V E N D I M Nr. 207, datë 9.5.2002 Për përcaktimin e punëve të vështira ose të rrezikshme
V E N D I M
Nr. 207, datë 9.5.2002
Për përcaktimin e punëve të vështira ose të rrezikshme
(ndryshuar me VKM nr.409, datë 22.4.2009, nr.248, datë 13.4.2010
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1 të nenit 100 të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.3.1996, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Përcaktimin e punëve të vështira ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njeriut, si më poshtë vijon:
- a) Punët në miniera, në nëntokë, dhe në punimet e tjera, në nëntokë, që kryhen nga:
– minatori, armatori, zjarrmëtari dhe ndihmësit e tyre;
– drejtuesi teknik (personeli inxhiniero-teknik);
– punëtori i transportit dhe i ngarkimit;
– punëtori i shërbimit të ajrimit dhe ai elektromekanik;
-personeli shpëtues dhe inspektues, në miniera, dhe personeli i repartit të inspektim-shpëtimit, miniera, Tiranë.
- b) Punët në aviacionin civil, që kryhen nga:
– komandanti i aviacionit,
– piloti,
– navigatori,
– mekaniku,
– radiotelegrafisti,
– radiotelefonisti.
- c) Punët në fabrikat e pasurimit të minierave të bakrit, kromit, qymyrgurit, në fonderitë dhe në impiantin e pasurimit të rërave bregdetare dhe në fabrikat e pasurimit të kuarcit, ku përfshihen:
– punët në fonderi;
– punët në farkëtari;
– punët në kaldaja dhe në enët nën trysni;
– saldimi me hark elektrik dhe puna e operatorëve të automatëve të saldimit;
– saldimi me oksiacetilen.
ç) Punët e tilla të:
– polumbarit;
– saldatorit, elektrosaldatorit në rezervuare, kulla dhe cisterna;
– punonjës të pastrimit të brendshëm të rezervuarëve;
– punonjësit që punon me solucione aerosole, radioaktive;
– punonjësit që punon me rreze radioaktive dhe në mjedise radioaktive;
– makinistit dhe ndihmësmakinistit.
- d) Punët në fushat e arsimit dhe të kulturës, si ato të:
– balerinit dhe valltarit të ansambleve;
– akrobatit dhe gjimnastit të cirkut;
– solistit të operas;
– muzikantit të veglave frymore, të orkestrave dhe të bandave.
- dh) Punët në fushën e shëndetësisë:
– me rrezatime jonizuese (kobaltoterapia, imazheria, radiotologjia klasike, skaneri, rezonanca magnetike);
– në laboratorët mikrobike;
– në shërbimin infektiv, në kirurgji dhe anestezi në sallat e operacionit me gazra.
- e) Punët në industrinë e bakrit.
ë) Punët në industrinë kimike dhe atë përpunuese si:
– në prodhimin e baterive;
– në përpunimin e lëkurëve dhe të peliçeve;
– në fabrikat e letrës.
- f) Punët në industrinë metalurgjike, të naftës dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, si:
– në metalurgjinë e zezë të ferrokromit;
– në uzinat e petëzimit;
– në uzinat e gizës;
– në repartet e furrnaltës;
– në prodhimin e substancave sintetike, polisterolit, polietilenit etj.
- g) Punët në industrinë elektrike:
– në lartësi mbi 5 metra nga sipërfaqja e tokës;
– në shërbimet operative, në nënstacionet 110 kv e lartë;
– në shërbimet e pajisjeve, që lëshojnë rreze monokromatike koherente (rreze lazer), rreze elektromagnetike, me frekuencë të lartë, shumë të lartë, të ulët dhe shumë të ulët;
– në shërbimet me elektrovinça, me kulla të lëvizshme;
– në shërbimet operative në filialet elektrike, shpërndarëse.
- gj) Punët në prodhimin e tullave e të tjegullave dhe të artikujve prej qeramike, si:
– në prodhimin e çimentos;
– në prodhimin e xhamit, qelqit dhe të llampave elektrike;
– në industrinë e lëkurëve;
– në industrinë e drurit, të letrës dhe të pllakave të zdrukthit.
- h) Punët në industrinë e fermentimit të duhanit dhe në industrinë e prodhimit të cigareve.
- i) Punët në ndërtim të:
– punëtorit të asfaltit dhe të punëtorit të prodhimit të asfaltit;
– punëtorit që përgatit betonin;
– punëtorit që ngre oxhaqe industriale;
– punëtorit që monton shtyllat e tensionit të lartë;
– sondistit;
– eskavatoristit;
– minatorit në gurore;
– rulistit;
– minatorit në karrierat e argjilave;
– punëtorit të poligrafisë.
- j) Punët në ndërmarrjet ushtarake:
– në çmontimin e municioneve;
– në nxjerrjen e eksplozivit nga predhat e çmontuara;
– në nxjerrjen e barutit nga gëzhojat e municioneve të çmontuara;
– në transportimin e municioneve, baruteve dhe eksplozivëve;
– në manipulimin e enëve nën presion;
– në poligonet e provave të fishekëve dhe shtimjeve;
– në prodhimin e baterive të thata (përgatitja e elektrolitit dhe përzierja e aglomeratit);
– në linjat e prodhimit në tunel;
– në proceset galvanike;
– në prodhimin e fishekzjarrëve;
– në prodhimin e gomave (përgatitja e brumit);
– në saldimet me kallaj;
– në proceset e pastrimit me rërë dhe shkëlqim detalesh;
– në prodhimin e kapsollave;
– në linjat e përpunimit dhe prodhimit të baruteve dhe eksplozivëve;
– në prodhimin dhe manipulimin e lëndëve shpërthyese, iniciale, barute, eksplozive.
- Punëdhënësit janë të detyruar të marrin në këto punë punëmarrës, të pajisur me dëshmi profesionale dhe me certifikatën e aftësisë mjekësore.
- Punëdhënësit dhe punëmarrësit, me marrëveshje dypalëshe, parashikojnë kushtet e përshtatshme për këto vende pune, përherë në mbrojtje të shëndetit dhe të personalitetit të punëmarrësve.
Punëdhënësit dhe punëmarrësit, me marrëveshje dypalëshe për këto vende pune, parashikojnë që kohëzgjatja maksimale javore e punës të mos kalojë 48 orë në javë, përfshirë në këtë kohëzgjatje edhe orët shtesë të punës.
- Punëdhënësit janë të detyruar të krijojnë kushte të larta sigurie dhe higjiene në këto vende pune.
- Ngarkohen ministritë përkatëse të nxjerrin udhëzimet për sigurimin teknik dhe mbrojtjen e këtyre punëmarrësve, në fushat e veprimtarisë që mbulojnë.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Pandeli Majko