VENDIM Nr. 634, datë 15.7.2015 PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR PREZANTIMIN E MASAVE PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË TË GRAVE SHTATZËNA DHE NËNAVE TË REJA

VENDIM

Nr. 634, datë 15.7.2015

 

PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR PREZANTIMIN E MASAVE PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË TË GRAVE SHTATZËNA DHE NËNAVE TË REJA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 104 dhe 108, të ligjit nr. 7961, datë 12.7 1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 42, pika 3, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Miratimin e rregullores “Për prezantimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë të grave shtatzëna dhe nënave të reja”, sipas tekstit dhe shtojcave që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
  2. Vendimi nr. 397, datë 20.5.1996, i Këshillit të Ministrave, “Për mbrojtjen e veçantë të grave shtatzëna dhe të amësisë”, i ndryshuar, shfuqizohet.
  3. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministria e Shëndetësisë, për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Edi Rama

RREGULLORE

PËR PREZANTIMIN E MASAVE PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË TË GRAVE SHTATZËNA DHE NËNAVE TË REJA

SEKSIONI I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi dhe fusha e zbatimit

  1. Qëllimi i kësaj rregulloreje është të përcaktojë rregulla të detajuara për mbrojtjen e sigurisë dhe të shëndetit në punë të punëmarrëseve gra shtatzëna dhe nënave të reja.
  2. Kjo rregullore zbatohet plotësisht në të gjithë fushën e mbuluar nga pika 1, e këtij neni, pa cenuar legjislacionin më shtrëngues dhe/ose specifik në fuqi që rregullon sigurinë dhe shëndetin në punë.

Neni 2

Përkufizime

Për qëllim të kësaj rregulloreje, termat e përdorur kanë kuptimet e mëposhtme:

  1. a) “Punëmarrëse shtatzënë”, çdo punëmarrëse shtatzënë e cila informon punëdhënësin për gjendjen e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhërrëfyesit dhe protokollet e praktikës klinike të kujdesit antenatal (para lindjes) në kujdesin shëndetësor parësor.
  2. b) “Nëna të reja” përfshin dy kategori punëmarrësesh: “punëmarrëse që ka lindur kohët e fundit” dhe “punëmarrëse me fëmijë në gji”.
  3. c) “Punëmarrëse që ka lindur kohët e fundit”, çdo punëmarrëse që ka lindur fëmijë dhe është kthyer në punë përpara se fëmija të arrijë moshën 1 vjeç, e cila informon punëdhënësin për gjendjen e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhërrëfyesit dhe protokollet e praktikës klinike të kujdesit postnatal dhe të mirërritjes së fëmijës në kujdesin shëndetësor parësor.
  4. d) “Punëmarrëse me fëmijë në gji”, çdo punëmarrëse që ka fëmijë në gji derisa fëmija të arrijë moshën 1 vjeç, e cila informon punëdhënësin për gjendjen e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhërrëfyesit dhe protokollet e ushqyerjes me gji të fëmijës në kujdesin shëndetësor parësor.[1]

SEKSIONI II

DETYRIMET E PUNËDHËNËSVE

Neni 3

Vlerësimi i riskut dhe informimi i punëmarrëseve

  1. Punëdhënësi vlerëson riskun specifik ndaj agjentëve, proceseve ose kushteve të punës, bazuar në natyrën, shkallën dhe kohëzgjatjen e ekspozimit, në ndërmarrje dhe/ose në vendin e punës ku zhvillojnë aktivitetin punëmarrëset në kuptim të nenit 2, të kësaj rregulloreje.
  2. Në shtojcën I të kësaj rregulloreje, përcaktohet lista jo shteruese e agjentëve, proceseve dhe kushteve të punës për të cilat kryhet vlerësimi i risqeve të veçanta ose kushteve të punës.
  3. Ky vlerësim i riskut bëhet ose nga vetë punëdhënësi ose me anë të shërbimeve mbrojtëse dhe parandaluese të përmendura në nenin 7, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar.
  4. Punëdhënësi informon punëmarrëset, në kuptim të nenit 2 të kësaj rregulloreje ose përfaqësuesit e tyre për rezultatet e vlerësimit të përmendur në pikën 1 të këtij neni, dhe për të gjitha masat që duhen marrë në lidhje me shëndetin dhe sigurinë në punë.
  5. Punëdhënësi:
  6. a) vlerëson çdo risk për sigurinë ose shëndetin në punë dhe çdo efekt të mundshëm mbi shtatzëninë ose ushqyerjen me gji të fëmijës së punëmarrëseve, në kuptim të nenit 2 të kësaj rregulloreje;
  7. b) merr masat parandaluese dhe/ose korrigjuese në rast se vlerësimi tregon ekzistencën e një risku për sigurinë apo shëndetin në punë, ose ndikimi mbi shtatzëninë apo ushqyerjen me gji të fëmijës së punëmarrëses, në kuptim të nenit 2 të kësaj rregulloreje. Masat sigurojnë përshtatjen e përkohshme të kushteve të punës dhe/ose orarit të punës së punëmarrëses, për të shmangur ekspozimin ndaj risqeve të tilla sipas kuptimit të nenit 6, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar;
  8. c) në rastet kur një punëmarrëse nuk mund të kryejë një punë për shkak të risqeve që paraqiten, atëherë punëdhënësi duhet t’i caktojë asaj një detyrë tjetër dhe, në pamundësi, i jep pushim të paguar.

Neni 4

Ndalimi ndaj ekspozimit

  1. Përveç dispozitave të përgjithshme lidhur me mbrojtjen e punëmarrëseve, në veçanti atyre që lidhen me vlerat kufi për ekspozimin në punë, punëmarrëset, në kuptim të nenit 2, të kësaj rregulloreje, në asnjë rrethanë nuk detyrohen të kryejnë punë për të cilat vlerësimi i riskut tregon ekspozim ndaj agjentëve dhe kushteve të punës, të cilat rrezikojnë sigurinë apo shëndetin, të renditura në shtojcën II, të kësaj rregulloreje.
  2. Dispozitat e nenit 3 të kësaj rregulloreje, zbatohen njësoj për rastet kur çdo punëmarrëse që zhvillon një veprimtari që ndalohet, sipas pikës 1 të këtij neni, mbetet shtatzënë apo fillon të ushqejë me gji fëmijën dhe e informon për këtë punëdhënësin e saj.

Neni 5

Koha e punës

  1. Punëdhënësi nuk mund të urdhërojë kryerjen e punës natën për punëmarrëset, në kuptim të nenit 2, të kësaj rregulloreje, në qoftë se ajo është e dëmshme për shëndetin e gruas dhe të fëmijës, vërtetuar kjo me raport mjekësor, në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhërrëfyesit dhe protokollet e praktikës klinike të kujdesit të gruas dhe të fëmijës në kujdesin shëndetësor parësor.
  2. Masat e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, u japin të drejtën punëmarrëseve, në kuptim të nenit 2, të kësaj rregulloreje:
  3. a) për t’u transferuar në një punë të ngjashme ditën; ose
  4. b) për të marrë pushim të paguar nga puna ose për të zgjatur lejen e tyre të lindjes, nëse transferimi nuk është i mundur për shkaqe teknike dhe/ose objektive, ose nuk mundet, objektivisht, të kërkohet mbi shkaqe të arsyetuara mirë.
  5. Punëmarrëset, në kuptim të nenit 2 të kësaj rregulloreje, kanë të drejtë të bëjnë pushim të paguar, jo më pak se 30 minuta çdo tri orë pune të vazhdueshme gjatë ditës.
  6. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhërrëfyesit dhe protokollet e praktikës klinike të kujdesit të gruas dhe të fëmijës në kujdesin shëndetësor parësor, punëmarrëset, në kuptim të nenit 2, të kësaj rregulloreje, kanë të drejtë për leje të pagueshme nga puna për kryerjen e vizitave mjekësore, kur këto janë të nevojshme të kryhen gjatë orarit të punës.

SHTOJCA I

LISTË JOSHTERUESE E AGJENTËVE, PROCESEVE DHE KUSHTEVE TË PUNËS

  1. Agjentët
  2. Agjentët fizikë janë agjentët që shkaktojnë lezione të fetusit dhe/ose që mund të ndikojnë në shkëputjen e placentës, në veçanti:
  3. a) goditjet, dridhja ose lëvizja[2];
  4. b) mbajtja me krahë e ngarkesave që përfshijnë risqe, sidomos të kolonës vertebrale[3];
  5. c) zhurma[4];

ç)    rrezatimi jonizues[5];

  1. d) rrezatimi jojonizues[6];
  2. dh) temperaturat shumë të ulëta ose shumë të larta;
  3. e) lëvizjet dhe pozicionet e trupit;

ë)    udhëtimet, brenda ose jashtë vendit, ku kryhet aktiviteti i ndërmarrjes.

Lodhje mendore dhe fizike dhe ngarkesa të tjera fizike të lidhura me aktivitetin e punëmarrëses.

  1. Agjentët biologjikë[7]

Agjentët biologjikë të klasifikuar në grupet 2, 3 dhe 4 të riskut, të parashikuara nga vendimi  nr. 550, datë 27.8.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në punë”, për sa dihet se këta agjentë ose masat parandaluese dhe kuruese/terapeutikët të nevojshëm kundër agjentëve të tillë që rrezikojnë shëndetin e grave shtatzëna dhe fëmijës së ardhshëm, përveç agjen-tëve të tjerë biologjikë të paraqitur në shtojcën II.

  1. Agjentët kimikë[8]

Agjentët kimikë apo përzierjet, ekspozimi ndaj të cilave mund të rrezikojë shëndetin e punëma-rrëseve shtatzëna dhe të fetusit / embrionit e që në etiketën e tyre përmbajnë fraza standarde të riskut apo deklaratat e rrezikut të cilat janë në përputhje me atë vlerësim të risqeve të shëndetit të kryer nga punëdhënësi dhe për sa kohë që ato nuk janë paraqitur në shtojcën II:

  1. a) në veçanti substancat dhe përzierjet që kanë efekte toksike, kancerogjene, mutagjene dhe toksike për riprodhimin;
  2. b) merkuri dhe derivatet e merkurit;
  3. c) medikamentet antimitotike;

ç) monoksidi i karbonit;

  1. d) agjentët kimikë të njohur dhe të rrezikshëm që përthithen nëpërmjet lëkurës.
  2. Proceset dhe punët industriale si më poshtë:
  3. Prodhimi i auraminës;
  4. Puna që përfshin ekspozimin ndaj hidro-karbureve aromatike policiklike të pranishëm në blozën e qymyrit, zift, katran, tym ose pluhur;
  5. Puna që përfshin ekspozimin ndaj pluhurave, tymrave, dhe aerosolëve të prodhuara gjatë pjekjes dhe elektrorafinimit të lëndëve bakër-nikel;
  6. Proces i fortë acid në prodhimin e alkoolit izopropil;
  7. Prodhimi dhe trajtimi i pajisjeve, fishek-zjarrëve ose produkteve të tjera që përmbajnë lëndë shpërthyese;
  8. Puna me risk ndaj tensionit të lartë elektrik;
  9. Puna me kafshë të egra ose të tërbuara;
  10. Puna në thertore në shkallë industriale;
  11. Puna që përfshin trajtimin e pajisjeve për prodhimin, magazinimin ose aplikimin e gazrave të komprensuara, të lëngëzuara apo të tretura;
  12. Puna me vaska, depozita, rezervuare apo kontejnerë që përmbajnë agjentët kimikë të përmendur në pikën A.3 të kësaj shtojce;
  13. Puna që përfshin risk për shembje strukturore;
  14. Puna në repartet psikiatrike apo klinikat psikiatrike duke ushtruar kujdesin e drejtpër-drejtë të pacientëve të psikiatrisë në njësi të mbyllura;
  15. Puna me ritëm, i cili përcaktohet nga makineria, dhe që përfshin pagesën në bazë të realizimit të punës;
  16. Prodhimi i lëndëve farmaceutike dhe përzierjeve të rrezikshme, të tilla si citogjenet apo barnat veterinare.
  17. Kushtet e punës

Puna në minierë nëntokë.

SHTOJCA II

LISTË JOSHTERUESE E AGJENTËVE DHE E KUSHTEVE TË PUNËS PËR RASTET NË TË CILAT NDALOHET EKSPOZIMI NDAJ RISQEVE TË PËRMENDURA NË NENIN 4 TË KËSAJ RREGULLOREJE

  1. Agjentët
  2. a) Agjentë fizikë

Puna në atmosferën hiperbarike, p.sh., ambiente të mbyllura nën presion të lartë dhe zhytja nën ujë.

  1. b) Agjentët biologjikë

Agjentët biologjikë të mëposhtëm:

– toksoplasma;

– virusi rubeola,

përveç rasteve kur punëmarrëset shtatzëna janë provuar se janë të mbrojtura në mënyrë të mjaftueshme ndaj agjentëve të tillë nëpërmjet imunizimit.

  1. c) Agjentët kimikë:
  2. i) Plumbi dhe derivatet e plumbit, për sa kohë këta agjentë mund të përthithen nga organizmi i njeriut;
  3. ii) Substancat dhe përzierjet që mund të shkaktojnë helmimin akut ose kronik me pasoja të rënda ose të pakthyeshme mbi shëndetin njerëzor, etiketuar me R23, R24, R25, R26, R27, R28 ose R39, ose kombinimet e tyre apo R68 në kombinim me shprehjet R20, R21 ose R22, ose një shprehje R48 në kombinim me shprehjet R23, R24 apo R25, ose etiketuar me H300, H301, H310, H311, H apo 330 H331 ose kombinime të tyre apo etiketuar me H370, H371 ose H372;

iii) Substancat dhe përzierjet e klasifikuara si kancerogjenë të kategorive 1, 2 ose 3, të shënuara me R45, R49 apo R40 ose kancerogjenë të kategorisë 1A, 1B apo 2, me deklaratat H350, H350i ose H351;

  1. iv) Substancat dhe përzierjet e klasifikuara si mutagjenë të kategorive 1, 2 ose 3, me shprehjet R46 apo R68, ose mutagjenë në qelizat riprodhuese të kategorive 1A, 1b ose 2, me deklaratat H340 apo H341;
  2. v) Substancat dhe përzierjet toksike për riprodhimin me efekt mbi fetusin në trupin e nënës, kategoritë 1, 2 ose 3, të shënuar, R61 ose R63, apo kategoritë 1A, 1B ose 2, me pasqyrat H360D, H360FD, H360Fd, H360Df, H361d ose H361fd;
  3. vi) Sensitizues të frymëmarrjes apo lëkurës, të etiketuar me R 42 R 43 ose kombinimet e tyre apo të etiketuara me H334 ose H317;

vii) Agjentët kimikë ose përzierjet që kanë ndikim të dëmshëm në shëndetin e fëmijëve që ushqehen me gji etiketuar me R64 ose H362;

viii) Agjentët kimikë ose përzierjet toksike për riprodhimin, me ndikim negativ në lindshmëri, të  etiketuar R60 R62 ose nga kombinimet e tyre ose të etiketuara me H360F, H360FD, H360Fd, H360Df, H361f ose H361fd;

  1. ix) Pluhur i drurit të fortë që është kancerogjen për njerëzit.
  2. Kushtet e punës:
  3. a) prodhimi dhe trajtimi i pajisjeve, fishekzjarrëve apo objekte të tjera që përmbajnë eksplozivë;
  4. b) puna në lartësi më shumë se 1,5 m mbi nivelin e tokës;
  5. c) puna me rreziqe të tensionit të lartë;

ç)    puna me kafshë të egra ose të tërbuara;

  1. d) puna në shërbimet e shëndetit mendor gjatë kujdesit të drejtpërdrejtë të pacientëve të psikiatrisë në njësi të mbyllura;
  2. dh) prodhimi i lëndëve farmaceutike dhe substancave të rrezikshme, të tilla si citogjenët apo barnat veterinare;
  3. e) puna e përhershme në vendin e punës gjatë turnit 8 orësh ku temperatura artificiale mbahet -4oC dhe më poshtë;

ë)    puna e përhershme në vendin e punës ku temperatura artificiale mbahet gjatë turnit prej 8 orësh për më shumë se 1 orë – 5oC dhe më poshtë;

  1. f) puna në miniera nëntokë.

[1] Udhëzuesi i shëndetit riprodhues, udhërrëfyes dhe protokolle të kujdesit të gruas dhe kujdesit të fëmijës. Baza ligjore ndodhen te faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë në rubrikën “Legjislacioni”.

 

[2] Vendimi nr. 841, datë 3.12.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për mbrojtjen e punëmarrësve nga risqet që lidhen me vibrimin në vendin e punës”. (transpozon direktivën 2002/44/EC).

[3] Vendimi nr. 523, datë 6.8.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit për mbrojtjen e punëmarrësve lidhur me punën e krahut me ngarkesa”“ dhe shfuqizimin e paragrafit 15.1 deri 15.10, të shtojcës V, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 312, datë 5.5.2010, “Për miratimin e rregullores për sigurinë në kantier” (transpozon direktivën 90/269//EEC).

[4] Vendimi nr. 842, datë 3.12.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për mbrojtjen e punëmarrësve nga risqet që lidhen me zhurmën në vendin e punës” (transpozon direktivën 2003/10/EC).

[5] Vendimi nr. 590, datë 18.8.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për mbrojtjen e punëmarrësve të ekspozuar profesionalisht ndaj rrezatimeve jonizuese””.

[6] Vendimi nr. 844, datë 3.12.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për mbrojtjen e punëmarrësve nga risqet lidhur me rrezatimin optik  në vendin e punës” (transpozon direktivën 2004/40/EC dhe 2013/35/EU).

[7] Vendimi nr. 550, datë 27.8.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në punë”” (transpozon direktivën 200/54/EC).

[8] Rregullore e BE-së nr. 1272/2008, për paketimin, etiketimin dhe paketimin e substancave kimike.

|