L I G J Nr. 8856, datë 7.2.2002 PËR RATIFIKIMIN E “KONVENTËS NR.154 “BISEDIMET KOLEKTIVE, 1981” TË ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE TË PUNËS

L I G J
Nr. 8856, datë 7.2.2002

PËR RATIFIKIMIN E “KONVENTËS NR.154 “BISEDIMET KOLEKTIVE, 1981” TË ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE TË PUNËS”

Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikohet “Konventa nr.154 “Bisedimet kolektive, 1981” të Organizatës Ndërkombëtare të Punës”.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.3255, datë 11.2.2002 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani

KONVENTA NR.154
KONVENTA LIDHUR ME NXITJEN E BISEDIMEVE KOLEKTIVE

Konferenca e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Punës,
E thirrur në Gjenevë nga Këshilli Drejtues i Zyrës Ndërkombëtare të Punës dhe mbledhur në sesionin e saj të gjashtëdhjetë e shtatë më 3 qershor 1981, dhe
Duke ritheksuar pjesën e Deklaratës së Filadelfias që njeh “detyrimin solemn të Organizatës Ndërkombëtare të Punës për të nxitur ndërmjet vendeve të ndryshme zbatimin e programeve botërore, që synojnë njohjen efektive të së drejtës së negociatave kolektive”, dhe duke shënuar se ky parim është “plotësisht i zbatueshëm ndaj të gjithë njerëzve kudo që të jenë”, dhe
Duke marrë parasysh rëndësinë kapitale të standardeve ekzistuese ndërkombëtare që përmbajnë Konventa Liria e Shoqatave dhe Mbrojtja e të Drejtës së Organizimit, 1948, Konventa e Drejta e Organizimit dhe Negociatave Kolektive, 1949, Rekomandimi Marrëveshjet Kolektive, 151, Rekomandimi Pajtimi dhe Arbitrimi Vullnetar, 1951, Konventa dhe Rekomandimi Marrëdhëniet e Punës (Shërbimi Publik), 1978 dhe Konventa dhe Rekomandimi Administrata e Punës, 1978 dhe
Duke konsideruar se është e dëshirueshme që të bëhen përpjekje më të mëdha për arritjen e objektivave të këtyre standardeve dhe, veçanërisht, të parimeve të përgjithshme të shprehura në nenin 4 të Konventës e Drejta e Organizimit dhe Bisedimeve Kolektive, 1949 dhe në paragrafin 1 të Rekomandimit, 1951, Marrëveshjet Kolektive, dhe
Duke konsideruar, për pasojë, se këto standarde duhet të plotësohen me masat e përshtatshme, në përputhje me to dhe që synojnë nxitjen e negociatave kolektive të lira dhe vullnetare, dhe
Pasi vendosi për miratimin e disa propozimeve lidhur me nxitjen e bisedimeve kolektive, e cila është pika e katërt e rendit të ditës së sesionit, dhe
Pasi vendosi që këto propozime të marrin formën e një konvente ndërkombëtare, miraton këtë ditë të nëntëmbëdhjetë të qershorit të vitit njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një, konventën e mëposhtme, e cila mund të quhet Konventa Bisedimet Kolektive, 1981:

Pjesa I.

Fusha dhe përkufizimet

Neni 1

1. Kjo Konventë zbatohet në të gjitha degët e veprimtarisë ekonomike.
2. Masa, në të cilën garancitë e parashikuara në këtë Konventë zbatohen ndaj Forcave të Armatosura dhe Policisë, mund të përcaktohet nga ligjet ose rregullat e brendshme ose nga praktika e vendit.
3. Rregullat e veçanta për zbatimin e kësaj Konvente në shërbimin publik mund të përcaktohen nga ligjet ose rregullat e brendshme ose nga praktika e vendit.

Neni 2

Në kuptim të kësaj Konvente, termi “bisedime kolektive” nënkupton të gjitha bisedimet që zhvillohen midis një punëdhënësi, një grupi punëdhënësish ose një apo më shumë organizatave të punëdhënësve, në njërën anë, dhe një apo më shumë organizatave të punonjësve, nga ana tjetër, për:
a) përcaktimin e kushteve të punës dhe termat e punësimit; dhe/ose
b) rregullimin e marrëdhënieve midis punëdhënësve dhe punonjësve; dhe/ose
c) rregullimin e marrëdhënieve midis punëdhënësve ose organizatave të tyre; dhe një ose
d) disa organizatave të punonjësve.

Neni 3

1. Kur legjislacioni ose praktika e brendshme njeh ekzistencën e përfaqësuesve të punonjësve, siç përcaktohet në nenin 3 nënparagrafi (b) i Konventës, përfaqësuesit e punonjësve, 1971, legjislacioni ose praktika e brendshme mund të përcaktojë masën në të cilën termi “bisedime kolektive” duhet të shtrihet, për qëllimin e kësaj Konvente, në negociatat me këta përfaqësues.
2. Kur, në përputhje me paragrafin 1 të këtij neni, termi “bisedime kolektive” përfshijnë, gjithashtu, bisedimet me përfaqësuesit e punonjësve të përmendur në atë paragraf, duhet të merren masat e përshtatshme, në çdo rast që është e nevojshme, për të siguruar se ekzistenca e këtyre përfaqësuesve nuk është shfrytëzuar për të minuar pozitën e organizatave të interesuara të punonjësve.

Pjesa II
Metodat e zbatimit

Neni 4

Dispozitat e kësaj Konvente duhet, për sa ato nuk janë bërë efektive nëpërmjet kontratave kolektive, vendimeve të arbitrimit ose me anën e një mënyre tjetër që është në përputhje me praktikën e vendit, të bëhen efektive nëpërmjet ligjeve ose rregullave të brendshme.

Pjesa III.
Nxitja e bisedimeve kolektive

Neni 5

1. Duhet të merren masa, në përputhje me kushtet e vendit, për nxitjen e bisedimeve kolektive.
2. Qëllimi i masave të përmendura në paragrafin 1 të këtij neni duhet të jetë:
a) negociatat kolektive duhet të bëhen të mundura për të gjithë punëdhënësit dhe të gjitha grupet e punonjësve në degët e veprimtarisë që mbulohen nga kjo Konventë;
b) bisedimet kolektive duhet të shtrihen progresivisht në të gjitha çështjet e mbuluara nga nënparagrafët a, b, dhe c të nenit 2 të kësaj Konvente;
c) inkurajimi i caktimit të rregullave procedurale në marrëveshje midis organizatave të punëdhënësve dhe punonjësve;
d) bisedimet kolektive nuk duhet të pengohen nga mungesa e dispozitave që rregullojnë procedurën e tyre ose nga pasaktësia ose papërshtatshmëria e këtyre rregullave;
e) organet dhe procedurat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës duhet të jenë të tilla që të ndihmojnë nxitjen e bisedimeve kolektive.

Neni 6

Dispozitat e kësaj Konvente nuk ndalojnë veprimin e sistemeve të marrëdhënieve profesionale, në të cilat bisedimet kolektive zhvillohen në kuadrin e mekanizmit ose insitucioneve të pajtimit dhe/ose arbitrimit, mekanizëm ose institucione në të cilat Palët në bisedimet kolektive marrin pjesë vullnetarisht.

Neni 7

Masat që merren nga autoritetet publike për të nxitur bisedimet kolektive duhet të jenë objekt i konsultimeve paraprake dhe, kur është e mundshme, i marrëveshjeve midis autoriteteve publike dhe organizatave të punëdhënësve dhe të punonjësve.

Neni 8

Masat e marra me qëllim që të nxisin bisedimet kolektive nuk duhet të kuptohen dhe zbatohen në mënyrë të tillë që të pengojnë lirinë e bisedimeve kolektive.

Pjesa IV.
Dispozita të fundit

Neni 9

Kjo Konventë nuk ndryshon asnjë konventë ose rekomandim që është në fuqi.

Neni 10

Ratifikimi zyrtar i kësaj Konvente duhet t’i komunikohet për regjistrim Drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës Ndërkombëtare të Punës.

Neni 11

1. Kjo Konventë është e detyrueshme vetëm për ata Anëtarë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ratifikimet e të cilëve janë regjistruar tek Drejtori i Përgjithshëm.
2. Ajo hyn në fuqi 12 muaj pas datës në të cilën ratifikimet e dy Anëtarëve janë regjistruar te Drejtori i Përgjithshëm.
3. Pas kësaj, kjo Konventë hyn në fuqi për çdo Anëtar 12 muaj pas datës në të cilën është regjistruar ratifikimi i tij.

Neni 12

1. Anëtari që ka ratifikuar këtë Konventë mund ta denoncojë atë pas kalimit të dhjetë vjetëve nga data në të cilën Konventa ka hyrë në fuqi për herë të parë, me anën e një akti që i komunikohet për regjistrim Drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës Ndërkombëtare të Punës.
Ky denoncim hyn në fuqi pas një viti nga data e regjistrimit të tij.
2. Çdo Anëtar, që ka ratifikuar këtë Konventë dhe që nuk e ushtron të drejtën e denoncimit të parashikuar në këtë nen brenda një viti nga data e mbarimit të periudhës dhjetëvjeçare të përmendur në paragrafin e mësipërm, është i lidhur me detyrimet e Konventës edhe për një periudhë tjetër dhjetëvjeçare dhe pas kësaj mund të denoncojë këtë Konventë në mbarimin e çdo periudhe dhjetëvjeçare, në përputhje me kushtet e parashikuara në këtë nen.

Neni 13

1. Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Ndërkombëtare të Punës duhet të njoftojë të gjithë Anëtarët e Organizatës Ndërkombëtare të Punës për regjistrimin e të gjitha ratifikimeve dhe denoncimeve që i komunikohen atij nga Anëtarët e Organizatës.
2. Kur njofton Anëtarët e Organizatës për komunikimin e regjistrimit të ratifikimit të dytë, Drejtori i Përgjithshëm duhet t’iu njoftojë Anëtarëve të Organizatës datën në të cilën ajo hyn në fuqi.

Neni 14

Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Ndërkombëtare të Punës duhet t’i komunikojë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për regjistrim, në përputhje me nenin 102 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të gjitha veçoritë e ratifikimeve dhe akteve të denoncimit të regjistruara tek ai, në përputhje me dispozitat e neneve të mësipërm.

Neni 15

Këshilli Drejtues i Zyrës Ndërkombëtare të Punës duhet, sa herë që e gjykon të nevojshme, t’i paraqesë Konferencës së Përgjithshme një raport për zbatimin e kësaj Konvente, si dhe të shqyrtojë nevojën e vendosjes në rendin e ditës së Konferencës të çështjes së ndryshimit të saj të pjesshëm apo të plotë.

Neni 16

1. Kur Konferenca miraton një konventë të re që ndryshon pjesërisht apo plotësisht këtë Konventë, përveç kur konventa e re parashikon ndryshe:
a) ratifikimi nga një Anëtar i Konventës së re prezumon ipso jure denoncimin e menjëhershëm të kësaj Konvente, pavarësisht nga dispozitat e nenit 12, nëse dhe kur konventa e re hyn në fuqi;
b) nga data në të cilën konventa e re hyn në fuqi kjo Konventë pushon së qeni e hapur për ratifikim nga Anëtarët.
2. Kjo Konventë mbetet në fuqi në formën dhe përmbajtjen e saj aktuale, në çdo rast, për ata Anëtarë që e kanë ratifikuar atë, por që nuk kanë ratifikuar konventën e re që e ndryshon atë.

Neni 17

Tekstet anglisht dhe frëngjisht të kësaj Konvente kanë fuqi të barabartë.

|