LIGJ Nr.9992, datë 18.9.2008 PËR RATIFIKIMIN E KONVENTËS SË ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE TË PUNËS (ILO) “PËR POLITIKËN E PUNËSIMIT, C 122, 1964”

LIGJ

Nr.9992, datë 18.9.2008

PËR RATIFIKIMIN E KONVENTËS SË ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE TË PUNËS (ILO) “PËR POLITIKËN E PUNËSIMIT, C 122, 1964”

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Ratifikohet konventa e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) “Për politikën e punësimit, C 122, 1964”.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5900, datë 1.10.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

 

KONVENTA E POLITIKËS SË PUNËSIMIT C122, 1964

Konventa mbi politikën e punësimit (Shënim. Data e hyrjes në fuqi: 15.7.1966)

Konventa: C 122

Vendi: Gjenevë

Sesioni i Konferencës: 48

Data e miratimit: 9.7.1964

Klasifikimi i subjektit: Politika e punësimit

Subjekti: Politika dhe nxitja e punësimit

Shih ratifikimet e kësaj Konvente

Konferenca e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Punës,organizuar në Gjenevë nga organi drejtues i Zyrës Ndërkombëtare të Punës në sesionin e saj të dyzet e tetë më 17 qershor 1964; dhe

duke pasur parasysh se deklarata e Filadelfias njeh detyrimin solemn të Organizatës Ndërkombëtare të Punës për t’u përcjellë kombeve të botës programe, të cilat realizojnë punësim të plotë dhe rritjen e standardeve të jetesës, dhe se në parathënien e Kushtetutës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës parashikohet parandalimi i papunësisë dhe sigurimi i një page të mjaftueshme për të jetuar; dhe

më tej, duke pasur parasysh faktin se në bazë të kushteve të deklaratës së Filadelfias, Organizata Ndërkombëtare e Punës mban përgjegjësi për të shqyrtuar dhe gjykuar mbi lidhjen e politikave ekonomiko-financiare me politikën e punësimit në dritën e objektivit themelor se “të gjithë njerëzit, pavarësisht nga raca, besimi dhe gjinia, gëzojnë të drejtën e mirëqënies materiale dhe zhvillimit të tyre shpirtëror në kushtet e lirisë dhe dinjitetit të sigurisë ekonomike dhe mundësive të barabarta”; dhe

duke pasur parasysh se Deklarata themelore e të drejtave të njeriut parashikon  se “çdo njeri gëzon të drejtën e punës, e zgjedhjes së lirë të punësimit, e kushteve të favorshme të punës si dhe të mbrojtjes nga papunësia”; dhe

duke vërejtur kushtet e konventave ndërkombëtare ekzistuese të punës dhe udhëzimeve të lidhjeve të drejtpërdrejta me politikën e punësimit, dhe në veçanti Konventën e shërbimit të punësimit dhe udhëzimet e vitit 1948, udhëzimin këshillues profesional të vitit 1949, udhëzimin e kualifikimit profesional të vitit 1962, si dhe Konventën e diskriminimit (punësimit dhe profesionit) dhe udhëzimin e vitit 1958; dhe

duke marrë në konsideratë se këto instrumente duhet të vendosen në një kuadër më të gjerë të një programi ndërkombëtar për shtrirje ekonomike mbi bazën e një punësimi të plotë, produktiv dhe me zgjedhje të lirë, dhe

pasi është vendosur mbi miratimin e disa propozimeve në lidhje me politikën e punësimit të përfshira në pikën e tetë të axhendës së sesionit; dhe

pasi është përcaktuar që këto propozime të marrin formën e një konvente ndërkombëtare, miraton më nëntë qershor një mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër Konventën e mëposhtme, e cila mund të referohet si Konventa e politikës së punësimit, 1964.

Neni 1

  1. Duke synuar stimulimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik, ngritjen e nivelit të jetesës, plotësimin e kërkesave për fuqi punëtore dhe kapërcimin e papunësisë dhe punësimit të pjesshëm, çdo anëtar deklaron dhe ndjek si objektiv kryesor një politikë aktive të hartuar për nxitjen e punësimit të plotë, produktiv dhe me zgjedhje të lirë.
  2. Politika e lartpërmendur ka për qëllim të sigurojë:
  3. a) punësim për të gjithë ata që janë të disponueshëm dhe që kërkojnë të punësohen;
  4. b) punësim sa më produktiv që të jetë e mundur;
  5. c) lirinë e zgjedhjes së punësimit dhe mundësi maksimale për çdo punëtor që të kualifikohet, ta përdorë aftësinë e tij për një punë të përshtatshme, pavarësisht nga raca, ngjyra, seksi, besimi, bindjet politike, kombësia apo origjina sociale.
  6. Politika e lartpërmendur merr në konsideratë stadin dhe nivelin e zhvillimit ekonomik dhe marrëdhëniet reciproke ndërmjet objektivave të punësimit dhe objektivave të tjerë ekonomiko-socialë, dhe ndiqet nga metoda, të cilat i përshtaten kushteve dhe praktikave kombëtare.

Neni 2

Me anë të metodave të tilla dhe në shkallën e nevojshme, në varësi të kushteve kombëtare, çdo anëtar:

  1. a) do të vendosë dhe mbajë nën vëzhgim, brenda kuadrit të një politike social-ekonomike të koordinuar, masat që do të ndërmerren për arritjen e objektivave të specifikuar në nenin 1;
  2. b) do të ndërmarrë hapa të tillë sipas nevojës, duke përfshirë sipas rastit edhe krijimin e programeve për zbatimin e këtyre masave.

Neni 3

Në zbatimin e kësaj Konvente, përfaqësuesit e personave të cenuar nga masat që do të ndërmerren, dhe në veçanti përfaqësuesit e punëdhënësve dhe punëmarrësve, do të konsultohen mbi politikat e punësimit me synimin për të marrë plotësisht në konsideratë përvojën dhe pikëpamjet e tyre dhe sigurimin e bashkëpunimit të tyre të plotë në formulimin dhe renditjen e mbështetjes për këto politika.

Neni 4

Ratifikimi zyrtar i kësaj Konvente i komunikohet Drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës Ndërkombëtare të Punës për regjistrim.

Neni 5

  1. Kjo Konventë është e detyrueshme vetëm për ata anëtarë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ratifikimet e të cilëve janë regjistruar pranë Drejtorit të Përgjithshëm.
  2. Konventa hyn në fuqi dymbëdhjetë muaj pas datës në të cilën dy anëtarë regjistrohen pranë Drejtorit të Përgjithshëm.
  3. Pas kësaj, Konventa hyn në fuqi për çdo anëtar, dymbëdhjetë muaj pas datës së regjistrimit të ratifikimit.

Neni 6

  1. Pasi të kenë kaluar dhjetë vjet nga data në të cilën Konventa ka hyrë në fuqi, një anëtar i cili ka ratifikuar këtë Konventë mund ta shpallë atë të pavlefshme me anë të një akti komunikuar Drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës Ndërkombëtare të Punës për regjistrim. Kjo zgjidhje e Konventës nuk do të ketë fuqi deri në një vit pas datës së regjistrimit.
  2. Çdo anëtar, i cili ka ratifikuar këtë Konventë dhe që brenda vitit që pason mbarimin e periudhës dhjetëvjeçare të përmendur në paragrafin paraprirës, nuk ka ushtruar të drejtën për zgjidhjen e marrëveshjes të parashikuar në këtë nen, ka detyrim ligjor për një periudhë tjetër dhjetëvjeçare dhe pas kësaj, mund ta shpallë këtë Konventë të pavlefshme pas mbarimit të çdo periudhe dhjetëvjeçare, sipas kushteve të parashikuara në këtë nen.

Neni 7

  1. Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Ndërkombëtare të Punës njofton të gjithë anëtarët e Organizatës Ndërkombëtare të Punës në lidhje me regjistrimet e të gjitha ratifikimeve, deklarimeve dhe zgjidhjeve të marrëveshjes të komunikuara atij nga ana e anëtarëve të organizatës.
  2. Në njoftimin e anëtarëve të organizatës mbi regjistrimin e ratifikimit të dytë, Drejtori i Përgjithshëm u tërheq vëmendjen anëtarëve të organizatës në lidhje me datën në të cilën Konventa hyn në fuqi.

Neni 8

Në përputhje me nenin 102 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës i komunikon Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për regjistrim detajet e çdo ratifikimi, deklarimi dhe akti zgjidhjeje të regjistruar prej tij në përputhje me dispozitat e neneve paraprirëse.

Neni 9

Kur organi drejtues i Zyrës Ndërkombëtare të Punës e çmon të arsyeshme, ai i paraqet Konferencës së Përgjithshme një raport mbi ecurinë e kësaj Konvente dhe shqyrton preferencën e vendosjes në axhendën e konferencës të çështjes së rishikimit të Konventës pjesërisht ose në tërësi.

Neni 10

  1. Konfernenca mund të miratojë një konventë të re, që rishikon këtë Konventë pjesërisht ose në tërësi, nëse konventa e re nuk parashikon ndryshe, atëherë:
  2. a) ratifikimi nga një anëtar i konventës së re të rishikuar nënkupton ipso jure zgjidhjen e menjëhershme të kësaj Konvente, pavarësisht nga dispozitat e nenit 6 të mësipërm, në momentin kur Konventa e re e rishikuar hyn në fuqi;
  3. b) nga data kur konventa e re e rishikuar hyn në fuqi, kjo Konventë nuk mund të ratifikohet më nga anëtarët.
  4. Kjo Konventë mbetet në çdo rast në fuqi në formën dhe përmbajtjen e saj aktuale për ata anëtarë, të cilët e kanë ratifikuar atë, por nuk kanë ratifikuar konventën e rishikuar.

Neni 11

Versionet në gjuhën angleze dhe frënge të tekstit të kësaj Konvente janë njëlloj të barasvlefshme.

|