Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë: Sulmi ndaj gazetares dhe operatorit të “Fiks Fare”, ngjarje e rëndë dhe tronditëse
Sulmi me armë i banditëve ndaj reporteres dhe operatorit të Fiks Fare është ngjarje tronditëse
Tiranë më 9 Shkurt 2023
Sulmi me armë dhe kërcënimet serioze mbi reporteren dhe operatorin e emisionit investigativ “Fiks Fare” të televizionit Top Channel, të ndodhura në vendin Nikël në afërsi të Krujës, sipas transmetive të këtij emisioni, në datën 8 Shkurt 2023, përbën një ngjarje të rëndë dhe tronditëse.
Imazhet e publikuara prej emisionit, në të cilat persona të armatosur, agresivë dhe brutalë në komunikimin me reporteren dhe operatorin, me armë në duar të cilat i përdorin ndaj dronit të medias, janë një dëshmi autentike se sa i kërcënuar është gazetari në terren, se sa i pasigurtë është mjedisi në të cilin gazetarët ushtrojnë profesionin e tyre dhe raportimin ndaj krimit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron alarmant faktin që strukturat vendore policore, të cilat kanë qenë gati krejt inekzistente për të ndërhyrë në kohë, teksa reporteres dhe operatorit iu rrezikohej jeta nga personat e armatosur dhe të maskuar, të shfaqur si bandë përballë tyre. Gjuha kërcënuese, vetësiguria e tyre në kërcënim dhe paralajmërimet në rast të publikimit të pamjeve të filmuara, përbëjnë një alarm serioz.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u bën thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë rastin në fjalë, të zbulojnë autorët e kërcënimit me armë si dhe të garantojnë lirinë raportuese të gazetarëve për situatën kriminale në këtë rajon, në periferi të kryeqytetit, i cili përherë raportohet si terren ku veprojnë banda dhe grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë.
UGSH konfirmon mbështetjen e fuqishme për kolegët dhe stafin e emisionit të njohur investigativ dhe inkurajon gjithë reporterët për guxim raportues dhe këmbëngulje në misionin përballë të vërtetave që sfidojnë rendin apo sigurinë për shkak të segmenteve dhe falangave kriminale.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë