L I G J Nr.8741, datë 15.2.2001 PËR SIGURINË NË PUNË NË VEPRIMTARINË MINERARE

L I G J

Nr.8741, datë 15.2.2001

PËR SIGURINË NË PUNË NË VEPRIMTARINË MINERARE

(ndryshuar me ligjin nr.9706, datë 5.4.2007, nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i parimeve të përgjithshme që rregullojnë punën me një regjim normal dhe brenda kushteve të lejuara për jetën e njeriut në veprimtarinë minerare, si dhe marrjen e masave për shpëtimin e jetës së njerëzve dhe të vlerave materiale në rast avarie dhe kthimin në regjim normal të punës në veprimtarinë minerare.

Neni 2

Përkufizime

(ndryshuar pikat 3, 5 dhe 8 me ligjin  nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

 

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

  1. “Aktiv shpëtuesish” kuptohen specialistët e minierës që stërviten sipas rregullores së shpëtimit dhe kanë dëshminë e shpëtuesit.
  2. “Avari” kuptohet prishja e regjimit normal të punës në veprimtarinë minerare.
  3. “Inspektor” është punonjësi i kualifikuar, sipas kuptimit të termit të përdorur në ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
  4. “Karrierë” kuptohet çdo vend ku nxirren materiale ose minerale drejtpërdrejt nga sipërfaqja.
  5. “Kontroll teknik” është inspektimi i organizuar në periudha të caktuara kohe dhe, kur del e nevojshme, jashtë këtyre periudhave, për verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore, sipas këtij ligji.
  6. “Minierë” kuptohet çdo gërmim mbi ose nëntokë dhe çdo vend ku shfrytëzohet një pasuri minerare në përputhje me ligjin minerar.
  7. “Plan likuidim avarie” kuptohen dokumentet që përmbajnë masat e përcaktuara për shmangien e avarive.
  8. “Inspektorati” kuptohet inspektorati përgjegjës që mbulon fushën minerare.

8/1. “Struktura përgjegjëse” është struktura përgjegjëse për shpëtimin e minierave.

  1. “Shfrytëzim minerali” kuptohet kryerja e çdo gërmimi, shpimi ose pusi kërkimi ose shfrytëzimi në çdo vendburim minerar, me çfarëdo lloj mënyre, për nxjerrjen e një minerali, duke përfshirë kërkimin, zbulimin dhe përpunimin brenda një trupi minerar.
  2. “Shpëtues” kuptohet punonjësi me kualifikim të veçantë që ndërhyn për shpëtimin e jetës së njerëzve dhe për likuidimin e avarive në veprimtarinë minerare.
  3. “Subjekt” kuptohet personi juridik ose fizik i pajisur me leje minerare.
  4. “Veprimtari minerare” kuptohet tërësia e veprimeve që kryhen në nëntokë dhe në sipërfaqe të minierës për kërkimin, zbulimin, shfrytëzimin dhe përpunimin e mineralit.
  5. ”Zjarrmëtar” kuptohet punonjësi me kualifikim të veçantë për ruajtjen, transportin, administrimin dhe përdorimin e lëndëve plasëse.

KREU II

KËRKESA TË PËRGJITHSHME TË SIGURISË NË PUNË

NË VEPRIMTARINË MINERARE

Neni 3

  1. Të gjitha subjektet, që kryejnë veprimtari minerare, studime ose projekte në këtë fushë, janë të detyruar të zbatojnë kërkesat e sigurisë në punë të vendosura në rregulloret e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes në punë.
  2. Aktet nënligjore përkatëse nxirren nga Ministria që mbulon veprimtarinë minerare.

Neni 4

Vënia në shfrytëzim

Objekti minerar vihet në shfrytëzim kur:

  1. a) ka një projekt të miratuar për hapjen, përgatitjen e shfrytëzimin e tij;
  2. b) plotëson kërkesat e parashikuara në rregulloret e sigurimit teknik e të mbrojtjes në punë dhe siguron normat për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit;
  3. c) subjekti që merr lejen minerare është regjistruar në Inspektorat;

ç) zotëruesi i lejes minerare zbaton kërkesat e përcaktuara në projektin e miratuar tekniko-teknologjik.

Neni 5

Kontrolli teknik

(shtuar një paragraf me ligjin nr.9706, datë 5.4.2007)

1.Minierat dhe karrierat i nënshtrohen kontrollit teknik të Inspektoratit.

  1. Zotëruesi i lejes minerare merr të gjitha masat për të kryer kontrollin teknik periodik, sipas llojit dhe afateve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore të veprimtarisë minerare.
  2. Minierat dhe karrierat u nënshtrohen kontrollit teknik periodik të Inspektoratit jo më pak se një herë në vit për ruajtjen e kushteve të sigurisë në punë dhe për të zbuluar të metat.
  3. Minierat dhe karrierat u nënshtrohen kontrolleve teknike të posaçme të Inspektoratit në çdo kohë kur paraqiten rrethana të veçanta që lidhen me vënien në rrezik të minierës, si punime, avari, aksidente ose periudha të zgjatura të mosvënies në shfrytëzim, për t’u siguruar që janë ruajtur kushtet e sigurisë e për të zbuluar e mënjanuar të metat.
  4. Kontrollet teknike kryhen nga Inspektorati ose nga një trup inspektues palë e tretë, e miratuar nga ministri që mbulon veprimtarinë minerare.

Pagesa e trajtimit të veçantë ndërpritet për aq kohë sa personi përfiton të ardhura nga veprimtaria ekonomike si i punësuar ose i vetëpunësuar, me përjashtim të personave, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike si të vetëpunësuar në bujqësi e blegtori.

Neni 6

Masat urgjente

(ndryshuar me ligjin nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

 

  1. Kur Inspektorati Shtetëror që mbulon fushën minerare vëren se një minierë ose karrierë rrezikon sigurinë e njerëzve dhe të mjedisit, me vendim të ndërmjetëm, sipas nevojave të rastit, merr masa urgjente, në përputhje me ligjin për inspektimin.
  2. Kundër vendimit që vendos masa urgjente mund të bëhet ankim i veçantë në përputhje me ligjin për inspektimin.

KREU III

VEPRIMTARIA SHPËTUESE

Neni 7

Veprimtaria shpëtuese në veprimtarinë minerare kryhet nga qendra kryesore e shpëtimit në struktura përgjegjëse në bashkëveprim me grupet e shpëtimit të subjekteve minerare.

Neni 8

  1. Subjektet minerare, që kanë të punësuar mbi 25 punonjës që punojnë në nëntokë, duhet të organizojnë skuadrën e shpëtimit prej jo më pak se 5 vetash, nga të cilët një duhet të jetë i punësuar si shpëtues, kurse anëtarët e tjerë të skuadrës merren nga aktivi i shpëtuesve të subjektit.
  2. Në rastet kur numri i të punësuarve të nëntokës është më i vogël se 25 vetë, subjektet minerare janë të detyruar të kenë skuadra vullnetare shpëtimi.

Neni 9

Rregullat dhe detyrat e grupeve të shpëtimit në miniera dhe në struktura përgjegjëse përcaktohen me rregullore të veçantë të miratuar nga ministri përkatës.

KREU IV

DETYRIME GJATË SHFRYTËZIMIT

Neni 10

Detyrime të zotëruesit të lejes minerare

  1. Zotëruesi i lejes minerare merr masat që makineritë, pajisjet, lënda plasëse dhe materialet që përdorin punëmarrësit në miniera të jenë të përshtatshme për punën dhe të garantojnë sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve gjatë përdorimit.
  2. Zotëruesi i lejes minerare merr masa që miniera ose karriera, makineritë, pajisjet, lënda plasëse e materialet të mirëmbahen gjatë shfrytëzimit në një nivel të tillë që të plotësojnë kërkesat thelbësore të sigurisë në punë.

Neni 11

Informimi i punëmarrësve

  1. Zotëruesi i lejes minerare merr masa që punëmarrësi të përvetësojë të dhënat dhe instruksionet e duhura për përdorimin e makinerive, të pajisjeve, të lëndës plasëse dhe të materialeve që ka në përdorim.
  2. Të dhënat dhe instruksionet e përdorimit të makinerive, të pajisjeve dhe të lëndës plasëse duhet të përmbajnë të dhënat për sigurinë dhe shëndetin përsa u përket:
  3. a) kushteve të shfrytëzimit;
  4. b) situatave anormale të parashikueshme;
  5. c) mjeteve të mbrojtjes individuale dhe kolektive;

ç) ndihmës së parë mjekësore në rast aksidenti.

  1. Të dhënat dhe instruksionet e pikës 2 të këtij neni duhet të jenë të kuptueshme për punëmarrësin.

Neni 12

Formimi i punëmarrësve

  1. Zotëruesi i lejes minerare merr masat e nevojshme që:
  2. a) punëmarrësit e ngarkuar për përdorimin e makinerive, të pajisjeve dhe të lëndës plasëse të kenë formimin e mjaftueshëm për rreziqet që përmban ky përdorim;
  3. b) punëmarrësit e ngarkuar me riparimet dhe mirëmbajtjen të kenë kualifikimin dhe formimin e duhur për kryerjen e këtyre detyrave.
  4. Krahas kërkesave të pikës 1 të këtij neni, punëmarrësit e përdorimit të lëndës plasëse dhe të shpëtimit në miniera testohen çdo vit nga komisionet teknike të ngritura në struktura përgjegjëse dhe të miratuara nga organi përgjegjës në Ministri.

Neni 13

Këqyrja e avarive

  1. Për çdo rast aksidenti ose avarie të rëndë në minierë ose në karrierë, zotëruesi i lejes minerare duhet të njoftojë menjëherë Inspektoratit.
  2. Inspektorati shqyrton aksidentet dhe avaritë që ndodhin në veprimtarinë minerare dhe përcakton shkaqet dhe përgjegjësitë, si dhe masat që duhen marrë për përmirësimin e gjendjes.
  3. Zotëruesi i lejes minerare është i detyruar t’i japë inspektorit, që shqyrton aksidentin ose avarinë, çdo të dhënë që ka lidhje me të.
  4. Në rast aksidenti në punë, inspektori i Inspektoratit bashkëpunon me inspektorin e punës për këqyrjen e aksidentit.

KREU V

Inspektorati dhe struktura përgjegjëse

(ndryshuar titulli me ligjin nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

Neni 14

Inspektorati

(ndryshuar titulli me ligjin nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

 

  1. Inspektorati mbikëqyr zbatimin e dispozitave të këtij ligji e të akteve nënligjore të dala në zbatim të tij nga të gjitha subjektet private ose publike vendase ose të huaja që kryejnë veprimtari minerare.
  2. Shfuqizuar.
  3. Shfuqizuar.
  4. Shfuqizuar.
  5. Drejtuesi i RISHM-ja emërohet dhe shkarkohet me vendim të ministrit që mbulon veprimtarinë minerare.

Neni 14/1

Struktura përgjegjëse për shpëtimin e minierave

(shtuar me ligjin nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

Organizimi dhe funksionimi i strukturës përgjegjëse për shpëtimin e minierave bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me ligjin për inspektimin.

Neni 15

Detyrat e strukturës përgjegjëse

(ndryshuar me ligjin nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

 

Krahas detyrave në zbatim të kërkesave të neneve të parashikuara më sipër, struktura përgjegjëse kryen edhe këto detyra:

  1. a) lëshon dëshmi për zjarrmëtarët dhe shpëtuesit e subjekteve private dhe publike;
  2. b) detyra të tjera në përputhje me aktet nënligjore të miratuara në bazë dhe në zbatim të këtij ligji.

Neni 15/1

Detyrat e inspektoratit që mbulon fushën e minierave

(shtuar me ligjin nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

 

Krahas detyrave në zbatim të kërkesave të neneve të parashikuara më sipër, inspektorati kryen edhe këto detyra:

  1. a) bën regjistrimin e subjekteve që punojnë me leje minerare dhe lëndë plasëse;
  2. b) mban regjistër për gjendjen teknike, për avaritë dhe aksidentet në miniera;
  3. c) kryen inspektime në subjekte, private dhe publike, vendase dhe të huaja, që kryejnë veprimtari minerare në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me këtë ligj dhe ligjin për inspektimin.

Neni 16

Të drejtat e inspektorit dhe të strukturës përgjegjëse

(ndryshuar me ligjin nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

  1. Inspektori, kur vëren shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe të rregulloreve, ka të drejtë që, krahas dënimeve kryesore administrative, të parashikuara në nenin 19 të këtij ligji, të vendosë një ose më shumë nga dënimet plotësuese, si më poshtë:
  2. a) të urdhërojë kryerjen e detyrave të nevojshme, duke përcaktuar edhe afatet përkatëse për përmirësimin e gjendjes;
  3. b) të pezullojë aktivitetin për një periudhë kohe të caktuar ose të pushojë përgjithmonë aktivitetin, sipas procedurës së parashikuar në shkronjën “c” të kësaj pike, kur gjykon se procesi teknologjik nuk garanton sigurinë në punë;
  4. c) t’u propozojë organeve përgjegjëse heqjen e lejes minerare dhe të përdorimit të lëndës plasëse;

ç) për raste shkeljesh të rënda të rregulloreve të sigurimit teknik, me pasoja për jetën e njerëzve, të kërkojë ndjekje penale.

  1. Struktura përgjegjëse dhe inspektorati bashkëpunojnë me shërbime përkatëse, publike ose private, për të kryer ekspertiza për krijimin e grupeve të punës dhe për kryerjen e kontrolleve të veçanta e të aksioneve të shpëtimit të njerëzve.

Neni 17

Burimet financiare

(ndryshuar me ligjin nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

 

  1. Burimet financiare të inspektoratit dhe strukturës përgjegjëse janë:
  2. a) Buxheti i Shtetit;
  3. b) të ardhurat me destinacion, që realizohen nga shërbimet për të tretët.
  4. Inspektorati dhe struktura përgjegjëse realizojnë të ardhura nga shërbimet që kryejnë për subjektet private ose publike nga:
  5. a) veprimtaria kryesore, sipas neneve 4, 5 dhe 12 të këtij ligji. Këto të ardhura derdhen në Buxhetin e Shtetit. Tarifat për këto të ardhura caktohen nga Ministria e Financave në bashkëpunim me ministrinë që mbulon veprimtarinë minerare;
  6. b) të ardhurat me destinacion nga shërbimet për të tretët. Këto të ardhura derdhen në llogaritë përkatëse të inspektoratit dhe strukturës përgjegjëse dhe përdoren për mbulimin e shpenzimeve të kryera, ndërsa 10 për qind derdhen në Buxhetin e Shtetit. Tarifat për këto të ardhura caktohen nga ministria që mbulon veprimtarinë minerare në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.

Neni 18

Pavarësia e paanshmëria

(shfuqizuar pika 1 me ligjin nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

  1. Shfuqizuar.
  2. Inspektorët e Inspektoratit duhet të kenë formim të mirë tekniko-profesional, njohje të kënaqshme të kërkesave për kryerjen e detyrës dhe aftësi për të hartuar dokumentacionin për kontrollet e bëra.
  3. Shpëtuesit e strukturës përgjegjëse duhet të jenë të gatshëm dhe të aftë nga ana shëndetësore për të kryer aksione shpëtimi, në përputhje me rregulloren e Planit të Emergjencës për Miniera.
  4. Struktura përgjegjëse ka personelin, uniformën dhe mjetet e nevojshme për të kryer në mënyrë të përshtatshme funksionet teknike dhe administrative të kontrollit dhe të shpëtimit, të miratuar nga Këshilli i Ministrave.

Neni 19

Kundërvajtjet administrative

(ndryshuar me ligjin nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

  1. Janë kundërvajtje administrative dhe dënohen me dënim kryesor me gjobë:
  2. a) shkeljet e dispozitave të neneve 3, 4, 5, 8, 10, 11 dhe 12 të këtij ligji, që rrezikojnë sigurinë e njerëzve, të kafshëve shtëpiake dhe të vlerave materiale;
  3. b) shkeljet e përsëritura të konstatuara nga inspektori;
  4. c) tejkalimi i afatit të lënë nga inspektori për mënjanimin e shkeljeve.
  5. Kur shkelja nuk përbën vepër penale, zotëruesi i lejes minerare, punonjësi i caktuar për mbikëqyrje teknike dhe punëmarrësi dënohen për kundërvajtje administrative me gjobë.

Inspektori që vëren shkeljen, harton procesverbalin dhe vendos gjobën, në përputhje me ligjin për inspektimin.

  1. Masa e gjobës është nga 2 mijë deri në 500 mijë lekë. Llogaritja e gjobës bëhet sipas mënyrave të përcaktuara në rregulloret e Inspektoratit të miratuara nga ministri që mbulon veprimtarinë minerare.
  2. Shqyrtimi, marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj vendimit bëhen në përputhje me ligjin për inspektimin.
  3. Shfuqizuar.
  4. Shfuqizuar.

Neni 20

Ekzekutimi i vendimeve me gjobë

(ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

  1. Gjoba paguhet nga kundërvajtësit brenda 30 ditëve nga data kur vendimi ka marrë formë të prerë. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet një kamatë prej 2 për qind deri në një muaj. Kur edhe pas këtij afati gjoba nuk paguhet, atëherë zbatohet legjislacioni në fuqi për kundërvajtjet administrative.
  2. Gjobat derdhen në Buxhetin e Shtetit.

Neni 21

Çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohet.

Dispozitë kalimtare

(e shtuar me ligjin nr. 8/2013, datë 14.2.2013)

Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.

Neni 22

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.2910, datë 27.2.2001 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani

|