VENDIM Nr. 1039, datë 4.12.2013 PËR FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PUNËS DHE PËR CAKTIMIN E PËRFAQËSUESVE TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE NË KËTË KËSHILL

VENDIM
Nr. 1039, datë 4.12.2013
PËR FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PUNËS DHE PËR CAKTIMIN E PËRFAQËSUESVE TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE NË KËTË KËSHILL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 200 të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Këshilli Kombëtar i Punës, në vijim KKP, është organ konsultativ trepalësh me përfaqëuses të Këshillit të Ministrave dhe të organizatave të punëdhënësve e të punëmarrësve.
2. KKP-ja zhvillon këshillime, merr vendime me konsensus dhe i bën rekomandimet përkatëse Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
3. Organizatat e punëdhënësve e të punëmarrësve, si dhe administrata publike duhet t’i vënë në dispozicion KKP-së të gjitha informacionet dhe të dhënat e nevojshme, që kanë lidhje me objektin e funksionimit të këtij Këshilli, për zhvillimin e këshillimeve.
4. KKP-ja kryesohet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ka në përbërje, si përfaqësues të Këshillit të Ministrave, këta anëtarë:
– Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë;
– Ministrin e Financave;
– Ministrin e Shëndetësisë;
– Ministrin e Arsimit dhe Sportit;
– Ministrin e Drejtësisë;
– Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes;
– Ministrin e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
Kandidatë të KKP-së, përfaqësues të Këshillit të Ministrave, janë zëvendësministrat përkatës.
5. Kryetari i KKP-së ka këto detyra:
a) të drejtojë mbledhjet e KKP-së;
b) të miratojë rendin e ditës, raportin përfundimtar të mbledhjeve, si dhe programin vjetor të këtij Këshilli, pas mirëkuptimit me palët;
c) të informojë Këshillin e Ministrave për rekomandimet e këtij Këshilli, si dhe për mendimet e organizatave të punëdhënësve e të punëmarrësve.
6. Përfaqësuesit e organizatave të punëdhënësve e të punëmarrësve, anëtarë të KKP-së, caktojnë përkatësisht kryetarët e palëve, të cilët janë edhe nënkryetarë të KKP-së.
7. KKP-ja mblidhet në përputhje me programin e miratuar prej tij ose me kërkesën me shkrim të çdo pale, drejtuar kryetarit të Këshillit, sipas përcaktimit të bërë në rregulloren e brendshme të funksionimit.
8. Anëtarët e KKP-së, për çështjet që do të diskutohen, kanë të drejtën e këshillimit paraprak dhe e shprehin qëndrimin e tyre nëpërmjet kryetarit të palës ose anëtarit të ngarkuar nga kryetari përkatës, për çështje specifike.
9. Pranë KKP-së krijohen dhe funksionojnë komisionet e përhershme e të specializuara trepalëshe, si më poshtë vijon:
a) Komisioni juridik;
b) Komisioni i punësimit, arsimit dhe formimit profesional;
c) Komisioni i pagave, pensioneve dhe përkrahjes sociale;
ç) Komisioni i kushteve të punës, shëndetit dhe sigurimit në punë;
d) Komisioni i ekonomisë dhe i financës;
dh) Komisioni i shanseve të barabarta, aftësive të kufizuara dhe rinisë.
10. Komisionet e përhershme e të specializuara trepalëshe kanë për objekt të shqyrtojnë çështje për fushat e tyre të kompetencës dhe t’ia transmetojnë mendimet e përfundimet e këshillimeve KKP-së, për:
a) orientimin dhe zbatimin e politikave shtetërore në fushat e veprimtarisë së tyre;
b) projektligjet dhe projektvendimet e Këshillit të Ministrave, që kanë lidhje me fushat e veprimtarisë së tyre;
c) çështjet për të cilat KKP-ja u është drejtuar atyre për konsultim dhe mendim.
Për arritjen e objektivave, çdo komision mund të angazhojë specialistë të kualifikuar.
11. Komisionet e përhershme e të specializuara trepalëshe kryesohen nga kryetari dhe kanë në përbërje jo më shumë se 6 (gjashtë) anëtarë. Përbërja e tyre përcaktohet nga KKP-ja.
12. Kryetarët e komisioneve të përhershme e të specializuara trepalëshe caktohen nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga administrata e kësaj ministrie, sipas fushave që ata mbulojnë. Anëtarët e komisioneve, përfaqësues të institucioneve shtetërore, caktohen nga titullarët e tyre.
13. Anëtarët e komisioneve, përfaqësues të organizatave të punëmarrësve e punëdhënësve (dy për secilën palë) propozohen nga nënkryetarët e palëve.
14. Për funksionimin e KKP-së, në strukturën e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ngrihet sekretariati i KKP-së, i përbërë nga tre sekretarë, respektivisht nga një për çdo palë të përfaqësuar në këtë Këshill. Për emërimin e sekretarëve të KKP-së merret edhe mendimi i partnerëve socialë.
15. Buxheti i pavarur i KKP-së përbëhet nga:
a) fondi i dhënë nga buxheti i shtetit;
b) donacione dhe projekte të ndryshme, të ligjshme.
16. Fondi i dhënë nga buxheti i shtetit për Këshillin Kombëtar të Punës përdoret, kryesisht, për përballimin e shpenzimeve:
a) të mbledhjeve të KKP-së;
b) të mbledhjeve të komisioneve të përhershme e të specializuara të tij;
c) për funksionimin e zyrave shtetërore të pajtimit;
ç) për organizimin dhe pjesëmarrjen në konferenca trepalëshe;
d) të seminareve dhe aktiviteteve kualifikuese trepalëshe.
17. KKP-ja bën miratimin paraprak të projektbuxhetit vjetor dhe, nëpërmjet ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ia propozon atë për miratim Këshillit të Ministrave.
18. Vendimi nr. 730, datë 6.11.2003 i Këshillit të Ministrave “Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe për caktimin e përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në këtë Këshill”, shfuqizohet.
19. Ngarkohet ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Edi Rama

|