L I G J Nr.9179, datë 29.1.2004 PËR NJË TRAJTIM TË VEÇANTË TË PUNONJËSVE, QË KANË PUNUAR NË DISA NDËRMARRJE TË INDUSTRISË USHTARAKE

L I G J

Nr.9179, datë  29.1.2004

PËR NJË TRAJTIM TË VEÇANTË TË PUNONJËSVE, QË KANË PUNUAR NË DISA NDËRMARRJE TË INDUSTRISË USHTARAKE

(ndryshuar me ligjin nr.9687, datë 5.3.2007)

Në mbështetje të neneve 78 dhe  83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Neni 1

Ky ligj përcakton mënyrën, masën, procedurat e përfitimit të trajtimit të veçantë dhe kontributin e sigurimeve shoqërore për punonjësit, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake.

Neni 2

Qëllimi i këtij ligji është rregullimi i një trajtimi të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake, kur plotësohen kriteret e vendosura nga ky ligj.

Neni 3

Në kuptim të këtij ligji:

  1. “Bazë e vlerësuar” është paga, sipas së cilës janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore nga data 1.1.1994 deri në ditën e fundit të lënies së punës.
  2. “Periudhë gatishmërie” është periudha gjatë së cilës punonjësi është paguar me një pagë gatishmërie, me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore.
  3. “Periudhë sigurimi” është periudha gjatë së cilës punonjësi ka qenë në marrëdhënie pune, si dhe janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore.
  4. “Periudhë pune” është periudha gjatë së cilës punonjësi ka qenë në marrëdhënie pune në ndërmarrjet përkatëse ushtarake dhe periudha që është trajtuar me vendimet e Këshillit të Ministrave nr.389, datë 8.8.2002 “Për trajtimin e punonjësve, që dalin të papunë nga procesi i ristrukturimit të Uzinës Mekanike Gramsh” dhe nr.695, datë 27.12.2002 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.766, datë 8.12.1998 “Për pagesën e punonjësve të disa linjave teknologjike ushtarake të rëndësisë së veçantë””.
  5. “Veprimtari ekonomike” është ushtrimi i çdo lloj veprimtarie, në të cilën personat janë në marrëdhënie si punëdhënës, të punësuar ose të vetëpunësuar, me përjashtim të atyre personave, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike si të vetëpunësuar në bujqësi.

Neni 4

Përfitojnë trajtim të veçantë punonjësit e ndërmarrjeve të sistemit të industrisë ushtarake, të cilët:

– në datën 31.12.2002 kanë qenë në marrëdhënie pune ose janë trajtuar në bazë të vendimeve nr.389, datë 8.8.2002 dhe nr.695, datë 27.12.2002 të Këshillit të Ministrave në Kombinatin Mekanik në Poliçan, në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës, në Uzinën Mekanike dhe Uzinën e Pilave në Gramsh dhe në Uzinën e Riparimit të Avionëve në Kuçovë;

– kanë një periudhë pune ose gatishmërie jo më pak se 15 vjet dhe periudhë sigurimi jo më pak se 18 vjet për gratë dhe periudhë pune ose gatishmërie jo më pak se 18 vjet dhe periudhë sigurimi jo më pak se 23 vjet për burrat;

– nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike.

Neni 5

Masa e përfitimit për këta punonjës është e barabartë me 70 për qind të bazës së vlerësuar, por jo më shumë se pensioni maksimal.

Në rastet kur për llogaritjen e bazës së vlerësuar mungojnë dokumentet përkatëse, masa e përfitimit minimal përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 6

E drejta e kërkesës për përfitime, sipas këtij ligji, ushtrohet nga subjektet që përfitojnë deri në datën 30.9.2004.

Neni 7

(shtuar nje paragraf me ligjin nr.9687, datë 5.3.2007)

Të gjithë personat, që përfitojnë trajtim të veçantë, sipas këtij ligji, kanë të drejtë ta marrin atë, deri në çastin e lindjes të së drejtës së një përfitimi nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” ose deri kur ata bëhen ekonomikisht aktivë.

Në rast punësimi të përkohshëm me kontratë pranë ndërmarrjes, ku kanë aplikuar për trajtim, sipas ligjit, personave përfitues, sipas ligjit në fuqi, u ndërpritet trajtimi i veçantë për kohën që janë të punësuar. Personat përfitues rifitojnë të drejtën për t’u rikthyer në skemën e trajtimit të veçantë, me përfundimin e punësimit të përkohshëm.

Neni 8

Masa e këtij trajtimi do të indeksohet në vite, në përputhje me atë të pensioneve të pleqërisë.

Neni 9

Personat, të cilët përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimeve shoqërore, përjashtohen nga përfitimet, sipas këtij ligji, me përjashtim të pensionit të pjesshëm të invaliditetit.

Neni 10

Të gjithë ata punonjës, që dalin të papunë nga procesi i ristrukturimit të ndërmarrjeve, prodhuese dhe riparuese, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk përfitojnë nga ky ligj, trajtohen për një vit me pagë, sipas vendimeve nr.389, datë 8.8.2002 dhe nr.695, datë 27.12.2002 të Këshillit të Ministrave.

Neni 11

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij ligji, përballohen nga Buxheti i Shtetit.

Mënyra e llogaritjes, caktimit dhe pagimit të përfitimeve, që rrjedhin nga ky ligj dhe pagesa e komisionit kundrejt të cilës Instituti i Sigurimeve Shoqërore kryen këto shërbime, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 12

Periudha gjatë së cilës punonjësit përfitojnë trajtim të veçantë vlerësohet periudhë sigurimi dhe kontributet përballohen nga Buxheti i Shtetit.

Neni 13

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 5, 10 dhe 11 të këtij ligji.

Neni 14

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4138, datë 20.2.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

 

|