Vendim Nr. 199, datë 11.1.2012 Për masën e financimit, kriteret dhe procedurat e zbatimit të programit të nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë të rinj

Vendim

Nr. 199, datë 11.1.2012

Për masën e financimit, kriteret dhe procedurat e zbatimit të programit të nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë të rinj

(ndryshuar me VKM nr. 188, datë  2.4.2014, nr. 464, datë 9.7.2014, nr. 67, datë 27.1.2016)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5 të nenit 9 të ligjit nr. 7995, datë 20.9.1995 “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

  1. Përfitues të këtij programi janë punëkërkues të rinj, të diplomuar me arsim të lartë në nivelin “Bachelor” apo “Master”, nën moshën 30 vjeç. Punëkërkuesit do të përfitojnë formim nëpërmjet punës dhe punësim, sipas fushës së diplomimit. Zyra përkatëse e punësimit financon punëdhënësin:
  2. a) në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj, për trajnimin nëpërmjet punës për çdo person, për një periudhë 3-mujore;
  3. b) për çdo punëkërkues të papunë të përfshirë në program me një pagesë pjesëmarrjeje në kurs, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për të gjithë kohëzgjatjen e trajnimit. Zyra përkatëse e punësimit kryen edhe derdhjen e kontributit për sigurimin nga aksidentet në punë, në masën 0.3 për qind të pagës minimale, i cili derdhet në degën përkatëse;
  4. c) me një financim mujor, në masën e sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore mbi pagën 25 000 (njëzet e pesë mijë lekë) për 9 muaj, me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se 15 muaj. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në degën përkatëse të tatimeve sipas procedurave përkatëse. Në rast se punëdhënësi paguan më shumë se 25 000 (njëzet e pesë) mijë lekë në muaj, është i detyruar të mbulojë sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore përtej kësaj vlere;

ç) për çdo punëkërkues të papunë të përfshirë sipas këtij programi, me katër paga, në vlerën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë, në muajin e tretë e të katërt dhe në muajin e tetë e të nëntë të kontratës. Ndërsa për muajt e tjerë financon punëdhënësi.

Punëdhënësit e rinj, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program deri në 40% të numrit të punonjësve të punësuar.

  1. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit apo zyrat rajonale të punësimit bëjnë njoftimin në Buletinin e Njoftimeve Publike, çdo vit, për fondin e vënë në dispozicion dhe kriteret e përfitimit nga ky program. Publikimi i programit bëhet, gjithashtu, me të gjitha mjetet e mundshme elektronike dhe joelektronike.
  2. Punëdhënësi, që aplikon për programin e punësimit, nuk duhet të ketë shkelur në të kaluarën legjislacionin e punës, si dhe duhet të ketë derdhur, rregullisht, tatimet e sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, veçanërisht për vitin e fundit.
  3. Punëdhënësit, për përfitimin sipas pikës 1 të këtij vendimi, aplikojnë pranë zyrave përkatëse të punësimit duke paraqitur dokumentet e mëposhtme:
  4. a) Vendimin e gjykatës për regjistrimin si person juridik dhe fizik ose vendimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.
  5. b) Numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in).
  6. c) Vërtetimin për shlyerjen e kontributeve për sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, që lëshohen nga organet e sigurimeve shoqërore, për aq kohë sa ushtron veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit.

ç) Numrin e llogarisë bankare.

  1. d) Vërtetimin nga dega e tatim-taksave, ku personi juridik dhe fizik ushtron veprimtarinë, për shlyerjen e detyrimeve tatimore për aq kohë sa kryen veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit;

Për personat juridikë apo fizikë, të cilët kanë detyrime ndaj organeve tatimore, por vërtetojnë se në momentin e aplikimit në këtë program:

  1. i) kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullt në shlyerjen e tyre;
  2. ii) kanë shlyer detyrimet, por kanë ende pa paguar gjobat;

iii) kanë shlyer detyrimet ose kanë vendosur garanci bankare për shumën e plotë të detyrimit, në përputhje me nenin 107, të  ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe janë në proces të apelimit administrativ dhe në procese gjyqësore me organet tatimore.

Këta persona duhet të jenë të pajisur me vërtetimet e lëshuara nga organet tatimore, si dhe me dokumentet përkatëse të pagesës së detyrimeve.

  1. dh) Informacion për:
  2. i) numrin e fuqisë punëtore;
  3. ii) listën emërore të të siguruarve;

iii) llojin e veprimtarisë që kryen;

  1. iv) nivelin e pagës së dhënë për çdo person;
  2. v) planbiznesin për shtimin e fuqisë punëtore;
  3. akte të inspektimit në punë, të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
  4. Punëdhënësi, në bashkëpunim me zyrën përkatëse të punësimit dhe në mbështetje të të dhënave e të dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 4 të këtij vendimi, plotëson formularin përkatës, sipas modelit të miratuar nga shërbimi kombëtar i punësimit.

6.Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit.

  1. Zyra përkatëse e punësimit ia paraqet këshillit vendor tripalësh, të ngritur pranë saj, projektet, që kërkohen të zbatohen aty ku ajo ushtron veprimtarinë, i cili, pasi shqyrton dhe vlerëson dobinë social-ekonomike të projekteve të paraqitura, i miraton ato në parim.
  2. Pas miratimit, në parim, të projekteve në këshillin vendor tripalësh, zyra përkatëse e punësimit i dërgon, për miratim, si më poshtë vijon:
  3. a) Zyra vendore e punësimit, sipas rastit, ia dërgon zyrës rajonale të punësimit ose Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit;
  4. b) Zyra rajonale e punësimit miraton projektet kur aplikuesit janë persona fizikë.
  5. c) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit miraton projektet aplikuesit janë persona juridikë.
  6. Për zbatimin e pikës 8 të këtij vendimi, në zyrat rajonale të punësimit dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit ngrihen komisionet e miratimit të projekteve, me jo më pak se 5 (pesë) persona.
  7. Mënyra e organizimit, vlerësimit të projekteve dhe e funksionimit të punës, si dhe përbërja e komisioneve përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Këshilli Administrativ Tripalësh i Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

11.Komisionet e miratimit të projekteve në zyrën rajonale të punësimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, pas hedhjes në sistemin përkatës, vendosin miratimin ose jo të projektit brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.

  1. Zyra e punësimit propozon më shumë kandidatura punëkërkuesish që plotësojnë kriteret për një vend të kërkuar nga punëdhënësi. Ky i fundit përzgjedh kandidatin më të përshtatshëm.
  2. Punëkërkuesit e papunë që kundërshtojnë të marrin pjesë në këtë program, hiqen nga lista e punëkërkuesve të papunë.
  3. Ndërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe punëdhënësit nënshkruhet një kontratë, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet, në përputhje me programin për secilën palë. Kontratat lidhen vetëm për vitin buxhetor, për të cilin është miratuar projekti.
  4. Për vazhdimin e projektit në vitin pasardhës, do të lidhet një kontratë shtesë, në përputhje me fondet e miratuara atë vit.
  5. Punëdhënësi dhe punëkërkuesi, si punëmarrës, nënshkruajnë një kontratë individuale pune, në të cilën përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe në këtë vendim.
  6. Një kopje e kontratës së punës së çdo punëkërkuesi, punëmarrës, depozitohet në zyrën përkatëse të punësimit, e cila, ndjek zbatimin e kontratës deri në përfundim të projektit.
  7. Në rastet kur punëkërkuesi, si punëmarrës, pjesëmarrës në këtë program, largohet përpara afatit të përcaktuar në kontratë brenda gjysmës së parë të zbatimit të kontratës sipas pikës 17 të këtij vendimi për shkaqe të arsyeshme, zëvendësimi bëhet nga zyra përkatëse e punësimit, pas njoftimit nga punëdhënësi. Punëdhënësit i vazhdohet kompensimi për periudhën e mbetur.
  8. Kontratat tip, sipas përcaktimeve të dhëna në pikat 14 e 16, të këtij vendimi, hartohen nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga zyrat përkatëse të punësimit.
  9. Financimi sipas pikës 1, të këtij vendimi, ndërpritet në rastin kur punëdhënësi, pas përfitimit të financimit, në zbatim të këtij vendimi, zgjidh, pa shkaqe të arsyeshme, kontratat e punës së punëmarrësve të tjerë, të punësuar pranë tij, të vërtetuar nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
  10. Shërbimi Kombëtar i Punësimit monitoron ecurinë e programit dhe përgatit raporte vjetore, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, të cilat ua paraqet Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
  11. Programi i punësimit të fillojë të zbatohet në vitin 2012 dhe kohëzgjatja e tij të jetë 5 (pesë) vjet.
  12. Shërbimi Kombëtar i Punësimit ruan dokumentacionin për programin e punësimit deri në 10 (dhjetë) vjet, pas dhënies së fundit të ndihmës individuale.
  13. Programi vlerësohet nga ekspertë ose organizata të pavarura, që kanë përvojë në këtë fushë dhe njohuri për tregun e punës.
  14. Kostoja dhe vlerësimi i këtij programi përballohen nga fondet vjetore të buxhetit të shtetit, zëri “Nxitja e punësimit”, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
  15. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për nxjerrjen e udhëzimeve për zbatimin dhe mbikëqyrjen e programit dhe shërbimi kombëtar i punësimit për zbatimin e programit, nëpërmjet zyrave të punësimit.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Kryeministri

Sali Berisha

|