veprimtaria ekonomike si i punësuar ose i vetëpunësuar, me përjashtim të personave, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike si të vetëpunësuar në bujqësi e blegtori.

Neni 6

Përfitimet nga ky ligj financohen nga Buxheti i Shtetit, ndërkohë detyrimet e prapambetura nga ndërmarrjet minierare ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore nuk përbëjnë pengesë për këtë përfitim.

Llogaritja, caktimi dhe pagimi i përfitimeve që rrjedhin nga ky ligj bëhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, kundrejt një pagese komisioni e cila përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Këshilli i  Ministrave nxjerr aktet përkatëse nënligjore në përputhje me këtë ligj.

Neni 6/ 1

(shtuar me ligjin nr. 9356, datë 17.3.2005)

Përfitimet nga ky ligj nuk tatohen.

Përfitimet e caktuara, sipas këtij ligji, rriten ose indeksohen sa herë dhe në atë masë që rriten ose indeksohen pensionet e pleqërisë nga sigurimi i detyrueshëm shoqëror.

Përfitimet e caktuara, por të patërhequra, paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 1 vit.

Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 1 vit.

E drejta për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit. Masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të trajtimit të veçantë.

Personi, që ka përfituar të ardhura, në mënyrë e me mjete të padrejta, si dhe që nuk njofton ndryshimin ose heqjen e masës së tyre, detyrohet të kthejë të gjithë shumën e marrë tepër. Masa e ndalesës për çdo muaj është 50 për qind e këstit mujor të trajtimit të veçantë.

Neni 6/2

(shtuar me ligjin nr. 9356, datë 17.3.2005)

Periudha e përfitimit të trajtimit të veçantë, duke filluar nga data 16.12.2000 e në vazhdim, njihet periudhë sigurimi, për efekt pensioni pleqërie, invaliditeti e familjar, nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror.

Në këtë rast kontributet përballohen nga Buxheti i Shtetit, në nivelin minimal, në kohën kur merret vendim për caktimin e pensionit.

Neni 7

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr. 2800, datë 20.11.2000 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani

Please follow and like us:

|