LIGJ Nr.9703, datë 2.4.2007 PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN NDËRKOMBËTARE “PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË TË GJITHË PUNËTORËVE MIGRANTË DHE ANËTARËVE TË FAMILJEVE TË TYRE”

LIGJ

Nr.9703, datë 2.4.2007 

PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN NDËRKOMBËTARE “PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË TË GJITHË PUNËTORËVE MIGRANTË DHE ANËTARËVE TË FAMILJEVE TË TYRE”

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Republika e Shqipërisë aderon në Konventën Ndërkombëtare “Për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre”.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5264, datë 17.4.2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

 

 

KONVENTË NDËRKOMBËTARE

PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË TË GJITHË PUNËTORËVE MIGRANTË DHE ANËTARËVE TË FAMILJEVE TË TYRE

Miratuar nëpërmjet rezolutës së asamblesë së përgjithshme 45/158 të   datës 18 dhjetor 1990

Hyrje

Shtetet Palë në këtë Konventë,

duke marrë parasysh parimet e mishëruara në instrumentet bazë të Kombeve të Bashkuara në lidhje me të drejtat e njeriut, veçanërisht Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore, Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, Konventën Ndërkombëtare mbi Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit të Grave dhe Konventën mbi të Drejtat e Fëmijëve;

duke marrë parasysh gjithashtu parimet dhe standardet e parashikuara në instrumentet ndërkombëtare, të hartuara në kuadrin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, veçanërisht Konventën në lidhje me Migrimin për Punësim (N 97), Konventën në lidhje me Migrimet në Kushte Abuzive dhe Nxitjes së Shanseve të Barabarta dhe Trajtimin e Punëtorëve Migrantë (N 143), Rekomandimin në lidhje me Migrimin për Punësim (N 86), Rekomandimin në lidhje me Punëtorët Migrantë (N 151), Konventën në lidhje me Punën e Detyruar ose të Detyrueshme (N 29) dhe Konventën në lidhje me Heqjen e Punës së Detyruar (N 105);

duke rikonfirmuar rëndësinë e parimeve që parashikohen në Konventën kundër Diskriminimit në Arsim të Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara;

duke rikujtuar Konventën kundër Torturës dhe Trajtimit apo Dënimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues, Deklaratën e Kongresit të Katërt të Kombeve të Bashkuara mbi Parandalimin e Krimit dhe Trajtimin e Kundërvajtësve, Kodin e Sjelljes për Punonjësit e Zbatimit të Ligjit dhe konventat mbi skllavërinë;

duke rikujtuar që një prej objektivave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, siç parashikohet në Kushtetutën e saj, është mbrojtja e interesave të punëtorëve, kur punësohen në një vend tjetër nga vendi i tyre dhe duke mos harruar ekspertizën dhe përvojën e asaj organizate për çështjet në lidhje me punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre;

duke njohur rëndësinë e punës së bërë në lidhje me punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre në organe të ndryshme të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht në Komisionin e të Drejtave të Njeriut dhe Komisionin për Zhvillim Shoqëror dhe në Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara, Organizatën Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, si dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare;

duke njohur gjithashtu përparimin e bërë nga disa shtete mbi baza rajonale apo dypalëshe kundrejt mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre, si dhe rëndësinë dhe dobinë e marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe në këtë fushë;

duke kuptuar rëndësinë dhe masën e fenomenit të migrimit që përfshin miliona njerëz dhe prek një numër të madh shtetesh në komunitetin ndërkombëtar;

të ndërgjegjshëm për ndikimin e fluksit të punëtorëve migrantë mbi shtetet dhe popujt përkatës dhe me dëshirën për të vendosur norma që mund të kontribuojnë në harmonizimin e qëndrimeve të shteteve nëpërmjet pranimit të parimeve bazë në lidhje me trajtimin e punëtorëve migrantë dhe anëtareve të familjeve të tyre;

duke pasur parasysh pozitat e pambrojtura në të cilat gjenden shpesh punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre, ndërmjet të tjerash, për shkak të mungesës së tyre nga shteti i origjinës dhe vështirësive që ata mund të hasin për shkak të pranisë së tyre në shtetin e punësimit;

të bindur që të drejtat e punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre nuk janë njohur kudo plotësisht, duke pasur nevojë për mbrojtjen e duhur ndërkombëtare;

duke marrë parasysh faktin që migrimi shpesh është shkaku i problemeve serioze për anëtarët e familjeve të punëtorëve migrantë, si dhe për vetë punëtorët, veçanërisht për shkak të ndarjes së familjeve;

duke mos harruar që problemet njerëzore që përfshihen në migrim janë më serioze në rastin e migrimit të parregullt dhe të bindur që duhet të nxiten masa të përshtatshme, me qëllim parandalimin dhe eliminimin e lëvizjeve klandestine dhe trafikimin e punëtorëve migrantë, ndërsa në të njëjtën kohë duke siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore njerëzore;

duke pasur parasysh që punëtorët të cilët nuk janë të pajisur me dokumente apo janë në një situatë të parregullt, punësohen shpesh në kushte më pak të favorshme pune në krahasim me punëtorët e tjerë dhe shumë punëdhënës e shohin këtë si nxitje për të kërkuar punëtorë të tillë, me qëllim që të vjelin përfitimet e konkurrencës së pandershme;

duke pasur parasysh që përdorimi i punësimit të punëtorëve migrantë që janë në një situatë të parregullt do të zvogëlohet, nëse të drejtat njerëzore themelore të gjithë punëtorëve migrantë do të njihen më gjerësisht dhe mbi të gjitha, dhënia e disa të drejtave shtesë për punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre në një situatë të rregullt, do të nxisë të gjithë migrantët dhe punëdhënësit të respektojnë dhe veprojnë sipas ligjit dhe procedurave të caktuara nga shtetet përkatës;

të bindur para së gjithash për nevojën e realizimit të mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre, duke rikonfirmuar dhe caktuar normat bazë në një konventë të plotë që do të mund të zbatohej në mënyrë universale,

kanë rënë dakord si më poshtë:

PJESA I

FUSHA E VEPRIMIT DHE PËRKUFIZIMET

Neni 1

  1. Kjo Konventë zbatohet, nëse këtu nuk parashikohet ndryshe, për të gjithë punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre pa dallim gjinie, race, ngjyre, gjuhe, feje ose besimi, bindjesh politike apo të tjera, origjine kombëtare, etnike apo shoqërore, kombësie, moshe, gjendjeje ekonomike, pasurie, gjendjeje civile, lindje apo status tjetër.
  2. Kjo Konventë zbatohet gjatë gjithë procesit të migrimit të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre, që përbëhet nga përgatitja për migrim, largim, transitim, e gjithë periudha e qëndrimit dhe aktiviteti fitimprurës në shtetin e punësimit, si dhe kthimi në shtetin e origjinës apo shtetin e vendqëndrimit fiks.

Neni 2

Për qëllime të kësaj Konvente:

  1. Termi “punëtor migrant” i referohet një personi që do të angazhohet, është angazhuar apo ka qenë angazhuar në një aktivitet fitimprurës në një shtet ku ai ose ajo nuk është shtetas.
  2. a) Termi “punëtor kufitar” i referohet një punëtori migrant, që ka vendbanimin e tij ose të saj fiks në një shtet fqinj, ku ai ose ajo normalisht kthehet çdo ditë apo të paktën një herë në javë;
  3. b) Termi “punëtor sezonal” i referohet një punëtori emigrant, puna e të cilit nga karakteri i saj varet nga kushtet sezonale dhe kryhet vetëm gjatë një pjese të vitit;
  4. c) Termi “detar”, që përfshin një peshkatar, i referohet një punëtori migrant të punësuar në kuvertën e një mjeti lundrimi, të regjistruar në një shtet ku ai ose ajo nuk është shtetas;
  5. d) Termi “punëtor në një impiant larg bregut” i referohet një punëtori migrant të punësuar në një impiant larg bregut dhe që është nën juridiksionin e një shteti ku ai ose ajo nuk është shtetas;
  6. e) Termi “punëtor shëtitës” i referohet një punëtori migrant, i cili, duke pasur vendbanimin e tij ose të saj fiks në një shtet, duhet të udhëtojë në një apo disa shtete të tjera për periudha të shkurtra, për shkak të natyrës së profesionit të tij ose të saj;
  7. f) Termi “punëtor projekti” i referohet një punëtori migrant, që është pranuar në shtetin e punësimit për një periudhë kohe të caktuar, për të punuar vetëm në një projekt të caktuar, i cili zbatohet në atë shtet nga punëdhënësi i tij ose i saj;
  8. g) Termi “punëtor me punësim të caktuar” i referohet një punëtori migrant:
  9. i) që është dërguar nga punëdhënësi i tij ose i saj për një periudhë kohe të kufizuar dhe të caktuar në një shtet punësimi, për të kryer një detyrë ose punë të caktuar; ose
  10. ii) që është përfshirë për një periudhë kohe të kufizuar dhe të caktuar në një punë, që kërkon aftësi profesionale, tregtare, teknike ose aftësi të tjera tepër të specializuara; ose

iii) që, me kërkesë të punëdhënësit të tij ose të saj në shtetin e punësimit, angazhohet për një periudhë të caktuar dhe të kufizuar kohe në punë, natyra e së cilës është kalimtare ose e shkurtër dhe të cilit i kërkohet të largohet nga shteti i punësimit me skadimin e afatit të tij ose të saj të autorizuar të qëndrimit ose më parë, nëse ai ose ajo nuk vazhdon të ndërmarrë atë detyrë ose punë specifike apo të angazhohet në atë punë.

  1. h) Termi “punëtor i vetëpunësuar” i referohet një punëtori migrant, që është i përfshirë në një aktivitet fitimprurës të ndryshëm nga një kontratë punësimi dhe që jeton në sajë të këtij aktiviteti normalisht, duke punuar vetëm ose së bashku me anëtarët e familjes së tij ose të saj dhe çdo punëtori tjetër migrant të njohur si i vetëpunësuar në bazë të ligjit të zbatueshëm të shtetit të punësimit apo të marrëveshjeve dypalëshe ose shumëpalëshe.

Neni 3

Kjo Konventë nuk zbatohet për:

  1. a) personat e dërguar apo të punësuar nga organizatat dhe agjencitë ndërkombëtare ose personat e dërguar apo të punësuar nga një shtet jashtë territorit të vet për të ushtruar funksione zyrtare, pranimi dhe statusi i të cilëve rregullohet nga e drejta e përgjithshme ndërkombëtare ose nga marrëveshjet apo konventat ndërkombëtare;
  2. b) personat e dërguar ose të punësuar nga një shtet ose në emër të tij jashtë territorit të tij, që merr pjesë në programet e zhvillimit dhe programet e tjera të bashkëpunimit, pranimi dhe statusi i të cilëve rregullohet me marrëveshje me shtetin e punësimit dhe që në pajtim me atë marrëveshje, nuk konsiderohen si punëtorë migrantë;
  3. c) personat që marrin vendqëndrim në një shtet të ndryshëm nga shteti i tyre i origjinës si investitorë;
  4. d) refugjatët dhe personat pa shtetësi, përveç rasteve kur kjo është e parashikuar në legjislacionin përkatës të brendshëm ose në instrumentet ndërkombëtare në fuqi në Shtetin Palë përkatës;
  5. e) studentët dhe kursantët;
  6. f) detarët dhe punëtorët në një impiant larg bregut që nuk janë pranuar për të marrë vendqëndrim dhe që janë angazhuar në një aktivitet fitimprurës në shtetin e punësimit.

Neni 4

Për qëllime të kësaj Konvente, termi “anëtarë të familjes” i referohet personave të martuar me punëtorë migrantë ose që kanë me ta një raport që, në pajtim me ligjin e zbatuar, sjell efekte të njëjta me martesën, si dhe fëmijët e tyre të varur dhe persona të tjerë të varur që njihen si anëtarë të familjes nga legjislacioni i zbatueshëm apo marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe të zbatueshme ndërmjet shteteve përkatëse.

Neni 5

Për qëllime të kësaj Konvente, punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre:

  1. a) konsiderohen me dokumente ose në gjendje të rregullt, nëse janë të autorizuar të hyjnë, qëndrojnë dhe të përfshihen në një aktivitet fitimprurës në shtetin e punësimit në pajtim me ligjin e atij shteti dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare ku ai shtet është palë;
  2. b) konsiderohen pa dokumente ose në gjendje jo të rregullt, nëse nuk përmbushin kushtet e parashikuara në nënparagrafin (a) të këtij neni.

Neni 6

Për qëllime të kësaj Konvente:

  1. a) termi “Shteti i origjinës” është shteti, në të cilin personi përkatës është shtetas;
  2. b) termi “Shteti i punësimit” është shteti ku punëtori migrant, sipas rastit, do të angazhohet, është i angazhuar ose ka qenë angazhuar në një aktivitet fitimprurës;
  3. c) termi “Shteti i transitit” është shteti nëpërmjet të cilit personi përkatës kalon gjatë çdo udhëtimi për në shtetin e punësimit ose nga shteti i punësimit për në shtetin e origjinës apo shtetin e vendbanimit fiks.

PJESA II

MOSDISKRIMINIMI NË LIDHJE ME TË DREJTAT

Neni 7

Shtetet Palë, në pajtim me instrumentet ndërkombëtare në lidhje me të drejtat e njeriut, marrin përsipër të respektojnë dhe garantojnë për të gjithë punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre, brenda territorit ose objekt i juridiksionit të tyre, të drejtat e parashikuara në këtë Konventë pa dallim gjinie, race, ngjyre, gjuhe, feje, besimi, bindjesh politike ose të tjera, origjine kombëtare, etnike apo shoqërore, shtetësie, moshe, gjendjeje ekonomike, pasurie, gjendjeje civile, status lindjeje apo tjetër.

PJESA III

TË DREJTAT E NJERIUT TË PUNËTORËVE MIGRANTË DHE ANËTARËVE TË FAMILJEVE TË TYRE

Neni 8

  1. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre janë të lirë të largohen nga çdo shtet, duke përfshirë shtetin e tyre të origjinës. Kjo e drejtë nuk i nënshtrohet asnjë kufizimi përveç atyre të parashikuara me ligj, që janë të nevojshme për mbrojtur sigurinë kombëtare, rendin publik (ordre public), shëndetin ose moralin publik, apo të drejtat dhe liritë e të tjerëve dhe që përputhen me të drejtat e tjera të njohura në këtë pjesë të Konventës.
  2. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtë të kthehen në çdo kohë dhe të qëndrojnë në shtetin e tyre të origjinës.

Neni 9

E drejta e jetës e punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre mbrohet me ligj.

Neni 10

Asnjë punëtor migrant apo anëtar i familjes së tij apo të saj nuk i nënshtrohet torturës ose trajtimit apo dënimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.

Neni 11

  1. Asnjë punëtor migrant apo anëtar i familjes së tij ose të saj nuk mbahet në skllavëri apo bujkrobëri.
  2. Asnjë punëtori migrant apo anëtari të familjes së tij apo të saj nuk i kërkohet të kryejë punë të detyruar apo me detyrim.
  3. Paragrafi 2 i këtij neni, në shtetet ku burgimi me punë të rëndë mund të caktohet si dënim për një krim, nuk konsiderohet të përjashtojë kryerjen e punës së rëndë për vuajtjen e një dënimi për një vendim të dhënë nga gjykata kompetente.
  4. Për qëllime të këtij neni, termi “punë e detyruar ose me detyrim” nuk përfshin:
  5. a) asnjë punë apo shërbim që nuk përmendet në paragrafin 3 të këtij neni që i kërkohet normalisht një personi, i cili ndalohet si pasojë e një urdhri të ligjshëm të gjykatës ose një personi gjatë lirimit me kusht nga një ndalim i tillë;
  6. b) çdo shërbim të kërkuar në rastet e urgjencës apo fatkeqësisë që kërcënon jetën ose mirëqenien e komunitetit;
  7. c) çdo punë ose shërbim që bën pjesë në detyrimet normale civile në masën që iu imponohet edhe shtetasve të shtetit përkatës.

Neni 12

  1. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të pasur një fe ose besim të zgjedhjes së tyre dhe lirinë që individualisht ose së bashku me të tjerët dhe privatisht ose në publik, të manifestojnë fenë ose besimin e tyre në shërbime fetare, zakone, praktikë dhe mësimdhënie.
  2. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre nuk i nënshtrohen shtypjes që do të cenonte lirinë e tyre për të pasur një fe ose besim të zgjedhjes së tyre.
  3. Liria për të manifestuar fenë ose besimin e vet mund t’i nënshtrohet vetëm kufizimeve që janë parashikuar në ligj dhe që janë të nevojshme për të mbrojtur sigurinë, rendin, shëndetin ose moralin publik apo të drejtat themelore dhe liritë e të tjerëve.
  4. Shtetet Palë në këtë Konventë marrin përsipër të respektojnë lirinë e prindërve, ku të paktën një prej të cilëve është punëtor migrant dhe sipas rastit, të kujdestarëve ligjorë, për të siguruar edukimin fetar dhe moral të fëmijëve të tyre në pajtim me bindjet e tyre.

Neni 13

  1. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtë të kenë mendimet e tyre të paimponuara.
  2. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtën e lirisë së shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë për të kërkuar, marrë dhe dhënë informacion dhe ide të të gjitha llojeve, pavarësisht nga kufijtë, me gojë, me shkrim ose në version elektronik, të ilustruar ose nëpërmjet ndonjë mjeti tjetër sipas zgjedhjes së tyre.
  3. Ushtrimi i të drejtës së parashikuar në paragrafin 2 të këtij neni mbart detyra dhe përgjegjësi të veçanta. Ai, megjithatë, mund t’u nënshtrohet kufizimeve të veçanta, por këto do të jenë vetëm ato të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme:
  4. a) për respektimin e të drejtave ose reputacionin e të tjerëve;
  1. b) për mbrojtjen e sigurisë kombëtare të shteteve përkatëse ose të rendit publik (ordre public) apo të shëndetit dhe moralit publik;
  2. c) për qëllimet e parandalimit të çdo propagande për luftë;
  3. d) për qëllimin e parandalimit të çdo nxitjeje të urrejtjes kombëtare, raciale ose fetare që shërben si nxitje për diskriminim, armiqësi dhe dhunë.

Neni 14

Asnjë punëtor migrant apo anëtar i familjes së tij ose të saj nuk i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare apo të paligjshme në jetën e tij private, familje, shtëpi, korrespondencë ose komunikim tjetër apo sulmeve të paligjshme kundër nderit ose reputacionit të tij ose të saj. Çdo punëtor migrant apo anëtar i familjes së tij ose të saj ka të drejtën e mbrojtjes nga ligji kundrejt këtyre ndërhyrjeve ose sulmeve.

Neni 15

Asnjë punëtori migrant apo anëtari të familjes së tij ose të saj nuk i hiqet prona në mënyrë arbitrare, nëse ajo është në pronësi individuale apo të përbashkët. Nëse, në pajtim me legjislacionin në fuqi të shtetit të punësimit, sendet pasurore të një punëtori migrant apo anëtari të familjes së tij apo të saj shpronësohen plotësisht apo pjesërisht, personi përkatës ka të drejtën e një kompensimi të drejtë dhe të përshtatshëm.

Neni 16

  1. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtën e lirisë dhe sigurisë së personit.
  2. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtën e mbrojtjes së efektshme nga shteti kundër dhunës, dëmtimit fizik, kërcënimit dhe frikësimit, nga nëpunësit publikë ose individë, grupe ose institucione private.
  3. Çdo verifikim nga nëpunësit e zbatimit të ligjit i identitetit të punëtorëve migrantë ose anëtarëve të familjeve të tyre, kryhet në pajtim me procedurën e parashikuar me ligj.
  4. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre nuk i nënshtrohen individualisht apo kolektivisht arrestimit ose ndalimit arbitrar; ata nuk privohen nga liria përveçse për shkaqe të tilla dhe në pajtim me ato procedura që janë parashikuar me ligj.
  5. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre që arrestohen, informohen në momentin e arrestimit, për sa të jetë e mundur, në një gjuhë që e kuptojnë, në lidhje me arsyet e arrestimit të tyre dhe informohen menjëherë në një gjuhë që e kuptojnë për çdo akuzë kundër tyre.
  6. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre që arrestohen ose ndalohen për një akuzë penale, sillen menjëherë para një gjyqtari apo një nëpunësi tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar kompetenca gjyqësore dhe kanë të drejtën e gjykimit brenda një kohe të arsyeshme ose të lirimit. Nuk është rregull i përgjithshëm që në pritje të gjykimit ata të mbahen të ndaluar, por lirimi mund t’u nënshtrohet garancive për t’u paraqitur për gjykim ose në çdo fazë tjetër të procedimit gjyqësor dhe, nëse është rasti, për ekzekutimin e vendimit.
  7. Nëse një punëtor migrant apo një anëtar i familjes së tij ose të saj arrestohet ose futet në burg ose paraburgim apo është ndaluar në një mënyrë tjetër:
  8. a) autoritetet konsullore apo diplomatike të shtetit të tij ose të saj të origjinës apo të një shteti që përfaqëson interesat e atij shteti, nëse ai ose ajo e kërkon këtë, informohet pa vonesë për arrestimin apo ndalimin e tij ose të saj, si dhe për arsyet;
  9. b) personi përkatës ka të drejtën për të komunikuar me këto autoritete. Çdo korrespondencë nga personi përkatës për këto autoritete jepet pa vonesë dhe ai ose ajo ka gjithashtu të drejtë të marrë pa vonesë korrespondencën e dërguar nga këto autoritete;
  10. c) personi përkatës informohet pa vonesë për këtë të drejtë dhe të drejtat që rrjedhin nga marrëveshjet, nëse ka të tilla, të zbatueshme ndërmjet shteteve përkatëse, për të pasur korrespondencë dhe për t’u takuar me përfaqësuesit e këtyre autoriteteve, si dhe për të marrë masa me to për përfaqësimin e tij ose të saj ligjor.
  11. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre, të cilëve u privohet liria për shkak të arrestimit apo ndalimit, kanë të drejtën e fillimit të procedimit para një gjykate, me qëllim që ajo gjykatë të mund të vendosë pa vonesë në lidhje me ligjshmërinë e ndalimit të tyre dhe të urdhërojë lirimin e tyre, nëse ndalimi është i paligjshëm. Nëse ata marrin pjesë në këto procedime, nëse është e nevojshme, u jepet asistenca pa pagesë e një përkthyesi, nëse nuk e kuptojnë apo flasin gjuhën e përdorur.
  12. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre që i janë nënshtruar arrestimit ose ndalimit të paligjshëm, kanë të drejtën e zbatueshme të kompensimit.

Neni 17

  1. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre që janë privuar nga liria, trajtohen me humanizëm dhe respekt për dinjitetin njerëzor të personit dhe për identitetin e tyre kulturor.
  2. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre të akuzuar, përveç rrethanave të jashtëzakonshme, mbahen të ndarë nga personat e dënuar dhe i nënshtrohen trajtimit të veçantë në pajtim me statusin e tyre si persona të padënuar. Personat e mitur të akuzuar mbahen të ndarë nga personat e rritur dhe sillen për gjykim sa më shpejt të jetë e mundur.
  3. Çdo punëtor migrant dhe anëtar i familjes së tij ose të saj që është i ndaluar në një shtet transiti ose në një shtet punësimi për shkeljen e dispozitave në lidhje me migrimin, në masën që është praktike, mbahen të ndarë nga personat e dënuar ose personat në pritje të gjykimit.
  4. Gjatë çdo periudhe të burgimit, në pajtim me një vendim të dhënë nga një gjykatë, qëllimi thelbësor i trajtimit të një punëtori migrant ose një anëtari të familjes së tij apo të saj, është reformimi dhe rehabilitimi i tij ose i saj shoqëror. Kundërvajtësit e mitur mbahen të ndarë nga të rriturit dhe u jepet trajtim në pajtim me moshën dhe statusin e tyre ligjor.
  5. Gjatë ndalimit ose burgimit, punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre gëzojnë të njëjtat të drejta si shtetas për vizitë tek anëtarët e familjeve të tyre.
  6. Kurdoherë që një punëtori migrant i privohet liria e tij ose e saj, autoritetet kompetente të shtetit përkatës u kushtojnë vëmendje problemeve që mund të lindin për anëtarët e familjeve të tij ose të saj, veçanërisht për bashkëshortët dhe fëmijët e mitur.
  7. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre që i nënshtrohen një forme ndalimi ose burgimi në pajtim me ligjin në fuqi në shtetin e punësimit ose në shtetin e transitit, gëzojnë të njëjtat të drejta si shtetasit e atyre shteteve që janë në të njëjtën situatë.
  8. Nëse një punëtor migrant ose një anëtar i familjes së tij ose të saj ndalohet për qëllimin e verifikimit të një shkeljeje të dispozitave që kanë të bëjnë me migrimin, ai ose ajo nuk paguan asnjë shpenzim që lind prej kësaj.

Neni 18

  1. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtën e barazisë me shtetasit e shtetit përkatës para gjykatave dhe tribunaleve. Në përcaktimin e çdo akuze penale kundër tyre apo të të drejtave dhe detyrimeve të tyre në një gjykim, ata kanë të drejtën e gjykimit të drejtë dhe me dyer të hapura nga një gjykatë kompetente, e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj.
  2. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre që akuzohen për një vepër penale, kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre në pajtim me ligjin.
  3. Në përcaktimin e çdo akuze penale kundër tyre, punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtë për garancitë minimale të mëposhtme:
  4. a) Të informohen menjëherë dhe në detaje, në një gjuhë që e kuptojnë, në lidhje me natyrën dhe shkakun e akuzës kundër tyre;
  5. b) Të kenë kohë dhe mjete të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes së tyre dhe të komunikojnë me një avokat, sipas zgjedhjes së tyre;
  6. c) Të gjykohen pa vonesa të panevojshme;
  7. d) Të gjykohen në prani të tyre dhe të mbrohen personalisht ose nëpërmjet ndihmës ligjore sipas zgjedhjes së tyre; të informohen, nëse ata nuk kanë ndihmë ligjore në lidhje me këtë të drejtë të tyre; dhe t’u jepet ndihmë ligjore në çdo rast, nëse interesat e drejtësisë e kërkojnë këtë dhe pa pagesë nga ana e tyre në çdo rast, nëse nuk kanë mjete të mjaftueshme për të paguar;
  8. e) Të pyesin vetë ose me përfaqësues dëshmitarët kundër tyre dhe të sigurojnë praninë dhe pyetjen e dëshmitarëve në favor të tyre në të njëjtat kushte, si dhe dëshmitarët kundër tyre;
  9. f) të kenë asistencën pa pagesë të një përkthyesi, nëse nuk mund të kuptojnë apo flasin gjuhën e përdorur në gjykatë;
  10. g) Të mos detyrohen të dëshmojnë kundër vetës së tyre ose të pranojnë fajin.
  11. Në rastin e personave të mitur, procedura do të jetë e tillë që të marrë parasysh moshën e tyre dhe dëshirën për nxitjen e rehabilitimit të tyre.
  12. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre të fajësuar për një krim, kanë të drejtën që fajësia dhe vendimi i tyre të rishikohet nga një gjykatë më e lartë në pajtim me ligjin.
  13. Nëse një punëtor migrant ose një anëtar i familjes së tij ose të saj fajësohet me një vendim të formës së prerë për një vepër penale dhe që më vonë fajësimi i tij ose i saj anulohet apo ai ose ajo falet për shkak se një fakt i zbuluar rishtas tregon në mënyrë bindëse që ka pasur keqadministrim të drejtësisë, personi që ka vuajtur dënimin si rezultat i këtij fajësimi, kompensohet në pajtim me ligjin, përveç rastit kur provohet që mostregimi i një fakti të panjohur në kohë i atribuohet pjesërisht ose plotësisht atij personi.
  14. Asnjë punëtor migrant ose anëtar i familjes së tij apo të saj nuk është i detyruar të gjykohet ose dënohet përsëri për një vepër penale, për të cilën ai ose ajo shpallen fajtorë me vendim të formës së prerë apo i është dhënë pafajësia në pajtim me ligjin dhe procedurën penale të shtetit përkatës.

Neni 19

  1. Asnjë punëtor migrant ose anëtar i familjes së tij ose të saj nuk dënohet për një vepër penale për shkak të një veprimi apo mosveprimi që nuk përbënte vepër penale në bazë të së drejtës së brendshme dhe ndërkombëtare në kohën kur është kryer vepra penale dhe atij nuk mund t’i caktohet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në momentin që është kryer. Nëse pas kryerjes së veprës penale, në ligj futet një dispozitë për caktimin e një dënimi më të lehtë, ai ose ajo përfiton nga kjo.
  2. Konsideratat humanitare mbi statusin e punëtorit migrant, veçanërisht në lidhje me të drejtën e tij ose të saj për vendqëndrim ose punë, duhet të merren parasysh në caktimin e dënimit për një vepër penale të kryer nga një punëtor migrant ose një anëtar i familjes së tij ose të saj.

Neni 20

  1. Asnjë punëtor migrant ose anëtar i familjes së tij ose të saj nuk burgoset thjesht për shkak të mospërmbushjes së një detyrimi kontraktual.
  2. Asnjë punëtori migrant apo anëtari të familjes së tij ose të saj nuk i hiqet autorizimi i tij ose i saj për vendqëndrim apo leje të punës, apo të dëbohet thjesht për shkak të mospërmbushjes së një detyrimi që rrjedh nga një kontratë pune, përveç rasteve kur përmbushja e këtij detyrimi përbën kusht për këtë autorizim ose leje.

Neni 21

Është e paligjshme për këdo, përveç një nëpunësi publik të autorizuar rregullisht nga ligji, të konfiskojë, prishë apo të përpiqet të prishë dokumentet e identitetit, dokumentet e autorizimit të hyrjes apo qëndrimit, vendqëndrimit apo vendosjes në territorin kombëtar apo lejet e punës. Asnjë konfiskim i autorizuar i këtyre dokumenteve nuk kryhet pa dorëzimin e një raporti të detajuar. Nuk lejohet në asnjë rast prishja e pasaportës ose dokumentit të barazvlefshëm të një punëtori migrant ose një anëtari të familjes së tij ose të saj.

Neni 22

  1. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre nuk u nënshtrohen masave të dëbimit kolektiv. Çdo rast dëbimi shqyrtohet dhe vendoset individualisht.
  2. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre mund të dëbohen nga territori i një Shteti Palë, vetëm sipas një vendimi të marrë nga autoriteti kompetent në pajtim me ligjin.
  3. Vendimi u komunikohet atyre në një gjuhë, që ata e kuptojnë. Me kërkesën e tyre, nëse nuk është e detyrueshme ndryshe, vendimi u komunikohet atyre me shkrim dhe nëse nuk ekzistojnë rrethana të veçanta që prekin sigurinë kombëtare, deklarohet gjithashtu edhe arsyetimi i vendimit. Personat e interesuar informohen në lidhje me këto të drejta para ose jo më vonë se në momentin që jepet vendimi.
  4. Përveç rastit kur një vendim i formës së prerë është dhënë nga një organ gjyqësor, personi i interesuar ka të drejtën të japë arsyen se pse ai ose ajo nuk duhet të dëbohet dhe që çështja e tij ose e saj të rishikohet nga një organ kompetent, përveç kur arsye detyruese të sigurisë kombëtare e kërkojnë ndryshe. Në pritje të këtij rishikimi, personi përkatës ka të drejtën të kërkojë pezullimin e vendimit të dëbimit.
  5. Nëse një vendim dëbimi që është ekzekutuar anulohet më vonë, personi i interesuar ka të drejtën të kërkojë kompensim në pajtim me ligjin dhe vendimi i mëparshëm nuk përdoret për ta ndaluar atë për të rihyrë në shtetin përkatës.
  6. Në rastin e dëbimit, personi i interesuar ka një mundësi të arsyeshme që para ose pas largimit, të përmbushë të gjitha pretendimet për pagën ose të drejta të tjera që i takojnë atij ose asaj dhe çdo detyrim të pazgjidhur.
  7. Pa cenuar ekzekutimin e një vendimi dëbimi, një punëtor migrant ose anëtar i familjes së tij ose të saj që i nënshtrohet një vendimi të tillë, mund të kërkojë të hyjë në një shtet të ndryshëm nga shteti i tij ose i saj i origjinës.
  8. Në rastin e dëbimit të një punëtori migrant ose të një anëtari të familjes së tij ose të saj, shpenzimet e dëbimit mbulohen prej tij ose saj. Personit të interesuar mund t’i kërkohet të paguajë shpenzimet e tij ose të saj të udhëtimit.
  9. Dëbimi nga shteti i punësimit si i tillë, nuk cenon asnjë të drejtë të punëtorit migrant ose një anëtari të familjes së tij ose të saj, të fituar në pajtim me ligjin e atij shteti, duke përfshirë të drejtën për marrjen e pagës dhe përfitimeve të tjera që i takojnë atij ose asaj.

Neni 23

Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtë të përfitojnë mbrojtjen dhe asistencën e autoriteteve konsullore dhe diplomatike të shtetit të tyre të origjinës ose të një shteti që përfaqëson interesat e atij shteti, kurdoherë që cenohen të drejtat e njohura në këtë Konventë. Veçanërisht në rastin e dëbimit, personi i interesuar informohet në lidhje me këtë të drejtë pa vonesë dhe autoritetet e shtetit dëbues ndihmojnë në ushtrimin e kësaj të drejte.

Neni 24

Çdo punëtor migrant dhe çdo anëtar i familjes së tij ose të saj ka të drejtën e njohjes, kurdoherë, si person para ligjit.

Neni 25

  1. Punëtorët migrantë gëzojnë trajtim jo më pak të favorshëm se ai që zbatohet për shtetasit e shtetit të punësimit në lidhje me shpërblimin dhe:
  2. a) kushte të tjera pune, d.m.th. orët e punës shtesë, orët e punës, pushimi javor, pushimet me pagesë, siguria, shëndeti, përfundimi i marrëdhënies së punësimit dhe kushte të tjera pune që në bazë të ligjit dhe praktikës së brendshme, mbulohen nga këto kushte;
  3. b) kushte të tjera punësimi, d.m.th. mosha minimale e punësimit, kufizimi për punën në shtëpi dhe çdo çështje tjetër që, në bazë të ligjit dhe praktikës së brendshme, konsiderohen si kushte punësimi.
  4. Nuk është e ligjshme që në kontratat private të punësimit të devijohet nga parimi i barazisë së trajtimit, të përmendur në paragrafin 1 të këtij neni.
  5. Shtetet Palë marrin masat e duhura për të siguruar që punëtorët migrantë të mos privohen nga asnjë e drejtë që rrjedh nga ky parim për shkak të ndonjë parregullsie në qëndrimin apo punësimin e tyre. Veçanërisht, punëmarrësit nuk lirohen nga asnjë detyrim ligjor apo kontraktual dhe as detyrimet e tyre nuk kufizohen në asnjë mënyrë për shkak të kësaj parregullsie.

Neni 26

  1. Shtetet Palë njohin të drejtën e punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre:
  2. a) Të marrin pjesë në mbledhje dhe aktivitete të bashkimeve profesionale dhe gjithë shoqatave të tjera në pajtim me ligjin, me qëllim mbrojtjen e interesave të tyre ekonomike, shoqërore, kulturore dhe të tjera, duke iu nënshtruar vetëm rregullave të organizatës përkatëse;
  3. b) Të anëtarësohen lirisht në çdo bashkim profesional dhe çdo organizatë të sipërpërmendur, duke iu nënshtruar vetëm rregullave të organizatës përkatëse;
  4. c) Të kërkojë ndihmë dhe asistencë nga çdo bashkim profesional dhe çdo organizatë e sipërpërmendur.
  5. Asnjë kufizim nuk mund të vendoset mbi ushtrimin e këtyre të drejtave, të ndryshme nga ato që parashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë kombëtare, rendit publik (ordre public) ose mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Neni 27

  1. Në lidhje me sigurimet shoqërore, punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre gëzojnë në shtetin e punësimit të njëjtin trajtim që u jepet shtetasve, në masën që ata përmbushin kërkesat e parashikuara nga legjislacioni i zbatueshëm i atij shteti dhe marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe të zbatueshme. Organet kompetente të shtetit të origjinës dhe të shtetit të punësimit në çdo kohë mund të marrin masat e nevojshme për të përcaktuar modalitetet e zbatimit të kësaj norme.
  2. Nëse legjislacioni i zbatueshëm nuk u lejon një privilegj punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre, shtetet e interesuara shqyrtojnë mundësinë e rimbursimit të personave të interesuar të shumës së kontributeve të dhëna prej tyre në lidhje me atë privilegj, mbi bazën e trajtimit të dhënë shtetasve që janë në rrethana të ngjashme.

Neni 28

Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtën të përfitojnë çdo kujdes mjekësor që kërkohet urgjentisht për ruajtjen e jetës së tyre ose shmangien e dëmit të pariparueshëm për shëndetin e tyre, mbi bazën e barazisë së trajtimit me shtetasit e shtetit përkatës. Ky kujdes mjekësor urgjent nuk u refuzohet atyre mbi bazën e ndonjë parregullsie në lidhje me qëndrimin apo punësimin.

Neni 29

Çdo fëmijë i një punëtori migrant ka të drejtën e emrit, regjistrimit të lindjes dhe të një shtetësie.

Neni 30

Çdo fëmijë i një punëtori migrant ka të drejtën bazë të arsimimit, mbi bazën e barazisë së trajtimit me shtetasit e shtetit përkatës. E drejta për në institucionet edukative parashkollore ose shkolla nuk i refuzohet apo kufizohet për shkak të gjendjes së parregullt në lidhje me qëndrimin ose punësimin të njërit prej prindërve apo për shkak të parregullsisë së qëndrimit të fëmijës në shtetin e punësimit.

Neni 31

  1. Shtetet Palë sigurojnë respekt për identitetin kulturor të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre dhe nuk i ndalojnë ata në mbajtjen e lidhjeve kulturore me shtetin e tyre të origjinës.
  2. Shtetet Palë mund të marrin masa të përshtatshme për të asistuar dhe nxitur përpjekjet në këtë aspekt.

Neni 32

Me përfundimin e qëndrimit të tyre në shtetin e punësimit, punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtën e transferimit të të ardhurave dhe kursimeve të tyre dhe në pajtim me legjislacionin e zbatueshëm në shtetet përkatës, edhe sendet dhe objektet e tyre personale.

Neni 33

  1. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtë të informohen nga shteti i origjinës, shteti i punësimit dhe shteti i transitit, sipas rastit, në lidhje me:
  2. a) të drejtat e tyre që rrjedhin nga kjo Konventë;
  3. b) kushtet e pranimit të tyre, të drejtat dhe detyrimet e tyre në bazë të ligjit dhe praktikës së shtetit përkatës dhe për çështje të tjera që i mundësojnë ata të përmbushin formalitetet administrative dhe të tjera në atë shtet.
  4. Shtetet Palë marrin të gjitha masat që ata i mendojnë të përshtatshme për të shpërndarë informacionin ose për të siguruar që ai jepet nga punëdhënësit, bashkimet profesionale dhe organe apo institucione të tjera përkatëse. Sipas rastit, ata bashkëpunojnë me shtete të tjera të interesuara.
  5. Ky informacion i mjaftueshëm u jepet sipas kërkesës punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre falas dhe për sa të jetë e mundur, në një gjuhë që mund ta kuptojnë.

Neni 34

Asgjë në këtë pjesë të Konventës nuk ka efektin e lirimit të punëtorëve migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre nga detyrimi për të respektuar ligjet dhe rregullat e çdo shteti transiti dhe shteti punësimi apo për të përmbushur detyrimet në lidhje me respektimin e identitetit kulturor të banorëve të këtyre shteteve.

Neni 35

Asgjë në këtë pjesë të Konventës nuk interpretohet sikur tregon rirregullimin e situatës së punëtorëve migrantë ose anëtarëve të familjeve të tyre që janë pa dokumente ose në një situatë të parregullt apo një të drejtë për një rirregullim të situatës së tyre apo sikur cenon masat e synuara për të siguruar kushtet e qëndrueshme dhe të pranueshme për migrimin ndërkombëtar sipas parashikimit në pjesën VI të kësaj Konvente.

PJESA IV

TË DREJTA TË TJERA TË PUNËTORËVE MIGRANTË DHE ANËTARËVE TË FAMILJEVE TË TYRE QË JANË ME DOKUMENTE OSE NË NJË SITUATË TË RREGULLT

Neni 36

Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre që janë me dokumente ose në një situatë të rregullt në shtetin e punësimit, gëzojnë të drejtat e parashikuara në këtë pjesë të Konventës, përveç atyre të parashikuara në pjesën III.

Neni 37

Para largimit të tyre ose jo më vonë se në kohën e pranimit të tyre në Shtetin e punësimit, punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtën të informohen plotësisht nga shteti i origjinës ose shteti i punësimit, sipas rastit, për të gjitha kushtet e zbatueshme për pranimin e tyre dhe veçanërisht ato që kanë të bëjnë me qëndrimin e tyre dhe aktivitetet fitimprurëse ku ata mund të përfshihen, si dhe të kërkesave që duhet të përmbushin në shtetin e punësimit dhe autoritetin të cilit ata duhet t’i drejtohen për ndonjë ndryshim të këtyre kushteve.

Neni 38

  1. Shtetet e punësimit bëjnë të gjitha përpjekjet për të autorizuar punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre për t’u larguar përkohësisht, pa pasur ndikim për autorizimin e tyre të qëndrimit dhe punës, sipas rastit. Për këtë, shtetet e punësimit marrin parasysh nevojat dhe detyrimet e veçanta të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre, veçanërisht në shtetin e tyre të origjinës.
  2. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtë të informohen plotësisht në lidhje me kushtet në të cilat autorizohen këto leje të përkohshme.

Neni 39

  1. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtën e lirisë së lëvizjes në territorin e shtetit të punësimit dhe lirinë për të zgjedhur vendbanimin e tyre atje.
  2. Të drejtat e përmendura në paragrafin 1 të këtij neni nuk u nënshtrohen asnjë kufizimi, përveç atyre të parashikuara me ligj, që janë të nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare, rendin publik (ordre public), shëndetin dhe moralin publik ose të drejtat dhe liritë e të tjerëve dhe që janë të pajtim me të drejtat e tjera që njihen nga kjo Konventë.

Neni 40

  1. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtën të formojnë shoqata dhe bashkime profesionale në shtetin e punësimit për nxitjen dhe mbrojtjen e interesave të tyre ekonomike, shoqërore, kulturore dhe të tjera.
  2. Asnjë kufizim nuk mund të vendoset në ushtrimin e kësaj të drejte, përveç atyre të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë kombëtare, rendit publik (ordre public) ose mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Neni 41

  1. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtë të marrin pjesë në çështjet publike të shtetit të tyre të origjinës dhe të votojnë dhe të zgjidhen në zgjedhjet e atij Shteti, në pajtim me legjislacionin e tij.
  2. Shtetet përkatëse, sipas rastit dhe në pajtim me legjislacionin e tyre, lehtësojnë ushtrimin e këtyre të drejtave.

Neni 42

  1. Shtetet Palë shqyrtojnë ngritjen e procedurave dhe institucioneve, nëpërmjet të cilave si në shtetin e origjinës, ashtu edhe në shtetin e punësimit, merren parasysh nevojat e veçanta, aspiratat dhe detyrimet e punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre dhe parashikojnë, sipas rastit, mundësinë për punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre të kenë përfaqësuesit e zgjedhur lirisht në këto institucione.
  2. Shtetet e punësimit lehtësojnë, në pajtim me legjislacionin e tyre të brendshëm, konsultimin ose pjesëmarrjen e punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre në vendimet në lidhje me jetën dhe administrimin e komuniteteve lokale.
  3. Punëtorët migrantë mund të gëzojnë të drejta politike në shtetin e punësimit nëse ky shtet, në ushtrim të sovranitetit të tij, ua jep këto të drejta.

Neni 43

  1. Punëtorët migrantë gëzojnë barazi në trajtim me shtetasit e shtetit të punësimit në lidhje me:
  2. a) të drejtën për në institucionet dhe shërbimet arsimore që u nënshtrohen kërkesave të pranimit dhe rregullave të tjera të institucioneve dhe shërbimeve përkatëse;
  3. b) të drejtën për udhëzim profesional dhe shërbimet e vendosjes;
  4. c) të drejtën për trajnimin profesional dhe mjetet dhe institucionet e trajnimit;
  5. d) të drejtën për strehim, duke përfshirë skemat e strehimit social dhe mbrojtjen nga shfrytëzimi në lidhje me qiranë;
  6. e) të drejtën për shërbimet sociale dhe shëndetësore, me kusht që të përmbushen kërkesat për pjesëmarrje në skemat përkatëse;
  7. f) të drejtën për kooperativa dhe ndërmarrje me vetëmenaxhim, që nuk përbën ndonjë ndryshim në statusin e tyre të migrimit dhe që i nënshtrohet rregullave dhe rregulloreve të organeve përkatëse;
  8. g) të drejtën dhe pjesëmarrjen në jetën kulturore.
  9. Shtetet Palë përmirësojnë kushtet për të siguruar barazinë efektive të trajtimit, për t’u mundësuar punëtorëve migrantë gëzimin e të drejtave të përmendura në paragrafin 1 të këtij neni, kurdoherë që kushtet e qëndrimit të tyre, sipas autorizimit të shtetit të punësimit, përmbushin kërkesat e përshtatshme.
  10. Shtetet e punësimit nuk ndalojnë një punëdhënës të punëtorëve migrantë që krijon mundësi strehimi, sociale dhe kulturore për ta. Në pajtim me nenin 70 të kësaj Konvente, shteti i punësimit mund t’ia nënshtrojë mundësimin e këtyre mjeteve, kërkesave në lidhje me instalimet që zbatohen gjerësisht në atë shtet.

Neni 44

  1. Shtetet Palë, duke njohur që familja është njësia e bashkësisë natyrore dhe themelore e shoqërisë dhe ka të drejtë të mbrohet nga shoqëria dhe shteti, marrin masat e nevojshme për të siguruar mbrojtjen e unitetit të familjes së punëtorëve migrantë.
  2. Shtetet Palë marrin masat që i mendojnë të përshtatshme dhe që futen në kompetencën e tyre, për të lehtësuar ribashkimin e punëtorëve migrantë me bashkëshortët e tyre ose personat që kanë një marrëdhënie të tillë më punëtorin migrant që, në pajtim me ligjin e zbatueshëm, sjellin efekte të njëjta me martesën, si dhe me fëmijët e tyre të mitur të varur dhe të pamartuar.
  3. Shtetet e punësimit, për arsye humanitare, konsiderojnë me zemërgjerësi dhënien e trajtimit të barabartë, sipas parashikimit të paragrafit 2 të këtij neni, anëtarëve të tjerë të familjeve të punëtorëve migrantë.

Neni 45

  1. Anëtarët e familjeve të punëtorëve migrantë gëzojnë në shtetin e punësimit barazi në trajtim me shtetasit e atij shteti, në lidhje me:
  2. a) të drejtën për në institucione dhe shërbime arsimore, në pajtim me kërkesat për pranim dhe rregulla të tjera të institucioneve dhe shërbimeve përkatëse;
  3. b) të drejtën për udhëzim profesional dhe shërbimet e institucioneve të trajnimit, me kusht që të përmbushen kushtet për pjesëmarrje;
  4. c) të drejtën për shërbimet shoqërore dhe shëndetësore, me kusht që të përmbushen kërkesat për pjesëmarrje në skemat përkatëse;
  5. d) të drejtën dhe pjesëmarrjen në jetën kulturore.
  6. Shtetet e punësimit ndjekin një politikë, sipas rastit, në bashkëpunim më Shtetet e origjinës, që synon lehtësimin e integrimit të fëmijëve të punëtorëve migrantë në sistemin shkollor lokal, veçanërisht në lidhje me mësimin atyre të gjuhës vendase.
  7. Shtetet e punësimit përpiqen të lehtësojnë për fëmijët e punëtorëve migrantë mësimin prej tyre të gjuhës dhe kulturës amtare dhe në këtë aspekt, shtetet e origjinës bashkëpunojnë sipas rastit.
  8. Shtetet e punësimit mund të sigurojnë skema të veçanta të arsimimit në gjuhën amtare të fëmijëve të punëtorëve migrantë, nëse është e nevojshme në shtetet e origjinës.

Neni 46

Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre, në pajtim me legjislacionin e zbatueshëm të shteteve përkatëse, si dhe të marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare dhe detyrimeve të shteteve të interesuara që rrjedhin nga pjesëmarrja e tyre në bashkime doganore, gëzojnë përjashtim nga taksat e import eksportit dhe taksat në lidhje me sendet e tyre personale dhe shtëpiake, si dhe pajisjet e nevojshme për t’u përfshirë në aktivitetin fitimprurës për të cilën ata janë pranuar në shtetin e punësimit:

  1. a) me largimin nga shteti i origjinës ose nga shteti i vendqëndrimit fiks;
  2. b) me pranimin fillestar në shtetin e punësimit;
  3. c) me largimin përfundimtar nga shteti i punësimit;
  4. d) me kthimin përfundimtar në shtetin e origjinës ose shtetin e vendqëndrimit fiks.

Neni 47

  1. Punëtorët migrantë kanë të drejtën e transferimit të të ardhurave dhe kursimeve të tyre, veçanërisht të atyre fondeve që janë të nevojshme për mbështetjen e familjeve të tyre, nga shteti i punësimit në shtetin e tyre të origjinës ose çdo shtet tjetër. Këto transferta bëhen në pajtim me procedurat e caktuara nga legjislacioni i zbatueshëm i shtetit përkatës dhe në pajtim me marrëveshjet e zbatueshme ndërkombëtare.
  2. Shtetet e interesuara marrin masat e përshtatshme për të lehtësuar këto transferta.

Neni 48

  1. Pa cenuar marrëveshjet e zbatueshme të taksimit të dyfishtë, punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre, në çështjet e të ardhurave në shtetin e punësimit:
  2. a) nuk detyrohen për taksa, tarifa apo pagesa të çdo lloji, më të larta apo më të rënda se ato që u caktohen shtetasve në rrethana të ngjashme;
  3. b) kanë të drejtë për zbritje ose përjashtime nga taksat e çdo lloji dhe për çdo përfitim nga taksat që zbatohen për shtetasit në rrethana të ngjashme, duke përfshirë përfitimet nga taksat për anëtarët e varur të familjeve të tyre.
  4. Shtetet Palë përpiqen të miratojnë masa të përshtatshme për të shmangur taksimin e dyfishtë të të ardhurave dhe kursimeve të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre.

Neni 49

  1. Nëse autorizime të veçanta për të qëndruar apo për t’u angazhuar në punësim kërkohen nga legjislacioni i brendshëm, shtetet e punësimit u japin punëtorëve migrantë autorizim për qëndrim për të paktën një periudhë kohore sa autorizimi i tyre për t’u angazhuar në një aktivitet fitimprurës.
  2. Punëtorët migrantë që në shtetin e punësimit lejohen të zgjedhin lirisht aktivitetin e tyre fitimprurës, nuk konsiderohen të jenë në një situatë të parregullt dhe nuk e humbin autorizimin e qëndrimit para faktit të përfundimit të aktivitetit të tyre fitimprurës, para skadimit të lejes së tyre të punës apo autorizimeve të ngjashme.
  3. Me qëllim që punëtorët migrantë të përmendur në paragrafin 2 të këtij neni, të lejohen të kenë kohë të mjaftueshme për të gjetur aktivitete alternative fitimprurëse, autorizimi i qëndrimit nuk tërhiqet të paktën për një periudhë që përputhet me atë gjatë së cilës ata mund të kenë të drejtën e përfitimit të papunësisë.

Neni 50

  1. Në rastin e vdekjes së një punëtori migrant apo prishjes së martesës, shteti i punësimit konsideron me zemërgjerësi dhënien anëtarëve të familjes së atij punëtori migrant që ka qëndruar në atë shtet mbi bazën e ribashkimit familjar, të një autorizimi për qëndrim; shteti i punësimit merr parasysh kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre në atë shtet.
  2. Anëtarët e familjes të cilëve nuk u jepet ky autorizim, u mundësohet para largimit një periudhë e arsyeshme kohore, me qëllim që të zgjidhin problemet në shtetin e punësimit.
  3. Dispozitat e paragrafëve 1 dhe 2 të këtij neni nuk mund të interpretohen sikur ndikojnë negativisht në ndonjë të drejtë qëndrimi apo pune që u është dhënë këtyre anëtarëve të familjes nga legjislacioni i shtetit të punësimit nga marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe, të cilat zbatohen në atë shtet.

Neni 51

Punëtorët migrantë që në shtetin e punësimit nuk lejohen të zgjedhin lirisht aktivitetin e tyre fitimprurës, nuk konsiderohen sikur janë në një situatë të parregullt dhe nuk e humbin autorizimin e tyre të vendqëndrimit nga thjesht fakti i përfundimit të aktivitetit fitimprurës para skadimit të lejes së tyre të punës, përveç kur autorizimi i vendqëndrimit varet shprehimisht nga një aktivitet specifik fitimprurës për të cilin ata janë pranuar. Këta punëtorë migrantë kanë të drejtën të kërkojnë punësim alternativ, pjesëmarrje në skemat e punëve publike dhe trajnim gjatë periudhës së mbetur të autorizimit të tyre për punë, në pajtim me kushtet dhe kufizimet që përcaktohen në autorizimin për punë.

Neni 52

  1. Punëtorët migrantë në shtetin e punësimit kanë të drejtë të zgjedhin lirisht aktivitetin e tyre të punësimit, në pajtim me kushtet dhe kufizimet e mëposhtme.
  2. Për çdo punëtor migrant shteti i punësimit mund:
  3. a) të kufizojë të drejtën për kategori të ndryshme të punësimit, funksioneve, shërbimeve ose aktiviteteve nëse kjo është e nevojshme në interes të shtetit dhe parashikohet nga legjislacioni i brendshëm;
  4. b) të kufizojë zgjedhjen e lirë të aktivitetit fitimprurës në pajtim me legjislacionin e tij, në lidhje me njohjen e kualifikimeve profesionale të përftuara jashtë territorit të tij. Megjithatë, Shtetet Palë të interesuara përpiqen për të parashikuar njohjen e këtyre kualifikimeve.
  5. Për punëtorët migrantë, leja e të cilëve për të punuar është e kufizuar në kohë, shteti i punësimit gjithashtu:
  6. a) mund të kushtëzojë të drejtën për të zgjedhur lirisht aktivitetin e tyre fitimprurës që punëtori migrant të ketë pasur vendqëndrim të ligjshëm në territorin e tij për qëllimin e aktivitetit fitimprurës për një periudhë kohe të parashikuar në legjislacionin e brendshëm, e cila nuk duhet të kaloje dy vjet;
  7. b) mund të kufizojë të drejtën e punëtorit migrant për aktivitetin fitimprurës në pajtim me një politikë të dhënies prioritet shtetasve të vet ose personave që janë përqasur tek ta për këtë qëllim, me anë të legjislacionit ose marrëveshjeve dypalëshe apo shumëpalëshe. Çdo kufizim i tillë pushon së zbatuari për një punëtor migrant që ka qëndruar ligjërisht në territorin e tij për qëllimin e aktivitetit fitimprurës, për një periudhë kohe të parashikuar në legjislacionin e tij të brendshëm, e cila nuk duhet të kalojë pesë vjet.
  8. Shtetet e punësimit përcaktojnë kushtet në të cilat një punëtor migrant që është pranuar për t’u punësuar, mund të autorizohet të angazhohet në punë për llogari të vet. Merret parasysh periudha e kohës gjatë së cilës punëtori ka qëndruar ligjërisht në shtetin e punësimit.

Neni 53

  1. Anëtarët e një familjeje të një punëtori migrant që kanë vetë një autorizim qëndrimi ose pranimi, që është pa afat kohor apo është automatikisht i rinovueshëm, lejohen të zgjedhin lirisht aktivitetin e tyre fitimprurës në të njëjtat kushte që zbatohen për këtë punëtor migrant në pajtim me nenin 52 të kësaj Konvente.
  2. Në lidhje me anëtarët e një familjeje të një punëtori migrant që nuk lejohen të zgjedhin lirisht aktivitetin e tyre të punësimit, Shtetet Palë konsiderojnë me zemërgjerësi dhënien prioritet atyre në marrjen e lejes për t’u angazhuar në një aktivitet fitimprurës kundrejt punëtorëve të tjerë që kërkojnë për t’u pranuar në shtetin e punësimit, në pajtim me marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe të zbatueshme.

Neni 54

  1. Pa cenuar kushtet e autorizimit të tyre për qëndrim ose lejen e tyre për punë dhe të drejtat e parashikuara në nenet 25 dhe 27 të kësaj Konvente, punëtorët migrantë gëzojnë barazi në trajtim me shtetasit e shtetit të punësimit në lidhje me:
  2. a) mbrojtjen ndaj pushimit nga puna;
  3. b) përfitimet e papunësisë;
  4. c) të drejtën për në skemat publike të punës që synojnë të luftojnë papunësinë;
  5. d) të drejtën për punësim alternativ në rastin e humbjes së punës apo përfundimit të një aktiviteti tjetër fitimprurës, në pajtim me nenin 52 të kësaj Konvente.
  6. Nëse një punëtor migrant pretendon që kushtet e kontratës së tij të punës janë shkelur nga punëdhënësi i tij ose i saj, ai ose ajo do të ketë të drejtën t’ua paraqesë çështjen e tij ose të saj autoriteteve kompetente të shtetit të punësimit, në kushtet e parashikuara në nenin 18 paragrafi 1 të kësaj Konvente.

Neni 55

Punëtorët migrantë që kanë marrë leje për t’u përfshirë në një aktivitet fitimprurës, në pajtim me kushtet që shoqërojnë këtë leje, kanë të drejtën e barazisë në trajtim me shtetasit e shtetit të punësimit në ushtrimin e atij aktiviteti fitimprurës.

Neni 56

  1. Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre të përmendur në këtë pjesë të Konventës, nuk mund të dëbohen nga shteti i punësimit, përveçse për arsyet e parashikuara në legjislacionin vendas të atij shteti dhe në pajtim me garancitë e parashikuara në pjesën III.
  2. Dëbimi nuk kryhet me qëllimin e privimit të një punëtori migrant apo anëtari të familjes së tij apo të saj nga të drejtat që rrjedhin nga autorizimi i qëndrimit dhe leja e punës.
  3. Gjatë shqyrtimit nëse duhet dëbuar një punëtor migrant ose një anëtar i familjes së tij ose të saj, duhet të merren parasysh konsideratat humanitare dhe kohëzgjatja e qëndrimit të personit të interesuar në shtetin e punësimit.

PJESA V

DISPOZITAT E ZBATUESHME PËR KATEGORI TË VEÇANTA TË PUNËTORËVE MIGRANTË DHE ANËTARËVE TË FAMILJEVE TË TYRE

Neni 57

Kategoritë e veçanta të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre, të përcaktuara në këtë pjesë të Konventës, që janë të pajisur me dokumente dhe që ndodhen në një situatë të rregullt, gëzojnë të drejtat e parashikuara në pjesën III dhe, nëse nuk modifikohen më poshtë, të drejtat e parashikuara në pjesën IV.

Neni 58

  1. Punëtorët kufitarë, sipas përkufizimit të nenit 2 paragrafi 2 (a) të kësaj Konvente, gëzojnë të drejtat e parashikuara në pjesën IV, të cilat mund të ushtrohen prej tyre për shkak të pranisë dhe punës së tyre në territorin e shtetit të punësimit, duke marrë parasysh që ata nuk e kanë vendqëndrimin fiks në atë shtet.
  2. Shtetet e punësimit shqyrtojnë me zemërgjerësi dhënien për punëtorët kufitarë të së drejtës për të zgjedhur lirisht aktivitetin e tyre fitimprurës pas një periudhe të përcaktuar kohe. Dhënia e kësaj të drejte nuk cenon statusin e tyre si punëtorë kufitarë.

Neni 59

  1. Punëtorët sezonalë, sipas përkufizimit të nenit 2 paragrafi 2 (b) të kësaj Konvente, gëzojnë të drejtat e parashikuara në pjesën IV që mund të ushtrohen prej tyre për shkak të pranisë dhe punës së tyre në territorin e shtetit të punësimit dhe që janë në pajtim me statusin e tyre në atë shtet si punëtorë sezonalë, duke marrë parasysh faktin që ata janë të pranishëm në atë shtet për vetëm një pjesë të vitit.
  2. Shteti i punësimit, në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni, shqyrtojnë dhënien për punëtorët sezonalë që kanë qenë punësuar në territorin e tij për një periudhë kohe të konsiderueshme, të mundësisë së fillimit të aktiviteteve të tjera fitimprurëse dhe prioritizimit të tyre kundrejt punëtorëve të tjerë që kërkojnë të pranohen në atë shtet, në pajtim me marrëveshjet e zbatueshme dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Neni 60

Punëtorët shëtitës, sipas përkufizimit në nenit 2 paragrafi 2 (e) të kësaj Konvente, gëzojnë të drejtat e parashikuara në pjesën IV, të cilat mund t’u jepet atyre për shkak të pranisë dhe punës së tyre në territorin e shtetit të punësimit dhe që janë në pajtim me statusin e tyre si punëtorë shëtitës në atë shtet.

Neni 61

  1. Punëtorët e projekteve, sipas përkufizimit të nenit 2 paragrafi 2 (f) të kësaj Konvente, dhe anëtarët e familjeve të tyre gëzojnë të drejtat e parashikuara në pjesën IV, përveç dispozitave të nenit 43 paragrafi 1 (b) dhe (c), nenit 43 paragrafi 1 (d), pasi kjo ka të bëjë më skemat e strehimit social, nenit 45 paragrafi 1 (b), dhe neneve 52 deri 55.
  2. Nëse një punëtor projekti pretendon që kushtet e kontratës së tij të punësimit janë shkelur nga punëdhënësi i tij ose i saj, ai ose ajo ka të drejtën t’ua paraqesë çështjet e tij ose të saj autoriteteve kompetente të shtetit që ka juridiksion mbi atë punëdhënës, në kushtet e parashikuara në nenin 18 paragrafi 1 të kësaj Konvente.
  3. Në pajtim me marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe në fuqi për ta, Shtetet Palë të interesuara përpiqen t’u mundësojnë punëtorëve të projekteve të mbeten të mbrojtur në mënyrë të përshtatshme nga sistemet e siguracioneve të shteteve të tyre të origjinës apo të qëndrimit të tyre fiks gjatë angazhimit të tyre në projekt. Shtetet Palë të interesuara marrin masat e përshtatshme, me qëllim shmangien e mohimit të të drejtave apo dyfishimit të pagesave në këtë kontekst.
  4. Pa cenuar dispozitat e nenit 47 të kësaj Konvente dhe marrëveshjet përkatëse dypalëshe dhe shumëpalëshe, Shtetet Palë të interesuara lejojnë pagesën e të ardhurave të punëtorëve të projekteve në shtetin e tyre të origjinës apo të vendbanimit të tyre fiks.

Neni 62

  1. Punëtorët me punësim të specifikuar sipas përkufizimit të nenit 2 paragrafi 2 (g) të kësaj Konvente, gëzojnë të drejtat e parashikuara në pjesën IV, përveç dispozitave të nenit 43, paragrafi 1 (b) dhe (c), nenit 43 paragrafi 1 (d), pasi ky ka të bëjë me skemat e strehimit social, nenit 52 dhe nenit 54 paragrafi 1 (d).
  2. Anëtarët e familjeve të punëtorëve me punësim të specifikuar gëzojnë të drejtat që kanë të bëjnë me anëtarët e familjeve të punëtorëve migrantë, të parashikuara në pjesën IV të kësaj Konvente, përveç dispozitave të nenit 53.

Neni 63

  1. Punëtorët e vetëpunësuar, sipas përkufizimit të nenit 2 paragrafi 2 (h) të kësaj Konvente, gëzojnë të drejtat e parashikuara në pjesën IV, përveç atyre të drejtave që janë ekskluzivisht të zbatueshme për punëtorët që kanë një kontratë punësimi.
  2. Pa cenuar nenet 52 dhe 79 të kësaj Konvente, pushimi i aktivitetit ekonomik të punëtorëve të vetëpunësuar nuk do të thotë në vetvete tërheqje e autorizimit për ta apo për anëtarët e familjeve të tyre për të qëndruar apo për t’u angazhuar në një aktivitet fitimprurës në shtetin e punësimit, përveç rastit kur autorizimi i qëndrimit varet shprehimisht nga aktiviteti i veçantë fitimprurës për të cilin ata janë pranuar.

PJESA VI

NXITJA E KUSHTEVE TË QËNDRUESHME, TË PËRSHTATSHME, HUMANE DHE TË LIGJSHME NË LIDHJE ME MIGRIMIN NDËRKOMBËTAR TË PUNËTORËVE DHE ANËTARËVE TË FAMILJEVE TË TYRE

Neni 64

  1. Pa cenuar nenin 79 të kësaj Konvente, Shtetet Palë të interesuara, sipas rastit, konsultohen dhe bashkëpunojnë me qëllim nxitjen e kushteve të qëndrueshme, të përshtatshme dhe humane në lidhje me migrimin ndërkombëtar të punëtorëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre.
  2. Në këtë aspekt, rëndësi do t’i kushtohet jo vetëm nevojave dhe burimeve, por edhe nevojave shoqërore, ekonomike, kulturore dhe të tjera të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre të përfshirë, si dhe pasojave të këtij migrimi për komunitetet përkatëse.

Neni 65

  1. Shtetet Palë administrojnë shërbime të përshtatshme për të trajtuar çështjet në lidhje me migrimin ndërkombëtar të punëtorëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre. Funksioni i tyre, ndër të tjera, përfshin:
  2. a) formulimin dhe zbatimin e politikave në lidhje me këtë migrim;
  3. b) një shkëmbim informacioni, konsultimi dhe bashkëpunimi me autoritetet kompetente të Shteteve të tjera Palë të përfshira në këtë migrim;
  4. c) dhënien e informacionit të përshtatshëm, veçanërisht për punëdhënësit, punëtorët dhe organizatat e tyre në lidhje me politikat, ligjet dhe rregulloret mbi migrimin dhe punësimin, mbi marrëveshjet e lidhura me shtetet e tjera në lidhje me migrimin dhe çështjet e tjera përkatëse;
  5. d) dhënien e informacionit dhe asistencës së përshtatshme për punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre në lidhje me autorizimet, formalitetet dhe masat e nevojshme për largimin, udhëtimin, mbërritjen, qëndrimin, aktivitetet fitimprurëse, daljen, kthimin, si dhe mbi kushtet e punës dhe jetesës në shtetin e punësimit dhe mbi doganat, valutën, taksat dhe ligjet ose rregulloret e tjera përkatëse.
  6. Shtetet Palë lehtësojnë, sipas rastit, dhënien e shërbimeve të përshtatshme konsullore dhe të tjera që janë të nevojshme për të përmbushur nevojat shoqërore, kulturore dhe të tjera të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre.

Neni 66

  1. Në pajtim me paragrafin 2 të këtij neni, e drejta për të ndërmarrë veprime me qëllim që të rekrutohen punëtorët për punësim në një shtet tjetër, kufizohet në:
  2. a) shërbimet ose organet publike të shtetit në të cilin kryhen këto veprime;
  3. b) shërbimet ose organet publike të shtetit të punësimit, mbi bazën e marrëveshjes ndërmjet shteteve të interesuara;
  4. c) një organ i ngritur në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare.
  5. Në pajtim me një autorizim, miratim apo mbikëqyrje nga organet publike të Shteteve Palë të interesuara sipas parashikimit, në pajtim me legjislacionin dhe praktikën e atyre shteteve, agjencitë, punëdhënësit e mundshëm dhe personat që veprojnë në emër të tyre, mund të lejohen të ndërmarrin këto veprime.

Neni 67

  1. Shtetet Palë të interesuara bashkëpunojnë, sipas rastit, për miratimin e masave në lidhje me kthimin e rregullt të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre në shtetin e origjinës, nëse ata vendosin të kthehen ose autorizimi i vendqëndrimit ose punësimit të tyre skadon ose nëse ndodhen në shtetin e punësimit në një situatë të parregullt.
  2. Në lidhje me punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre në një situatë të rregullt, Shtetet Palë të interesuara bashkëpunojnë, sipas rastit, sipas kushteve të rëna dakord nga ato shtete, me qëllim nxitjen e kushteve të përshtatshme ekonomike për rivendosjen e tyre dhe për të lehtësuar riintegrimin e qëndrueshëm shoqëror dhe kulturor të tyre në shtetin e origjinës.

Neni 68

  1. Shtetet Palë, duke përfshirë shtetet e transitit, bashkëpunojnë me qëllim parandalimin dhe eliminimin e lëvizjeve dhe punësimit të paligjshëm dhe klandestin të punëtorëve migrantë në një situatë të parregullt. Masat që duhen marrë për këtë qëllim brenda juridiksionit të secilit Shtet përkatës, përfshijnë:
  2. a) masat e përshtatshme kundër shpërndarjes së informacionit dizinformues në lidhje me emigrimin dhe imigrimin;
  3. b) masat për të zbuluar dhe zhdukur lëvizjet e paligjshme dhe klandestine të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre dhe për të vënë ato sanksione të efektshme mbi personat, grupet ose subjektet që organizojnë, operojnë ose asistojnë në organizimin dhe operimin e këtyre lëvizjeve;
  4. c) masat për të vënë sanksione të efektshme mbi personat, grupet apo subjektet që përdorin dhunën, kërcënimin ose frikësimin kundër punëtorëve migrantë apo anëtarëve të familjeve të tyre në një situatë të parregullt.
  5. Shtetet e punësimit marrin të gjitha masat e përshtatshme dhe të efektshme për të eliminuar punësimin në territorin e tyre të punëtorëve migrantë në një situatë të parregullt, duke përfshirë, sipas rastit, sanksionet mbi punëdhënësit e këtyre punëtorëve. Të drejtat e punëtorëve migrantë kundrejt punëdhënësit të tyre që rrjedhin nga punësimi, nuk cenohen nga këto masa.

Neni 69

  1. Shtetet Palë, nëse në territorin e tyre ka punëtorë migrantë dhe anëtarë të familjeve të tyre në një gjendje të parregullt, marrin masa të përshtatshme për të siguruar që një situatë e tillë të mos vazhdojë.
  2. Kurdoherë që Shtetet Palë të interesuara shqyrtojnë mundësinë e rregullimit të situatës së këtyre personave në pajtim me legjislacionin e brendshëm të zbatueshëm dhe marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe, u kushtohet rëndësia e duhur rrethanave të hyrjes, kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në shtetet e punësimit dhe konsiderata të tjera përkatëse, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me gjendjen e tyre familjare.

Neni 70

Shtetet Palë marrin masa jo më pak të favorshme se ato të zbatuara për shtetasit, për të siguruar që kushtet e punës dhe të jetesës të punëtorëve migrantë dhe të anëtarëve të familjeve të tyre në një situatë të rregullt, të jenë në përputhje me standardet në lidhje me përshtatshmërinë, sigurinë, shëndetin dhe parimet e dinjitetit njerëzor.

Neni 71

  1. Shtetet Palë lehtësojnë, sipas rastit, rikthimin në shtetin e origjinës të trupave të punëtorëve migrantë të vdekur dhe anëtarëve të familjeve të tyre.
  2. Për sa i përket çështjeve të kompensimit në lidhje me vdekjen e një punëtori migrant ose një anëtari të familjes së tij ose të saj, Shtetet Palë, sipas rastit, japin ndihmë për personat e prekur, me qëllim zgjidhjen e menjëhershme të këtyre çështjeve. Zgjidhja e këtyre çështjeve kryhet mbi bazën e ligjit të brendshëm të zbatueshëm, në pajtim më dispozitat e kësaj Konvente dhe çdo marrëveshje dypalëshe ose shumëpalëshe.

PJESA VII

ZBATIMI I KONVENTËS

Neni 72

  1. a) Me qëllim rishikimin e zbatimit të kësaj Konvente, ngrihet një Komitet për Mbrojtjen e të Drejtave të Gjithë Punëtorëve Migrantë dhe Anëtarëve të Familjeve të Tyre (këtu e tutje referuar si “Komiteti”);
  2. b) Komiteti, në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj Konvente, përbëhet nga dhjetë dhe pas hyrjes në fuqi të Konventës për Shtetin Palë të dyzetenjëtë, nga katërmbëdhjetë ekspertë me qëndrim të pastër moral, paanësi dhe të njohur për kompetencën e tyre në fushën e mbuluar nga Konventa.
  3. a) Anëtarët e Komitetit zgjidhen me votë të fshehtë nga Shtetet Palë nga lista e personave të caktuar nga Shtetet Palë, duke i kushtuar rëndësinë e duhur shpërndarjes së përshtatshme gjeografike, duke përfshirë si shtetet e origjinës dhe shtetet e punësimit, dhe përfaqësimit të sistemit ligjor kryesor. Çdo Shtet Palë mund të emërojë një person nga shtetasit e tij.
  4. b) Anëtarët zgjidhen dhe shërbejnë në cilësinë e tyre personale.
  5. Zgjedhja e parë mbahet jo më vonë se gjashtë muaj pas datës së hyrjes ne fuqi të kësaj Konvente dhe zgjedhjet e mëvonshme në çdo dy vjet. Të paktën katër muaj para datës së çdo zgjedhjeje, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara u drejton një letër të gjitha Shteteve Palë, ku i fton ata të paraqesin kandidaturat e tyre brenda dy muajve. Sekretari i Përgjithshëm përgatit një listë me rend alfabetik të të gjithë personave të kandiduar, duke treguar Shtetet Palë që kanë kandiduar ata dhe ua paraqet atë Shteteve Palë jo më vonë se një muaj para datës së zgjedhjes përkatëse, së bashku me biografinë e personave të kandiduar.
  6. Zgjedhja e anëtarëve të Komitetit bëhet në një takim të Shteteve Palë që mblidhen nga Sekretari i Përgjithshëm në Selinë e Kombeve të Bashkuara. Në atë mbledhje, për të cilën dy të tretat e Shteteve Palë përbëjnë kuorumin e nevojshëm, personat e zgjedhur në Komitet do të jenë ata kandidatë që marrin numrin më të madh të votave dhe një shumicë absolute të votave të Shteteve Palë të pranishëm dhe që marrin pjesë në votim.
  7. a) Anëtarët e Komitetit shërbejnë për një mandat katërvjeçar. Megjithatë, mandati pesëvjeçar i anëtarëve të zgjedhur në zgjedhjen e parë skadon me kalimin e dy viteve; menjëherë pas zgjedhjes së parë, emrat e këtyre pesë anëtarëve zgjidhen me short nga kryetari i mbledhjes së Shteteve Palë;
  8. b) Zgjedhja e katër anëtarëve shtesë të Komitetit mbahet në pajtim me dispozitat e paragrafëve 2, 3 dhe 4 të këtij neni, pas hyrjes në fuqi të Konventës për Shtetin Palë të dyzetenjëtë. Mandati i dy anëtarëve të tjerë shtesë të zgjedhur me këtë rast skadon në fund të dy viteve; emrat e këtyre anëtarëve zgjidhet me short nga kryetari i mbledhjes së Shteteve Palë;
  9. c) anëtarët e Komitetit janë të përshtatshëm për t’u rizgjedhur nëse rikandidohen.
  10. Nëse një anëtar i Komitetit vdes ose jep dorëheqje apo deklaron se për një arsye tjetër ai ose ajo nuk mund të vazhdojë të kryejë detyrat e Komitetit, Shteti Palë që ka kandiduar ekspertin cakton një ekspert tjetër nga shtetasit e vet për pjesën e mbetur të mandatit. Emërimi i ri i nënshtrohet miratimit nga Komiteti.
  11. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara siguron personelin dhe ambientet e nevojshme për kryerjen me efektivitet të funksioneve të Komitetit.
  12. Anëtarët e Komitetit marrin honorare nga burimet e Kombeve të Bashkuara me ato terma dhe kushte që mund të vendosë Asambleja e Përgjithshme.
  13. Anëtarët e Komitetit gëzojnë lehtësirat, privilegjet dhe imunitetet e ekspertëve me mision për Kombet e Bashkuara, sipas parashikimit në seksionet përkatëse të Konventës mbi Privilegjet dhe Imunitetet e Kombeve të Bashkuara.

Neni 73

  1. Shtetet Palë marrin përsipër t’i paraqesin Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’u shqyrtuar nga Komiteti një raport mbi masat legjislative, gjyqësore, administrative dhe të tjera që ata kanë marrë për t’u dhënë fuqi dispozitave të kësaj Konvente:
  2. a) brenda një viti pas hyrjes në fuqi të Konventës për Shtetin Palë përkatës;
  3. b) pas kësaj, çdo pesë vjet dhe kurdo që e kërkon Komiteti.
  4. Raportet e përgatitura sipas këtij neni tregojnë gjithashtu edhe faktorët dhe vështirësitë, nëse ka të tilla, që ndikojnë në zbatimin e Konventës dhe përfshijnë informacionin mbi karakteristikat e flukseve të migrimit, në të cilat Shteti Palë përkatës është i përfshirë.
  5. Komiteti vendos për çdo udhëzim tjetër të zbatueshëm në lidhje me përmbajtjen e raporteve.
  6. Shtetet Palë bëjnë raportet e tyre gjerësisht të njohura për publikun në vendet e tyre.

Neni 74

  1. Komiteti shqyrton raportet e paraqitura nga secili Shtet Palë dhe i transmeton Shtetit Palë përkatës ato komente që i konsideron të përshtatshme. Ky Shtet Palë mund t’i paraqesë Komitetit vërejtje për çdo koment të bërë nga Komiteti në pajtim me këtë nen. Komiteti mund të kërkojë informacion shtesë nga Shtetet Palë gjatë shqyrtimit të këtyre raporteve.
  2. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, në kohën e duhur para hapjes së çdo sesioni të rregullt të Komitetit, i transmeton Drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës Ndërkombëtare të Punës kopje të raporteve të paraqitura nga Shtetet Palë të interesuara dhe informacionin përkatës për shqyrtimin e këtyre raporteve, me qëllim që t’i mundësojë Zyrën për të asistuar Komitetin me ekspertizën që Zyra mund të japë në lidhje me ato çështje që trajtohen në këtë Konventë, të cilat futen në sferën e kompetencave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Komiteti shqyrton në diskutimet e tij ato komente dhe materiale që mund t’i japë Zyra.
  3. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, pas konsultimeve me Komitetin, mund t’u dërgojë agjencive të specializuara, si dhe organizatave ndërkombëtare, kopje të atyre pjesëve të këtyre raporteve që mund të futen brenda kompetencës së tyre.
  4. Komiteti mund të ftojë agjencitë e specializuara dhe organet e Kombeve të Bashkuara, si dhe organizatat ndërqeveritare dhe organe të tjera të interesuara të paraqesin, për t’u shqyrtuar nga Komiteti, informacion me shkrim në lidhje me ato çështje që trajtohen në këtë Konventë, të cilat futen në kuadrin e aktiviteteve të tyre.
  5. Zyra Ndërkombëtare e Punës ftohet nga Komiteti të emërojë përfaqësuesit të marrin pjesë në cilësi konsultative, në mbledhjet e Komitetit.
  6. Komiteti mund të ftojë përfaqësuesit e agjencive të tjera të specializuara dhe organeve të Kombeve të Bashkuara, si dhe të organizatave ndërkombëtare, të jenë të pranishëm dhe të dëgjohen në takime kurdoherë që shqyrtohen çështje, që futen në fushën e kompetencës së tyre.
  7. Komiteti i paraqet një raport të përvitshëm Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi zbatimin e kësaj Konvente që përmban konsideratat dhe rekomandimet e tij, bazuar veçanërisht në shqyrtimin e raporteve dhe çdo vëzhgimi të bërë nga Shtetet Palë.
  8. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ua transmeton raportet vjetore të Komitetit Shteteve Palë të kësaj Konvente, Këshillit Ekonomik dhe Social, Komisionit mbi të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës Ndërkombëtare të Punës dhe organizatave përkatëse.

Neni 75

  1. Komiteti miraton rregullat e veta procedurale.
  2. Komiteti i zgjedh zyrtarët e tij për një mandat prej dy vjetësh.
  3. Komiteti normalisht mblidhet çdo vit.
  4. Takimet e Komitetit normalisht mbahen në Selinë e Kombeve të Bashkuara.

Neni 76

  1. Një Shtet Palë në këtë Konventë në çdo kohë mund të deklarojë, në bazë të këtij neni, që ai njeh kompetencën e Komitetit për të marrë dhe shqyrtuar komunikime, ku një Shtet Palë pretendon që një Shtet tjetër Palë nuk po i përmbush detyrimet e veta në bazë të kësaj Konvente. Komunikimet, në bazë të këtij neni, mund të merren dhe shqyrtohen vetëm nëse paraqiten nga një Shtet Palë që ka bërë një deklaratë, ku njeh për vete kompetencën e Komitetit. Asnjë komunikim nuk merret nga Komiteti nëse ka të bëjë me një Shtet Palë që nuk ka bërë një deklaratë të tillë. Komunikimet e marra në bazë të këtij neni, trajtohen në pajtim me procedurën e mëposhtme:
  2. a) Nëse një Shtet Palë në këtë Konventë çmon që një Shtet tjetër Palë nuk po përmbush detyrimet e veta në bazë të kësaj Konvente, ai, me anë të një komunikimi me shkrim, e sjell çështjen në vëmendjen e atij Shteti Palë. Shteti Palë mund të informojë gjithashtu për këtë çështje Komitetin. Brenda tre muajve pas marrjes së komunikimit, shteti pritës i paraqet shtetit që i dërgoi komunikimin një shpjegim ose një deklaratë tjetër me shkrim, ku shpjegon çështjen që duhet të përfshijë, në masën e duhur, referencën në procedurat e brendshme dhe masat e marra, në kryerje e sipër apo të mundshme, për çështjen.
  3. b) Nëse çështja nuk rregullohet sipas kërkesave të dyja Shteteve Palë përkatëse brenda gjashtë muajsh pas marrjes nga shteti marrës të komunikimit fillestar, secili shtet ka të drejtë t’ia paraqesë çështjen Komitetit, duke i bërë njoftim Komitetit dhe shtetit tjetër.
  4. c) Komiteti e shqyrton çështjen që i paraqitet atij vetëm pasi të jetë siguruar që janë referuar dhe përdorur të gjitha mjetet e brendshme të mundshme për çështjen, në pajtim me parimet përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare. Ky nuk ka për të qenë rregulli, nëse, sipas mendimit të Komitetit, zbatimi i këtyre mjeteve zgjat në mënyrë të paarsyeshme.
  5. d) Në pajtim me dispozitat e nënparagrafit (c) të këtij paragrafi, Komiteti ofron shërbimet e veta për Shtetet Palë përkatëse, me qëllim zgjidhjen e çështjes me pajtim, mbi bazën e respektimit të detyrimeve të parashikuara në këtë Konventë.
  6. e) Komiteti organizon mbledhje me dyer të mbyllura gjatë shqyrtimit të komunikimeve në bazë të këtij neni.
  7. f) Në lidhje me çështjet e paraqitura në pajtim me nënparagrafin (b) të këtij paragrafi, Komiteti mund t’u kërkojë Shteteve Palë të interesuara, të përmendura në nënparagrafin (b), të japin çdo informacion të rëndësishëm.
  8. g) Shtetet Palë të interesuara, të përmendura në nënparagrafin (b) të këtij paragrafi, kanë të drejtën të përfaqësohen kur çështja diskutohet nga Komiteti dhe të bëjnë komente me gojë dhe/ose me shkrim.
  9. h) Komiteti, brenda dymbëdhjetë muajve pas datës së marrjes së njoftimit në bazë të nënparagrafit (b) të këtij paragrafi, paraqet një raport si më poshtë:
  10. i) Nëse arrihet një zgjidhje në bazë të kushteve të nënparagrafit (d) të këtij paragrafi, Komiteti e kufizon raportin e tij në një deklaratë të shkurtër në lidhje me faktet dhe zgjidhjen e arritur.
  11. ii) Nëse nuk arrihet një zgjidhje në bazë të kushteve të nënparagrafit (d), Komiteti, në raportin e tij, tregon faktet përkatëse në lidhje me çështjen ndërmjet Shteteve Palë përkatëse. Raportit i bashkëngjiten paraqitjet me shkrim, si dhe protokolli i deklarimeve gojore të bëra nga Shtetet Palë. Komiteti mund të komunikojë gjithashtu edhe vetëm me Shtetet Palë të interesuara në lidhje me çdo pikëpamje që ai e konsideron të rëndësishme për çështjen ndërmjet tyre.

Për çdo çështje, raporti u komunikohet Shteteve Palë të interesuara.

  1. Dispozitat e këtij neni hyjnë në fuqi pasi dhjetë Shtete Palë në këtë Konventë të kenë bërë një deklaratë në bazë të paragrafit 1 të këtij neni. Këto deklarata depozitohen nga Shtetet Palë te Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, që u transmeton kopje Shteteve të tjera Palë. Një deklaratë mund të tërhiqet në çdo kohë me anë të njoftimit drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm. Kjo tërheqje nuk cenon shqyrtimin e asnjë çështjeje që është bërë objekt i një komunikimi të transmetuar në bazë të këtij neni; asnjë komunikim tjetër nga asnjë Shtet Palë nuk do të pranohet në bazë të këtij neni, pasi njoftimi i tërheqjes së deklaratës të jetë marrë nga Sekretari i Përgjithshëm, përveç rastit kur Shteti Palë i interesuar ka bërë një deklaratë të re.

Neni 77

  1. Një Shtet Palë në këtë Konventë mund të deklarojë në çdo kohë në bazë të këtij neni që ai njeh kompetencën e Komitetit, për të marrë dhe shqyrtuar komunikimet nga ose në emër të individëve që i nënshtrohen juridiksionit të tij, të cilat pretendojnë që të drejtat e tyre individuale, të cilat parashikohen nga kjo Konventë, janë shkelur nga ky Shtet Palë. Asnjë komunikim nuk merret nga Komiteti, nëse ka të bëjë me një Shtet Palë që nuk ka bërë një deklaratë të tillë.
  2. Komiteti e konsideron të papranueshëm çdo komunikim në bazë të këtij neni që është anonim ose që ai e mendon se përbën abuzim me të drejtën e paraqitjes së një komunikimi të tillë ose është në kundërshtim me dispozitat e kësaj Konvente.
  3. Komiteti nuk shqyrton asnjë komunikim nga një individ në bazë të këtij neni, nëse nuk sigurohet që:
  4. a) e njëjta çështje nuk është shqyrtuar apo po shqyrtohet në një procedurë tjetër të hetimit apo zgjidhjes ndërkombëtare;
  5. b) individi ka përdorur të gjitha mjetet e mbrojtjes të brendshme dhe të mundshme; kjo nuk përbën rregull nëse, sipas mendimit të Komitetit, zbatimi i mjeteve mbrojtëse zgjat në mënyrë të paarsyeshme ose nuk ka gjasë të sjellë zgjidhje të efektshme për atë individ.
  6. Në pajtim me dispozitat e paragrafit 2 të këtij neni, Komiteti sjell çdo komunikim që i paraqitet atij në bazë të këtij neni, në vëmendjen e Shtetit Palë të kësaj Konvente që ka bërë një deklaratë në bazë të paragrafit 1 dhe mendohet se ka shkelur dispozitat e kësaj Konvente. Brenda gjashtë muajve, shteti pritës i paraqet Komitetit shpjegime ose deklarata me shkrim, ku sqaron çështjen dhe masën mbrojtëse, nëse ka, që mund të përdoret nga ai shtet.
  7. Komiteti i shqyrton komunikimet e marra në bazë të këtij neni, nën dritën e të gjithë informacionit që i është dhënë nga ose në emër të individit dhe nga Shteti Palë i interesuar.
  8. Komiteti i bën mbledhjet me dyer të mbyllura gjatë shqyrtimit të komunikimeve sipas këtij neni.
  9. Komiteti ia paraqet mendimet e tij Shtetit Palë të interesuar dhe individit.
  10. Dispozitat e këtij neni hyjnë në fuqi pasi dhjetë Shtete Palë në këtë Konventë të kenë bërë deklarata në bazë të paragrafit 1 të këtij neni. Këto deklarata depozitohen nga Shtetet Palë te Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, i cili u transmeton kopje Shteteve Palë të tjera. Një deklaratë mund të tërhiqet në çdo kohë nëpërmjet një njoftimi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm. Kjo tërheqje nuk cenon shqyrtimin e asnjë çështjeje që është bërë objekt i një komunikimi të transmetuar në bazë të këtij neni; asnjë komunikim tjetër nga ose në emër të asnjë individi nuk do të pranohet në bazë të këtij neni pasi njoftimi i tërheqjes së deklaratës të jetë marrë nga Sekretari i Përgjithshëm, përveç rastit kur Shteti Palë ka bërë një deklaratë të re.

Neni 78

Dispozitat e nenit 76 të kësaj Konvente zbatohen pa cenuar asnjë nga procedurat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve apo ankesave në fushën e mbuluar nga kjo Konventë, të parashikuara në instrumentet përbërëse të, ose në konventat e miratuara nga Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e specializuara dhe nuk i ndalojnë Shtetet Palë të zbatojnë procedurat për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje në pajtim me marrëveshjet ndërkombëtare në fuqi ndërmjet tyre.

PJESA VIII

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 79

Asgjë në këtë Konventë nuk cenon të drejtat e një Shteti Palë për të caktuar kritere për rregullimin e pranimit të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre. Në lidhje me çështjet e tjera që kanë të bëjnë me gjendjen e tyre ligjore dhe trajtimin si punëtorë migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre, Shtetet Palë u nënshtrohen kufizimeve të parashikuara në këtë Konventë.

Neni 80

Asgjë në këtë Konventë nuk interpretohet si cenim i dispozitave të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të kushtetutave të agjencive të specializuara, që përcaktojnë përgjegjësitë përkatëse të organeve të ndryshme të Kombeve të Bashkuara dhe të agjencive të specializuara në lidhje me çështjet e trajtuara në këtë Konventë.

Neni 81

  1. Asgjë në këtë Konventë nuk ka të drejtat dhe liritë më të favorizuara që u jepen punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre me anë të:
  2. a) ligjit ose praktikës së një Shteti Palë; ose
  3. b) çdo marrëveshjeje dypalëshe ose shumëpalëshe në fuqi për Shtetin Palë përkatës.
  4. Asgjë në këtë Konventë nuk mund të interpretohet sikur nënkuptohet për një Shtet, grup apo person që ka të drejtë të përfshihet në një aktivitet ose të kryejë një veprim që do të cenonte një nga të drejtat ose liritë sipas parashikimit të kësaj Konvente.

Neni 82

Të drejtat e punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre të parashikuara në këtë Konventë nuk mund të mohohen. Nuk është e lejueshme të ushtrohet asnjë formë presioni mbi punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre, me qëllim që ata të heqin dorë apo të mos kërkojnë ndonjë nga të drejtat e caktuara. Nuk është e mundur që të devijohet me anë të kontratës nga të drejtat e njohura në këtë Konventë. Shtetet Palë marrin masat e përshtatshme për të siguruar respektimin e këtyre parimeve.

Neni 83

Secili Shtet Palë në këtë Konventë merr përsipër:

  1. a) të sigurojë që çdo personi, që i shkelen të drejtat ose liritë që njihen këtu, t’i jepet një mjet mbrojtjeje i efektshëm, pavarësisht nëse shkelja është kryer nga personat që veprojnë në cilësi zyrtare;
  2. b) të sigurojë që çdo personi, që kërkon një mjet të tillë, t’i rishikohet pretendimi i tij ose i saj dhe vendoset nga autoritetet kompetente gjyqësore, administrative ose legjislative ose nga një organ tjetër kompetent i parashikuar në sistemin ligjor të shtetit dhe të zhvillojë mundësitë e mjeteve gjyqësore;
  3. c) të sigurojë që autoritetet kompetente t’i zbatojnë këto mjete, nëse jepen.

Neni 84

Secili Shtet Palë merr përsipër të miratojë masa legjislative dhe të tjera që janë të nevojshme për zbatimin e dispozitave të kësaj Konvente.

PJESA IX

DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

Neni 85

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara caktohet si depozitari i kësaj Konvente.

Neni 86

  1. Kjo Konventë është e hapur për nënshkrim nga të gjitha shtetet. Ajo i nënshtrohet ratifikimit.
  2. Kjo Konventë është e hapur për aderim nga çdo shtet.
  3. Instrumentet e ratifikimit ose aderimit depozitohen te Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Neni 87

  1. Kjo Konventë hyn në fuqi ditën e parë të muajit pas një periudhe prej tre muajsh pas datës së depozitimit të instrumentit të njëzetë të ratifikimit ose aderimit.
  2. Për çdo shtet që ratifikon apo aderon në këtë Konventë pas hyrjes së saj në fuqi, Konventa hyn në fuqi ditën e parë të muajit pas një periudhe prej tre muajsh pas datës së depozitimit të instrumentit të tij të ratifikimit ose aderimit.

Neni 88

Një shtet që ratifikon ose aderon në këtë Konventë, nuk mund të përjashtojë zbatimin e një pjese të saj ose pa cenuar nenin 3, të përjashtojë një kategori të caktuar të punëtorëve migrantë nga zbatimi i saj.

Neni 89

  1. Çdo Shtet Palë mund ta denoncojë këtë Konventë jo më parë se pesë vjet pasi Konventa të ketë hyrë në fuqi për shtetin përkatës, me anë të një njoftimi me shkrim drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
  2. Ky denoncim hyn në fuqi ditën e parë të muajit pas kalimit të një afati prej dymbëdhjetë muajsh pas datës së marrjes së njoftimit nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
  3. Ky denoncim nuk ka efektin e lirimit të Shtetit Palë nga detyrimet e tij në bazë të kësaj Konvente, në lidhje me çdo veprim ose mosveprim që ndodh para datës në të cilën denoncimi ka hyrë në fuqi dhe denoncimi nuk cenon në asnjë mënyrë vazhdimin e shqyrtimit të çdo çështjeje që është në shqyrtim e sipër nga Komiteti para datës në të cilën hyn në fuqi denoncimi.
  4. Pas datës në të cilën denoncimi i një Shteti Palë hyn në fuqi, Komiteti nuk fillon shqyrtimin e asnjë çështjeje në lidhje me atë shtet.

Neni 90

  1. Pas pesë viteve nga hyrja në fuqi e Konventës, një kërkesë për rishikimin e Konventës mund të bëhet në çdo kohë nga një Shtet Anëtar, me anë të një njoftimi me shkrim drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Sekretari i Përgjithshëm ua komunikon çdo ndryshim të propozuar Shteteve Palë me një kërkesë që ata ta informojnë atë nëse janë dakord për një konferencë të Shteteve Palë, me qëllim shqyrtimin dhe votimin e propozimeve. Në rast se brenda katër muajsh nga data e këtij komunikimi, të paktën një e treta e Shteteve Palë është në favor të një konference të tillë, Sekretari i Përgjithshëm thërret konferencën nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Çdo ndryshim i miratuar nga shumica e Shteteve Palë të pranishme dhe që marrin pjesë në votim, i paraqitet Asamblesë së Përgjithshme për miratim.
  2. Ndryshimet hyjnë në fuqi pasi janë miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe pranuar nga shumica prej dy të tretash e Shteteve Palë, në pajtim me proceset e tyre kushtetuese përkatëse.
  3. Nëse ndryshimet hyjnë në fuqi, ato janë detyruese për ato Shtete Palë që i kanë pranuar, Shtetet e tjera Palë që u nënshtrohen dispozitave të kësaj Konvente dhe çdo ndryshimi të mëparshëm që ata kanë pranuar.

Neni 91

  1. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara merr dhe qarkullon te të gjitha shtetet tekstin e rezervave të bëra nga shtetet në kohën e nënshkrimit, ratifikimit ose aderimit.
  2. Nuk lejohet një rezervë që nuk është në pajtim me fushën e veprimit dhe qëllimin e kësaj Konvente.
  3. Rezervat mund të tërhiqen në çdo kohë me anë të njoftimit për këtë qëllim drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, i cili më pas njofton për këtë të gjithë shtetet. Ky njoftim hyn në fuqi datën në të cilën merret.

Neni 92

  1. Çdo mosmarrëveshje ndërmjet dy ose më shumë Shteteve Palë në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Konvente që nuk zgjidhet me bisedime, me kërkesë të njërës prej tyre, i paraqitet arbitrazhit. Nëse, brenda gjashtë muajve nga data e kërkesës për arbitrazh, Palët nuk bien dakord mbi organizimin e arbitrazhit, njëra prej këtyre Palëve mund t’ia referojë mosmarrëveshjen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas kërkesës, në pajtim me statutin e Gjykatës.
  2. Secili Shtet Palë, në momentin e nënshkrimit ose ratifikimit të kësaj Konvente apo aderimit në të, mund të deklarojë që ai nuk çmohet të ketë detyrim ligjor sipas paragrafit 1 të këtij neni. Shtetet e tjera Palë nuk kanë detyrim ligjor sipas këtij paragrafi në lidhje me një Shtet Palë që ka bërë një deklaratë të tillë.
  3. Çdo Shtet Palë që ka bërë një deklaratë në pajtim me paragrafin 2 të këtij neni, në çdo kohë mund ta tërheqë këtë deklaratë me anë të një njoftimi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Neni 93

  1. Kjo Konventë, tekstet e së cilës në gjuhën arabe, kineze, angleze, frënge, ruse dhe spanjolle janë njëlloj autentikë, depozitohet te Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
  2. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara u transmeton kopje të vërtetuara të kësaj Konvente të gjitha Shteteve.

Në dëshmi të kësaj, të plotfuqishmit e poshtëshënuar, duke qenë rregullisht të autorizuar për këtë nga Qeveritë e tyre përkatëse, kanë nënshkruar këtë Konventë.

 

|