Strukturohet Unioni i Gazetarëve të Tiranës/ Më shumë Aktivizëm dhe kurajo për të drejtat e gazetarëve

Unioni i Gazetave Shqiptare zhvillon ditën e mërkurë, më datën 8 mars 2023 një takim në zyrën qendrore dhe në internet, përmes platformës Zoom, me drejtuesit në Tiranë dhe në qarqe të vendit, si dhe me drejtues të degëve në SHBA dhe Bruksel.

Në këto diskutime të çështjeve të ristrukturimit dhe organizimit të strukturave të UGSH në të gjitha dhe në mënyrat e veçanta të strukturës së Unionit të Gazetarëve të Tiranës.

Gjatë muajit të fundit, grupi organizator i strukturës së Tiranës ka zgjedhur
përfaqësuesit dhe drejtuesin e degës, duke krijuar një qasje të re ndaj çështjeve që prekin komunitetin e gazetarëve në përgjithësi si dhe specifikat që ofron realiteti i mediave dhe gazetarëve në metropol të vendit.

Në drejtimin e Unonit të Gazetarëve të Tiranës bëjnë pjesë gazetarët, Bardhi Quku, Kujtim Topuzi, Oliverda Allmuça dhe gazetari e studiuesi i medias e komunikimit, Laert Miraku.

Në diskutimin dhe debatin e mbi 20 drejtuesve të UGSH u prekën çështje që kanë të bëjnë me të drejtat themelore të gazetarëve në vendin e tyre të punës, gjatë raportimeve në terren, në përballjen me institucionet, në përballjen me grupe të caktuara, risqet ku shpesh gazetarët janë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht dhe në jo pak raste vijojnë të përballen me kërcënime dhe shantazhe të drejtëpërdrejta dhe të tërthorta, etj.

Struktura e re e Unionit të Gazetarëve të Tiranës do të përfshihet drejtëpërdrejtë në angazhime për trajtim dhe ngritjen në publik të problematikave mbi mënyrën e trajtimit të gazetarëve në mjedisin e tyre të punës, duke nisur nga kontratat e munguara dhe të panegociuara( në ato pak raste që janë) të punës, të drejtat themelore që rrjedhin nga Kodi i Punës në raport me punëdhënësin si kushtet në të cilat ushtrojnë profesionin e tyre, vonesat e rrogave si dhe censura dhe autocensura si plagë aktuale në raportim dhe në realitetin informues.

Kolegia Allmuça dhe gazetarët Topuzi e Miraku janë koordinatorët e kësaj dege, të cilët së bashku me drejtuesin Quku do të aktivizohen vijueshmërisht për problematikat e parashtruara si dhe për ankesat dhe denoncimet që vijnë prej gazetarëve në gjithë skenën mediatike të Tiranës.

Kjo strukturë do të jetë një zë i ri për të ushtruar një presion pozitiv në përmirësimin e kushteve dhe trajtimit të gazetarëve, qoftë përmes propozimeve konkrete apo edhe protestave për çështje konkrete dhe kërkesa ndryshuese të gjendjes kritike.

Në takimin e djeshëm, nga drejtues dhe kordinatorë të UGSH-së u ngritën edhe çështje që prekin drejtpërdrejtë problematikat e pagave të pa marra nëpër disa media, për gjendjen kritike ekonomike të tyre dhe punonjësve të mediave në krejt vendin, por më e theksuar në mediat vendore dhe për reportërët lokalë.

Drejtuesit e degëve të UGSH në qarqe propozuan rritje dhe forcim të mëtejshëm të bashkërendimit të mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve, aktivizëm dhe energji reaguese të organizatës si dhe ndërhyrje më të fuqishme pranë organizmave dhe institucioneve ndërkombëtare që merren me monitorimin e lirisë së gazetarit.

Kolegët e Unionit në qarqe theksuan se po evidentohet një fenomen që po vjen gjithnjë e në rritje në mediat lokale dhe në qytete të ndryshme të vendit ku ekziston një traditë dhjetravjeçare në fushën e mediave, ku të rinjtë nuk pranojnë të bëhen pjesë e medias apo të ushtrojnë profesionin e korrespondetit, qoftë edhe për mediat kryesore, për shkak të nivelit të ulët të pagave dhe diskriminimit financiar.

Ky fenomen evidentohet në disa qarqe, madje në ato më kryesoret, nisur që nga Elbasani, Dibra dhe Berati, etj., ku rëndom një gazetar raporton për disa media njëkohësisht, duke mos mundur të sigurojë as një page me nivel mesatar.

Gjithashtu, në këtë diskutim u përfshinë drejtuesit e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në në Bruksel dhe në SHBA, me qendër në New York, të cilët shtruan propozimet e tyre duke theksuar nevojën e shtrirjes së bashkëpunimit edhe në rang ndërkombëtar, me qëllim shkëmbimin eksperiencave për të trajtuar problematikat mbi median dhe gazetarët me organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare të medias.

Të gjitha problematikat, sugjerimet dhe takimet e parashtruara nga këto konvergjencë me kërkesën që të gjithë strukturat dhe degët e UGSH të shtojnë aktivizmin, vetëveprimin dhe shumëfishojnë solidaritetin me të gjithë gazetarët për të gjitha çështjet dhe problematikat në realitetin tonë mediatik.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

|